Largimi i dyshimtë i televizionit lokal serb nga rrjeti kabllor

Qytetarët serbë të komunave veriore nga fillimi i muajit janar nuk kanë transmetim të televizionit me mbulueshmërinë më të madhe në atë pjesë të Kosovës, RTV Mir.

RTV Mir është larguar nga sistemi kabllor që mbulon më së shumti territorin e katër komunave me shumicë serbe.

Drejtori i RTV Mir, Nenad Radosavljeviq, thotë tashmë televizioni i tij është larguar nga disa rrjete kabllore që janë funksionale në katër komunat e veriut të Kosovës

Ai fajtor e bën kompaninë MTS d.o.o, e cila është themeluar bazuar në marrëveshjen e Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila është në pronësi të Telekomit serb.

MTS tash e dy vjet e gjysmë është i licencuar nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM) për të ofruar shërbime kabllore në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Na kanë shkëputur prej sistemit operator kabllor VGN, i cili është më i madhi. Mbulon Mitrovicën dhe qytetet e fshatrat përreth. Në kabllorin Impuls në Leposaviç jemi vetëm gjysmë dite, gjatë natës jo. Në kabllorin Link në Zveçan na kanë kyqur përsëri prej 12 janarit 2020, tani jemi aty gjithmonë në transmetim”, ka treguar Radosavljeviq..

Ai thotë se dy rrjetet kabllore, VGN dhe LINK janë blerë nga kompania MTS, e cila është në pronësi të Telekomit të Serbisë.

“Firmat VGN, Implus dhe LINK janë të blera nga MTS d.o.o. Në përgjithësi këto tani e kanë ndërruar vetëm pronarin, punonjësit e të tri këtyre firmave shkojnë në punë në ndërtesën e njëjtë të Telekomit në Mitrovicën e Veriut, në MTS d.o.o. Pajisjet që janë brenda këtij objekti nuk i përkasin më pronarëve të vjetër, por të rinjve”, ka thënë Radosavljeviq duke shtuar se deri më tash kanë pasur një mbulueshmëri prej 90% të pjesës veriore të Kosovës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në kompaninë MTS d.o.o për pretendimet e Radosavljeviq se MTS i ka blerë dy operatorët kryesorë kabllorë që kanë operuar në katër komunat me shumicë serbe, si dhe për të kuptuar arsyet e largimit të RTV Mir nga lista e programeve të operatorëve kabllorë.

Kjo kompani, nëpërmjet emalit e ka konfirmuar pranimin e pyetjeve.

“Ju lajmërojmë se letrën tuaj e kemi dërguar në shqyrtim më të lartë. Do ju mbajmë në dijeni për informatat e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e tyre, të datës 13 janar.

Përkundër premtimit, MTS d.o.o ende nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com.

Në Komisionin e Pavarur të Mediave thonë se dy operatorët “VGN” dhe “LINK” nuk janë të licencuar për të operuar si operatorë të shpërndarjes.

Gjithashtu, në KPM e kanë konfirmuar se këta dy operatorë tashmë janë në proces të shitjes te operatori MTS d.o.o.

“Në bazë të informacioneve zyrtare që kemi deri më tani, këta operator të shpërndarjes janë në proces të një marrëveshjeje për shitjen e tyre dhe blerjes nga operatori i shpërndarjes  MTS d.o.o, operator ky i licencuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Drejtori i RTV Mir, Nenad Radosavljeviq, ka shpjeguar se televizioni i tij ka licencë nga KPM-ja.

“Televizioni im ka lejen e ligjit të transmetojë kanalin në veri, perëndim dhe qendër të Kosovës. Do të thotë që është e rregulluar me ligj, të gjithë operatorët kabllorë që punojnë në ato zona  e kanë të obliguar të na japin qasje në kanalin e vet pa ndarje. Ky është obligim ligjor”, ka thënë ai.

