Kush po ja financon fushatën Haxhi Shalës komandant 'Topit'

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate Haxhi Shala, i cili synon që të jetë ligjvënës edhe në legjislaturën e ardhshme, në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se çështja e bisedimeve me Serbinë duhet të përfundojë.Ai ka dhënë përgjigje edhe për financimin e fushatës së tij.

Sipas tij, aktualisht është një bllokadë ndërkombëtare karshi marrëveshjes Kosovë-Serbi.

“Kjo çështje duhet të përfundon sepse boll është manipuluar me qytetarë dhe me vendin tonë. Marrëveshja me Serbinë duhet që sa ma shpejt që është e mundur të përfundon në të mirën normal të vendit tonë dhe qytetarëve sepse kemi një bllokadë ndërkombëtare, një bllokadë e heshtur ndërkombëtare karshi kësaj marrëveshje”, ka thënë ai për KALLXO.com, duke e përmendur këtë si kauzë të partisë së tij.

Ai ka folur edhe për amendamentet që do t’i propozojë në rast se merr mandatin.

“Tash varet qeveria se çfarë ligje bjen dhe çka bën, por sidoqoftë amendamentet të cilat duhet të kalojnë ose ligjet, ligji i pensioneve duhet të vjen në rishqyrtim si dhe ligji për kategoritë e luftës duhet që sa më shpejt, sepse ka një zbrastirë te këto ligje”, ka shtuar ish-deputeti.

Shala i cili është nga komuna e Malishevës, thotë se në këtë zonë ka probleme të mëdha.

“Është një ndër komunat që ka hapësirë për të punuar më shumë dhe duhen disa investime kapitale që duhet të intervenohet sa më shpejt që është e mundur”, thotë ai.

Kandidati i Nismës Socialdemokrate thekson se nuk ka gjasa ta ndërrojë partinë.

Ai ka shtuar se nuk ka mundësi që as të votojë kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar.

“Nuk ka mundësi sepse ne i diskutojmë çështjet e votimeve. Ne bëjmë debat shumë më të madh sesa në Parlamentin e Kosovës brenda partisë dhe brenda strukturave të partisë”, ka thënë Shala për KALLXO.com.

Kandidati për deputet, është përgjigjur edhe ajrin e ndotur në Kosovë.

“Këtu kemi shumë probleme, por ajo që është me rëndësi, tash fatmirësisht ka edhe standarde të BE-së dhe ne duhet t’i përkrahim standardet e BE-së sa i përket ambientit”, ka vlerësuar Shala.

Shala është shprehur se është kundër termocentralit të tretë më qymyr “Kosova e Re, si dhe kundër po ashtu djegies së qymyrit gjatë dimrit.

Sa i përket privatizimit të Telekomit të Kosovës, ai ka thënë se për këtë duhet të bisedojnë brenda subjektit të tij politik, ndonëse ka shtuar se më mirë do të ishte të privatizohej ndërmarrja në fjalë.

Shala ka shtuar se është pro ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit, vetëm në modelin e hapur, ndërkaq ka kundërshtuar monopolin në homologim.

Kandidati për deputetë në intervistën për KALLXO.com, thotë se është kundër shkëmbimit të territoreve.

Ndërkaq, ka dhënë qëndrim edhe për taksën ndaj produkteve serbe.

“Duhet ta shikojmë interesin e vendit me këtë çështje. Deri tash ka qenë interesi të mbahet dhe në qoftë se është interesi duhet të mbahet, nëse është interesi, ose ndryshon Serbia qëndrimin ndaj Kosovës, duhet të hiqet”, tha ai.

Kandidati i Nismës është më i rezervuar kur pyetet për martesat në mes të gjinisë së njëjtë dhe bartjes së shamive në shkolla.

“Kjo është e rregulluar me ligj. Ligji e ka rregulluar dhe Kushtetua. S’kemi çka të bëjmë më tepër si shoqëri”, thotë ai në pyetjen për komunitetin LGBTI.

“Edhe kjo është çështje e tyre, e rregulluar familjare. Pak çështje e tyre private, përderisa ia ke lejuar me ligj. Është çështje e tyre, e rregullimit familjar të tyre. Nuk guxojmë të hyjmë tash ne në çështje familjare”, ka thënë ai për KALLXO.com, sa i përket bartjes së shamive në shkolla.

