Ilustrim

Lajmi i mirë dhe lajmi i keq për sigurinë e Kosovës

Lajmi i mirë është që, nëse i shohim platformat e partive politike që pretendojnë votën tuaj, duket se punët nuk i kemi keq hiç në sektorin e sigurisë. Lajmi i keq është që punët i kemi shumë keq në këtë sektor, edhe është e drejtë e jona të kërkoni nga të gjithë që këtij sektori t’i kushtojnë rëndësinë që e ka dhe t’i adresojnë problemet e mëdha që i ka ky sektor.

Veç që me qenë të gjithë të pajtimit për situatën ku jemi, Kosova ende nuk ka Strategji Kombëtare të Sigurisë (që nga viti 2010) që pernime tregon qartë ku jemi, çfarë probleme kanë qytetarët tanë me sigurinë, si po duam ta adresojmë dhe ku po duam të arrijmë.

Kosova nuk ka ende Strategji të Mbrojtjes.

Kosova nuk ka ende Plan të Reagimit Kombëtar ndaj emergjencave civile (psh: vërshime, tërmete, zjarre, orteqe, epidemi, sulme nga faktori njeri…etj.), i cili në fakt funksionon.

Agjencioni për Menaxhim te Emergjencave, që ka rol primar në menaxhimin e përgjigjes ndaj emergjencave, nuk e ka asnjë kapacitet për ta kryer misionin e vet.

Kosova nuk ka as sistem “paramedic”/paramjekësor i cili ka në fakt kapacitete njerëzore (staf të specializuar si “paramedic”), e as kapacitete teknike për të shpëtuar jetën e njeriut në raste emergjente. Universiteti i Prishtinës në ndërkohë vazhdon të prodhojë mjekë, por jo “paramedic”.

Kosova nuk ka kapacitete ajrore për emergjenca civile e shëndetësore (psh: nëse dikush aksidentohet e transporti ajror është shpëtues për jetën, në raste zjarri, arritja te personat e rrezikuar apo transporti i stafit reagues), e të mos flasim për kapacitete ajrore për ta shuar një zjarr.

Kosova nuk ka sistem funksional për mbrojtjen, menaxhimin dhe riparimin e infrastrukturës kritike (nëse e mbajtët mend nga debatet: digat e famshme, po edhe burimet e ujit, etj.).

Kosova nuk ka sistem për menaxhim të emergjencave. Pikë.

Lista është shumë e gjatë me çka nuk kemi, e për mos me ju dëshpëru, ia vlen me e pa se çka thanë partitë/koalicionet për krejt këto probleme. Fatkeqësisht as aty shumë shpresë nuk patë. Për sigurinë, shumica nuk thanë asgjë, së paku asgjë qe të linte me kuptu se e dinë “ku po ju dhemb qytetarëve”, votën e të cilëve ishin dal me e lypë. E patë edhe asi që as në mend s’ju kish shku me ia nda sigurisë një fletë nga platforma e tyre, ose së paku ashtu po e quajnë.

Një gjë e patën të gjithë (ata që ia kane kushtu një fletë sigurisë) të përbashkët, Ushtrinë. Se e dinë që ajo ju ngacmon ndjenjat patriotike. Po shpresoj kur ta lexoni këtë artikull, keni me e kuptu, që përkundër dashnisë së madhe që të gjithë e kemi për ushtrinë tonë, në këtë rast, është tu u përdorë si perde për mos me ju lanë me pa se për problemet e sigurisë që i keni në baza ditore, e kërcënimet që ju drejtohen në baza ditore, e që ushtria nuk ka rol me i zgjidhë, ata nuk kanë mendu hiç. Për sqarim, ushtria ka rol primar me e mbrojtë vendin dhe juve nga kërcënimet e jashtme, edhe aty bashkë me partnerët tanë si SHBA, e NATO, se vet sot, askush në botë nuk mbrohet (as SHBA, prandaj NATO ekziston qe me pasë mbrojtje të përbashkët), edhe me u militarizu te tanë. E dini shprehjen “trimi i mirë, me shokë shumë”. Kështu që na s’mundemi me u mbrojtë vet, po mbrohemi bashkë me miq. Rolin tjetër e ka me i ndihmu institucioneve tjera, me ju mbrojtë edhe kur ka emergjenca, po veç si rol përkrahës e dytësor e jo primar, se kushton shumë ma shumë se me e kry punën e vet ata që janë të thirrur për atë punë (institucione tjera, si AME, zjarrfikësit, etj.). Meqë ne nuk jemi shtet shume i pasur, këtë pak buxhet që e kemi duhemi me e shfrytëzu me mend, sepse populli ynë ka shumë nevoja.

VV tha se do ta rrisin buxhetin, për ushtrinë, në 100 milionë euro në vit, 400 milionë euro për 4 vite (1.8 % të buxhetit total të vendit). Pse? Në bazë të çfarë analize? Çka është kostu që doli 100 milionë euro në vit? Plani për transformimin e FKS-së, parasheh një periudhë 10 vjeçare me ngritje 5 milionë në vit, e as kjo deri tani nuk është arritur. Nëse kjo informate ka ndryshu, atëherë në bazë të çka? Një shumë kaq e madhe e buxhetit të Kosovës nuk mundet me u delegu diku pa u bazu në diçka. E sidomos nëse shumica e vendeve në BE, në fakt as nuk i ofrohen 2% te buxhetit vendor për sektor të mbrojtjes.

