Lajmet e rreme,rrezikojnë fushatën kundër Coronavirus

Fushata të shumta, deklarata e komente të ndryshme të personave publik e të thjeshtë se virusi COVID-19 nuk ekziston, po nxit debate të vazhdueshme nëse si shoqëri duhet apo jo të respektojmë masat e vendosura për parandalimin e pandemisë.

Sot, në pozitë të deputetit të Kuvendit të Kosovës, e në transmetim të drejtëpërdrejtë, Shkumbin Demalija nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u shpreh se ka filluar të mos besojë se virusi COVID-19 ekziston.

“Kam fillu me besu që nuk ekziston ky virus, për shkak se jemi të ekspozuar të gjithë si deputetë dhe ose jemi të gjithë të imunituar aq sa nuk bën punë ky virus, në 24 orët e fundit këtë virus mund ta quaj covid politik”, tha ai.

Kjo deklaratë e Demaliajt nuk ishte e para që jepej nga një fytyrë publike.

Ish deputeti i Kosovës, nga radhët e AKR-së, Labinot Tahiri në një protestë kishte thënë se nuk ka virus.

Gjatë ditës së djeshme mediat transmetuan pamje nga brenda klinikës infektive ku shfaqeshin pacientët e sëmurë ndërsa kundërfushata nxiti reagime të qytetarëve duke komentuar se pamjet ishin të pavërteta.

virusi është gënjeshtër dhe se qytetarët paguhen që të thonë se janë të infektuar.

Trajtimi i pacientëve me COVID-19 në Klinikën Infektive:

Në pamjen e parë, kur hynë në oborrin e Klinikës Infektive, mund të shohësh të shumtë doktorë, të veshur me një kostum të bardh. Nuk janë mantelet e bardhë. Pandemia e cila po shton numrin e të infektuarve, ka bërë që punëtorët shëndetësor të pajisen me një veshje e cila të mbron nga infektimi me COVID-19.

Dy doktorë/ infermierë të pajisur me veshjet speciale për t’iu shmangur infektimit me COVID-19, Foto:KALLXO.com

Një veshje jo të zakonshme dhe të parë më herët të përdoret në masë të madhe në spitalet e Kosovës, tani mund ta shohësh në baza ditore.

Para hyrjes në Klinikën Infektive të gjithë sigurohen të kalojnë përmes një tuneli i cili përmban dezinfektues. Shkallët e Klinikës Infektive nuk ka ditë që mbesin pa njerëz të ndryshëm të cilët drejtohen për tu kontrolluar, për shkak të simptomave të coronavirus.

Qetësia mbizotëron në korridorin e gjerë të Klinikës Infektive, e kur hapet dera e repartit intensiv, dëgjohen zhurmat e aparateve të ndryshme të oksigjenit.

Pacientë të shumtë të shtrirë në repartin e infektivës të izoluar, disa në gjendje të rëndë e disa me gjendje stabile përpiqen të kujdesen për vete, deri sa infermierë e doktorë shkojnë t’i vizitojnë ata.

Secila dhomë, me pacientë me COVID-19, ka edhe një përcjellës apo familjar i cili i ndihmon pacientët të kryej edhe nevojat personale.

Një 80 vjeçar, i shtrirë në Klinikën Infektivë tash e një muaj, po priste orët e fundit e më pas të lirohej për në shtëpi.

Të gjithë vëmendjen e kishte te aparatura e cila i tregonte gjendjen e frymëmarrjes dhe shpjegonte procesin dhe problemet me kollë.

I moshuari duke u trajtuar për COVID-19 në Klinikën Infektive, Foto: KALLXO.com

Në moshë të shtyrë, e në dhomën ku gruaja e tij e ndihmonte edhe që të zgjohej nga shtrati, pacienti me coronavirus jepte detaje të trajtimit nga infektimi.

“Sëmurë kam qenë. Jam me coronavirus. Mirë e kam gjendjen. Tash për momentin jam mirë nuk jam duke marrë oksigjen. Edhe trajtimi mirë. Kam pasur kollë, tjera sende nuk kam pasur shumë përveç kollës. Para 20 ditë qashtu kam qenë e tani jo. E tash jam ma mirë jo qysh kam qenë përpara”, thotë pacienti.

