Letër nga Jerevani: Teksa retë e konfliktit zbehen, kreativiteti ofron një shpresë të re

Kur lufta në terren përfundimisht ndaloi në rajonin e Nago-Karabakut vitin e kaluar, Armenia u detyrua të pajtohej me humbje. Pati humbje të territorit të kontrolluar nga armenët, dorëzuar Azerbajxhanit në një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia. Pati humbje të njerëzve të cilët asnjëherë nuk erdhën në shtëpitë e tyre nga vija e frontit. Dhe, pati humbje të identitetit dhe krenarisë – duke e lënë Jerevanin e pasluftës me çarje dhe me ndarje të brendshme politike.

Pikërisht pesë muaj pas fillimit të luftës më 27 shtator, mëngjesi i hershëm i gjen festuesit në Poligraf, një klub nate në Jerevan si dhe një vend për muzikë live, teksa kërcejnë e dëfrehen në eventimentin YERAZ, një këngë që bën bashkë artistë armenë nga e gjithë bota.

“YERAZ pasqyron pasurinë dhe qëndrueshmërinë e njerëzve armenë; duke këmbëngulur në mijëra vjet histori dhe duke lulëzuar kudo që shkojnë”, shpjegon Zach Asdourian, producenti ekzekutiv i albumit.

Asdourian është gjithashtu themeluesi i Critique, një markë albumesh me bazë në LA, dhe ai fluturoi në Jerevan në muajin shkurt për të prezantuar këngën dhe skautuar për artistë më të afërt armenë. Atë natë, porosia ishte i qartë: pas konfliktit, Jerevani ishte ende gati të ngrihej, të kërcente dhe të festonte jetën.

Mirëpo lëvizjet atraktive në Jerevan janë rajtuar me neveri edhe për “lëvizjen drejt” luftës ndërkohë që shoqëria mbetet në zi dhe fyer gjatë një rënie të vështirë ekonomike. Por krijuesit në Jerevan mbeten të vendosur për rindërtimin e vendit – duke rifilluar një ndjenjë të re të qëllimit dhe identitetit përmes artit. Ata besojnë se kultura mund të jetë mënyra e vetme për të thithur ajër të pastër në një qytet të ngulfatur nga pikëllimi.

Foto: Hrant Khachatrian

“Duke punuar me muzikantë lokalë këtu në Jerevan, kam parë që logjika e pasluftës midis artistëve këtu është që artizanati i tyre është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë, në mënyrë që të ndihmojë bashkëqytetarët e tyre të shërohen nga humbjet e fundit dhe të ndihmojnë në shkrimin e një narrative të re që sjell shpresë sesa apati për armenët në vend dhe arenën globale”, shpjegon Asdourian.

“Njerëzit mund të thonë se prioritet duhet të jetë investimi ushtarak ose diçka që është më e lidhur fizikisht me sovranitetin tonë, por unë besoj se ri-imagjinimi dhe tregtimi/distribuimi i kulturës sonë në pjesën tjetër të botës do të na ndihmojë të arrijmë sovranitetin dhe të mbrohemi nga kërcënimet ushtarake”.

2020 kishte qenë tashmë një vit i vështirë për Jerevanin. Dy vjet më parë, një lëvizje paqësore protestash e njohur si Revolucioni Kadife përmbysi regjimin e korruptuar të vendit dhe kryeqyteti po lulëzonte nën një ndjenjë të ripërtërirë të shpresës dhe energjisë krijuese. Si rezultat, iniciativat kulturore – nga galeritë tek OJQ-të feministe dhe vendet e performancës – kishin lulëzuar. Kafenetë dhe baret e modës lulëzuan në qendër të qytetit të Jerevanit, performuesit bënin punën e tyre nëpër tarraca të hapura gjatë gjithë vitit.

Dhe ndërkohë që skena kulturore që po lulëzonte pësoi një goditje të dukshme gjatë pandemisë, ajo gjithashtu përjetoi një rilindje të paparashikuar. Në një vend të karakterizuar nga emigracioni, një verë e mbyllur nënkuptonte që shumë armenë u detyruan të ktheheshin në shtëpi, të uritur për një jetë shoqërore pas muajsh të tërë izolimi.

Ende, energjia kreative po zbehej.

“Pas revolucionit, erdhi një valë motivimi. Por para luftës, kjo valë pësoi një rënie ndërsa pritjet ishin jashtëzakonisht të larta nga revolucioni dhe kishte një ndjenjë ngecjeje që po fundosej tashmë”, shpjegon Melineh, aka Lav Aghjik, (“Vajza e mirë”), një DJ dhe këngëtar vendas, dhe një përson i rregullt i evenimenteve të muzikës live të Jerevanit.

