'Lagjia e Muhaxherëve', Prishtinë

Lagjja e shqiptarëve të dëbuar nga Serbia që po humbet identitetin nga ndërtimet

‘Lagjja e Muhaxherëve’, siç njihet në popull si “Mahalla e Muhaxherëve” në Prishtinë ka filluar të popullohet që nga viti 1878, kurse tani po rrezikon të humbasë identitetin e saj si pasojë ndërtimeve të shumta.

Kjo lagje u bë strehë banimi për shumë shqiptarë të përzënë me dhunë nga mbi 700 fshatra të Sanxhakut të Nishit.

Një pjesë e madhe e këtyre banorëve ishin shpërngulur edhe në Turqi, ndërsa nuk ka të dhëna të sakta se si janë ndarë nëpër shtete të shpërngulurit.

Në  ‘Lagjen e Muhaxherëve’ për herë të parë u vendosën rreth 20 familje shqiptare të shpërngulura, të cilat edhe e populluan këtë zonë që atë kohë sipas banorëve, thuhet të ketë qenë e mbushur me shkurre.

Ragip Tërvolli, banor i kësaj lagjeje tregon se paraardhësit e tij kishin ndërruar tre vendbanime deri sa ishin vendosur në këtë lagje.

“Në vitin 1898 paraardhësit janë shpërngulur me dhunë nga fshati Tërrhe në Metrogovc, prej aty në Hendrovc dhe pastaj në vitin 1956 kemi ardhur në ‘Mahallën e Muhaxherëve”,” ka thënë ai.

Në bazë të dhënave nga historianët, Serbia arriti të dëbojë 250 mijë banorë shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit gjatë viteve 1878-1879.

Tërvolli për KALLXO.com theksoi se familja e tij ishte përballur me sfida të shumta për të ruajtur mbiemrin që e kishin në bazë të vendbanimit të parë Tërrhe në Serbi.

“Tani e kemi mbiemrin Tërvolli, por familja ka vuajtur shumë për të mos ndërruar mbiemrin. Banorët këtu kanë ruajtur mbiemrat e fshatrave prej ku janë përzënë”, shtoi tutje ai.

Përveç mbiemrit Tërvolli, ndër mbiemrat tjerë të lagjes që mbajnë emrat e fshatrave prej ku janë shpërngulur janë mbiemrat: Breznica, Pllana, Bllaca, Dragidella, Zhinipotoku, Merovci, Qyqalla, Kozhinca etj.

Tërvolli potencoi se, babai i tij  kur ka ardhur këtu në vitin 1956 ka blerë pronën dhe më pas ka punuar në minierën e Kishnicës.

Ai tha se ka vizituar njëherë fshatin Tërrhe në vitin 1989, kurse fëmijët e tij nuk kanë kurrfarë interesi për të bërë diçka të tillë.

Tërvolli i cili sot drejton një lokal ku përgatitet ushqim i shpejt ka thënë se komuna është dashur të mos lejojë ndërtime në këtë zonë.

“Këtu pas luftës janë bërë shumë ndërtime të larta, janë disa zona ku parashihen ndërtime të ulëta, por identiteti i kësaj lagjeje po humbet çdo ditë e më shumë. Mua më kanë kërkuar të jap shtëpinë për ndërtim të lartë por nuk kam pranuar”, shtoi tutje Tërvolli.

Refik Xhemaili, po ashtu banor i kësaj lagjeje tha se familja e tij ishin vendosur aty në vitin 1912 nga fshati Mramor i Serbisë.

“Unë kam lindur në këtë lagje në vitin 1950, ndërsa babi im është vendosur këtu në vitin 1912, atë kohë kanë blerë këtë pronë dhe janë marr kryesisht me tregti të bagëtive”, ka thënë Xhemaili.

Ai shtoi se lagjja është shëmtuar nga ndërtimet, ndërsa shtëpinë nuk do e lëshoj në rast se i kërkohet nga komuna.

Nihat Haxhiu, po ashtu banor tjetër i kësaj lagjeje, tha se paraardhësit e tij kishin ardhur në Kosovë në vitin 1878 nga Toplica, prej ku ishin dëbuar.

Ai tha se emri i kësaj lagjeje ‘Muhaxhirë’ ka kuptimin ‘të ardhur’ pasi të gjitha ato familje që populluan këtë zonë ka qenë të përzënë nga fshatrat e Serbisë.

“Këtu paraardhësit e mi janë vendosur në vitin 1878 nga Toplica e Serbisë, atë kohë janë blerë pronat të cilat u populluan edhe më shumë me kalimin e viteve”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu i cili është më i ri në moshë, tha se ka vizituar njëherë vendin e paraardhësve të tij, ai theksoi se në Toplicë nuk janë prekur fare emrat e rrugëve.

“E kam vizituar një herë Toplicën që është afër Nishit, edhe pas kaq shumë viteve, nuk janë prekur fare emrat e rrugëve, por nuk ka gjurmë të jetesës shqiptare atje”, shtoi ai.

Haxhiu  tha se komuna nuk ka interes që ta ruaj këtë lagje, kurse shtoi se banorët po japin pronat për ndërtim të lartë sepse u leverdis ekonomikisht.

“Komuna nuk ka interesim që të ruaj këtë lagje, nuk kanë lënë kurrfarë hapësire gjelbëruese apo për fëmijë. Unë nuk i fajësoj banorët që po lëshojnë shtëpitë për ndërtime të larta pasi kjo gjë u leverdis edhe nga ana ekonomike”, shtoi ai.

Plani rregullues për lagjen e Muhaxherëve është aprovuar në Kuvendin Komunal në vitin 2012, me atë plan janë të parapara tre kategori të ndërtimit: Kategoria 1 që është banim individual, kategoria 2, banim i mesëm dhe kategoria 3 parasheh ndërtim të lartë me etazhitet të pakufizuar.

‘Lagjja e Muhaxherëve’, Prishtinë

‘Lagjja e Muhaxherëve’, Prishtinë