Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kush janë kandidatët e rekomanduar për bord të RTK-së?

Në mes kritikave dhe debateve, Kuvendi i Kosovës kishte shkarkuar bordin e Radio Televizionit të Kosovës në korrik të këtij viti.

I iniciuar nga Komisioni për Media, shkarkimi i këtij bordi ishte bazuar në mos menaxhim të mirë, dështim për të përpiluar një strategji afatgjate për zhvillimin dhe financimin e RTK-së, si dhe mos lejimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditim të këtij institucioni.

Pas shkarkimit, Kuvendi kishte hapur konkurs për tetë pozita të lira për anëtarë të bordit të Radio Televizionit të Kosovës, në të cilin konkurs konkuruan 127 kandidatë.

Kuvendi më pas formoi komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së.

Ky komision gjatë javës së kaluar ka rekomanduar 18 kandidatë të cilët pritet të votohen në Kuvendin e Kosovës.

Sipas njoftimit, janë rekomanduar tetë kandidatë burra për katër pozita dhe tetë kandidate gra për katër pozita të tjera për anëtarë të bordit të RTK-së.

  • Në garë për anëtarë të bordit të Radio Televizionit të Kosovës është, regjisori Bekim Sele.

Sele mban titullin Doktor i Arteve, aktualisht është ligjërues në Fakultetin e Arteve në Universitetin ‘Hasan Prishtina’, njëkohësisht edhe ligjërues në UBT, zyrtar i lartë për arte në Komunën e Prishtinës.

Ai ka qenë profesor edhe në Fakultetin e Arteve në Universitetin, ‘Haxhi Zeka’ në Pejë, si dhe ka shkruar artikuj të ndryshëm për disa media në Kosovë.

Sele është regjisor i shumë filmave të realizuar në Kosovë, ndër ta edhe filmi dokumentar shkencor-artistik, ‘Gjurmë’.

  • Albulena Mehmeti që nga viti 2019 është menaxhere në kompaninë, ‘HiPP Kosova’.

Mehmeti është kandidate për gradën akademike, doktor në drejtimin e menaxhmentit, në Universitetin Kiri dhe Metodij në Maqedoninë e Veriut, ndërsa mban titullin Master në drejtimin e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut.

Mehmeti ka qenë administratore në Universitetin Internacional të Ballkanit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa gjatë viteve 2017-2019 ka mbajtur pozitën e koordinatores në Institutin kosovar për studime sociale.

  • Besnik Boletini është kandidati tjetër që synon pozitën e anëtarit të bordit të RTK-së.

Boletini punon në Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese, pjesë e organizatës Çohu. Ai ka punuar si gazetar dhe redaktor në media të ndryshme me fokus shkrimet hulumtuese.

Boletini është Master i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’.

Gjatë karrierës së tij Boletini ka fituar çmime të ndryshme, ndër ta edhe vendin e tretë për shkrimin dhe dokumentarin më të mirë nga Bashkimi Evropian.

  • Kandidatja për anëtare të bordit të RTK-së,  Arta Berisha aktualisht është profesoreshë zëvendësuese në Universitetin Amerikan në Bullgari.

Berisha gjithashtu është korrespodente për OBC TransEurope, si dhe eksperte e mediave. Ajo ka punuar për 10 vite si korrespodente/gazetare e Top Channel në Kosovë.

Ajo është duke ndjekur studimet e doktoratës në Universitetin e Leiçesterit në Britaninë e Madhe, ndërsa ka të përfunduar nivelin Master në degën e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë.

Ndërkaq gjatë viteve 2014-2019 ka qenë profesor-asistent në AAB.

  • Driton Hetemi është kandidati tjetër i rekomanduar nga komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së.

Ai ka të përfunduar nivelin Bachelor në drejtimin e administrimit të biznesit dhe bankave në Universitetin e Evropës Juglindore.

Gjithashtu ai ka të kryer Akademinë e Menaxhimit të Mesëm në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka qenë pjesë edhe e akademive të tjera.

Hetemi është pjesë e kompanisë, ‘Velanis Kosova’ si përgjegjës për zhvillimin e rrjetit të biznesit si dhe përgjegjës për marrëdhënie me publikun dhe institucione të tjera.

Ndër vite ai ka punuar në institucione të ndryshme financiare private në Kosovë, në pozita të ndryshme menaxheriale.

  • Fatime Lumi- Qehaja është zyrtare për komunikim me publikun në Ministrinë e Financave.

Ajo ka të përfunduar Masterin në drejtimin e artit në media dhe komunikim, ndërsa është e certifikuar në shumë trajnime.

Lumi- Qehaja gjatë 2004 ka qenë sekretare për të analizuar arsyetimin e koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

  • Ejup Gojnovci, magjistër në fushën e Komunikimit Masiv, është në mesin e tre kandidatëve me më së shumti pikë të vlerësuar nga komisioni ad-hoc.

Aktualisht Gojnovci është ligjërues në UBT. Ai ka mbaruar një specializim në Zvicër në Menaxhment dhe Marketing. Është bashkautor i librit ‘Kosova Mundësi për Investime’, ndërsa ka bashkëpunuar për një kohë edhe me media të huaja si analist. Gojnovci ka qenë gazetar dhe redaktor në disa prej mediave vendore.

