Foto: Agon Nimani

Lagjet luksoze, shenjë e pabarazisë sociale në Kosovë

Nuk duhet gërvishur kujtesën shumë kur pjesa jugore e Prishtinës në drejtim të Ferizajt ishte një fushë e hapur që kryesisht përdorej për bujqësi para se një pjesë e madhe e saj të shndërrohej në tokë industriale, ku mori hov zhvillimi i bizneseve të shumta. Përveç numrit të madh ndërtimeve afariste, shtëpi si kërpudha kanë gjetur vend në arat e periferisë së Prishtinës.

*Learti e ka të ngulitur në mendje habinë e babait të tij kur i kishte treguar se i biri po planifikonte ta linte banesën e tij në qendër të Prishtinës e të ndërtonte një shtëpi në një tokë të harruar 10 km larg Prishtinës. Tetë vite më vonë, Marigona residence, vendi që ishte mbuluar në baltë, është ndër lagjet më moderne të Prishtinës me mbi 430 shtëpi. “Sot me vjen keq që  s’kam qenë mjaftë i mençur që nuk kam hyrë në borxh e me e pasë edhe një shtëpi tjetër këtu,” thotë Learti.

Learti dhe familja e tij nuk ishin të vetmit që kishin këto dyshime për investimin e tyre. 

Erolld Belegut dhe partnerëve të tjerë që kishin inicuar projektin e ndërtimit të lagjes Marigona në vitin 2008 u ishin shprehur të njëjtat rezerva nga njerëz të afërt. “Kur jemi largu qaq shumë prej qytetit, për shumëkë ka qenë shumë larg por çka kemi dashtë me iu pru njerëzve diçka çka nuk ka në treg,” rrëfen Belegu.

Sot, në lagjen me shtëpitë njëra pas tjetrës, kanë shtëpi ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe vëllëzërit e tij, ministra e zyrtarë të lartë të shtetit, diplomatë të huaj, njerëz të biznesit, njerëz të showbizit, qytetarë nga diaspora kosovare e të gjithë ata që kanë 200 deri në 500 mijë euro sa llogaritet të jetë vlera e shtëpive të ndryshme në këtë lagje.

Foto kortezi: Marigona residence

Shkolla, çerdhe, markete, restorante te ndryshme,  fusha të tenisit e ambiente tjera rekreacioni, dyqane rrobash e deri te pastrim kimik janë vetëm nga disa veprimtaritë që zhvillohen brenda lagjes.

Siç pohon edhe Learti, në këtë lagje lirisht qëndron me javë të tëra pa patur nevojë të dalësh jashtë saj me dy hyrjet e saja që kanë të vendosur një rampë në hyrje për të kontrolluar ata që hyjnë dhe dalin nga lagjja.

“Ne verës shumicën e kohës nuk jemi këtu por po ju them që shumicën e kohës ne e lëmë derën çel, e këtë nuk mundesh çdokund me e ba. Bicikletat e fëmijeve i lëmë në oborr e veturën garant çel e mbaj. Ne që jetojmë këtu, e ndjejmë njëfarë lloj sigurie.”

Belegu zbulon se inspirimi për një lagje të tillë vjen nga vizitat që ai kishte bërë në Amerikë dhe rrugët Kalifornia, Teksas, Florida, Kolorado, Washington janë vetëm disa nga emërtimet e rrugicave që bien në sy sapo të hysh në lagje.

Lagjet e mbyllura gjithandej Kosovës

Lagjja Marigona nuk është e vetmja lagje e stilit të tillë. Dhjetëra lagje të tilla të janë identifikuar nga BIRN në shumë qytete të Kosovës në dekadën e fundit.

Komuna e Prishtinës dhe ajo e Graçanicës, ku besohet se është numri më i madh i këtyre lagjeve të mbyllura, edhe pas shumë kërkesave nga Prishtina Insight nuk kanë siguruar të dhëna mbi numrin e lagjeve të mbyllura. Ndërkohe Ferizaj dhe Gjilani kanë deklaruar se në secilën komunë janë ndërtuar nga dy lagje të mbyllura. Por, në Ferizaj BIRN ka evidentuar se ka edhe lagje tjera gjigante që janë në ndërtim e sipër dhe që nuk  janë përfshirë në përgjigjen drejtuar Prishtina Insight nga Departamenti i Urbanizmit dhe Mjedisit.

