Rruga për të cilën janë mbledhur nënshkrimet për shpronësim, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Kushërinjtë akuzojnë asamblistin e Komunës së Shtimes se mori pjesë në një tentim shpronësimin e një toke pa miratimin e pronarit

Dy kushërinj mes vete janë kundër shpronësimit të një toke e cila gjendet në fshatin Petrovë të Komunës së Shtimes.

E për këtë shpronësim siç thonë ‘tinëzar’, kushërinjtë akuzojnë një banor të fshatit dhe një asamblist në Komunën e Shtimes.

Veli Ademaj e Kapllan Ademaj, djem axhallarësh mes vete, për KALLXO.com kanë treguar se janë mbledhur disa nënshkrime nga një banor tjetër i fshatit Petrovë për të shpronësuar një parcelë e cila me letra është në emër të nënës së Kapllan Ademajt.

Veli Ademaj në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë se një fqinji, Gani Ademaj ka bërë kërkesë në Kuvendin Komunal të Shtimes që një parcelë e cila nuk figuron në emër të tij të shpallet si zonë interesi.

Kjo kërkesë ka ardhur për shkak të vendosjes siç shpjegon Veli Ademaj të rrjetit të kanalizimit në mes të këtij fshati.

Ademaj sqaron se ai dhe familja e tij nuk janë kundër vendosjes së rrjetit të kanalizimit por kundër mënyrës siç thotë ai tinëzare të shpronësimit të tokës nga dikush që nuk është pronar i parcelës.

 

Rruga për të cilën janë mbledhur nënshkrimet për shpronësim, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Ai rrëfen që nga fillimi problemin me parcelën në fshatin Petrovë.

“Një person nga fshati Petrovë, Gani Ademaj ka bërë kërkesë në Kuvendin Komunal që të bëhet shpronësimi i një parcele, pa pranimin e familjes sime”, thotë Ademaj.

Tutje ai shton se parcela është në emër të gruas së xhaxhait të tij e cila ka vdekur.

“Parcela është e jona në përgjithësi por me letra është në emër të gruas së xhaxhait. Personi që toka është në emër të saj ka vdekur por i ka djemtë. Parcela figuron si pasuri e përbashkët e jonja por vetëm në emër të gruas së vëllait të babait”, shtoi ai.

Ai shton se për këtë problematikë janë të njoftuar edhe familjarët e pronares legjitime të parcelës.

“Fëmijët e gruas së xhaxhait janë në dijeni në lidhje me këtë rast. Kur e kanë marrë vesh se qysh është situata në të vërtetë, se pa marrëveshjen tonë Gani Ademaj e Muhamet Ademaj kanë dashtë me shpronësu pronën që është në emër tonin pa u marrë vesh me ne, kanë kundërshtu”, shtoi ai.

Veli Ademaj nga fshati Petrovë thotë se shpronësimi nuk mund të bëhet pa marrëveshje me pronarët e asaj toke.

“Marrëveshja jonë është të ulemi në kuvend dhe të mirremi vesh. Gani Ademaj i ka mbledh nënshkrimet për poena politik, jo pse është megjenik apo pronar i vendit”, vazhdon të rrëfej Vali Ademaj.

Tutje ai shton se është takuar edhe me Gani Ademajn e edhe me Muhamet Ademajn ky i fundit asamblist në Komunën e Shtimes dhe ka biseduar në lidhje me problemin e tokës.

“Me Gani Ademaj jam takuar rastësisht dhe jemi ul e kemi pi një kafe si kojshi. I kam thënë se kush të autorizoj me qu kërkesë për shpronësim pa qenë në emër të tënd. Ai thotë se më ka dhënë leje pak a shumë nënkryetari i komunës me bo shpronësimin e tokës. Edhe me Muhamet Ademaj jam taku ai më shumë fajin ja len Ganisë dhe shton që me përkrahje të Rrahman Jakupit i kam mbledh nënshkrimet. Ka edhe 250 vetë që nuk dojnë me qel rrugën ksajde, për kanalizim nuk është kundër kërkush, as unë asnjë familjar, vetëm se ata janë kundër mënyrës së shpronësimit të tokës në mënyrë tinzare”, vazhdoi të tregoj Veli Ademaj.

Në lidhje me pretendimet e Veli Ademajt, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me djalin e pronares së parcelës në fshatin Petrovë.

“Atë tokë para 40 viteve, babai im ia ka shit babës së Veli Ademajt ( djalit të xhaxhait) baba ka vdek e kemi bërë trashëgimin te nana jonë dhe nuk e kemi përkthy tokën (nuk e kanë ndërruar pronarin e tokës) edhe Velinë e kemi gjak, s’kemi pasur problem na në Shtime për këtë problem as nuk e kemi ditë. Janë ardh prej Petrove edhe kanë thënë po dojna me shit tokën edhe aty unë e kam veç malin ngjitur me qetë tokë që kanë problem këta. Edhe unë kam thënë që nëse janë dakord krejt e lëshojmë me qel rrugën e kanë qel rrugën nëpër male tona dhe në tokën që u bo tash problem. Masanej ka dalë Muhamet Ademaj i cili i vetmi është ma i shkollumi në mëhallë edhe e keqja ma e madhe e asaj mëhallë është ai. Ka dalë nëpër mëhallë edhe i ka mashtru njerëzit, ju ka thanë hajde pe qesin kanalizimin hajde po i mbledhim nënshkrimet. Kur tani po ndëgjoj që edhe në asamble ka shku kërkesa me shpronsu tokën unë nuk e di me çfarë ligji që mundet me shpronsu tokën e huaj”, thotë Kapllan Ademaj.

