Ilustrimi: Jeta Dobranja për BIRN

Lënia pas dore nga shteti ua theu ëndrrat të rinjve të shurdhër

Një jetë pa dëgjim është më pak e vështirë për personat e shurdhër në Kosovë, sesa fakti që ata shpesh nuk arrijnë të gjejnë punë si rezultat i neglizhencës institucionale dhe paragjykimeve.

“Është shumë e vështirë për mua të jetoj në Kosovë si person i shurdhër, duke e ditur se nuk mund ta realizoj ëndrrën time. Është edhe më e vështirë të jesh një grua e shurdhër”, u shpreh e dëshpëruar Hana Nuhija për Prishtina Insight, duke shtuar se disa vite më parë ka menduar shpesh të largohet nga Kosova.

Të jesh i shurdhër në Kosovë ka sfidat e veta. Shoqëria jo vetëm që nuk është përshtatur mirë për t’ua përmbushur nevojat e tyre, por edhe ata përballen me neglizhencë institucionale. Sfidat nisin nga arsimi te punësimi, për të cilat mungon infrastruktura e nevojshme.

Mungesa e mundësive për t’u arsimuar, apo për të punuar punët që dëshirojnë, shpesh i detyron ata të bëjnë punë që janë përcaktuar si të përshtatshme për ta nga shoqëria. Këto punë zakonisht janë ato që lidhen me punën fizike.

Ilustrimi: Jeta Dobranja për BIRN

Për ta thelluar hendekun, mungojnë të dhënat zyrtare nga institucionet shtetërore për personat e shurdhër në Kosovë. Të dhënat e vetme në dispozicion për komunitetin është numri i të anëtarësuarve në Shoqatën e të Shurdhërve të Kosovës.

Sipas këtyre të dhënave, në Kosovë janë rreth 9,400 persona të shurdhër, prej të cilëve 4,500 janë me dëmtim të dëgjimit dhe 5,000 janë plotësisht të shurdhër. Vetëm nëntë prej tyre punojnë në institucione publike.

Mungesa e regjistrimit si persona të shurdhër zvogëlon aftësinë e tyre për të përfituar nga Ligji për Aftësimin Profesional, Rehabilitimin dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ky ligj qartë thotë që në të gjithë sektorët, të paktën një në çdo 50 punonjës të punësuar nga një organizatë apo institucion duhet të jetë person me aftësi të kufizuara.

Nga ana tjetër, ata nuk janë në gjendje të sigurojnë punë si njerëzit e tjerë, sepse kanë nevojë për kushte të veçanta për t’u arsimuar dhe nuk janë të regjistruar si të shurdhër.

Ministria e Punëve të Brendshme tha për Prishtina Insight se të gjitha institucionet publike në Kosovë punojnë vetëm 96 persona me aftësi të kufizuara, ndërsa në Zyrën e Kryeministrit vetëm një zyrtar me aftësi të kufizuara.

Por, sa prej tyre janë të shurdhër është e paqartë; ministria nuk i kategorizon sipas aftësisë  për shkak se sipas tyre kjo është e përcaktuar në bazë të rregullores për dosjen e personelit.

Krahas luftës së të shurdhërve për t’u arsimuar dhe punësuar, institucionet në Kosovë mbeten të shurdhër ndaj kërkesave të tyre.

Puna mbetet ‘mollë e ndaluar’ për shumë njerëz

22 vite pa dëgjim Hana Nuhijen nga Prizreni nuk e rënduan aq sa fakti që mbaroi shkollën e mesme në një profesion që nuk e donte; u refuzua nga universiteti dhe nuk u punësua.

Gjatë gjithë jetës së saj ajo ishte detyruar të përshtatej me normat e shoqërisë dhe të institucioneve për shkollimin dhe punën që duhej të bënte.

Nuhija mbaroi shkollën e mesme për rrobaqepësi edhe pse nuk e pëlqente fare këtë profesion. Ajo studioi për këtë punë sepse përfshinte më pak komunikim dhe më shumë punë fizike.

Më pas asaj iu refuzua një punë nga komuna e Prizrenit, edhe pse kishte praktikuar tre muaj.