Ndërkohë, Peja ka dalë në krye nga komunat tjera për numrin e deklaruar të lagjeve të mbyllura. Në këtë qytet që numëron afër 100,000 banorë, sipas të dhënave nga Komuna janë 5 lagje të mbyllura, 4 prej të cilave janë ndërtuar pas vitit 2016, dhe njëra prej tyre është edhe lagja Babanaj, e cila gjendet në magjistralen Pejë – Deçan, buzë bjeshkëve të kësaj zone. Mirëpo një numër i konsiderueshëm i tyre nuk shfrytëzohen rregullisht, pasi ka shumë pronarë që jetojnë në diasporë. 

Januz Gjoci thotë që nuk ka qenë dëshirë e tij të jetë banor i kësaj lagjeje, mirëpo ky ka qenë insistim i djemve të tij që jetojnë në Zvicër. “Këtu jam falë djemve, dhe e vërtetë që  janë kushtet shumë të mira, është ajri i pastër, uji, qetësia, të gjitha, por mu nuk më rrihet sepse je i vetmuar, në pamjen time nuk shoh asgjë mirë, pavarësisht që këtu duket shumë mirë, por nuk ke me kë flet”, thotë Gjoci. 

Gjoci tregon se lagjja këtu merr gjallëri pak a shumë vetëm gjatë vikendeve, pasi ka banorë të cilët kanë blerë shtëpi aty dhe shfrytëzohen vetëm në fundjavë. “Ka edhe shtëpi që i blejnë njerëzit që vijnë vetëm vikendeve këtu, najkush i fortë, naj biznesmen a politikan.” rrëfen Gjoci. 

Lagjja Babanaj foto: Halim Kafexholli

Me një arkitekturë zvicerane, ky kompleks urban numëron rreth 80 shtëpi, teksa vlera e tyre arrin shifrën rreth 170 mijë euro me një ambient të jashtëm kryesisht të gjelbëruar dhe e konceptuar me standarde të arkitekturës moderne, në të cilën, krahas sigurisë që ofron lagjja, jetesa brenda ka një kosto të lartë. 

“Në dimër paguajmë rreth 600 euro vetëm rrymë, sepse këto shtëpi e kanë një sistem të sofistikuar të nxemjeve në tërë shtëpinë”, thotë Gjoci. 

Edhe Belegu nga Marigona e pranon se jo vetëm blerja por edhe jetesa është më e kushtueshme. “Në këtë lagje është ma mirë me jetu jo ma lirë. Është ma shtrenjtë se me jetu në qytet, duhesh me pasë kerr, me pagu mirëmbajtje, oborrin me ta ndreq nëse nuk e ndreq vetë e shpenzime tjera,” thotë ai.

Shenjë e pabarazisë sociale

Artan Mustafa, hulumtues në fushën e politikës sociale, thotë se rritja e numrit të këtyre lagjeve shpërfaq nevojën përtej idesë së sigurimit të një vendi për banim. 

“Tani pse njerëzit i përzgjedhin këto vende për të jetuar ka të bëjë me aspekte të ndryshme, do kanë qejf me jetu nëpër shtëpi, do kanë qejf me jetu në rajone më të qeta, me pasë afër shërbimet për fëmijë, për kujdes etj, por unë kryesisht e shoh si një nevojë për një luks më të madh dhe i cili vjen prej mundësisë,” shton ai.

Për Mustafën, ky realitet i ri i shtimit të lagjeve të reja është simbol i rritjes së pabarazive sociale dhe rritjes së hendekut mes klasës së privilegjuar dhe shumicës së popullsisë. Sipas të dhënave të vitit 2019 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, 18 për qind e popullsisë në Kosovë jetojnë në varfëri.