Ai ka qenë menaxher për marrëdhënie me publikun në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare në periudhën 2015-2017.

  • Jehona Ademaj- Sejdiu është këshilltare e lartë në Ambasadën e Finlandës në Kosovë.

Ademaj- Sejdiu ka të përfunduar nivelin Master në drejtimin marketing në fakultetin ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Ajo ka qenë zyrtare e lartë profesionale për media e shtyp në OSBE në Prishtinë gjatë viteve 2000-2003. Ademaj- Sejdiu ka qenë pjesë e mediave të ndryshme si gazetare dhe monitoruese e tyre.

  • Enis Halimi, i cili është pjesë e listës së ngushtë për anëtar të bordit të RTK-së, është specialist i alergologjisë dhe imunologjisë klinike në ShSKUK.

Mjeku i cili po synon këtë pozitë, gjatë periudhës 2013-2020 ka qenë kryeshef ekzekutiv i KQZ-së.

Ndërsa ndër vite ka qenë ligjërues në disa institucione arsimore, siç janë, Universiteti i Prizrenit, Kolegji Universum, Universiteti i Prishtinës. Halimi gjatë 2007-2009 ka mbajtur pozitën e drejtorit të Zyrës së Informimit në UP.

  • Mejreme Krasniqi- Sadiku është udhëheqëse e Departamentit të Administratës dhe Financave në Institutin për Kontabilitet, Auditim dhe Financa.

Ajo është e certifikuar si auditore e brendshme në sektorin privat dhe publik nga IKAF. Ndërsa gjatë viteve 2007-2013 ka qenë menaxhere dhe kontabiliste në KAF Group JSC.

  • Gazmend Vitaku që nga viti 2004 është pjesë e zyrës për marrëdhënie me publikun në KFOR HQ, ndërsa më herët ka punuar në Forcat Britanike të KFOR-it.

Vitaku është i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Krajovës. Vitaku është njohës i pesë gjuhëve, ndërsa ka mbajtur trajnime që lidhen me NATO.

  • Mihane Nartilë Salihu- Bala është në mesin e tetë grave të rekomanduara për anëtare të bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Ajo ka të përfunduar nivelin Master në degën e Sociologjisë. Ajo përgjatë viteve 1997-2013 ka qenë koordinatore e projekteve psikosociale për vullnetarë. Si zyrtare për projekte ajo ka punuar në ‘Kosana’ gjatë tre muajve në 2019.

  • Petrit Çollaku, nga dhjetori i 2019-ës është zyrtar për informim në zyrën e Avokatit të Popullit, është kandidat për anëtar të bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Çollaku ka qenë pjesë e KFOR, UNMIK-ut, Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese. Ai ka përfunduar studimet universitare në drejtimin e arteve në komunikim në Kolegjin AAB.

  • Dhe kandidati tjetër është Safet Kabashaj i diplomuar në drejtimin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës.

Kabashaj që nga viti 2013 mban pozitën e zyrtarit për komunikim në Zyrën e BE-së në Kosovë. Ai ka qenë redaktor për tre vite në RTK, ndërsa redaktor përgjegjës për nëntë vite në këtë medium, po ashtu ka qenë pjesë edhe e SETtimes.

  • Teuta Hoxha- Morina është mësimdhënëse në Gjimnazin Natyror, ‘Xhavit Ahmeti’ në Gjilan.

Ajo aktualisht ndjek studimet Master në Universitetin e Prishtinës dega letërsi shqipe, ndërsa ka të përfunduar fakultetin e filologjisë niveli Bachelor në po të njëjtën degë. Ndërsa nga viti 2010, Hoxha- Morina është drejtoreshë e kompanisë, ‘Hidro Tech’.

  • Dhe, kandidatja Shukrije Rama është drejtoreshë ekzekutive e Institutit për Zhvillimin e Politikave Sociale.

Rama ka qenë ligjëruese në kolegjin, ‘Juridica’ dhe në Universitetin, ‘Fama’. Ajo ka qenë themeluese dhe drejtuese e agjencisë ISBN në Kosovë.

Shukrije Rama mban titullin doktor i shkencave të menaxhmentit dhe është magjistër i shkencave Filologjike dhe  të Menaxhmentit

Dy kandidatët nga komunitetet pakicë në garë për anëtar të bordit të RTK-së janë: Mihajlo Shqipanoviç dhe Nelica Veljkoviq.

  • Mihajlo Shqipanoviç, Dramaturg i diplomuar në Shkup – Maqedoni e Veriut.

Ka qenë shef i kabinetit të ministrit në Ministrinë e Bujqësisë… në vitet 2018-2019.

Deputet në Kuvendin e Kosovës  2007-2011.

Sekretar permanent në Ministrinë e Kthimit 2005-2006.

Zëvendësdrejtor gjeneral në RTK 2000-2004.

  • Nelica Veljkoviq, Magjistër i Pedagogjisë, e diplomuar në Fakultetin e Filozofisë në Mitrovicë.

Gazetare udhëheqëse në Televizionin HERC – Shtërpcë, 2009-2015.

Produksioni NEW Press – Çagllavicë – Bashkëpunëtore, 2010-2012.

Përgjegjëse e informacionit në Radio Gorazhdec, 2009 – 2017.