Kuvendi Ratifikon Marrëveshjen

Deputetët e pranishëm në seancën plenare të Kuvendit pas pauzës së dytë e kanë votuar projektligjin për ratifikim të marrëveshjes.

Me 84 vota pro, tri kundër dhe një abstenim është miratuar projektligji për ratifikim të marrëveshjes, transmeton RTK. Prezentë kanë qenë 101 deputetë.

Para se të votohej marrëveshja kryeparlamentari Krasniqi është detyruar ta ndërpresë seancën për të dytën herë. 

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i ka pamundësuar kryeparlamentarit Krasniqi vazhdimin e seancës, pasi mundohej t’ia rrëmbente mikrofonin personal në ulësen e tij, duke thënë se nuk do të ketë votim.
 
Gjendja e krijuar çoi në një pauzë 10 minutëshe pas së cilës situata në kuvend ishte e tensionuar.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë votimit të deputeteve të tjerë, para foltores së kuvendit mbanin në duar pankartën në të cilin ishin të shkruar emrat e policit Enver Zymberi, i cili u vra  gjatë aksionit policor të korrikut të vitit 2011 për shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës, si dhe të qytetarit të veriut Selver Haradniaj që u vra më 7 prill 2012 në një sulm me mjet eksplodues në banesën e tij në veri të Mitrovicës.

Para se të fillojë votimi, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë paraqitjes së projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes tha se marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
 
 “Marrëveshja hap rrugën për vendosjen e stabilitetit në veri të Kosovës përmes transformimit rrënjësor të gjendjes aktuale të sigurisë, si dhe të kushteve politike dhe ekonomike” tha Thaçi.

Thaçi, po ashtu tha se marrëveshja hap perspektivën e Kosovës për të përmbyllur procesin  e njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe OKB-në.

“Marrëveshja siguron, dhe Plani i Implementimit vendos, detajet se deri në mes të muajit korrik 2013, Serbia do t’i mbyllë të gjitha strukturat e saja të sigurisë në Kosovë, dhe [do të] përfundojë ofrimin e përkrahjes financiare”  tha Thaçi.

Pas fjalimit të Thaçit në diskutim u përfshinë edhe kryetarët e grupeve parlamentare dhe deputetë të tjerë, shumica nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha se janë  tri arsye pse po ratifikohet marrëveshja të cilën e ka quajtur marrëveshje të imponuar të Serbisë.

“E para dojnë me e dominu LDK-në edhe AAK-në. E dyta dojnë me e minu rezistencën e Gjermanisë. Dhe e treta kur t’bjen kjo qeveri këta janë të interesum që edhe qeveria e ardhshme me i pasë duart e lidhura, e këtë e don më së shumti Serbia” tha Kurti.

Kurti u është drejtuar ndërkombëtarëve pjesëmarrës në seancë, ndaj  të cilëve ka pasur një kërkesë.

“Faktorëve që janë lart dhe në fund u kisha ba thirrje mos e përkrahni Vetëvendosjen. S’keni nevojë ta përkrahni Vetëvendosjen. Por flisni të vërtetën për këta kriminela se ju i dini shumë mirë kush janë këta. Ju e dini korrupsionin krimin e organizum edhe i dini të gjitha krimet që i kanë ba këta. Ju s’po flisni, pra ju fliteni të vërtetën” është shprehur Kurti.

Deputeti Rexhep Selimi nga VV duke u bërë thirrje deputetëve për të mos e votuar ratifikimin e marrëveshjes tha se” Në mes të frikës nga qeveritarët dhe frikës nga qytetarët, më mirë do të ishte e dyta”

Deputetja Myzejene Selmani nga AKR-ja, tha se pas projektligjit për marrëveshjen do të duhej të ndodhë edhe zbatimi i saj, duke shprehur përkrahjen për të.
“Në parim grupi parlamentar i AKR-së përkrah këtë marrëveshje” tha deputetja Selmani.

 Deputeti Visar Ymeri   nga VV gjatë fjalës së tij në kuvend tha se tash e tutje Kosova me buxhetin e saj po financaon strukturat ilegale të Serbisë.

“Marrëveshja përfundimisht e ndanë Kosovën në baza etnike” ka thënë Ymeri duke shtuar se po ashtu marrëveshja amniston pushtetin kriminal të Serbisë.

Blerim Shala nga grupi parlamentar i AAK-së tha se edhe në rastin më të mirë do të ketë probleme të shumta në trekëndëshin trepalësh duke iu referuar Kosovës, BE-së dhe Serbisë.

““Do të ketë probleme të shumta edhe në rastin më të mirë në këtë trekëndësh” tha Shala.

Deputeti i pavarur Muhamet Mustafa tha se ka shenja nga pala serbe për ta keqpërdorur marrëveshjen.

Arben Gashi nga grupi parlamentar i LDK-së tha se përgjegjës për ardhjen në këtë pikë është kryeministri Thaci.

