Foto: KALLXO.com

Lëmshi i pazgjidhur i gjashtë vdekjeve të dyshimta në QKUK

Qetësinë e natës në mbrëmjen e së shtunës, e prishi një grumbullim para Klinikës Infektive në QKUK.

Mëngjesi i hershëm i së dielës e gjeti oborrin e Klinikës të rrethuar me polici e automjete që do të bartnin gjashtë trupa të pacientëve të vdekur brenda një kohe të shkurtër.

Pacientët e vdekur, të infektuar me COVID-19 u bartën nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vdekja e të cilëve ndodhi për arsye ende të paqarta për publikun.

Organet e rendit e as punëtorët shëndetësorë nuk e thanë asnjë fjalë zyrtare mbi atë që ndodhi gjatë ditës së diel. Burimet megjithatë treguan për KALLXO.com se dyshimet janë për prishje të sistemit të oksigjenit si dhe mosfunksionimit të respiratorëve.

Por, misteri ende mbetet i pazgjidhur sepse për pothuajse tri ditë ende nuk ka pasur ndonjë deklaratë publike për të treguar shkakun e vdekjes së këtyre pacientëve.

As familjarët që endeshin të hutuar rreth Klinikës nuk dinin se çfarë kishte ndodhur. Vajza e njërit pacient të vdekur atë natë kishte shprehur dyshimet se babai i saj nuk ishte trajtuar si duhet.

Dje Policia e Kosovës në një raport të shkurtër ka njoftuar se këto vdekje janë duke u hetuar nga njësitet përkatëse, ndërsa Ministri i Shëndetëssië, Armend Zemaj sot në një konferencë për media tha se nuk i dijnë ende rezultatet e hetimit.

“Ende nuk kemi marrë nga prokuroria rezultat të hetimeve të asaj se çfarë ka ndodhur të dielën në Klinikën Infektive”, tha Zemaj duke shtuar se një gjë të tillë e kërkon sa më shpejtë.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti e ka quajtur shqetësues ndodhinë e  së dielës në Klinikën Infektive.

Hoti deklaroi se nga stafi shëndetësor në Infektivë është bërë maksimumi për të ruajtur jetën e pacientit.

“Unë e di që stafi po e bënë maksimumin aty, dhe mund të garantojë organet përkatëse do të shofin nëse ka pasur ndonjë lëshimi. Nga informatat që kam është se është bërë maksimumi për të ruajtur jetën e individit”, tha kreu i ekzekutivit para mediave.

Ish drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu në një konferencë për media të mbajtur sot gjithashtu ka folur rreth vdekjeve të dyshimta të cilat ndodhën në Klinikën Infektive gjatë natës të së dielës.

Sejdiu ka bërë të ditur se në lidhje me këtë rast janë informuar nga një mjek kujdestar.

“Jemi informuar se një mjek që ka qenë kujdestar ka informuar se kanë vdekur katër pacientë në një kohë të njëjtë. Virusi që sillet është realitet. Po e vërejmë që ditëve te fundit Klinika Infektive është e stërmbushur, 70 pacientë janë me oksigjeno terapi dhe në gjendje të rëndë në Klinikën e Pulmologjisë janë 70 pacientë, 40 me oksigjenoterapi dhe në gjendje të rëndë”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka thënë se një mjek që ka qenë kujdestar ka dyshuar se diçka ka ndodhur ose me oksigjen apo aparaturë.

“Shërbimet teknike kanë dalë menjëherë. Oksigjeni është i kontraktuar i licensuar, bombolat e mëdha janë të licensuara, presioni nuk ka ra nga ajo bombolë. Dyshimi ka rënë për vjedhje prej kësaj bombole nga shërbimi i klinikës. Është vërtetuar që nuk ka pasur rënie të presionit të oksigjenit. Ajo çka është më e rëndësishmja është se këto bombola janë të licencuara”, ka thënë Sejdiu.

679 raste pozitive me coronavirus janë konfirmuar vetëm gjatë javës së kaluar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Qeveria e Kosovës pas shtimit të rasteve të fundit ka marrë masa shtesë kufizuese në disa komuna të Kosovës ku rastet pozitive janë në numër më të lartë.

Ferizaj dhe Vushtrria, bashkë me Prishtinën dhe Prizrenin, janë katër komuna të Kosovës, të cilat vlerësohen si më të prekurat nga coronavirusi, për të cilat Qeveria e Kosovës, të dielën ka marrë vendim që të zbatojë masën e kufizimit të tërësishëm të lëvizjes së qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Po ashtu, gjatë kësaj kohe, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, në të gjitha komunat do të mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë. Jashtë kësaj periudhe, lejohet puna vetëm në hapësira të hapura dhe take away (merre me vete).

Në Kosovë aktualisht, nga testimet e kryera janë të identifikuara 3.703 raste pozitive, janë shëruar 1.946 perona, ndërsa kanë vdekur 79 pacientë.