Për të vazhduar shkollimin në fakultet, ajo kishte nevojë për një përkthyes. Përkthyesi nuk ishte siguruar nga fakulteti, kështu që ajo nuk kishte përfunduar as procedurat e aplikimit për studime.

Nga 30 përkthyes të trajnuar në Kosovë, vetëm 16 prej tyre janë të certifikuar. 

Ilustrimi: Jeta Dobranja për BIRN

Duke marrë parasysh numrin e madh të anëtarëve në Shoqatën e të Shurdhërve, e cila numëron rreth 10,000, 16 përkthyes janë shumë pak për të plotësuar nevojat për punë dhe arsimim të të gjithë personave të shurdhër në Kosovë.

E lindur nga prindër  jo të shurdhër, Hana kishte vështirësi të kuptonte ata që nuk kuptonin gjuhën e shenjave.

“Mungesa e të folurit nuk më bënë të paaftë, thjesht më bënë me shqisë më pak,” shprehet ajo,  e shqetësuar më shumë që njerëzit nuk e shohin si një person që nuk dëgjon, por si një vajzë të paaftë për punë.

Nën errësirën informative

Ëndrra e Hanës është të avokojë për të drejtat e komunitetit të të shurdhërve, qoftë përmes OJQ-ve apo institucioneve. Në mungesë të informacionit në gjuhën e shenjave, ajo shpesh është në një errësirë ​​informative, gjë që e privon atë nga të qenit aktiv politik.

Ajo dikur ëndërronte të bëhej deputete, por ka pushuar së menduari, duke e parë edhe këtë ëndërr edhe vetëm si ëndërr e ka të ndaluar.

“Gjithmonë më ka pëlqyer të mbroj të drejtat tona që kur isha fëmijë, kur pashë dhe ndjeva komunitetin e të shurdhërve,” shpjegoi Hana.

Ilustrimi: Jeta Dobranja për BIRN

Drejtori i Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve, Enver Kurtalani, ka shpjeguar se në mungesë të informacionit në gjuhën e tyre, shpesh nuk janë as të informuar për çështjet shëndetësore.

“Nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë [të lexojnë lajmet] dhe pastaj nuk mund të merren me politikë”, shtoi Kurtalani.

Drejtori u ankua se në fillim të pandemisë ata ishin përjashtuar edhe nga informacioni bazë se çfarë rreziku i priste nga COVID-19.

Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, tha për Prishtina Insight se është duke u punuar në hartimin e rregullores për ofrimin e shërbimeve në gjuhën e shenjave.

Punë që nuk ia mbajnë krahët

Vitin e kaluar, 21-vjeçari Vigan Gashi, nuk u punësua si punëtor krahu në sektorin e shërbimeve teknike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Pamundësia për të vazhduar shkollimin e detyroi atë të kërkonte pozita të punës fizike.

Babai i tij, Florimi, kujdestari ligjor i Viganit, tha për Prishtina Insight se ndihej shumë i diskriminuar sepse emri i djalit të tij nuk figuronte në listën shtesë apo në listën e kandidatëve të papranuar.

“Vigani u ndje shumë keq që u diskriminua në këtë mënyrë. Një orë para testit morëm vesh se atë ditë ishte testi. Këtë e kuptova krejt rastësisht; as nuk na kanë njoftuar”, tha ai.

Agjencia Kosovare e Punësimit në përgjigjet për Prishtina Insight ka thënë se nga viti 2017 deri më 15 shkurt 2022 janë regjistruar 53 punëkërkues me nevoja të veçanta, prej të cilëve 23 janë gra dhe 30 burra.

Ilustrimi: Jeta Dobranja për BIRN

 Enver Kurtalani ritheksoi se personat e shurdhër zakonisht refuzohen në intervistat me gojë, kështu që më së shpeshhti detyrohen të punojnë punë krahu.

“Nëse një i shurdhër njeh shkrim dhe lexim, edhe në punë kishte me komuniku. Por problemi është që ne nuk mundemi me rekrutu një interpret për një të shurdhër, se është e pamundur,” shpjegoi ai.

Pavarësisht të gjithave të jesh i shurdhër në Kosovë bëhet më e vështirë jo pse një person nuk është në gjendje të dëgjoj, por se shoqëria ashtu edhe në institucionet vazhdojnë t’i konsiderojnë ndryshe.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.