Lëmshi politik i zgjedhjes së Presidentit

Derisa sot janë bërë saktësisht 2 muaj prej ditës së zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve ende nuk e ka bindur Lidhjen Demokratike të Kosovës për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Mollë sherri është bërë posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, të cilin LDK po e kërkon për vete.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nuk e fshehur asnjëherë dëshirën për të qenë president i Republikës.

Në intervistën e dhënë për emisionin Jeta në Kosovë, Mustafa e kishte konfirmuar se bisedat me Vetëvendosjen për postin e presidentit duhet të bëhen.

“Unë mendoj se është koha të negociojmë për postin e presidentin dhe për të gjitha çështjet e tjera që do të ndodhin brenda 4 viteve”, kishte thënë Mustafa në intervistën dhënë për emisionin Jeta në Kosovë.

Isa Mustafa përballë Jeta Xharrës

Mirëpo, në këtë mes, ndonëse po flitet për pozitën e tij, ka qëndruar plotësisht i heshtur presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.

Thaçi që erdhi në krye të presidencës pas dy mandatave si kryeministër e një gjysmë mandati si zëvendëskryeministër, nuk e ka përjashtuar mundësinë që ai të vazhdojë edhe për një mandat tjetër 5 vjeçare si shef shteti.

Në dhjetor të 2017, në një konferencë me gazetarë, Hashim Thaçi publikisht kishte shprehur dëshirën që të marrë edhe një mandat tjetër në krye të presidencës.

Mirëpo, mandatin e ri, ai mendon ta marrë ndryshe. Thaçi kishte deklaruar se duhet të bëhet reforma zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese të cilat, siaps tij, do ta parashihnin zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga populli.

“Përmes një procesi të drejtpërdrejt, jo që guxoj, por jam i bindur që fitoj, e njoh vullnetin e qytetarëve dhe do ta bëjë punën me fitu besim edhe më të madh”, kishte thënë Thaçi në një konferencë për media.

Ai nuk e quan të papastër mënyrën se si është e zgjedhur, por e quan më të pastër formën e zgjedhjes së presidentit direkt nga populli.

“Le të shkojmë sikur në të gjitha vendet demokratike, le të zgjedhjet presidenti drejtpërdrejt. Puna ma e mirë ma e pastër është”, kishte thënë në mes tjerash ai.

“Një zgjidhje tjetër duhet të ndodhë”, kishte thënë Thaçi, duke thënë se nuk mund të ketë kandidat për president që mund t’i ketë 2/3 e votave.

Thaçi në këtë post kishte ardhur pikërisht përmes një marrëveshje politike. Deri pak ditë para se të votohej president, ai ishte udhëheqës i partisë më të madhe të asaj kohë, PDK-së dhe udhëheqës i koalicionit PDK-LDK.

Marrëveshja e 2014 mes Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, të parin e bënte kryeministër, të dytin president.

Ja Marrëveshja e Plotë PDK- LDK (Dokument)

“Për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës do të votohet kandidati i propozuar nga PDK-ja, pas përfundimit të mandatit aktual në përputhje me Kushtetutën – z.Hashim Thaçi”, thuhet në marrëveshjes për presidentit mes LDK-së dhe LVV-së.

5 vite më vonë, Isa Mustafa po e luan “lojën” e ish-partnerit të tij. Ai sot po këmbëngul për pozitën e presidentit.

Mirëpo, për Vetëvendosjen ky lloj pazari, po duket i papranueshëm.

“Ne nuk bëjmë pazare, por marrëveshje politike”, kishte thënë disa herë Albin Kurti në paraqitjet publike para zgjedhjeve.

Njëjtë kishte deklaruar edhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, e cila është edhe nënkryetare e partisë.

Për Osmanin, marrëveshje mes partive politike për postin e presidentit është “pazar”.

“Ka një kohë të gjatë që unë kam insistuar që çështja e zgjedhjes së Presidentit mos të jetë pjesë e pazareve politike”, kishte thënë Osmani në një intervistë në T7.