Te njëjtin problem e patën edhe AAK-PSD. Ky koalicion gjithashtu pretendoi se ka me i dhanë 2% buxhet për FSK (440 milionë). E njëjta pyetje vlen edhe këtu, pse 440 milionë? Për çka? Në bazë të çfarë analize ose plani zhvillimor për FSK? Mos rastësisht i kanë shtu 40 milionë përkundër që VV i ka vendosë 400 milionë, 40 milionëshi shtesë ndoshta përbën dallimin ose garën e milionave t‘pa mendume mirë!?

LDK nuk e përmendi fare sa buxhet, kështu që krejt idetë që i kishte vendosë aty, në mes tjerash shërbimin obligativ ushtarak, për të cilin flas më vonë, por që është tepër i kushtueshëm e jo efiçient, dhe për të cilin as ide nuk kemi sa do të na kushtojë.

Ndërsa NISMA-AKR-PD as që e ka vendosë sigurinë si sektor ne dokumentin inkoherent e t’pakuptueshëm që ata po e quajnë platforma e tyre për Kosovën. Për më tepër, ata u shprehën që si kanë përfshi krejt sektorët, me arsyetimin se i kanë përfshi vetëm disa më të rëndësishëm. Siguria nuk është me rëndësi!? Çka vazhdoi me ndodhë në debat ishte, që ta kuptojmë mirë, diskutim e vendime impulsive nën presion publik, por pa bazë e pa pasë ide se çka ka me i kushtu.

VV, njësoj si LDK, prezantuan konceptin për krijimin e shërbimit obligativ ushtarak. Prej nga kjo, kur bota është duke e hjekë totalisht këtë politikë. “A më me dëshirë nderton ushtri me njerëz që vinë me vullnet, apo ata qe i bjen me “zor”?” Sidomos në Kosovë, pjesëmarrja në ushtri nuk është problem aspak. Veç mos harroni me i pa rendet e gjata që presin me u regjistru në Programin e FSK-së për kadetë.

Përveç kësaj, vendet që shërbimin e kanë obligativ, kanë shpenzime të mëdha e edhe humbje, se duhet me i pasë gjithë kohën brenda në sistem këta njerëz, disa prej të cilëve s’kanë ardhë me dëshirë dhe janë joefektivë. Ushtria është ndër të vetmet institucione që nuk guxon me pasë neglizhenca dhe persona qe nuk dojnë me kanë në ushtri (një gjë e tillë nuk shkakton veç humbje financiare por edhe në jetë; paramendoni tu ta rujtë shpinën në vijë të frontit dikush që s’ka dashtë kurrë me qenë aty).

Gjithashtu tha se obligimi për shërbim ka me qenë veç për meshkuj, e gratë e kane opsion. Shumë është me rëndësi me e ditë pse, mbi çfarë baze? Apo edhe këtu po e ndjekim një shembull tjetër historik që ka dëshmu se është gabim e diskriminues. Athua jeta e një gruaje është ma me vlerë se e një burri.

VV e përmendi edhe Serbinë dhe presionin medial e ndërlidhjen me Rusinë, për ta arsyetu pse 20,000 ushtarë. Fatkeqësisht, Serbia ka shumëfish numrin e 20,000ve, dhe meqë është shtet më i madh se ne edhe me popullatë më të madhe, nuk mundesh me u matë me të në këtë formë të vetme. Siç thash ma nalt, trimi i mirë me shokë shumë. Për këtë dëshirojmë të jemi pjesë e NATO, dhe t’i mbajmë partnerët strategjikë afër.

Autorja Besa Kabashi Ramaj është eksperte e çështjeve të sigurisë

Shënim: Artikulli është pjesë e serisë së analizave që ofrojnë zgjidhje për problemet më të mëdha të Kosovës që presim t’i shohim në programe politike gjatë këtyre zgjedhjeve. Këto analiza shkruhen nga ekipi ynë i ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm që kanë më shumë se 10 vjet përvojë pune në teren në fushën për të cilën po shkruajnë. Nëse ka njerëz tjerë me ide për zgjidhje të problemeve, e që janë jashtë partive, po i ftojmë të na shkruajnë analiza të ngjashme në ditët në vijim. Po e botojmë këtë seri me qëllim që të ushqejmë programet e partitë politike me ide për zgjidhje të problemeve. Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë më shumë se zhurmë, huti dhe prognoza koti prej shoqërisë civile e mediave, andaj po ofrojmë ide për gjithë ata që e kanë seriozisht garimin në këto zgjedhje me program. Me këto analiza nuk po e luajmë vetëm rolin e kritikut dhe përshkruesve të mirë të problemeve, por, nëse lexoni deri në fund, do të shihni sugjerime për zgjidhje të problemeve. Të gjitha idetë janë të hapura për t’u inkorporuar në programe të partive politike dhe për t’u përdorur nga qytetarë e gazetarë për të zhvilluar debate substanciale gjatë zgjedhjeve.