““Kryeministri Thaci tha se  kurrë nuk do të ketë bisedime politike me Serbinë por ne sot po e ratifikojmë marrëveshjen me Serbinë” tha Gashi.

Reagon Policia. I Hapet Rruga Seancës

postuar në orën 11:11

Gjatë pauzës tridhjetëminutëshe të dhënë nga kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të zhbllokuar hyrjet e institucioneve shtetërore të bllokuara nga protestuesit. Policia nëpërmjet një komunikate thotë të ketë arrestuar 30 protestues, ndërsa VV-ja në faqen e saj të Facebook-ut konfirmon arrestimin e 40 aktivistëve të saj. Seanca në të cilën pritet ratifikimi i marrëveshjes me Serbinë po vazhdon.

Policia e Kosovës ndërhyri për zhbllokimin e dyerve të Kuvendit, të cilat mbaheshin të bllokuara nga protestuesit e Vetëvendosjes.

Ndërhyrja ndodhi pasi deputetët pengoheshin të hynin në seancën e Kuvendit, ku pritet të ratifikohet Projektligji për marrëveshjen e parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Intervenimi u krye gjatë pauzës tridhjetëminutëshe që u dha nga kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, pasi në Parlamentin e Kosovës nuk kishte kourum për vazhdimin  e seancës.

Policia në një komunikatë për medie njoftoi se është detyruar të ndërhyjë ndaj protestuesve, pasi ata kanë penguar deputeët për ta kryer punën e tyre, kanë qenë agresivë ndaj policëve dhe kanë tentuar t’i dëmtojnë rrethojat e Kuvendit, për të depërtuar në oborrin  e tij.

Policia konfirmoi se ka arrestuar 30 protestues, ndërsa gjatë intervenimit sipas komunikatës së policisë janë lënduar tre policë.

Vetëvendosja gjithashtu nëpërmjet faqes së saj të Facebook-ut bëri të ditur se janë arrestuar 40 aktivistë të saj, ndërsa disa prej tyre janë tërhequr zvarrë për të mundësuar hyrjen e deputetëve në Kuvend.

Në mesin e të arrestuarve janë Dardan Molliçaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Vlorian Molliçaj etj.

Seanca e Kuvendit po vazhdon me paraqitjen e fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare dhe deputetëve, pasi arsyetimin për ratifikimin e marrëveshjes e dha kryeministri Hashim Thaçi.

Pengimin e deputetëve për të hyrë në ndërtesën e Kuvendit, nëpërmjet një deklarate për medie e dënoi edhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë.

Sipas deklaratës edhe vetë ambasadorja Jacobson dhe personeli i ambasadës amerikane u penguan fizikisht për të hyrë në Kuvend, edhe pse kishin ftesë zyrtare për të marrë pjesë në seancën  e së enjtes.

Duke njohur të drejtën e qytetarëve për lirinë e shprehjes, ambasada amerikane dënon përdorimin e taktikave të dhunshme në pengimin e procesit demokratik.

Komunikata njofton se ambasadorja Jacobson është duke ndjekur seancën, megjithë pengesat që iu bënë në hyrje.

Protesta e VV-së Shkakton Pauzë në Kuvend

postuar në orën 10:10

Në Kuvendin e Kosovës filloi të enjten seanca në të cilën pritet ratifikimi i Projektligjit për marrëveshjen e parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ndërkohë, është duke vazhduar protesta e lëvizjes Vetëvendosje para hyrjeve të Kuvendit të Kosovës. Në Kuvend nuk ka kuorum, ngase deputetët pengohen nga protestuesit, derisa Jakup Krasniqi ka dhënë pauzë tridhjetëminutëshe.

Derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur diskutimin në parlament, Lëvizja Vetëvendosje është duke vazhduar protestën para hyrjeve të kuvendit të Kosovës.

Vetëvendosje ka bërë thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve në protestë.

“Vazhdon protesta te Kuvendi i Kosovës. Mund të na bashkëngjiteni te hyrjet e Kuvendit nga sheshi, hyrja përballë xhamisë, hyrja te komuna, hyrja pas Skënderbeut dhe hyrja nga “Sarajeva”” shkruan në një faqe zyrtare të VV-së.

Deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje për ndërprerje të protestës. Pajaziti tha se ka pasur vështirësi derisa po hynte në kuvend.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj tha se është penguar derisa po hynte në kuvend.

Hoxhaj shprehu shqetësimin se protestuesit janë treguar të dhunshëm derisa pengonin hyrjen e tij.

Kryetari i Grupit Parlamentar të (PDK) Adem Grabovci kërkoi pauzë 30 minutëshe  për siç tha ai krijim të kushteve pasi sipas tij deputetët nuk po mund të hyjnë në seancë.

Kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi mori vendim për një pauzë të tillë.

Krasniqi është shprehur se deputetët në seancë nuk janë duke u penguar, derisa për mbikëqyrjen e protestuesve ai tha se duhet të kujdesen organet kompetente të rendit.