“Absolutisht favorizoj një zgjedhje të tillë dhe për të do të insistoj”, kishte thënë në mes tjerash Osmani.

Osmani kishte qenë njëra ndër protestueset më të mëdha të koalicionit të 2014. Madje, Osmani, as nuk e kishte votuar Isa Mustafën për kryeministër, as Kadri Veselin për kryetar kuvendi, e as Thaçin për president.

Ajo kishte lobuar në vazhdimësi tek kolegët e saj të grupit parlamentar, të mos marrin pjesë në Kuvend.

“Mospjesëmarrja në seancë është kundërshtimi i vetëm efektiv dhe kjo është tërësisht në duart e deputetëve të LDK-së,” kishte thënë Osmani për KALLXO.com në janar të 2016, pak ditë para se të votohej Thaçi për president.

Tentativa e shkelur nga Thaçi, Mustafa e Pacolli

Në 2011, Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli bashkë me ish ambasadorin amerikan në Kosovë, Christopher Dell kishin arritur një marrëveshje.

Palët ishin pajtuar për një president konsensual. Më 6 prill, përmes një shtrëngimi duarsh, Thaçi, Mustafa dhe Pacolli nënshkruar marrëveshjen dhe shpallen kandidaturën e Atifete Jahjagës për president të Republikës së Kosovës.

Përveç se ishin pajtuar për presidenten e re, tre politikanët që edhe sot janë skenë, ishin marrë vesh që t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, në mënyrë që presidenti i ri, pas Jahjagës të zgjedhet nga populli.

“Ne pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e zgjedhjeve presidenciale që do të hartojë amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe çfarëdo legjislacioni të ndërlidhur të nevojshëm për të amandamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që presidenti të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli”, thuhej në pikën 2 të kësaj marrëveshje.

Marreveshja Thaçi, Mustafa e Pacolli për presidenten konsensuale Foto: ZKM

Për ironi, ndryshimet kushtetuese nuk u bënë kurrë, dhe ishte pikërisht nismëtari i këtyre ndryshimeve, që arriti të bëhet president, në formën e vjetër. Hashim Thaçi, më 26 shkurt të 2016 u zgjedh president i Republikës së Kosovës, në raundin e tretë të votimit.

“Janë zotime për reforma të përbashkëta dhe do t’i implementojmë bashkërisht pa dallime partiake”, kishte thënë Thaçi ditën e marrëveshjes.

Këtë zotim e ka shkelur vet Thaçi, kur u bë president. Këtë zotim, po kërkon të shkelë edhe Isa Mustafa që po tenton që postin e presidentit të bëjë pjesë të “pazarit” për koalicion.

Komisioni për reforma kushtetuese ishte formuar nga Kuvendi i Kosovës. Arsim Bajrami, që e kishte drejtuar këtë komision, në një bisedë për KALLXO.com thotë se gjithçka është gati, përveç vullnetit politik.

“Procedua është kryer e gjitha, komplet pakoja e amendamentit dhe ligji për Presidentit janë në zyrën e kryetarit të Kuvendit”, thotë Bajrami, që në atë kohë ishte deputet i PDK-së.

“Ky proces s’ka shkuar tutje, sepse nuk ka pasur vullnet politik me çu deri në fund një premtim që e patën dhënë”, thotë Bajrami duke iu referuar marrëveshjes mes Thaçit, Mustafës dhe Pacollit.

Për kalimin e kësaj pako të amendamenteve, që nënkupton ndryshim kushtetues, duhen votat e 2/3 të Kuvendit, ku përfshihen edhe 2/3 e deputetëve pakicë.

Sipas Bajramit, kjo pako e ndryshimeve mund të shkojë në seancë për votim kurdo në rast se ekziston vullneti politik mes partive parlamentare brenda legjislaturës së ardhshme.

Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, presidentët i zgjedhin direkt me votë qytetare, përderisa Kosova dhe Shqipëria ende i zgjedhin, përmes marrëveshjeve politike, nga Kuvendi.