Ka thënë se është ankuar në KPM dhe se do të vazhdojë të kërkojë të drejtën e tij edhe nëpër instanca tjera.

“Do të ndjek procedurat gjyqësore pasi në mënyrë jashtëligjshme e kanë ndërprerë transmetimin e programit tim nga kabllori i tyre”, ka vazhduar ai.

Në anën tjetër drejtori i Departamentit të Licencimit, Nuredin Islami, ka thënë për KALLXO.com se MTS d.o.o është e licencuar nga KPM e po ashtu edhe RTV Mir ka të drejta të transmetimit.

Islami ka treguar se tashmë RTV Mir ka deponuar ankesë në KPM dhe se janë duke e shqyrtuar.

“MTS d.o.o është e licencuar por çështja e largimit nga lista të të licencuarve nga KPM është problem sepse është e rregulluar me rregullore dhe ne tashmë po merremi me këtë gjë. RTV Mir ka licencë nga KPM për të operuar në komunat veriore”, tha Islami.

Po ashtu, ai shtoi se KPM nuk ka informacione nëse ndonjë televizion tjetër i licencuar është larguar nga transmetimi.

“Ne nuk kemi informacione nëse janë larguar edhe televizione të tjera, ne kemi pranuar ankesë vetëm nga përfaqësuesit e RTV ‘Mir’. MTS d.o.o ka listë të kanaleve të obligueshme sipas rregullores së KPM që e rregullon këtë gjë në bazë të ligjeve të Kosovës”, tha Islami.

MTS para dy vjetësh ka kaluar të punojë nën ligjet e Kosovës sipas rregullores për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audio-Vizuele, Rregullore Nr. KPM-2016/01.

Kjo rregullore ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2016.

Sipas njoftimit zyrtar, KPM ka iniciuar procedurën për amandamentimin e rregullores Nr. CIMC–2007/04, e cila do të zëvendësohet me Rregulloren për shpërndarjen e ofruesve të shërbimeve mediale audio dhe audio-vizuele.

Siç parashihet me procedurat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar (neni 8 i Ligjit për KPM-në 04/L-44), KPM ka vendosur në diskutim publik për 15 ditë pune disa herë radhazi draftin e rregullores gjatë procesit të amandamentimit, ku e ka vënë në dispozicion të përfaqësuesve të shërbimeve mediale audio-vizuale dhe palëve tjera të interesuara për të ofruar komente me shkrim, në lidhje amandamentimin e Rregullores Nr. CIMC–2007/04.

Gjithashtu, gjatë gjithë punës dhe procesit të amandametimit të rregullores në fjalë, KPM ka mbajtur disa herë dëgjime publike, gjithë kjo me qëllim që procesi të jetë sa më transparent për të gjitha palët.

Komisioni i Pavarur i Mediave ka njoftuar se prej hyrjes në fuqi të Rregullores për shpërndarjen e ofruesve të shërbimeve mediale audio dhe audio-vizuele të gjithë operatorët e shpërndarjes (operator kabllor, IPTV, OTT dhe forma tjera të shpërndarjes), obligohen të zbatojnë këtë rregullore.

Operatori serb i telefonisë mobile MTS është regjistruar si biznes në Kosovë, me adresë në “Lagjen e Boshnjakëve”, në veri të Mitrovicës në tetor të 2015-ës.

Ky operator është i regjistruar si biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), pronar i të cilit figuron “Telekom Srbija AD Beograd” me kapital rreth 13.6 milionë euro. Aksionari më i madh në “Telekom Srbija AD Beograd” është Telekomi i Serbisë.

Si përfaqësues të kompanisë figurojnë Dejan Ognjanoviq (drejtor) dhe Zoran Milojeviq (përfaqësues ligjor).

Ky sistem kabllor ka transmetim në komunat serbe të Kosovës: Graçanicë, Ranillug, Shtërpcë dh Zubin Potok.

“Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.”