“Kishim kaluar javë me radhë duke organizuar ‘Play for Beirut’, një natë klubi për mbledhjen e fondeve, si personalisht ashtu edhe përmes internetit, për të ndihmuar viktimat e shpërthimit që ndodhi në Liban. Zakonisht është e vështirë të gjesh DJ që punojnë në vende të ndryshme dhe t’i bësh të bëjnë muzikë së bashku, por të gjithë ranë dakord të luftonin së bashku për këtë kauzë”, thotë Melineh, e cila u kthye në Jerevan në vitin 2019 pasi jetoi në Liban për shtatë vjet.

“Atë ditë, u zgjova vonë dhe pata 15 telefonata të humbura. Ne ishim në luftë”.

Foto: Hrant Khachatrian

Gumëzhitja urbane e vonë e verës u zëvendësua nga agonia gjithë-ditore ndërkohë që forcat armene dhe azerbajxhanase u përplasën në territorin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut, të njohur për armenët si Artsakh. Ndërkohë që të dyja vendet kishin pretendime për përvetësim tokash, kjo zonë kishte mbetur në një armëpushim të tensionuar që kur Lufta e Parë e Nagorno-Karabak përfundoi në vitin 1994. Kur luftimet shpërthyen përsëri me 27 shtator të vitit 2020, tensioni në Jerevan ishte i dukshëm.

“Nuk dija se çfarë po ndodhte; Mendova, çfarë duhet të bëjmë? A mund të vallëzojmë akoma për një kauzë tjetër kur vendi ynë është në luftë?”, thotë Melineh.

“Përgjigja u qartësua disa orë më vonë kur dy prej DJ-ve u anuluan. Ata tashmë ishin ftuar në vijat e frontit”.

Së shpejti, shumë krijues – dizajnerë grafikë, tregtarë digjitalë – kishin lënë mënjanë punët e tyre ditore dhe ishin bashkuar me një lëvizje bazë për të krijuar parulla dhe postera që do të tërhiqnin vëmendjen ndërkombëtare në konflikt. Gazetarët dhe fotografët udhëtuan në Nagorno-Karabak, ndërkohë që plot kryeqytetas nxituan për të mbledhur fonde për grupe të shumta që do të ndihmonin në konfliktin atje.

Ndërkohë që nata e mbledhjes së fondeve në Bejrut u anulua, kultura nuk u tërhoq plotësisht mënjanë gjatë konfliktit. ‘Poligrafi’ vazhdoi t’i mbante netët e tij javore dhe t’ua kushtonte paratë mbledhësve të fondeve. Galeritë e artit dhe hotelet ripozicionuan hapësirat e tyre si strehimore për refugjatët. Dyert e TUMO Stepanakert, dega e Nagorno-Karabagut, qendra kryesore arsimore e medias në Armeni, u mbyll, por faqet e mediave sociale të shkollës vazhduan t’i bashkrëndojnë punët me studentët e saj në rajon.

“Në kohë paqeje, janë barinjtë që ruajnë malet e Artsakh. Historia e fotografisë së ish studentit të TUMO Stepanakert, Arnold Ghazaryan, është nga ajo kohë”, thotë mbishkrimi në një postim nga 5 tetori. Tani Arnold po shërben në ushtrinë e Artsakh, duke ruajtur kufijtë tanë. Mezi presim kthimin e tij dhe për fotot të reja të një toke edhe më paqësore”.

Një marrëveshje paqësore më në fund i dha fund luftimeve rreth 44 ditë pasi filloi lufta. Megjithatë, ndërkohë që konflikti fizik pushoi, shumë prej tyre kishin mbetur duke luftuar edhe më tej.

“Në ditën e fundit të luftës, kur mësuam për marrëveshjen e paqes, pothuajse na vinte të qeshnim. Duket tmerrshme të thuash, por gjithçka dukej kaq e pakuptimtë. Ne ishim aq të rraskapitur; trupat tanë nuk mund ta duronin atë gjendje më”, më thotë një mik.

Një nga qendrat kreative të Jerevanit, Biblioteka Mirzoyan, themeluesi i së cilës kishte fotografuar pa pushim luftën, njoftoi përmes Instagramit se do të mbyllte dyert e saj.

“Në këto kohë të vështira, të gjithëve na duhet kohë për të shikuar prapa atë që kemi bërë në të kaluarën, për të rimenduar atë që do të bëjmë në të ardhmen […]. Ose thjesht kuptojmë nëse akoma mund të bëjmë ndonjë gjë në të ardhmen”.

