Kush ishte udhëheqësi i Al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri?

Ayman al-Zawahiri, i cili ditë më parë u vra nga një sulm me dron amerikan në Afganistan, shpesh përmendej si ideologu kryesor i al-Kaedës.

Me profesion kirurg okular, Ayman al-Zawahiri ndihmoi në themelimin e grupit militant të Xhihadit Islamik egjiptian, mori drejtimin e al-Kaedës pas vrasjes nga forcat amerikane të Osama Bin Ladenit në maj të vitit 2011.

Para kësaj, Zawahiri konsiderohej krahu i djathtë i Bin Ladenit dhe besohej nga disa ekspertë se ishte “truri operativ” pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Zawahiri ishte numri dy – menjëherë pas Bin Ladenit – në listën e 22 “terroristëve më të kërkuar” të shpallur nga qeveria amerikane në vitin 2001 dhe kishte një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për kokën e tij.

Në vitet pas sulmeve, Zawahiri u shfaq si zëdhënësi më i shquar i Al-Kaedës, duke u shfaqur në 16 video dhe audio kaseta në vitin 2007 – katër herë më shumë se Bin Laden – ndërsa grupi u përpoq të radikalizonte dhe rekrutonte muslimanë në mbarë botën.

Vrasja e tij në sulmin e fundjavës së kaluar në Kabul nuk ishte hera e parë që SHBA kishte kërkuar ta targetonte Zawahirin.

Në janar të vitit 2006, ai ishte objektivi i një sulmi raketor amerikan pranë kufirit të Pakistanit me Afganistanin.

Sulmi vrau katër anëtarë të Al-Kaedës, por Zawahiri mbijetoi dhe u shfaq në video dy javë më vonë, duke e paralajmëruar presidentin amerikan George W Bush se as ai dhe as “të gjitha fuqitë në tokë” nuk mund ta vrisnin atë.

I lindur në kryeqytetin egjiptian, Kajro, më 19 qershor të vitit 1951, Zawahiri vinte nga një familje e respektuar e klasës së mesme mjekësh dhe studiuesish.

Gjyshi i tij, Rabia al-Zawahiri, ishte imami i madh i al-Azhar, qendra e mësimit islamik sunit në Lindjen e Mesme, ndërsa një nga xhaxhallarët e tij ishte sekretari i parë i përgjithshëm i Ligës Arabe.

Zawahiri u përfshi në islamin politik kur ishte ende në shkollë dhe u arrestua në moshën 15 vjeçare pasi ishte anëtar i Vëllazërisë Myslimane të jashtëligjshme – organizata më e vjetër dhe më e madhe islamike në Egjipt.

Megjithatë, aktivitetet e tij politike nuk e penguan atë të studionte mjekësi në shkollën e mjekësisë të Universitetit të Kajros, nga e cila u diplomua në vitin 1974 dhe mori një diplomë master në kirurgji katër vjet më vonë.

Babai i tij Mohammed, i cili vdiq në vitin 1995, ishte profesor farmakologjie në të njëjtën shkollë.

Rini radikale

Zawahiri fillimisht e vazhdoi traditën familjare, duke ndërtuar një klinikë mjekësore në një periferi të Kajros, por shpejt u tërhoq nga grupet radikale islamike që bënin thirrje për përmbysjen e qeverisë egjiptiane.

Kur Xhihadi Islamik Egjiptian u themelua në 1973, ai u bashkua kësaj organizate.

Në vitin 1981, u arrestua së bashku me qindra anëtarë të tjerë të dyshuar të grupit pasi disa anëtarë të grupit të veshur si ushtarë vranë presidentin Anwar Sadat gjatë një parade ushtarake në Kajro. Sadati i kishte zemëruar aktivistët islamikë duke nënshkruar një marrëveshje paqeje me Izraelin dhe duke arrestuar qindra kritikë të tij në një goditje të mëparshme të sigurisë.

Gjatë gjyqit masiv, Zawahiri doli si udhëheqës i të pandehurve dhe u filmua duke i thënë gjykatës: “Ne jemi muslimanë që besojmë në fenë tonë. Ne po përpiqemi të krijojmë një shtet islamik dhe shoqëri islame.”

Edhe pse ai u lirua nga përfshirja në vrasjen e Sadatit, Zawahiri u dënua për armëmbajtje pa leje dhe kreu një dënim prej tre vjetësh.

Sipas kolegëve të burgosur islamikë, Zawahiri ishte torturuar dhe rrahur rregullisht nga autoritetet gjatë kohës së tij në burg në Egjipt, një përvojë që thuhet se e ka transformuar atë në një ekstremist fanatik dhe të dhunshëm.

