Lajmet e rreme për luftën në Ukrainë
Shpërndarja e lajmeve të rreme dhe dezinformimit është shndërruar në kryefjalë të zhvillimeve të fundit nga lufta e nisur nga Rusia tash e më shumë se dy javë në Ukrainë.
Mes akuzave të ndërsjella të palëve për propagandë, përmbajta e fotografive dhe videove që publikohen në ueb-faqe të ndryshme mbetet e pakontrolluar, duke u shpërndarë pamje të paqena dhe të vjetra mbi gjendjen aktuale të luftës.
Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikuesve të Fakteve (IFCN) ka krijuar një rrjet të mediave, të cilat janë duke gjetur dhe publikuar lajmet e rreme rreth luftës në Ukrainë. Pjesë e këtij rrjeti është edhe platforma KALLXO.com, me Krypometrin. Te gjitha lajmet e rreme rreth luftës në Ukrainë që janë të publikuara nëpër mediat botërore, janë të grumbulluara në një platformë dhe të njëjtat janë të paraqitur në një hartë.
Gjatë klikimit në hartë, mund të shihet përhapjen e dezinformatave dhe lajmeve të rreme në vendet e ndryshme të botës, të cilat janë gjetur dhe faktuar nga anëtarët e Rrjetit Ndërkombëtar i Verifikuesve të Fakteve. Linkun mund ta gjeni KËTU.
Shtetet e nënvizuara me nuanca të ngjyrës së kuqe tregojnë për numrin e dezinformatave që janë identifikuar dhe zhvlerësuar nga kontrolluesit të fakteve në çdo vend.
Për secilin vend që klikohet në ueb-faqe shfaqen dezinformatat që janë identifikuar dhe faktuar si të tilla, duke pasur qasje në artikujt e verifikuesit e fakteve në gjuhën përkatëse të shtetit të caktuar.
Këto të dhëna tregojnë se aktualisht në Indi janë identifikuar më së shumti dezinformata për situatën në Ukrainë, mbi 200 sosh. Në Kosovë janë identifikuar mbi 30 lajme të rreme.
Lajmet e rreme dhe Ballkani Perëndimor
Krypometri si pjesë e rrjetit ndërkombëtare të verifikuesve të fakeve (IFCN) është duke monitoruar mediat që publikojnë lajme në gjuhën shqipe për luftën në Ukrainë.
Pjesa më e madhe e lajmeve ka të bëjë me publikimin e videove dhe fotografive të vjetra dhe që nuk tregojnë realitetin aktual në Ukrainë.
Këto përmbajtje të publikuara edhe nga portalet në Kosovë janë verifikuar dhe ka rezultuar që ato nuk përkojnë me situatën në Ukrainë apo janë fotografi të bëra vite me parë.
Disa prej tyre përfshijnë pamje dramatike të fëmijëve afër personave me uniforma ushtarake, aeroplanë apo raketa ushtarake që goditen gjatë fluturimit, gra të armatosura, ndërtesa dhe sheshe të Ukrainës dhe pamje të tjera.
Në ueb-faqen e krijuar nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikuesve të Fakteve (IFCN), kur klikohet në hartë Kosova, shfaqen lajmet e rreme që janë gjetur, mes tyre, një video e vitit 2018 e cila është raportuar si një sulm i ushtrisë ruse në Ukrainë.
Gjithashtu, është demantuar edhe një lajm tjetër kur pretendohet se kopertime e revistës “Time” e ka paraqitur presidentin rus Putim duke e krahasuar me Hitlerin.
Ky lajm është verifikuar edhe nga Krypometri dhe ka rezultuar se është i rremë.
Me mbishkrimin “Rikthimi i historisë. Si i shkatërroi Putini ëndrrat evropiane”, kjo fotografi e kopertinës është publikuar si foto lajm nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri.
Foto është publikuar nga Revista Kosovarja, Top-Channel, Gazetashqiptare.al, Infobox.al.