Shala ndër të tjerash ka shtuar se ka lënë  gjurmë në Kuvendin e Kosovës, duke mos e votuar formimin e Gjykatës Speciale.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Haxhi Shala: Kauza që duhet shtyrë nga Grupi Parlamentar i Nismës për Kosovën do të jetë çështja e bisedimeve me Serbinë. Kjo çështje duhet të përfundon.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Haxhi Shala: Për këtë vendosin strukturat e partisë. Tash jemi në garë për deputetë dhe besoj që do të jem pjesë e legjislaturës së shtatë, e më tutje vendosin prapë organet e partisë.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Haxhi Shala: Unë mendoj që kemi taksa të mira. Të gjitha taksat që çojnë në zhvillimin ekonomik të bizneseve, të vogla, këto edhe nuk kanë taksë por ende duhet bërë më shumë shteti që sa më shumë t’i afrojë bizneset e vogla dhe ato familjare që quhen tek ne.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Haxhi Shala: Tash varet qeveria se çfarë ligje bjen dhe çka bën, por sidoqoftë amendamentet të cilat duhet të kalojnë ose ligjet, ligji i pensioneve duhet të vjen në rishqyrtim si dhe ligji për kategoritë e luftës duhet që sa më shpejt, sepse ka një zbrastirë te këto ligje.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Haxhi Shala: Unë vij nga Malisheva dhe në këtë komunë ka probleme të mëdhaja, por jo edhe aq të mëdhaja sa që mund të jenë por është një ndër komunat që ka hapësirë për të punuar më shumë dhe duhen disa investime kapitale që duhet të intervenohet sa më shpejt që është e mundur.

KALLXO.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?

Haxhi Shala: Jo, nuk ka gjasa.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Haxhi Shala: Nuk ka mundësi sepse ne i diskutojmë çështjet e votimeve. Ne bëjmë debat shumë më të madh sesa në Parlamentin e Kosovës brenda partisë dhe brenda strukturave të partisë.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Haxhi Shala: S’besoj që do të  ketë grupe të diskriminuara brenda, por e thash edhe më herët te shtresa e mesme jemi pak mbrapa sepse kemi qytetarët që janë të ndarë të varfër dhe të pasur. Kësaj shtrese duhet t’i ndihmojmë si shoqëri, që të krijohet edhe shtresa e mesme. Në kuadër të shoqërisë.

-Konkretisht përkrahja e bizneseve familjare ose përkrahja e bizneseve të vogla. Kjo e ndihmon shumë zhvillimin e shoqërisë të klasës së tretë.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Këtu kemi shumë probleme, por ajo që është me rëndësi, tash fatmirësisht ka edhe standarde të BE-së dhe ne duhet t’i përkrahim standardet e BE-së sa i përket ambientit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Haxhi Shala: Kundër jam, vetëm duhet të shikohet se çfarë termocentrale po prezantojmë para qytetarëve tanë. Përndryshe të gjitha termocentralet me qymyr në qoftë se nuk i arrijnë standardet e BE-së janë të dëmshme për vendin dhe do të jem kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegjes së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Haxhi Shala: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Haxhi Shala: Edhe për këtë jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Haxhi Shala: Për këtë duhet të bisedojmë brenda partisë do të shikohet se çka do të bëhet por kështu si është duke funksionuar deri më tash, më mirë të privatizohet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Haxhi Shala: Jam pro ndërtimit të autostradës vetëm në modelin e hapur, që nënkupton autostradë sikur deri në Orllat që është e tashit, Fushë Kosovë-Orllat.

Kallxo.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Haxhi Shala: Jem kundër shkëmbimit të territoreve.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Haxhi Shala: Duhet ta shikojmë interesin e vendit me këtë çështje. Deri tash ka qenë interesi të mbahet dhe në qoftë se është interesi duhet të mbahet, nëse është interesi, ose ndryshon Serbia qëndrimin ndaj Kosovës, duhet të hiqet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Haxhi Shala: Nëpër disa lumenj duhet të ndërtohet sepse është pjesë e zhvillimit ekonomik, por jo aty ku dëmtohet ambienti.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Haxhi Shala: Tash universitetet veç janë të hapura dhe duhet të zhvillohen ato, të plotësojnë kriteret e tyre pasi veç disa programe të tyre janë mbyllur dhe duhet punohet më seriozisht tek çështja e ngritjes së cilësinë në këto universitete. Por jam kundër mbylljes së tyre.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Haxhi Shala: Këtu jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Haxhi Shala: Kjo është e rregulluar me ligj. Ligji e ka rregulluar dhe Kushtetua. S’kemi çka të bëjmë më tepër si shoqëri.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Haxhi Shala: Edhe kjo është çështje e tyre, e rregulluar familjare. Pak çështje e tyre private, përderisa ia ke lejuar me ligj. Është çështje e tyre, e rregullimit familjar të tyre. Nuk guxojmë të hyjmë tash ne në çështje familjare.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Haxhi Shala: Kemi ne kandidat që punojnë në diasporë dhe kanë konkurruar. Kërkoj nga diaspora që ti voton deputetët e tyre të cilët kanë konkurruar. Jam që të gjithë të jenë, të mos ketë kuotë këtu por të ketë barazi në mes deputetëve.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Haxhi Shala: Duhet të ridizajnohet skema e veteranëve por edhe duhet të shikohet prapë ligji sepse disa veteranë të cilët punojnë është e padrejtë t’ju mohohet edhe marrja e rrogës së pensionit. Është një shkelje e të drejtave të tyre. Ky ligj duhet të rregullohet, e thash edhe më herët.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbërt për diasporën?

