Kuvendi aktual, pa shpresa për zgjedhjen e presidentit të ri

Që nga dorëheqja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, tema e cila ende nuk është zgjedhur nga 5 nëntori i këtij viti është emri pasues për presidentin e vendit.

Ndonëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka shpallur liderin e saj Ramush Haradinaj kandidat për president, ky subjekt ende nuk e ka filluar procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve.

Ndërsa, partia e cila duhet ta mbështes me votat e saj presidentin e ri Partia Demokratike e Kosovës, ka dhënë qëndrimin e saj se pozita e presidentit duhet t’i takojë PDK-së.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës e cila udhëheq me qeverinë në krye me Avdullah Hotin, shprehen se nuk janë të interesuar për këtë pozitë.

Ndonse Presidenti i Kosovës gjithmonë zgjedhet nga Kuvendi pasi kështu është paraparë me Kushtetutë, analisti Ramush Tahiri, i ka shpjeguar procedurat e zgjedhjes se presidentit për KALLXO.com.

Pas dorëheqjes së Thaçit nga posti i Presidentit, Tahiri ka thënë se ky post ka mbetur vakant dhe në bazë të nenit 82 të Kushtetutës ka afat dy mujorë për t`u zgjedhur presidenti i ri.

“Nëse nuk zgjedhet brenda dy muajve deri më 5 janar, atëherë Parlamenti shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje brenda afatit 45 ditësh, po jo më herët se 30 ditë prej datës së shpërndarjes së Kuvendit”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit për t`u zgjedhur presidenti duhen së paku dy kandidatë në Parlament.

“Secili kandidat duhet t’i mbledh nënshkrimet e së paku 30 deputetëve me kushtin që një deputet nuk mund t`u jep dy kandidatëve nënshkrimin por vetëm njërit. Për me u nis procedurat duhen 60 deputetë minimum dy kandidatëve t’iu japin nga 30 nënshkrime. Për me nis seanca duhen 80 deputetë. Nëse gjatë votimit bie numri i deputetëve nuk ka kuorum. Presidenti zgjedhet me 61 deputetë, por gjatë votimit duhet të jenë prezent 80 deputetë”, tha ai.

Tahiri tha se ky Kuvend është e rëndësishme që ta bëjë tentativën për zgjedhjen e presidentit, por sipas tij Kuvendi nuk po e bën tentativën fare.

Tahiri shtoi se nëse nuk zgjiedhet presidenti shanset janë që vendi të shkoj në zgjedhje në afatin e caktuar ligjor.

“Unë llogaris diku 28 shkurt sepse nuk pres që Kuvendi të mund ta zgjedh presidentin me propozim nga një parti politike e cila i bën nënshkrimet. Ne e kemi një propozim të Aleancës për Liderin Ramush Haradinaj, mirëpo as nuk e ka nis procedurën për me i mbledh nënshkrimet. E kemi një deklaratë të Enver Hoxhajt që mundet vetëm kandidati që ata e propozojnë dhe askush tjetër, dhe e kemi një deklaratë të LDK-së që thotë se nuk janë të interesuar për presidentin pasi e kanë kryeministrin, sepse nuk iu takojnë dy pozitat kyçe. Nuk kemi asnjë iniciativë të LVV-së, sepse ajo i ka 33 deputetë dhe mund t’i bëjë nënshkrimet, nuk e kemi asnjë deklaratë që është e interesuar të zgjedh presidentin, pasi ata duan me shku në zgjedhje”, tha Tahiri.

Sipas tij nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit nga subjektet politike më së miri do të ishte brenda javës Kuvendi ta shpërndaj vetveten me 2/3 e votave.

“Me zgjedhjet e reja sërish do të ketë problem me presidentin, sepse llogaritet që sërish jemi këto parti VV, PDK, LDK, nuk pritet ndonjë dallim i madh”, shtoi Tahiri.

