Kush më shumë, e kush më pak e shkeli Kushtetutën e Republikës së Kosovës

 

Sot 12 vite më parë Parlamenti i Kosovës miratoi aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Pikërisht me 9 prill 2008 kjo Kushtetutë i dha fund qeverisjes së Kosovës në bazë të rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1244.

Kushtetuta e Kosovës kishte hyrë në fuqi me 15 qershor 2008 dhe që nga koha e miratimit e deri më sot  akti më i lartë juridik është shkelur disa herë nga institucionet më të rëndësishme në vend, si ato të hartimit e edhe ato të zbatimit të saj.

Kushtetuta u shkel nga Kuvendi i Kosovës, Presidenti, Qeveria dhe organet gjyqësore e prokuroriale disa herë gjatë këtyre 12 viteve.

I pari i cili ia bëri sefte shkeljes së Kushtetutës ishte Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu.

Më  25 qershor të vitit 2010 një nismë e deputetit Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të Kuvendit të Kosovës parashtruan një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese ku pretendonin se Presidenti Fatmir Sejdiu kishte shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke mbajtur  postin (e ngrirë) të Kryetari të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht duke qenë President i vendit.

Ky pretendim u gjet i saktë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që gjeti se Presidenti Fatmir Sejdiu kishte bërë shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës së Kosovës si dhe postin e kryetarit të partisë politike – Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK.

Ky vendim i Kushtetuese shkaktoi një shok politik në Kosovë dhe u pasua me dorëheqjen e Sejdiut nga pozita e Presidentit të vendit, i cili në njoftimin e dorëheqjes tha se kishte qenë i bindur që duke e mbajtur të ngrirë funksionin e tij në LDK kishte vepruar siç përcaktonte Kushtetua e vendit, mirëpo Gjykata Kushtetuese gjeti ndryshe.

Mirëpo ky nuk ishte rasti i vetëm ku një president i Kosovës pati punë me Kushtetutën e vendit.
Edhe Presidenti Behgjet Pacolli dha dorëheqje si rrjedhojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që kishte gjetur se kishte shkelje të Kushtetutës së vendit.

Edhe pse këtë herë, Pacolli nuk kishte bërë asnjë veprim për shkeljen e Kushtetutës së Republikës, shkeljen këtë herë e kishte bërë Kuvendi i Kosovës në procedurat e përzgjedhjes së Presidentit.

Duke shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga deputeti Sabri Hamiti dhe deputetët e tjerë, Gjykata Kushtetuese njëzëri gjeti se: “Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me zgjedhjen e Presidentit me datë 22 shkurt 2011, ishte jokushtetues, pasi që ishte në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”, përshkruhej në vendim.

Pacolli ndonëse nuk kishte konsumuar asnjë veprim, megjithatë vendosi të vuaj pasojat e kësaj shkelje duke dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të vendit.

Shkeljen më të rëndë të Kushtetueses e bëri Qeveria e drejtuar atë kohë nga Isa Mustafa.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli antikushtetuese marrëveshjen e lidhur nga për Themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.

Me kërkesë të ish-Presidentes Jahjaga, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se disa nga përcaktimet e kësaj marrëveshje nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Në vendimin e Kushtetueses  thuhej që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur në kundërshtim të plotë me Kushtetutën edhe një ligj të miratuar nga 72 deputet të Kuvendit.

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së këtij ligji u iniciua nga Avokati i Popullit, i cili informacionin e kishte pranuar nga disa OJQ të cilat pretendonin se “Ligji u mundëson deputetëve të Kuvendit të Kosovës të realizojnë pensione që janë më të favorshme se çdo përfitim tjetër pensional për qytetarët e tjerë, dhe se ato dispozita nuk janë në përputhje me parimet kushtetuese të barazisë, sundimit të ligjit, mosdiskriminimit dhe drejtësisë sociale”.

Ky kundërshtim kishte ardhur pasi që sipas Ligjit të kontestuar, deputetët i siguronin vetes pensione prej 50%, 60% dhe madje 70 % të pagës bazë duke pasë kështu pensione deri në 10 herë më të larta se ato që u paguheshin qytetarëve të zakonshëm.

Kushtetuesja përpos që gjeti të pranueshme kërkesën e Avokatit të Popullit, konstatoi se ky vëllim i përfitimeve për deputetët ishte qartazi jo-proporcional dhe cenonte disa nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës u shkel për herë të fundit, pikërisht në prag të 12 vjetorit të saj nga Qeveria Kurti.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin me datë 23 mars 2020 kishte vendosur që të kufizojë lirinë e lëvizjes së qytetarëve gjatë orëve 10:00 – 16:00 dhe 20:00 – 06:00, si masë për luftimin e coronavirusit.