Pas lirimit të tij në vitin 1985, Zawahiri u largua për në Arabinë Saudite.

Menjëherë pas kësaj, ai u nis për në Peshawar në Pakistan dhe më vonë në Afganistanin fqinj, ku krijoi një fraksion të Xhihadit Islamik Egjiptian ndërkohë që punonte si mjek në Afganistan gjatë okupimit sovjetik.

Zawahiri mori drejtimin e Xhihadit Islamik egjiptian pas rishfaqjes së tij në vitin 1993 dhe ishte një figurë kyçe pas një serie sulmesh nga grupi ndaj ministrave të qeverisë egjiptiane, duke përfshirë kryeministrin Atif Sidqi.

Fushata e grupit për ta rrëzuar qeverinë dhe për ta krijuar një shtet islamik në vend gjatë mesit të viteve 1990 çoi në vdekjen e më shumë se 1,200 egjiptianëve.

Në vitin 1997, Departamenti Amerikan i Shtetit e emëroi atë si udhëheqës të grupit Vanguards of Conquest – një fraksion i Xhihadit Islamik që mendohet të ketë qenë pas masakrës së turistëve të huaj në Luxor të njëjtin vit.

Dy vjet më vonë, ai u dënua me vdekje në mungesë nga një gjykatë ushtarake egjiptiane për rolin e tij në sulmet e shumta të grupit.

Objektivat perëndimore

Zawahiri mendohet se ka udhëtuar nëpër botë gjatë viteve 1990 në kërkim të strehës dhe burimeve të financimit.

Në vitet pas tërheqjes sovjetike të Afganistanit, ai besohet se ka jetuar në Bullgari, Danimarkë dhe Zvicër dhe ndonjëherë ka përdorur një pasaportë false për të udhëtuar në Ballkan, Austri, Jemen, Irak, Iran dhe Filipine.

Në dhjetor të vitit 1996, ai thuhet se kaloi gjashtë muaj në paraburgim rus pasi u kap pa vizë të vlefshme në Çeçeni.

Sipas një llogarie të shkruar nga Zawahiri, autoritetet ruse nuk arritën t’i përkthenin tekstet arabe të gjetura në kompjuterin e tij dhe ai ishte në gjendje ta mbante sekret identitetin e tij.

Në vitin 1997, Zawahiri besohet të jetë zhvendosur në qytetin afgan të Jalalabad, ku ishte vendosur Osama Bin Laden.

Një vit më vonë, Xhihadi Islamik Egjiptian iu bashkua pesë grupeve të tjera radikale militante islamike, duke përfshirë Al-Kaedën e Bin Ladenit, në formimin e Frontit Islamik Botëror për Xhihadin kundër Hebrenjve dhe Kryqtarëve.

Shpallja e parë e frontit përfshinte një fetva, ose dekret fetar, që lejonte vrasjen e civilëve amerikanë.

Gjashtë muaj më vonë, dy sulme të njëkohshme shkatërruan ambasadat e SHBA në Kenia dhe Tanzani, duke vrarë 223 njerëz.

Zawahiri ishte një nga figurat, bisedat telefonike satelitore të të cilit u përdorën si provë se Bin Laden dhe Al-Kaeda qëndronin pas komplotit.

Dy javë pas sulmeve, SHBA i bombardoi kampet e trajnimit të grupit në Afganistan. Të nesërmen, Zawahiri i telefonoi një gazetari pakistanez dhe i tha: “Thuaji Amerikës se bombardimet, kërcënimet dhe aktet e saj të agresionit nuk na frikësojnë. Lufta sapo ka filluar.”

Në vitet pas vdekjes së Bin Ladenit, sulmet ajrore të SHBA vranë një varg deputetësh të Zawahirit, duke e dobësuar aftësinë e tij për të koordinuar globalisht.

Dhe në vitet e fundit, Zawahiri ishte bërë një figurë e largët dhe margjinale, duke lëshuar vetëm mesazhe herë pas here.

Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur vdekjen e tij si një fitore, veçanërisht pas tërheqjes kaotike nga Afganistani vitin e kaluar, por Zawahiri pati një ndikim relativisht të vogël pasi grupet dhe lëvizjet e reja si Shteti Islamik janë bërë gjithnjë e më me ndikim.

Një lider i ri i Al-Kaedës pa dyshim do të shfaqet pas vrasjes së Zawahirit mirëpo edhe ai ka të ngjarë të ketë edhe më pak ndikim se paraardhësi i tij./BBC