Në lidhje me pretendimet e Veli e Kapllan Ademaj, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me asamblistin e AKR-së në Komunën e Shtimes Muhamet Ademaj.

Ai i ka quajtur shpifje pretendimet e Veli dhe Kapllan Ademajt.

“Krejt këto janë dezinformata. Janë shpifje, kjo rrugë është qelë fillimisht në korrik të 2016 me kërkesë të lagjes mirëpo pas katër viteve, një vëlla i tyre e ka pasur një konflikt me një fqinj tjetër dhe sipas inatit u qu e ka mbyll rrugën. Aty është pronë një ari e gjysmë. A baba e Veli Ademajt e pat lëshu atë tokë për hapjen e rrugës. Interesi për me hap atë rrugë ka qenë që lagjja mu lidh me fshat, tjetër ka qenë shkurtimi i rrugës me shku nxënësit ma lehtë në shkollë. Unë nuk i kam mbledh nënshkrimet por herën e fundit për Bajram të Vogël u takova me disa banorë aty me një dy tri familje që kanë problem me erë të kanalizimit. Dul problem që kanalizimi me kapërcy  në atë tokë pa u shpronsu nuk mundet. Gani Ademaj e ka organizu me i mbledh nënshkrimet për ta bërë shpronësimin, që rruga për të cilën po flasim me kalu kanalizimi në atë rrugë”, shpjegon asamblisti Ademaj.

Muhamet Ademaj ia ka pranuar KALLXO.com se me Gani Ademajn janë kushëri mes vete.

Për këtë çështje edhe tjetri banor Gani Ademaj është kontaktuar nga KALLXO.com.

“Ka qenë bajram dhe qysh e kemi ne zakon me bisedu edhe më kanë thanë je ma i vjetri në lagjen tonë, jemi 60 e kusur anëtarë dhe më kanë thanë a ka mundësi me shku me i marr nënshkrimet edhe kam shku e kam bërë kërkesën në Kuvendin Komunal të Shtimes. E luti Komunën e Shtimes me na shpronësu një tokë se nuk po na lejojnë me shti kanalizimin aty. Unë kam bërë kërkesë në emër të 67 personave”, thotë Gani Ademaj.

KALLXO.com ka siguruar edhe kërkesën e Gani Ademajt të dërguar në Kuvendin Komunal të Shtimes.

Kuvendi Komunal i Shtimes e ka hedhur poshtë kërkesën e Gani Ademajt të propozuar me datë 5 gusht nën arsyetimin se kërkesa nuk ka qenë e kompletuar dhe nuk është adresuar nga pronari ose i autorizuari i pronës së paluajtshme.

Në disa përgjigje të Komunës së Shtimes për KALLXO.com thuhet se organi shqyrtues në këtë rast kryetari e vlerëson se a është në interes të përgjithshëm apo jo që një parcelë të shpronësohet.

“Lidhur me kërkesën e fundit e cila i është adresuar Kuvendit të Komunës për të shpronësuar një pjesë të parcelës në këtë lagje e cila sipas kërkesës do të shfrytëzohet për rrugë dhe kanalizimi, Kuvendi i Komunës ka trajtuar kërkesën dhe kjo kërkesë është kthyer për shkak Ligji për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, Nr.03-L-139 me ndryshimet me Ligjin Nr.03-L-205; Neni 4.2 thotë: “Organi Shpronësues i Komunës është Kryetari i Komunës. Nëse Organi Shpronësues vlerëson se për interesin e përgjithshëm ka nevoje që një pronë e caktuar të shpronësohet, atëherë i kërkon Kuvendit të Komunës që atë pronë të shpall me interes të përgjithshëm, me qëllim që ajo të shpronësohet”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të Komunës së Shtimes.

Për këtë çështje ka edhe një rast të iniciuar në polici. Kjo pasi që po pretendohet se rrethojat e parcelës janë dëmtuar.

Rrethojat e dëmtuara, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

KALLXO.com ka kërkuar të dhëna në lidhje me rastin edhe në Policinë e Kosovës.

“Lidhur me rastin  e ankesës së qytetarit Veli Ademi nga fshati Petrovë- Shtime, ju informojmë se me datë 02.09.2020, në Stacionin Policor Shtime është hapur rasti me nr:2020-AU-189, Dëmtim Prone. Rasti është duke u hetuar nga Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor Shtime, ku në fazën fillestare  janë duke u intervistuar personat e supozuar të dyshuar, deri më tani është intervistuar një I dyshuar dhe jemi duke grumbulluar informacione për të dyshuar të tjerë të mundshëm”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Rajonit të Ferizajt.