Letër Kosovës nga shkencëtari amerikan: Si të shmanget shndërrimi i një suksesi në dështim?

Unë jam një fizikant dhe shkencëtar për çështjet e kompleksitetit, i trajnuar ne Massachusetts Institute of Technology, si dhe ekspert i pandemive. Kam paralajmëruar pandemi globale për shkak të udhëtimeve më të shpeshta të 15 vjetëve të fundit. Kam zhvilluar një plan për monitorim të komuniteteve për të ndaluar Ebolën në Afrikën perëndimore në 2014, i cili doli me sukses. Tani jam duke i përkushtuar gati të gjithë kohën time parandalimit të përhapjes botërore të nCoV-2019, pjesërisht përmes kërkimeve shkencore të publikuara dhe pjesërisht duke këshilluar qeveri të ndryshme në mbarë botën, duke përfshirë atë të Republikës së Kosovës, lidhur me menaxhimin e krizës së COVID-19.

Në një kohë kur kaq shumë vende të pasura janë duke dështuar në testin e dashamirësisë (“compassion”) ne menaxhimin e krizës së COVID-19, ka qenë inkurajuese për të parë se Kosova ka kaluar këtë test, duke vepruar me shpejtësi dhe vendosmëri për të mbrojtur qytetarët e vet, me një sërë masash parandaluese. Edhe përpara rastit të parë zyrtar, Kosova mbylli shkollat dhe universitetet, vendosi kufizime në udhëtime dhe ndaloi ngjarje publike. Dhe menjëherë pas rastit të parë zyrtar, ajo ishte e përgatitur me një varg tjetër masash, të cilat përfshinë mbylljen e kafeve, bareve, pubeve, restoranteve dhe qendrave tregtare. Më së fundmi, Kosova ka dhënë një urdhër për të qëndruar në shtëpi përveç për nevoja esenciale dhe për operatorë të caktuar ekonomikë. Ky urdhër vazhdon të jetë në fuqi, ndonëse në një formë të moderuar, edhe deri më sot.

Duke marrë këto masa me shpejtësi, Kosova ka shpëtuar mijëra, në mos dhjetëra mijëra, jetë të qytetarëve të vet. Për shkak të rënies së rasteve aktive gjatë dy javëve të fundit, ajo është ne pozitë për të shqyrtuar hapa të mëtejshëm gradualë drejt rikthimit në normalitet shoqëror dhe ekonomik. Në këtë kuptim, Kosova është bërë një rrëfim suksesi për menaxhimin inteligjent të krizës së COVID-19.

Mirëpo, siç po marrin vesh (në mënyrë të dhimbshme) vende të tjera rreth botës, suksesi në luftimin e COVID-19 mundet shumë shpejt të shndërrohet në dështim nëse masat kufizuese hiqen më herët sesa duhet, apo nëse mungon bashkëpunimi mbarëkombëtar mes liderëve, qytetarëve dhe bizneseve për respektimin dhe mbështetjen e këtyre masave. Autoritetet e shëndetit publik në Kosovë tani janë duke shqyrtuar çështjen se kur do të hyjë në Fazën II të planit për të rihapur ekonominë. Në Fazën II, do të rihapen biznese ku ka kontakt të afërt me klientët, si p.sh. floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët dhe tregtarët me pakicë. Por, në mënyrë që vendi të jetë në gjendje për të hyrë në këtë fazë pa rrezik, një sërë kushtesh duhet të përmbushen.

I gjithë vendi duhet të bashkëpunojë për mbështetjen, zbatimin dhe respektimin e masave parandaluese aktualisht në fuqi

Respektimi i vazhdueshëm i këtyre masave është rreptësisht i domosdoshëm në mënyrë që vendi të jetë në gjendje për të hyrë në Fazën II të planit të rihapjes. Duhet pasur kujdes të skajshëm në mënyrë që të relaksohen kufizimet, dhe vetëm kur të jetë e sigurt që janë përmbushur kushte për të parandaluar ndonjë nevojë eventuale për t’i rivendosur ato kufizime. Është jashtëzakonisht e vështirë për të çuar deri në fund pjesën e fundit të betejës sepse, duke qenë gati në fund, të gjithë dëshirojnë kaq shumë për ta përfunduar tashmë.

Nuk mund të mohohet se respektimi i një urdhri për të qëndruar në shtëpi është i vështirë. Për të ndihmuar të gjithë që të kalojnë këtë kohë sfiduese, qytetarët kanë nevojë, edhe meritojnë, mbështetje, inkurajim dhe mirëkuptim të vazhdueshëm nga liderët e vendit — jo vetëm nga politikanët në nivelin vendor dhe lokal, por edhe nga figurat e njohura të biznesit, sportit dhe komuniteteve fetare. Ajo për të cilën asnjë vend nuk ka nevojë, është që ndonjëri nga liderët e vet të respektuar, t’i minojë masat e domosdoshme për shëndetin publik, ose të sugjerojë që këto masa të hiqen përpara se të jetë vendi në gjendje për t’i hequr pa rrezik. Populli i Kosovës ka arritur kaq shumë qysh prej fillimit të krizës. Shpresoj përzemërsisht se liderët e saj do t’iu japin qytetarëve inkurajimin e duhur për të përfunduar këtë betejë në mënyrë aq të forte sa mënyra se si e kanë filluar.