Haxhi Shala: Kjo duhet të hiqet edhe një herë.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Haxhi Shala: Deri më tash askush, vetë deputetët e financojnë. Unë personalisht e financoj vetë.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Haxhi Shala: Unë prej se jam deputet, vetëm postin e deputetit asnjë vend pune tjetër s’kam pas. S’e besoj, boll është. Në këtë moshë edhe një deputet i cili don me kry punën si duhet, duhet ta ketë vetëm postin e deputetit.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Haxhi Shala: Pasurinë e kemi të deklaruar në Agjensionin Kundër Korrupsion. Të hyrat janë rroga e deputetit dhe mëditjet.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Haxhi Shala: Përveç që e kemi të përbashkët me gruan dhe fëmijët e kemi të përbashkët edhe me vëllezërit dhe kemi pasuri të përbashkët familjare. Po (e kemi të regjistruar).

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Haxhi Shala: Çdo herë kur jam sëmur, por jo vetëm ndonjë grip, në spitalin tonë në QKUK.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Haxhi Shala: Në QKUK.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Haxhi Shala: Djalin e kam në Çeki e ka bursën e Universitet çek, prej këtu e ka fituar, tash është në doktoraturë. Kurse i vogli është në UBT, privat.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Haxhi Shala: Familjarë të mi nuk kam të papunë sepse të gjithë punojnë në biznes privat familjar, kështu që nuk kam të punësuar në punë të shtetit, përveç meje edhe një djalë i vëllait në program të Bankës Botërore.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Haxhi Shala: Kjo duhet të diskutohet në organet e partisë sepse është një çështje e madhe dhe nuk kam përgjigje për këtë çështje.  

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Haxhi Shala: Ndoshta mund të jetë edhe Autostrada e mbyllur për Dukagjinin.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Haxhi Shala: Mbetet të shihet se çka po na vjen, por gjurmët që kam lan deri më tash në legjislaturat e kaluara ka qenë mos votimi i Gjykatës Speciale.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Haxhi Shala: Varet se çfarë ligje vijnë dhe si do të funksionojnë ministritë. Nuk mundem prej tash.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Haxhi Shala: Unë takime me qytetar mbajt shumë edhe në komunat tona kam mbajt dhe gjithë kund. Kështu që për këtë arsye nuk e kam problem edhe fushatën. Çdo ditë jam në takim me qytetarët.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Haxhi Shala: Tash është ligji dhe duhet të respektohet ligji i cili është në funksion.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?

Haxhi Shala: Varet se çfarë komisioni do të jem sepse janë disa komisione që kanë ligje dhe duhet gati të gjitha ligjet të kenë dëgjime publike por se kur do të vendoset në çfarë komisioni.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Haxhi Shala: Nëse ngritet aktakuzë jo, nëse dënohem po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Haxhi Shala: Këtë po.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Haxhi Shala: Edhe kjo duhet të diskutohet në parti.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Haxhi Shala: Aq sa ministri të ketë aq zëvendësministra duhet të ketë. Për secilën ministri nga 1 zëvendësministër duhet të ketë.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Haxhi Shala: Ne si parti jemi kundër bordeve dhe këtë çështje duhet ta ngrisim në Parlamentin e Kosovës të mos ketë borde të ndërmarrjeve publike.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Haxhi Shala: Kjo çështje i takon partisë. Besoj që po. Deri më tash nuk kemi pasur problem. Duhet t’i bëjmë.

KALLXO.com: A keni me i hapë dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Haxhi Shala: Patjetër.