“Të jetuarit në ato lagje automatikisht sinjalizon, sinjifikon edhe një status më të diferencuar, jo të gjithë munden me ble aty, jo të gjithë munden me jetu me atë lloj cilësie, jo të gjithë munden me jetu me ato shërbime dhe me atë lloj të sigurisë,” thotë Mustafa.

Ndonëse personalisht nuk e ndjen vetën të privilegjuar që është banues i kësaj lagjeje, Learti thotë se shoqëria kosovare veçse i sheh ndryshe banorët e lagjes së tij, madje edhe duke i demonizuar në raste të caktuara për shkak se disa banorë që jetojnë kanë nam jo të mirë në shoqërinë kosovare. 

Po ashtu, ai thotë çmimet ndryshojnë sapo shitësit apo mjeshtrit ta kuptojnë se janë banues të lagjes Marigona.

Dyqaneve apo kur ki nevojë për mjeshtër, nuk guxojmë me iu tregu se jetojmë në këtë lagje sepse i rrisin çmimet menjëherë sa ta kuptojnë se jetojmë në lagjen Marigona,” thotë ai.

Belegu, ish-këshilltar i kryeministrit në Qeverinë e kaluar të Ramush Haradinajt, insiston se jo çdokush me një jetë mesatare mund të blejë shtëpi në këtë lagje dhe do duhej së paku 1,500 euro të ardhura të ketë familja që të jetojë në këtë lagje .që i bie më shumë se tri herë rroga të sektorit publik dhe katër rroga të sektorit privat.

Pa patur prona të trashëguara, të jetosh në një lagje të tilla duket e pamundur për klasën punëtore. Edhe nëse një punëtor do të kursente 500 euro sa është mesatarja e pagave të sektorit publik, do të duheshin rreth 34 vite për ta blerë një shtëpi.

Lagjja Marigona – Foto: Halim Kafexholli

Për Mustafën rritja e kësaj klase duhet kuptuar nga një përspektivë më e gjerë socio-historike. 

Për të lindja e kësaj shtrese ka rrënjë dekada më parë, në vitet e 1960, kur ish sistemi vetëqeverisës socialist filloi të aplikojë politikat e banimit për administratën e ndërrmarrjet e mëdha shoqërore dhe me rrënimin e këtij sistemi politik, këto banesa u bënë pronë e tyre për një shumë ‘simbolike’.

“Një pjesë i kanë shitur pronat dhe kanë ble atje (në këto lagje) dmth një pjesë e banorëve vijnë prej shtresës së pasur të krijuar në socializëm,” thotë ai. 

Mustafa beson se shtresa tjera të njerëzve që blejnë shtëpi në lagje të mbyllura përfshihen edhe elita biznesore dhe një shtrese e lartë burokratike që është “pasuruar paligjshëm.”

Derisa Learti përmend ‘demonizimin’ që iu bëhet banorëve të lagjes për shkak të një grushti njerëzish që jetojnë aty me lidhje politike apo tjera, Belegu beson që ka të shumtë që ndihen të privilegjuar të kenë fqinj njerëz të famshëm.

“Kur i ke rendet, ki qejf edhe me u ndi i veçuar diqysh. Secili ka atë qejf me të njoftë e përshëndet dhe nuk shoh najsen negative, tash a është e drejtë, është çështje tjetër,” thotë ai duke qeshur.

Për Mustafën, ky realitet i ri simbolizon pabarazinë sociale dhe rritjen e hendekut mes një shtrese konsumeriste dhe asaj të varfër. 

“Nëse politika publike nuk është e orientuar me promovu barazinë, as televizioni publik e mediat tjera nuk flasin për barazinë e solidaritetin, më shumë e promovojnë të kundërtën, më shumë e promovojnë një lifestyle më konsumator, dmth pro konsumit dhe temat e barazisë dhe solidaritetit nuk janë në qendër të vëmendjes dhe as në aspektin diskursiv pastaj këto dallime nuk shihen as si problematike,” thotë ai.

*Leart është emër fiktiv i banuesit të lagjes Marigona pasi nuk ka pranuar ta zbulojë identitetin