Pronarët e bizneseve kanë një rol kritik për të luajtur. Ata duhet të respektojnë kërkesat sanitare dhe të distancimit fizik për të parandaluar infektimin e çdo individi. Çdo infeksion që rezulton nga dështimi për të ndjekur udhëzimet për shëndetin publik, e minon të gjithë betejën, i fut konsumatorët në rrezik dhe i dëmton bizneset dhe ekonominë, duke e vonuar edhe më shumë Fazën II të planit të rihapjes.

Si gjithmonë, por edhe më shumë në këtë kohë, ne mbështetemi te njëri-tjetri për gjithçka që është e mirë dhe e keqe në jetën tonë.

Duhet të mos ketë ASNJË rast jashtë hapësirave të izoluara

Për të rihapur më tej shoqërinë dhe ekonominë, Kosova më së pari duhet të arrijë tek zero: të eliminojë transmetimin e virusit në komunitet. Përndryshe, virusi do të përhapet përsëri në mënyrë eksponenciale, duke zgjatur edhe më shumë vuajtje, vdekje dhe dëme ekonomike. Edhe vetëm pak raste, jashtë hapësirave të izoluara, nuk mund të tolerohen. Nuk mund ta lëmë rrugën në gjysmë. Sëmundja nuk e ndal vetveten. Për ta ndalur atë, kjo varet nga i gjithë vendi. Rastet më të fundit të dala nga spitali privat në Prishtinë, tregojnë se Kosova ka ende punë për të bërë, përpara se të jetë gati për të hyrë në Fazën II të planit të rihapjes.

Për shkak se nuk mund të kemi garanci se kur do të arrihet te zero, duhet të kemi shumë durim për të siguruar që kemi arritur aty, përpara se të ndërmarrim hapin tjetër. Ndërkohë, gjeni mënyra për të zgjeruar jetën tuaj, në mënyrë që, kur të dilni nga kjo periudhë, do të keni fituar diçka që nuk kishit pritur që do të fitonit. Koha është e vyer dhe ka shumë që mund të bëhet me të.

Për më tepër:

Edhe kur të arrijmë në kohën e duhur, gjithkush duhet të jetë vigjilent për rastet potenciale; simptoma të hershme duhen raportuar; testimi, izolimi dhe gjurmimi i kontakteve duhet të trajtohen jashtëzakonisht seriozisht, në mënyrë që të mos ketë mundësi që një rast i vetëm të shndërrohet në shumë. Mbani maska deri sa të njoftoheni se është e sigurt që të mos i mbani.

Kufizimet në udhëtime duhet të respektohen derisa vendet fqinje të kenë siguri, në nivelin po aq të lartë, se nuk ka raste atje. Zero raste brenda dhe zero raste të importuara. Izoloni të gjitha rastet e njohura apo të dyshuara.

Por çka me ekonominë?

Një ndër gabimet më të shpeshta, dhe fatale, që disa vende të botës po e bëjnë në lidhje me vlerësimin se sa shpejt mund të hiqen masat kufizuese, është të flasin sikur të kishte një lloj pazari në mes të shëndetit publik dhe ekonomisë. Në përvojën time, liderët e biznesit kuptojnë se mposhtja sa më e shpejtë dhe sa më vendimtare e COVID-19, nuk do të jetë vetëm në të mirën e shëndetit publik, por edhe në të mirën e ekonomisë. Dhe në anën tjetër, rihapja e ekonomisë me herët sesa duhet, jo vetëm që e rrezikon jetën e qytetarëve, por përfundimisht do të dëmtonte edhe bizneset, duke rritur gjasat që masat kufizuese të rikthehen sërish. Disa provinca të Gjermanisë po e mësojnë këtë mësim në mënyrë të rëndë. Shpresoj që Kosova të shmangë një fat të tillë. Nëse ndonjë lider i biznesit po insiston që të rihapet ekonomia më herët sesa duhet, ka gjasë qe është duke marrë informata të gabuara.

Për shkak të menaxhimit të suksesshëm të krizës deri më tani, Republika e Kosovës ka një mundësi të artë për të arritur një qellim të cilin shumë nga homologët e saj më të pasur rreth botës janë ende larg për ta përmbushur: eliminimin total të COVID-19 brenda kufijve të vet. Megjithatë, pa marrë parasysh se sa e suksesshme ka qenë Kosova deri tani, realizimi i këtij qëllimi në asnjë mënyrë nuk është automatike. Kërkohet ende punë dhe angazhim, jo vetëm nga ana e qytetarëve, por po ashtu nga ana e atyre që i udhëheqin dhe i shërbejnë ata. Fokus intensiv për të arritur qëllimin, është esencial. Secili hap duhet të ndërmerret me gjykim të kujdesshëm dhe mençuri, duke pasur parasysh rreziqet enorme më te cilat po përballemi. I dëshiroj gjitha të mirat tërë Republikës së Kosovës në përpjekjet e saj për të fituar përfundimisht betejën e saj kundër COVID-19.

 

Prof. dr. Yaneer Bar-Yam është fizikant, President i New England Complex Systems Institute në Cambridge, Massachusetts, ShBA.

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.