Megjithatë, brenda pak ditësh, u bë e qartë se skena kulturore e Jerevanit do të tërhiqej. Evenimentet vazhduan të funksiononin; edhe Biblioteka Mirzoyan përfundimisht hapi dyert e saj. Tani, katër muaj më pas, gjurmët e dukshme të luftës janë të pakta në Jerevan.

“Para Janarit kishte një pauzë, e cila ishte normale, pasi njerëzit ishin në periudhë zie, duke u përpjekur të tretnin luftën dhe rrethanat e saj, por tani ka përsëri një valë ngjarjesh”, thotë Melineh.

Foto: @Saiko3p

‘Poligrafi’ vazhdon të shitet në netët e tyre javore, duke krijuar një platformë për t’u shkyçur dhe kërcyer me netët muzikore me prezencë të femrave vetëm, muzikantët në zhvillim e sipër dhe evenimentet eksperimentale.

“Vazhdimi i punës pas luftës, ishte edhe më i vështirë sesa pas bllokades për shkak të pandemisë Covid-19”, shpjegon Davit Sukiasyan, themeluesi i ‘Poligraf’.

“Por ne e bëmë atë sepse iniciativat kulturore janë atje për t’i shëruar njerëzit”.

Vetëm në shkurt, Melineh ishte në skenën e Poligraf dy herë, duke kënduar këngën e saj në evenimentin lansues të YERAZ, dhe një herë tjetër me grupin e saj me 8 mars, në një ngjarje që festonte muzikantet femra në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Mirzoyan edhe njëherë ka mbushur ballkonet e saj me të apasionuar pas fotografisë, punëtorë të largët dhe kreatorë të pavarur që pijnë, marrin pjesë në shfaqjet e filmave ose duke dëgjuar sete nga DJ.

Edhe TUMO Center rihapi dyert e saj në Stepanakert, dhe fotografitë e tyre në Instagram të rrobave të varura në kryeqytetin e Nagorno-Karabakh janë shenja inkurajuese të jetës së re. Muzeu i Arkitekturës Tamanyan në Jerevan hapi një ekspozitë me qilima njëqindvjeçarë që dikur ishin të ekspozuara në Muzeun e Qilimave në Shushi, një qytet në Nagorno-Karabak tani nën kontrollin e Azerbajxhanit. Dhe në fund të muajit dhjetor, Galeria e Artit Dalan në Jeurvan përuroi platformën ‘Listening to Imagine’, një platformë për të ftuar artistë dhe audienca të angazhohen në parashikimin e mundësive të ndryshme për të ardhmen.

Sidoqoftë, ndërkohë që iniciativat kulturore si gjatë dhe pas luftës janë të mbarsura me një ndjenjë solidariteti, krijuesit përballen me një mjedis më pak mbështetës ndërsa qeveria ndërpret mbështetjen në art – dhe disa armenë e shohin arratisjen kreative si një përpjekje nga njerëzit për t’u fshehur nga vështirësitë sociale të Armenisë.

“Edhe para luftës, kishte një mungesë mbështetjeje qeveritare ndaj kulturës”, shpjegon Victoria Aleksanyan, një kineaste, aktiviste dhe themeluese ie Shoqatës së Filmbërësve të Pavarur të Armenisë, një organizatë që lobon për ta fituar mbështetjen e qeverisë për industrinë e filmit në këtë shtet.

“Në sytë e qeverisë, lufta ka ulur edhe më shumë urgjencën e sektorit. Është e vështirë të thuash se cili do të jetë drejtimi i industrisë kulturore, por shumë njerëz janë kthyer drejt kulturës për t’u shëruar. Dhe duket se ka një përplasje me qeverinë, e cila është edhe më pak e interesuar se më parë për progres drejt industrisë”.

Situata politike mbetet gjithashtu e tensionuar, pasi partitë pozitare organizojnë protesta të përditshme për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

“Rutina ditore në Jerevan: kontrolloni [ku janë protestat], në mënyrë që të mos i bashkoheni rastësisht një të tille”, shkroi një përdorues në Twitter. Ky postim shumë shpejt u bë viral. Me një paqëndrueshmëri të tillë duke i mbushur rrugët e qytetit dhe një barrë të borxhit të kohës së luftës duke asfiksuar ekonominë, shumica e shohin investimin në kulturë si të panevojshëm.  

“Ekziston një ndjenjë në qeveri që ne nuk kemi nevojë për kulturë tani. Shumë njerëz nuk e kuptojnë pse na duhet politika kulturore pas konfliktit”, më thotë një mik i cili punon për një ministri lokale.

