Ilustrim: KALLXO.com.

Letra e Trumpit për Kosovën: Më pak politikë, më shumë ekonomi

Letra përmes së cilës presidenti amerikan, Donald Trump e uroi Kosovën në 17-vjetorin e mëvetësisë së saj shpërfaqi më shumë se sa një përgëzim nga ana e një aleati. Ndërmjet rreshtash u pa një qasje ndryshe e njeriut të parë të SHBA-së – krahasuar me pararendësit e tij. Ai nuk përmendi as “Dialog” e as “shtet multietnik”, por theksin e vuri në lidhjet ekonomike.

Se Trumpi ka qëllime ekonomike është vënë re edhe në mandatin e tij të parë, atëherë kur në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me kryeministrin e Kosovës, atëkohë Avdullah Hotin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila ishte në masë të madhe “ujdi ekonomike”.

“Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona.” – shkruan në letrën e Trumpit.

Lidhja ekonomike, megjithatë, nuk është e pazakontë si postulat që shpërfaqet nga Trump. Më e pazakontë tingëllon të jetë mungesa e përmendjes së Dialogut Kosovë-Serbi dhe rrethanave të tjera që ndërlidhen me këtë çështje.

Letra e Trumpit, hap i zakonshëm i politikave të tij

David Kanin, profesor i Studimeve Europiane në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, nuk e sheh mesazhin e Trumpit si një ndryshim në qasjen e tij ndaj Kosovës, pasi sipas tij ai prej fillimit ka pasur qasje të tillë. Sipas vlerësimit të tij, letra është kryekëput në përputhje me Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020.

“Ajo përputhet me Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, e cila minimizoi mosmarrëveshjen e statusit me Serbinë, në favor të marrëveshjeve ekonomike të dizajnuara për të ‘normalizuar’ marrëdhëniet.” – tha Kanin në një intervistë, për KALLXO.com.

Marrëveshja e Uashingtonit bëri që Vuçiq dhe Hoti të nënshkruajnë dokumente të ndara, kryesisht të ndërlidhura me bashkëpunimin ekonomik, lidhjet hekurudhore dhe tranzitore. Ndër të tjera, Marrëveshja e 4 shtatorit 2020 bëri thirrje gjithashtu për bashkëpunim me Korporatën Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA-së – DFC dhe Bankën Amerikane për Eksport-Import – EXIM për financimin e projekteve të infrastrukturës bilaterale.

Sidoqoftë, Kanin u shpreh se gjatë Administratës së tij të parë, Trump dhe ekipi i tij e shmangën kryesisht çështjen e statusit, sepse ka qenë kaq e vështirë për t’u zgjidhur: “ky duket se është qëndrimi i Uashingtonit përsëri me Trumpin në krye”.

Në vlerësimin e tij, amerikanët qartazi nuk e miratojnë Kryeministër Albin Kurtin “dhe shpresojnë se pazaret aktuale politike në prag të Zgjedhjeve të fundit i mundësojnë dikujt tjetër të udhëheqë Qeverinë e ardhshme të Kosovës”.

Kanin thotë se synimi i Trumpit për të “punuar me Kosovën dhe fqinjët e saj” sugjeron se Uashingtoni do të punojë për marrëdhënie më të mira mes Kosovës dhe Serbisë.

Pa e përmendur me emër të përveçëm Serbinë, në letër Trump ka thënë se “do të punojnë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt”.

Madje, ai gëzohet që letra nuk ka përmbajtur tone të tjera, të cilat do ta cenonin pavarësinë e Kosovës.

“Lajmi i mirë është se asgjë në letër nuk tregonte ndonjë lëvizje amerikane larg njohjes së sovranitetit të Kosovës ose drejt konsiderimit të saj si ‘Kosovë dhe Metohija’. Do të shohim nëse do të mbetet kështu në vazhdim.” – u shpreh Kanin.

Ndajshtimi “Metohija” përdoret në aspektin pezhorativ dhe mohon pavarësinë e Kosovës, duke e konsideruar Kosovën si pjesë të Serbisë. Ky nocion daton që nga Mesjeta apo shek. XI dhe është term kishtar, që vazhdon të përdoret nga Serbia dhe serbët e Kosovës, kur flasin për Kosovën. Kosova është shtet i pavarur. Pavarësinë e ka shpallur më 17.02.2008.

 “Formati i bisedimeve, kryesisht jorealist”

Për ekspertin e Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore, Konrad Clewing, nëse mund të konsiderohet letra si një shprehje reale e të menduarit të Trumpit për Kosovën dhe të një politike të ardhshme të SHBA-së për Kosovën, “ajo me të vërtetë jep një ton interesant”.

Clewing vlerëson se ekziston një ndryshim shumë interesant i përshkruar nga mosreferimi i letrës për karakterin e supozuar multietnik të Kosovës si shtet.  Sipas tij, në vetvete, kjo meriton të mirëpritet si një qasje e matur.

“Pasi Kosova, përkundër të gjitha rregullimeve me Pakon e Ahtisaarit dhe (rregullimeve) kushtetuese të parashtruara nga Bashkësia Ndërkombëtare në lidhje me pavarësinë e Kosovës, shoqëria kosovare nuk mund të kuptohet në mënyrë adekuate si e tillë.” – shprehet ai në një bisedë me KALLXO.com.

