Kuvendi shkel "urdhrat" e Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretimin e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Zbatimi i vendimeve të saj është i detyrueshëm për të gjithë, megjithatë Kuvendi, si organ legjislativ e ka shpërfillur urdhrin e kësaj Gjykate lidhur me njërën prej çështjeve më të diskutuara vitin e kaluar – Ligjin për paga. Urdhri i Kushtetueses nuk është respektuar në plotni as në lidhje me Ligjin për zyrtarët publik.

Më 23 janar 2024, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të pavlefshme disa nene të Ligjit për paga në sektorin publik, pas kërkesës së Avokatit të Popullit për interpretimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji.

Me aktgjykimin e Kushtetueses, Kuvendi obligohej që brenda 6 muajve t’i bënte ndryshimet e nevojshme në këtë ligj.

“Gjykata Kushtetuese vendos të urdhëroj Kuvendin e Kosovës, që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafit 6 të nenit 6 (Paga baze) të Ligjit për Pagat ne Sektorin Publik, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim”- thuhet në aktgjykim.

Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 shkurt 2024, dhe ndonëse prej atëherë kanë kaluar më shumë se tetë muaj, Kuvendi i Kosovës ende nuk i ka miratuar ndryshimet.

Ligji për paga i plotësuar dhe ndryshuar nuk është miratuar ende as në Qeverinë e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për KALLXO.com ka konfirmuar se i është drejtuar Kuvendit të Kosovës me kërkesën për informatë lidhur me veprimet e ndërmarra për aktgjykimin që ka të bëjë me Ligjin për paga.

“Gjykata, në mënyrë të vazhdueshme përcjell zbatimin e aktgjykimeve te saj. Në vazhdimësi të monitorimit të zbatimit të aktgjykimeve të saj nga institucionet tjera në vend, Gjykata i është drejtuar Kuvendit të Kosovës me kërkesën për informatë lidhur me veprimet e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit KO216/22 dhe KO220/22 të 12 shtatorit 2023 [Ligji për zyrtarët publik] dhe Aktgjykimit KO79/23 të 23 janarit 2024 [Ligji për pagat në sektorin publik] të Gjykatës Kushtetuese”- thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.

Lidhur me ketë çështje, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Kuvendi i Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se Qeveria është duke punuar në adresimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, ky proces kërkon kohë për shkak të natyrës së ndërlikuar të çështjes.

“Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë përgjegjëse për administratën publike është duke punuar në adresimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Ligji për paga përfshin rregullimin e një numri të madh të zyrtarëve në sektorin publik, dhe për të siguruar që këto ndryshime të jenë në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, nevojiten shqyrtime të thella ligjore dhe konsultime me palët relevante. Ky proces kërkon kohë për shkak të natyrës së ndërlikuar të çështjes”- thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Kryeziu ka thënë se “Projektligji do të marrë parasysh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të konsultohet me institucionet e tjera përkatëse.”

Ndërsa, bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, në seancën e mbajtur më 25.04.2024.

Por, votimi i këtij Ligji në lexim të dytë, ka mbetur pikë e papërfunduar e Kuvendit të Kosovës prej seancës së mbajtur më 12 shtator 2024.

“Shkelje e Kushtetutës”

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”- thotë neni 116 i Kushtetutës së Kosovës.

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se mosmiratimi i Ligjit për Pagat në Sektorin publik nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës brenda afatit të përcaktuar (1 gusht 2024), paraqet shkelje të këtij aktgjykimi, shpërfillje të kësaj Gjykate, shkelje të Kushtetutës, cenim të të drejtave në shtesë të pagës sipas përvojës së punës të dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë në Kosovë, si dhe krijim të një praktike të dëmshme për promovimin e demokracisë.

Në një përgjigje për KALLXO.com ai ka thënë se në rast të mos inicimit të ligjit dhe zbatimit të kërkesave të GjK-së, shërbyesit civilë kanë të drejtën e ushtrimit të padisë në gjykatën kompetente kundër Qeverisë dhe Kuvendit.

“Mosinicimi i ligjit ka pasoja të drejtpërdrejta në mirëqenien dhe stabilitetin social të mijëra familjeve që mbështeten në këto paga për të siguruar nevojat e përditshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve të tyre. Aktgjykimi i GjK-së, ishte një hap i rëndësishëm në mënyrë që reforma e nevojshme në sektorin publik, të përcillet me siguri për punonjësit në mënyrë që këta të fundit të kompensohen në mënyrë të drejtë për përvojën dhe angazhimin e tyre profesional”- ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se nga monitorimi që IKD i ka bërë zbatimit të aktgjykimeve edhe në të kaluarën ka pasur së paku dy raste kur institucionet publike nuk kanë zbatuar vendimet e Kushtetueses.

“Sidoqoftë, gjatë qeverisjes së LVV pothuajse është shndërruar në praktikë injorimi i vendimeve gjyqësore të GJK si në rastin konkret apo edhe në raste të ligjeve të tjera”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Historiku i Ligjit për paga

Në dhjetor të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi se i ka shpallur të pavlefshme disa nene të Ligjit për pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit për kushtetutshmërinë e këtij ligji.

Në një njoftim për medie, Kushtetuesja tha së ky Ligj i miratuar është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas dosjes së kësaj Gjykate, ky Ligj është në mospërputhje me nenin 4 të Kushtetutës që ka të bëjë me format e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, nenin 46 që ka të bëjë me mbrojtjen e pronës, nenit 7 që ka të bëjë me vlerat, dhe nenin 24 – barazia para ligjit.

Avokati i Popullit kishte kërkuar nga Gjykata që vlerësimit të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar t’i nënshtrohet vetëm pjesa me efekt në zbritje të pagave dhe jo ajo në ndërlidhje me kategorinë që u janë ngritur pagat, sepse të drejtat e këtyre të fundit, nuk janë cenuar përmes Ligjit të kontestuar.

Në këtë institucion ishin paraqitur 104 ankesa nga funksionarë, zyrtarë, nëpunës, organizata e asociacione me pretendime për shkelje të  të drejtave dhe lirive themelore.

Pretendimet e Avokatit të Popullit ishin kundërshtuar nga Qeveria përmes MPB-së.

Ligji për paga në sektorin publik u miratua nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor 2022, ndërsa vlera e koeficientit prej 105 eurosh u miratua në shkurt 2023, ndërsa në vitin 2024 është 110 euro.

Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18, dhe nga ky ligj përfitojnë mbi 80 mijë punonjës të sektorit publik