“Kjo është diçka që është praktikuar në të gjithë botën. Shumë ministri kanë politika pas konfliktit, por jo Ministria e Kulturës. Pika kryesore e politikës është zbatimi i kulturës në të gjitha fushat e realitetit pas konfliktit dhe rregullimi i problemeve: qofshin ato organizative, politike, ekonomike, përmes kulturës. Nëse njerëzit nuk do t’i rrekeshin në ndarjet e brendshme politike ata do të kuptonin se kultura mund ta bëjë ekonominë të rritet, por gjithashtu mund t’i ndihmojë njerëzit të shërohen”.

Foto: Hrant Khachatrian

Në realitet, skena kulturore e Jerevanit është ende në kërkim të mirëbesimit. Është shumë herët për të identifikuar shumë iniciativa kulturore të pasluftës, ndikimin e tyre ose fokusin e tyre. Ende ekziston dëshira për të ecur përpara.

“Ne ende nuk kemi vendosur nëse do ta mbajmë atë [ngjarjen e mbledhjes së fondeve për Bejrut] apo jo”, thotë Melineh.

“Por ne menduam se, tani që kemi mbledhur muzikantët, në vend që të Play for Bejrut, ne mund ta shndërrojmë atë në Play For, një ngjarje e rregullt për mbledhjen e fondeve për qëllime humanitare, përmes netëve të klubeve”.

Megjithatë, në fund të fundit, vajtimi merr forma të ndryshme. Në një vend të vogël, ku e gjithë popullsia është prekur nga lufta në një mënyrë apo në një tjetër, madje edhe të marrësh një pije është një akt i qëllimshëm i të shpresuarit. Disa nisma kulturore mbledhin drejtpërdrejt fondet për shkaqe të lidhura me luftën, disa merren me idenë e ruajtjes së trashëgimisë – dhe disa nuk e prekin këtë temë fare. Por kultura nuk ekziston në një boshllëk dhe çdo shprehje e kreativitetit – organizimi i një ekspozite, ngritja e fondeve, apo ngritja në këmbë dhe vallëzimi – mes këtij deti të ri të pasigurisë politike është një shenjë e vetëdijshme e qëndrueshmërisë së qëllimshme. Artistët po krijojnë kulturën dhe po krijojnë një ndjenjë shprese se qyteti do të ecë përpara.

Me këtë, ata gjithashtu shpresojnë të fillojnë një rilindje të re, më kreative. Duhet guxim për ta kthyer një humbje në kreativitet. Megjithatë, kultura është ajo që mbajti gjallë shpirtrat gjatë luftës. Kultura ka mbajtur gjallë ndjenjën e trashëgimisë armene nga kohërat antike deri më sot, dhe kultura mund të jetë rruga e vetme për të mbajtur identitetin kombëtar të Armenisë. Megjithatë, pas një disfate ushtarake, Armenia mund ta rindërtojë një ndjenjë krenarie kombëtare me industrinë e saj të të bujshme kulturore – dhe për këtë, mbështetja e qeverisë është e nevojshme.

“Më parë, njerëzit thoshin se Armenia është si një moçal për krijuesit. Njerëzit ishin të demotivuar. Unë mendoj se pas luftës, ne e kuptuam se vetëm puna e madhe mund të na shpëtojë dhe ta ndihmojë Armeninë të fitojë – metaforikisht, jo lufta”, thotë Melineh.

“Në situata kaotike, kreativiteti del në pah. Ne e kuptuam që nëse nuk punojmë shumë për të zhvilluar vendin tonë, nuk do të ecim përpara”.

Në harkun e vetëm disa ditëve në muajin shkurt 2021, dy tërmete tronditën kryeqytetin. Moti i ngrohtë shfaqet me ndrojtje vetëm për një orë ose dy, derisa të ftohtit, shiu dhe dëbora e madhe të kthehen shpejt – një paralajmërim që zgjimi i butë i pranverës nuk do të vijë lehtë këtë vit. Megjithatë, në ditë me diell, Jerevani jeton në epitetin e të qenit “qyteti rozë” në orën e artë.

Një nuancë e ngrohtë rrethon qytetin, duke e bërë atë të duket sikur ngrihet nga toka deri në qiell – provë që bukuria mund të gjendet akoma edhe në kohërat më të vështira.

“Dhimbja, qoftë në nivelin e një personi apo të një vendi, ka gjithmonë një shans të ndikojë pozitivisht sepse ju jep një hapësirë për t’u hapur dhe për të provuar gjëra të reja”, thotë Sukiasyan.

“Përkundër të gjitha mosmarrëveshjeve, skena kulturore në Jerevan ka mundësinë për ta kapë momentumin, për të qenë në momentin e saj më të mirë”.

Përktheu: Nuhi Shala