LDK-ja Fton Simpatizantët ta Marrin “Kthesën e Duhur” (TV)

Sikurse në tubimin e një dite më parë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, edhe në tubimin e LDK-së, nuk mungoi prezenca e fëmijëve.

I pari në skenë u ngjit kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Eqrem Kryeziu, i cili tha se me qeverisjen e LDK-së, vendi do të shkojë përpara. Kryeziu porositi qytetarët e Prizrenit që më 8 qershor ta votojnë partinë që ai e përfaqëson.

 “Më 8 qershor Kosova do të gjendet në një udhëkryq, e ju merreni kthesën e duhur’’, tha Kryeziu.

Ndërsa Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sado që tha se nuk ka dëshirë ta lavdërojë veten, prapëseprapë e bëri këtë.

 “Nuk kemi dëshirë ta lavdërojmë vetveten, por s’kam çare pa e thënë se ne jemi më të fortit. LDK-ja është më e mira, LDK-ja është partia më e përgatitur që ta qeverisë Kosovës dhe në qoftë se LDK-ja nuk e bën këtë punë, atëherë s’ka kush ta bëjë”, tha Mustafa.

Ai u dha prizrenasve edhe arsyen pse ai mendon se e humbi garën për Prishtinën në zgjedhjet e kaluara për kryetar të Komunës.

 “Unë kam pas thënë n’Prishtinë njëherë, që e pres me duar në xhepa fitoren e Prishtinës, sepse kam punuar shumë për Prishtinën, por unë e kam thënë që e pres fitoren me duar në xhepat e mi, e jo në xhepa të huaj”, tha Mustafa.

Një pjesë të fjalimit të tij, ai ua kushtoi edhe kritikave ndaj qeverisjes së partisë së Hashim Thaçit.

Në këtë tubim foli edhe presidenti i Grupit të Partive Popullore Evropiane (PPE), Joseph Daul, i cili vlerësoi se e ka të vështirë të flasë pas atij që e cilësoi si kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

“Po e ndiej një vullnet më ndryshe, një ndjesi, një vullnet shumë pozitiv si brenda jush ashtu edhe në parti. Diçka si një frymë e ndryshimit”, tha Daul.

Ai e lavdëroi punën e Isa Mustafës dhe tha se pas fitores së PPE-së në zgjedhjet e javës së kaluar për Parlamentin Evropian, edhe LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet në Kosovë dhe “Kosova do t’i bashkohet Bashkimit Evropian me kryeministrin Mustafa”.

Por qytetarët, si duket, nuk dinin se çka u premtua në këtë tubim nga i pari i LDK-së.

“Tana të mirat. S’kam çka me diskutu më tepër, faleminderit’’, tha Shyqeri Shala, një qytetar nga Prizreni që nuk përmendi asnjë premtim konkret të Mustafës.

Ndërsa Aliismet Krasniqi u shpreh i bindur në fitoren e LDK-së më 8 qershor, por edhe ai nuk mundi të tregojë ndonjë premtim.

 “Do të fitojmë, do të fitojmë. Premtimet [ishin] të mira, boll konkrete ishin. Krejt janë të mira bre”, tha qytetari Krasniqi.