Edhe Eugen Cakolli nga KDI tha se bazuar në deklarimet e subjekteve parlamentare të cilat janë diametralisht të kundërta sa i përket çështjes së presidentit e sheh jashtëzakonisht të vështirë mundësinë e arritjes së konsensusit.

“Lidhur me zgjedhjen e presidentit duke marr parasysh që për zgjedhjen e presidentit duhen vetëm 61 vota, po problem mbetet çështja e kuorumit prej 2/3 e votave të gjithë deputetëve të Kuvendit”, tha ai.

Cakolli beson që opsioni më real dhe i mundshëm është shkuarja në zgjedhje të parakohshme pa pasur nevojë që të dështoj formalisht zgjedhja e presidentit pasi sipas tij ekziston rreziku i krijimit të vakumit institucional për shkak të kohëzgjatjes relativisht të madhe të periudhës pas zgjedhore deri në konstituimin e institucioneve të reja.

“Problem mbetet fakti që zakonisht në bazë të hulumtimeve dhe matjeve që janë tashmë publike është vështirë e besueshme që edhe një legjislaturë e re do të arrinte të siguronte numrin e votave për zgjedhjen e presidentit pa u arrit të paktën një dakordim mes dy e më shumë forcave politike në Kuvend. Unë e konsideroj të domosdoshme nevojën për gjetjen e një lloj mirëkuptimi”, tha ai.

Cakolli tha se presidenti do të duhej të ishte një figurë mbi partiake, i/e cila e merr edhe unitetin e popullit.

“Nuk do të duhej të lihej që si çështje të ishte ekskluzivisht përgjegjësi e një subjekti politik, mirëpo i tërë spektrit. Sepse në çfarëdo formati të  zgjedhet presidenti i ri i bie që për 5 vitet e ardhshme janë minimalisht dy qeveri që do të ballafaqohen me të”, shtoi Cakolli.

Cakolli tha se të gjitha subjektet kanë mundësinë e kushtëzimit, sidomos PDK që ka numër më të madh të deputetëve.

“Në rast se nuk përfshihet të paktën njëra prej tyre në rastin e AAK-së dështon zgjedhja e presidentit për 6 vota, nëse mbesin deklarimet e njëjta të grupeve parlamentare. Ndërsa në rastin e PDK-së është evidente që nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhjen e presidentit të ri për shkak të numrit të madh të deputetëve, mbi 20 sosh që i ka PDK”, përfundoi Cakolli.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kishte deklaruar se nuk janë të interesuar për postin e presidentit, pasi që kanë atë të kreut të Qeverisë.

Mustafa në emisionin Pressing në T7 ka deklaruar se pret që çështja e postit të shefit të shtetit të zgjidhet brenda afatit kushtetues, përkatësisht deri në janarin e vitit të ardhshëm.

“Kandidatë kemi mjaft, se në Lidhje Demokratike kemi mjaft kuadro që do ta bënin këtë punë me përgjegjësi shumë të madhe, dhe do ta prezantonte jashtë dhe brenda. Mirëpo, ne jemi deklaruar se jemi të gatshëm të pajtohemi me një zgjidhje në mënyrë që LDK-ja ta mbante qeverisjen. Nuk do të kërkojmë dy pozita, kryeministrin dhe presidentin e vendit. Këmbëngulja jonë për presidentin do të vështirësonte zgjidhjen”, ishte shprehur ai.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, tha se deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë asnjë kandidat për president nga radhët e partive të koalicionit qeverisës.

“Nëse kërkohen votat e PDK-së atëherë edhe kandidati duhet të jetë i Partisë Demokratike të Kosovës”, kishte thënë Hoxhaj.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpallur kandidaturën e kryetarit të saj, Ramush Haradinaj, për president të Kosovës.

Ndërsa subjekti më i madh opozitar Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar vazhdimisht zgjedhje të reja dhe nuk ka shprehur interesim për postin e presidentit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte thënë se “pas zgjedhjeve të reja mund të kemi president të ri”.

Ndërsa, me 5 nëntor, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.

Presidenti Hashim Thaçi jep dorëheqje