Pasi kjo fotografi u shpërnda nëpër rrjete sociale, krijuesi i saj, dizajneri grafik, Patrick Mulder në Tëitter e mohoi që kjo fotografi është bërë për ballinën e revistës prestigjioze “Time”.
“Unë doja të bëja diçka që lidhej me pushtimin në Ukrainë si dhe të kapja humorin e publikut. Nuk është bërë për kopertinën e TIME. Ndjeva se meritonte të kornizohej në një mënyrë po aq të fuqishme”, ka shkruar ai në Twitter.
Lidhur me këtë ka shkruar edhe Reuters, të cilët kanë kontaktuar me një zëdhënës të revistës “Time” dhe kanë marrë konfirmim se fotoja nuk i përket atyre.
“Asnjë kopertinë e tillë nuk u publikua nga Time”, kishte thënë ky zëdhënës.
Ndërkohë, mbi 3 mijë herë mediat e Ballkanit Perëndimor në lajmet e tyre rreth situatës në Ukrainë iu janë referuar medias ruse, “Sputnik” thotë një hulumtim i platformës pikasa.ai.
Ndërsa 3 mijë e 663 herë të tjera iu janë referuar lajmeve nga agjencia ruse, TASS.
Ky hulumtimi bazohet në gjetjet nga monitorimi i 2 mijë mediave në Maqedoninë e Veriut, Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Media prestigjioze, ‘Reuters’ është përdorur 10 mijë e 993 herë si referencë nga këto media e ndjekur nga BBC me 10 mijë e 179 referenca dhe CNN me 9 mijë e 259 referenca.
“Terri” informativ në Rusi në lidhje me Ukrainën
Përderisa në pjesën më të madhe të vendeve të botës shpërndahen lajmet e rreme, rusët kanë mbetur me pak qasje në informacione nga burime të jashtme rreth konfliktit në Ukrainë.
Mediat ndërkombëtare u goditën nga një “agresion” rus, kur vendosi që të bllokojë faqet e internetit të disa prej mediave të besueshme botërore.
Rusia bllokoi faqet e internetit, brenda territorit të saj, të disa organizatave të huaja mediatike, mes së cilave Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë, BBC dhe Deutsche Welle, duke i akuzuar ato për përhapje të informacionit të rremë në lidhje me luftën e saj në Ukrainë.
Rusia gjithashtu e ndaloi Facebook-un dhe Twitter-in për qytetarët e saj.
Përveç kësaj, Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një projektligj që dënon përhapjen e informacionit “të rremë” për forcat e armatosura të vendit, me dënim me burg deri në 15 vjet.
Media britanike BBC, raportoi se disa media të pavarura ruse janë detyruar të mbyllen ditët e fundit pasi e kanë përshkruar si “pushtim” ose “luftë” atë që Kremlini e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Ndërkohë, kolektivi i hakerëve botëror “Anonymous” pretendoi se i ka hakuar transmetimet televizive shtetërore ruse për t’i shfaqur pamjet e luftës në Ukrainë.
Në një postim në Tëitter, “Anonymous” tha se ka hakuar kanale, përfshirë Russia 24, Channel One dhe Moscoë 24, përveç shërbimeve ruse të transmetimit Ëink dhe Ivi. Pretendimet e këtij grupi nuk kanë mundur të vërtetohen.
Ndërkohë që India është vendi në të cilin janë shpërndarë më së shumti lajme të rrejshme rreth luftës në Ukrainë.
Disa nga dezinformatat që janë identifikuar nga ky rrjet janë: Në Indi është raportuar rrejshëm se është ndriçuar me ngjyra të flamurit rusi një monument në Neë Delhi, në Itali është identifikuar një lajm i rremë, duke pretenduar se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka veshur një simbol nazist, në Spanjë është identifikuar dezinformata se ushtarët ukrainas po pengonin arratisjen e civilëve nga një qytet i Ukrainës, një tjetër lajm me pretendimin se presidenti rus Vladimir Putin ia ka pezulluar ekipit rus garant ndërkombëtare në futboll, lajm i cili është identifikuar në Itali, Bangladesh dhe Indi.