Kuvendi Stërngarkohet nga Tubimet Përkujtimore

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, paralajmëroi të hënën se puna e legjislativit të vendit po stërngarkohet nga seancat e shumta përkujtimore për personat e vrarë gjatë luftës së 1999-ës.

“Nuk është detyrë e përgjegjësi e Kuvendit në këtë mënyrë siç vërshuan për t’i mbajtur këto seanca përkujtimore. Do të ishte krejt në rregull të përkujtohen ngjarje, por të shkohet individ për individ është ngarkesë që realisht nuk mund ta përballojë Kuvendi”, tha ai.

Komentet e tij erdhën para mbajtjes së seancës përkujtimore për 32 vjetorin e vrasjes së Tahir e Nebih Mehës së vrarë nga forcat serbe më 13 Maj të vitit 1981, në Betejën e Prekazit të Epërm.

“Është një ngjarje të cilën parlamenti duhet ta nderojë dhe respektojë”, u shpreh Ramiz Lladrovci-një nga gjashtë deputetët inicues për mbajtjen e seancës përkujtimore.

Më 7 mars, në Kuvendin e Kosovës ishte mbajtur një seancë në kujtim të vrasjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, në kuadër të manifestimeve të organizuara për “Epopenë e UÇK-së”.

Më 8 prill të këtij viti parlamenti përkujtoi 14 vjetorin e Betejës së Koshares, derisa më shumë seanca përkujtimore ishin mbajtur gjatë 2012-ës.

Bekim Blakaj, kreu i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se “ligjvënësit kosovarë duhet të nisin të mendojnë për forma të tjera të përkujtimit të viktimave civile ose heronjve të luftës”.

“Problemi është se seancat përkujtimore mbahen vetëm për disa viktima apo heronj…krijohet pra përshtypja se favorizohen heronjtë e familjeve që kanë lidhje me partitë politike”, u shpreh ai.

Më shumë se 13 mijë njerëz konsiderohet se janë vrarë gjatë luftës në Kosovë, ndërkaq më shumë se 1 mijë e 700 mbesin të zhdukur.