Këtë vendim pas kërkesës së Presidentit Hashim Thaçi për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën e Kosovës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli antikushtetues.

Gjykata konstatoi se kufizimi i lëvizjes së lirë i qytetarëve që është bërë nga qeveria nuk është i përcaktuar me ligj, andaj bije në kundërshtim me garancitë që përmbajnë nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës.

Kushtetuesja theksoi se këto të drejta mund të kufizohen vetëm me ligj.

 

Shkeljet nga Sistemi Gjyqësor dhe Sistemi Prokurorial

Përveç organeve Ligjvënëse dhe Ekzekutive, Kushtetutën e Republikës së Kosovës e kanë shkelur edhe dy organet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.

Me kushtetutën e Republikës së Kosovës fillimisht kishte rënë ndesh Këshilli Prokurorial i Kosovës me rastin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Duke vendosur sipas kërkesave të parashtruara nga kandidatët për kryeprokuror, Laura Pula dhe Shyqyri Syla të cilët kontestonin procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se gjatë procedurave në Këshillin Prokurorial të Kosovës kishte pasur shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Kësisoj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur se ishte shkelur neni 31 i Kushtetutës lidhur me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kishte anuluar dy vendimet e kontestuara të KPK-së  dhe kishte urdhëruar Këshillin Prokurorial të Kosovës që të përsërisë procedurën e zgjedhjes për Kryeprokurorin e Shtetit.

 

Kushtetutën e Kishte shkelur edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës brenda dy viteve të kaluara dy herë ra ndesh me Kushtetutën e vendit, në procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme dhe të Apelit.

Duke vendosur sipas kërkesë së gjyqtares së Gjykatës së Apelit, Tonka Berisha, kandidate për të udhëhequr me këtë gjykatë, Gjykata Kushtetuese gjeti se në procedurat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës kishte pasur shkelje të Neni t 24 – Barazia para Ligjit, Nenit 31 – E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm  dhe  Nenit 108 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Vendimi i Kushtetueses e anuloi vendimin e KGjK-së që kishte shkelur Kushtetutën ndërsa e obligoi të mbajë edhe një proces të ri për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Po ashtu, një vendim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës e kontestoi edhe gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Valdete Daka, e cila po ashtu ishte në garë për të udhëhequr me këtë gjykatë.

Duke pretenduar se në procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës ka pasur parregullsi, të cilat i kanë cenuar të drejtat e saj kushtetuese, gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Valdete Daka iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar vendimin e KGjK-së për përzgjedhjen e Enver Pecit në pozitën e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vendimin e saj lidhur me pretendimet e Dakës vlerësoi së procesi i votimit në KGjK përbënte padrejtësi.

Kushtetuesja kishte gjetur se forma aktuale e rregullimit të procesit të votimit nuk u ofron mundësi të barabarta kandidatëve sepse procesi nuk parasheh mekanizma mbrojtës procedural në lidhje me garantimin e trajtimit të barabartë.

Po ashtu një çështje që ka të bëjë me gjyqësorin, në qershor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës obligoi anulimin e vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës në lidhje me rastin e njohur si “Drenica2”, pasi gjeti se në këtë rast të akuzuarve u ishin shkelur të drejtat kushtetuese për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe e drejta për një proces të rregullt.

Shkeljet e sipërpërmendura humbin rëndësinë  kundrejt të drejtës për jetë të secilit qytetarë të vendit.

Pikërisht viktimë e shkeljes së kësaj të drejte ishte tani e ndjera Diana Kastrati, e cila përkundër që kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.

Gjykata Kushtetuese, gjeti se Gjykata Komunale në Prishtinë ishte përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të parashikuara me Ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe se mosveprimi i saj paraqet shkelje të detyrimeve kushtetuese që rrjedhin nga neni 25 i Kushtetutës dhe neni 2 i KEDNJ-së.

Më tej, Gjykata konstatoi se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtine në kërkesën e së ndjerës Diana Kastrati, për lëshimin e urdhrit për mbrojtje emergjente, si dhe praktika e zhvilluar nga KGJK-ja për adresimin e mosveprimit të gjykatave të rregullta, atëherë kur duhet të veprojnë, ka penguar viktimën dhe parashtruesit e kërkesës në realizimin e të drejtave të tyre për mjete efektive juridike, të parapara me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNJ-së.