LDK: Varfëria Po Thellohet

Kontrastet e shoqërisë kosovare të krijuara nga Qeveria Thaçi janë si askund në botë, vlerëson LDK-ja. Sipas kësaj partie opozitare, shpenzimet për mallra dhe shërbime të ministrive janë rritur për 60 për qind krahasuar me një vit më herët, ndërkohë që numri i të varfërve në Kosovë ka arritur në 325 mijë.

“Buxheti për asistencë sociale po rritet nga viti në vit, që konfirmon se varfëria po thellohet. Ky buxhet, nga 201 mil euro në vitin 2012, pritet të rritet në 207 mil euro në vitin 2013, vetëm si rezultat i rritjes së numri të të varfërve. Në fakt, sasia e mallrave që mund të blihen me asistencën sociale që merr një familje e varfër është gjithnjë e më e vogël për shkak të inflacionit të vazhdueshëm, sidomos në artikujt bazik ushqimor”, thuhet në një komunikatë shtypi të LDK-së.

Partia më e madhe opozitare tërheq vërejtjen për mungesën e perspektivës për arsimim dhe punë që kanë fëmijët nga familjet në asistencë sociale. “Këta fëmijë do të mbesin të varfër edhe në të ardhmen, pasi nuk mund të arsimohen si duhet, shëndeti i tyre do të vuajë pasi nuk mund të ushqehen konform standardeve”.

Po ashtu, pensionet bazike prej vetëm 45 euro në muaj nuk mjaftojnë as për barna elementare për pensionistët. “Kujdesi ndaj kësaj kategorie është obligim i qeverisë e jo prioritet i saj. Këta qytetarë janë mashtruar nga qeveria. Rritja e premtuar prej 5 euro nuk është implementuar ende. Ligji i pensioneve nuk është aprovuar. Mjetet e ndara vitin e kaluar për të mbështetur këtë ligj janë tretur, sepse ato mjete qeveria i ka paraqitur si kursime para FMN-së. Marrëveshja e re me FMN nuk lejon asnjë fleksibilitet për qeverinë që të miratoi këtë ligj në të ardhmen e afërt”, thekson LDK.

Lidhja demokratike thotë se në programin e saj parasheh një varg politikash që e fuqizojnë njëra tjetrën për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria. Në ndërkohë që shpenzohet në asistencë sociale, duhet të implementohen politikat për zhvillim të qëndrueshëm të fëmijëve të këtyre familjeve. Programet për promovim të punësimit të anëtarëve të këtyre familjeve janë mjet i fuqishëm për zvogëlimin e varësisë nga asistenca sociale.

Në vend që të bëjë këtë, Qeveria Thaçi, sipas ekspertëve të ekonomisë së kësaj partie, po nxit varfërinë duke vendosur si kusht që njerëzit të mos punojnë vetëm e vetëm që të marrin ndihmë sociale.