Kushtetuesja: Herën e Parë Mandatohet Thaçi, Herën e Dytë Vendos Presidentja

Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar PDK-në si mandatar të parë për formimin e qeverisë, ndërsa në rast dështimi, ajo ia jep të drejtën Presidentes të vendosë për mandatarin e dytë.

Sipas Kushtetueses, partia ose koalicioni që ka fituar shumicën në Kuvend, siç përcaktohet në nenin 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, nënkupton partinë ose koalicionin që ka shumicën e vendeve në Kuvend, qoftë absolute, qoftë relative.

“Presidenti i Republikës, në bazë të nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend”, thuhet në vendim.

“Në rast se kandidati i propozuar për Kryeministër nuk merr votat e nevojshme, Presidenti i Republikës, në diskrecion të tij/saj, në bazë të nenit 95, paragrafit 4 të Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për Kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet (e regjistruara në pajtim Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme) që kanë plotësuar kriteret e lartpërmendura, pra me parti ose me koalicion që është regjistruar si subjekt zgjedhor në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e ka emrin në fletëvotim të zgjedhjeve, ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka kaluar pragun”.

“Nuk përjashtohet që Presidenti i Republikës të vendosë t’i japë partisë ose koalicionit të parë, sipas nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, mundësinë të propozojë kandidatin tjetër për Kryeministër”, thuhet në vendimin e gjykatës Kushtetuese.

Në pikën 92, Gjykata konsideron se Presidenti i Republikës duhet të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për Kryeministër, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re.

Sapo është publikuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Ambasada e SHBA-ve në Kosovë ka lëshuar një deklaratë me të cilën u bën thirrje liderëve që ta respektojnë atë.

“Ambasada e SHBA-së iu bën thirrje të gjithë udhëheqësve kosovarë që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sqarimin e rolit të Presidentit. Aftësia e institucioneve të Kosovës për ta menaxhuar këtë proces e nderon zhvillimin demokratik të Kosovës”, thuhet ën deklaratën e Ambasadës Amerikane në Kosovë.