Kush është një kriminel lufte dhe kush vendosë se dikush është një i tillë?

Presidenti amerikan Joe Biden të mërkurën e quajti Vladimir Putinin e Rusisë një “kriminel lufte” për sulmin ushtarak në Ukrainë, ku, mes tjerash, edhe spitalet dhe repartet e maternitetit janë bombarduar. Por ta shpallësh dikë kriminel lufte nuk është aq e thjeshtë sa vetëm ti thuash me fjalë. Ka përkufizime dhe procese të caktuara për ta përcaktuar se kush është kriminel lufte dhe si duhet të dënohen ata.

Shtëpia e Bardhë e kishte shmangur aplikimin e emërtimit ndaj Putinit, duke thënë se kërkon hetim dhe një vendosmëri ndërkombëtare. Pasi Biden përdori termin, sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se presidenti “po fliste nga brenda zemrës së tij” dhe i rinovoi deklaratat e saj se ekziston një proces për vendosjen e një përcaktimi zyrtar.

Sidoqoftë, në përdorimin popullor, fraza ka marrë një kuptim bisedor si një term i përgjithshëm për dikë që është i tmerrshëm.

“Është e qartë se Putini është një kriminel lufte, por presidenti po flet politikisht për këtë”, tha David Crane, i cili ka punuar për krimet e luftës për dekada dhe ka shërbyer si kryeprokuror për Gjykatën Speciale të OKB-së për Sierra Leone, e cila gjykoi ish-presidentin liberian Charles Taylor.

Hetimet për veprimet e Putinit tashmë kanë filluar. SHBA dhe 44 vende të tjera po punojnë së bashku për ti hetuar shkeljet dhe abuzimet e mundshme, pas miratimit të një rezolute nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për ta krijuar një komision hetimor. Ekziston një tjetër hetim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, një organ i pavarur me seli në Holandë.

KUSH ËSHTË KRIMINAL LUFTE?

Termi vlen për këdo që shkel një sërë rregullash të miratuara nga liderët botërorë të njohur si ligji i konfliktit të armatosur. Rregullat e rregullojnë mënyrën se si vendet sillen në kohë lufte.

Këto rregulla janë modifikuar dhe zgjeruar gjatë shekullit të kaluar, të nxjerra nga Konventat e Gjenevës pas Luftës së Dytë Botërore dhe protokollet e shtuara më vonë.

Rregullat synojnë t`i mbrojnë njerëzit që nuk marrin pjesë në luftime dhe ata që nuk mund të luftojnë më, përfshirë civilët si mjekët dhe infermierët, trupat e plagosur dhe të burgosurit e luftës. Traktatet dhe protokollet përcaktojnë se kush mund të targetohet dhe me çfarë armësh. Disa armë janë të ndaluara, duke përfshirë agjentët kimikë ose biologjikë.

CILAT KRIME SPECIFIKE E BËJNË DIKË KRIMINAL LUFTE?

Të ashtuquajturat “shkelje të rënda” të konventave që përbëjnë krime lufte përfshijnë vrasjen e qëllimshme dhe shkatërrimin dhe përvetësimin e gjerë të pronës që nuk justifikohet nga nevoja ushtarake. Krimet e tjera të luftës përfshijnë shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve, përdorimin e forcës joproporcionale, përdorimin e mburojave njerëzore dhe marrjen e pengjeve.

Gjykata Ndërkombëtare Penale gjithashtu i ndjek penalisht krimet kundër njerëzimit të kryera në kontekstin e “një sulmi të përhapur ose sistematik të drejtuar kundër çdo popullsie civile”. Këto përfshijnë vrasjen, shfarosjen, transferimin me forcë, torturën, përdhunimin dhe skllavërinë seksuale.

Mënyra më e mundshme që Putini mund të shfaqet si një kriminel lufte është përmes doktrinës ligjore të njohur gjerësisht të përgjegjësisë komanduese. Nëse komandantët urdhërojnë ose dinë ose janë në gjendje të dinë për krimet dhe nuk kanë bërë asgjë për t’i parandaluar ato, ata mund të mbahen ligjërisht përgjegjës.

CILAT JANË RRUGËT DREJT DREJTËSISË?

Në përgjithësi, ekzistojnë katër rrugë për t’i hetuar dhe përcaktuar krimet e luftës, megjithëse secila prej tyre ka kufij. Njëra është përmes Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Një opsion i dytë do të ishte nëse Kombet e Bashkuara do ta kthenin punën e saj në komisionin hetimor në një gjykatë hibride ndërkombëtare për krimet e luftës për ta ndjekur penalisht Putinin.

Një e treta do të ishte krijimi i një tribunali ose gjykate për ta gjykuar Putinin nga një grup shtetesh ose organizatash të interesuara ose të shqetësuara, si NATO, Bashkimi Evropian dhe SHBA. Gjykatat ushtarake në Nuremberg pas Luftës së Dytë Botërore kundër liderëve nazistë janë një shembull.

Së fundi, disa vende i kanë ligjet e tyre për ndjekjen penale të krimeve të luftës. Gjermania, për shembull, tashmë i ka nisur hetimet ndaj Putinit. Shtetet e Bashkuara nuk kanë një ligj të tillë, por Departamenti i Drejtësisë ka një seksion të veçantë që fokusohet në akte që përfshijnë gjenocidin ndërkombëtar, torturën, rekrutimin e fëmijëve ushtarë dhe gjymtimin gjenital femëror.

KU MUND TË GJYKOHET PUTINI?

Nuk ka ndonjë qartësi lidhur me këtë. Rusia nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe nuk do ta dërgonte asnjë të dyshuar në selinë e gjykatës në Hagë, Holandë. Shtetet e Bashkuara gjithashtu nuk e njohin autoritetin e gjykatës. Putin mund të gjykohet në një vend të zgjedhur nga Kombet e Bashkuara ose nga konsorciumi i kombeve të interesuara. Por sjellja e tij atje do të ishte e vështirë.

A JANË NDJEKUR PENALISHT NË TË KALUARËN LIDERËT SHTETËRORË?

Po. Nga gjykatat e pas Luftës së Dytë Botërore në Nuremberg dhe Tokio e deri te gjykatat më të fundit Ad Hoc, udhëheqës të lartë janë ndjekur penalisht për veprimet e tyre në vende duke përfshirë Bosnjën, Kamboxhian dhe Ruandën.

Ish-udhëheqësi jugosllav Slobodan Millosheviq u gjykua nga një gjykatë e OKB-së në Hagë për nxitje të konflikteve të përgjakshme ndërkohë që Jugosllavia u shkatërrua në fillim të viteve 1990. Ai vdiq në qeli burgu para se gjykata ta merrte një vendim. Aleati i tij serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe udhëheqësi ushtarak serb i Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiq, janë ndjekur penalisht me sukses dhe të dy po e vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm.

Charles Taylor  i Liberisë u dënua me 50 vjet pasi u dënua për sponsorizimin e mizorive në Sierra Leone fqinje. Ish-diktatori i Çadit, Hissene Habre, i cili vdiq vitin e kaluar, ishte ish-udhëheqësi i parë i shtetit që u dënua për krime kundër njerëzimit nga një gjykatë afrikane. Ai u dënua me burgim të përjetshëm./AP