Përkundrazi, ai shtoi se Kosova është një shtet de facto kombëtar i shumicës së saj të madhe shqiptare të Kosovës, ku të drejtat e forta të pakicave duhet të zbatohen për të siguruar pakicat etnike të vendit.

Një vit para shpalljes së Pavarësisë të Kosovës, i dërguari special i Kombeve të Bashkuara (OKB), Martti Ahtisaari ofroi Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës. Si ndërmjetësues i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës përpiloi një dokument – i njohur më shumë në publik si “Plani i Ahtisaarit” – i cili i dha garanci të forta komunitetit serb.

Përndryshe, në një krahasim me letrën e vitit 2024, ish-presidenti Joe Biden kishte thënë se “SHBA-ja fuqishëm e mbështet një Kosovë multietnike”, Trump nuk e përmend fare termin “shtet multietnik”.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku.” – shkruan në letrën me nënshkrimin e Trumpit.

Në anën tjetër, Clewing thotë se është shumë interesante dhe potencialisht e dobishme të mos shohësh asnjë referencë për “Dialogun” në atë letër, pasi sipas tij formati i bisedimeve ka rezultuar prej kohësh të jetë kryesisht jorealist dhe mashtrues për një kërkim të plotë të stabilitetit dhe stabilizimit rajonal.

Clewing thotë se fokusi i letrës në lidhjet ekonomike dypalëshe (SHBA dhe Kosova) duket se përshtatet në mënyrë të përkryer me qasjen në dukje të përgjithshme të SHBA-së për t’i dhënë përparësi interesave ekonomike të SHBA-së.

Eksperti thotë se për mendimin e tij “një pjesë e letrës NUK tregon një interes të veçantë të SHBA-së”, nëse “mund të ketë më shumë marrëveshje midis tre vendeve, të ngjashme me Marrëveshjen e Uashingtonit” aq më pak nëse shihet kontekstualizimi i saj i punës së SHBA-së “me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt”, me referencën e rëndësisë “që Kosova të integrohet më tej me Euro-atlantik”.

Nëse merret fjalë për fjalë, në interpretimin e Clewing, letra do të thotë se prosperiteti dhe siguria rajonale lidhet më së shumti me integrimin euro-atlantik – jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit në tërësi. Gjë që sipas tij, një gjë e tillë nuk është aspak ekuivalente me dhënien e një vargu për më shumë marrëveshje ndërmjet SHBA-së, Kosovës dhe Serbisë.

Letra shihet edhe si mesazh pozitiv

Ish-gazetari i kahershëm i “Zërit të Amerikës”, historiani Elez Biberaj vlerëson se mesazhi i Trumpit drejtuar presidentes Vjosa Osmani ishte mesazh pozitiv.

Biberaj tha se përmes kësaj letre, Trump shprehu mbështetje të plotë për Kosovën dhe tha se Shtetet e Bashkuara “mezi presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me Qeverinë e Kosovës gjatë vitit të ardhshëm.” Megjithatë, ai thotë se Kosova mbetet shumë e prekshme nga ndryshimi i politikës amerikane dhe peizazhi i ri gjeo-politik.

Por, në anën tjetër, historiani vlerëson se Serbia tashmë ndihet e inkurajuar nga kthimi i presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Në botëkuptimin e tij, Zgjedhjet e fundit të Kosovës ofrojnë një mundësi dhe se situata e re kërkon një udhëheqje të pjekur që është në gjendje të ndërmarrë veprime konkrete dhe të qëndrueshme, për të rivendosur marrëdhëniet e njollosura të Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe për të kërkuar ndihmën e Uashingtonit në arritjen e një Marrëveshjeje me Serbinë.

“Pavarësisht se kush e formon Qeverinë e ardhshme, Kurti apo forcat opozitare, Kosova ka nevojë për një marrëveshje ndërpartiake për të zhvilluar një politikë koherente.” – ka shkruar ai në një opinion të publikuar në Facebook, më 20.02.2025.

Biberaj, i cili punon dhe vepron në SHBA, thotë se shteti ku ai jeton ka bërë investime të mëdha në Kosovë dhe tani do të duhej ta ndihmonin Kosovën të arrijë më në fund objektivat për të siguruar sovranitetin e saj të plotë dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme me Serbinë.

“Uashingtoni ka besueshmërinë dhe aftësinë për të ndihmuar Kosovën të formësojë të ardhmen e saj. Një Kosovë sovrane, e qëndrueshme, e begatë dhe demokratike është në interesin kombëtar të SHBA-së.” – ka shkruar ai.

Në lidhje me qëndrimet e presidentit amerikan Donald Trump dhe mesazhet e tij ndaj Kosovës, në rrjetin social TikTok janë publikuar video, disa prej të cilave mund t’i gjeni KËTU dhe KËTU.

Dialogu Kosovë- Serbi ka çaluar përgjatë viteve të fundit.

Në mars të vitit 2025 shënohen dy vjet që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut Kryeministri kosovar dhe Presidenti serb ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike, që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës – përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 Nene, ndër të tjera, parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha Marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë Dialogut.

Megjithatë, kjo Marrëveshje ka mbetur ende e pazbatuar.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Ky proces kishte nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.