Në testimin e fundit i moshuari kishte rezultuar negativ së bashku me bashkëshorten e tij, ndërsa prisnin edhe rezultatet e fundit të trajtimit për tu liruar të dy në shtëpi. Bashkëshortja tregonte se nuk ka pasur probleme të theksuara dhe gjendje të rënduar ndërsa, i moshuari thotë se pa ndihmën e saj, ai mund edhe të kishte lëvizur fare.

Reparti ku po trajtohen të prekurit me COVID-19 në KlinikCn Infektive, Foto: KALLXO.com

I mbuluar me një batanije, aparaturat e trajtimit të renditura mbi kokën e tij, i ngujuar në një dhomë, me të gjitha këto, i moshuari kishte jetuar për të paktën 1 muaj.

Vetëm disa hapa më tej gjendej dhoma tjetër, në të cilën ishin të shtruar dy pacientë në një dhomë të ngushtë e me pak hapësirë. Edhe në këtë dhomë, një familjare po mbikëqyrte bashkëshortin dhe një pacient tjetër edhe ky i moshuar.

Njëri nga të prekurit, ishte infektuar nga gruaja e tij e cila punonte infermiere në njërën nga repartet e QKUK-së. Ajo tregonte se nuk kishte pasur probleme të shumta pasi ishte trajtuar edhe vet me përvojën që kishte, por për bashkëshortin nuk thoshte dot fjalët e njëjta.

Dy pacientë të prekur me COVID-19, duke u trajtuar me oksigjen, Foto: KALLXO.com

Pasi u ishte rekomanduar që të vetizoloheshin në shtëpi pasi kishin marrë rezultatet e testimit, burrë e grua treguan se disa ditë më vonë, ata i kishin transportuar me urgjencë në repartin intensiv për shkak se bashkëshorti kishte probleme me frymëmarrje.

“Simptomat kanë qenë si te shumica, fyti, kollë e thatë, temperaturë, dhimbje nyjash e muskujve. Pastaj kemi bërë testin na kanë kumtuar që jemi pozitiv. Fillimisht jemi trajtuar në shtëpi por më pas kanë ardh na kanë marrë me ndihmë të shpejtë sepse e kanë parë që duhet me u trajtu në spital. Sulmin kryesor e kam pasur frymarrjen”, shpjegonte pacienti rreth të 50-tave.

Pacienti duke u trajtuar me oksigjenoterapi, Foto: KALLXO.com.

Duke dëgjuar shumë komente se virusi COVID-19 nuk është real, pacienti i cili mbante në fytyrë maskën e oksigjenit, e që po trajtohej vazhdimisht me të, jepte mesazhin për kujdes.

“Mos të mendon dikush që kjo punë është hajgare. Që është grip jo nuk është grip. Krejt varet sa dhe kënd pe sulmon gripi. Duhet patjetër që të kihet kujdes. Ka shumë njerëz që po vdesin, të keni kujdes sepse kjo nuk është hajgare, unë vet jam pacient kam kaluar këtë dhe e di sa vështirë ka qenë”, tregon pacienti.

Vetëm Klinika Infektive, po trajton më shumë se 110 pacientë me COVID-19. Më shumë se gjysma e pacientëve janë duke u trajtuar me aparate të oksigjenoterapisë.

Përveç Klinikës Infektive, pacientë me coronavirus, po trajton edhe Klinika e Pulmologjisë, ajo e Neurologjisë, Qendra e Mjekësisë Sportive si dhe spitalet rajonale të Kosovës.

Pas mbledhjes së komitetit për menaxhimin e pandemisë në ShSKUK, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovës, në një deklaratë për media tha se janë duke punuar për shtimin e kapaciteteve për pacientët të cilët po rezultojnë pozitiv me COVID-19 si dhe të cilët kanë nevojë për trajtim.

Mbi 300 pacientë janë të shtruar në spitale dhe klinika e të cilët po trajtohen me pajisje mjekësore për shkak të problemeve dhe simptomave të cilët kanë të njëjtit nga infektimi me coronavirus.