Kush është Milan Radojçiq, "njeriu i fuqishëm" i veriut?

Milan Radojçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq, të gjithë serbë nga Kosova, janë vendosur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij departamenti, publikoi një listë të personave dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”. Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Një nga personat që është vendosur në këtë listë, Milan Radojçiq, lideri i padukshëm i serbëve të veriut, dyshohet se ka lidhje me vrasjen e ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

“I forti” i veriut, i cili e ka marrë postin e nënkryetarit të Listës Serbe në qershor të vitit 2018, është takuar me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, në zyrën e tij në ndërtesën e qeverisë dhe është takuar në një jahte në Budva me kryetarin e AKR-së dhe ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli.

Arkiv – Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit – Foto: KALLXO.com

Ndaj tij është lëshuar urdhër-arrest për vrasjen e Oliver Ivanoviqit por gati dy vjet më pas, në fillim të vitit 2021, ky urdhër-arrest është tërhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

I shumëkërkuari

Në kohën e zgjedhjeve të vitit 2017, Radojçiq nuk mbante ndonjë pozicion zyrtar politik, por autoriteti i tij në botën e krimit dhe dhuna e grupit të tij e bënë atë një njeri të dashur.

Radojçiq është krahu i djathtë i Zvonko Veselinoviqit, një biznesmen famëkeq serb nga veriu i Kosovës, i cili përshkruhej në raportet e policisë serbe dhe të inteligjencës të marra nga KRIK si një figurë kryesore e krimit të organizuar.

Sipas këtyre raportimeve, grupi i tij ishte i përfshirë në krime të ndryshme, përfshirë trafikimin e drogës, armëve dhe naftës në veri të Kosovës. Radojçiq punonte si korrier, duke transportuar pako me drogë nga bosët shqiptarë të drogës në Serbi.

Zbatimi i ligjit serb bëri disa përpjekje për të ndjekur penalisht Veselinoviqin dhe Radojçiqin, por dështuan çdo herë. Radojçiq madje doli në gjyq për rrëmbim, por përfundimisht u lirua pasi viktima ndryshoi dëshminë e tij. Ai u dënua vetëm një herë për posedim të dokumenteve false.

Lista Serbe – partia politike e Kosovës në të cilën Veselinoviq dhe Radojçiq dihet se kanë ndikim – u formua në vitin 2014 dhe shpejt u rrit për të qenë lojtari i vetëm në komunitetin serb në Kosovë.

Disa ngjarje shqetësuese ndihmuan në ngritjen e saj të shpejtë. Para zgjedhjeve lokale të vitit 2014, Oliver Ivanoviq, një politikan rival, u arrestua dhe u vu në paraburgim nga policia. Një tjetër kandidat konkurrent u vra. Një kandidat i tretë u tërhoq nga gara.

Milan Radojçiq dhe Aleksandër Vuçiq, Foto: Srdan Ilic

Lista Serbe ishte gjithashtu e vetmja parti që gëzonte mbështetje të pakushtëzuar nga qeveria serbe. Para se të bëhej president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq shprehu hapur mbështetjen e tij për Veselinoviqin në fjalimet e tij, duke lavdëruar luftën e tij për komunitetin serb të Kosovës.

Veselinoviq madje u takua me vëllain e Vuçiqit në vitin 2015, siç zbuluan KRIK dhe OCCRP në fillim të këtij viti në bazë të një fotografie tjetër të rëndësishme.

Nga zbulimet del në pah një e vërtetë ironike: Edhe pse Beogradi dhe Prishtina mbeten në mosmarrëveshje për pavarësinë e Kosovës, një grup i ndërlidhur figurash të supozuara kriminale kanë qasje tek njerëzit e fuqishëm në të dyja qeveritë, përfundon artikulli i OCCRP-së.

Një i dyshuar me ndikim

Radojçiq zyrtarizoi rolin e tij në Listën Serbe në qershor të vitit 2018, kur u bë nënkryetar i partisë.

Por ai kishte qenë me ndikim shumë kohë më parë.

“Ish-kryetarët e qyteteve serbe në Kosovë më janë ankuar se Radojçiq ishte ai që merrte të gjitha vendimet,” shpjegoi Rada Trajkoviq, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës për OCCRP.

“Më thanë se ai mbante zyrë jozyrtare në restorantin Grey [në qytetin serb të Mitrovicës së Kosovës], ku ai jepte urdhra se kush duhet të bëjë çfarë. Ai zgjodhi emrat e ministrave të ardhshëm serbë [në Kosovë], shefave të policisë në veri të Kosovës, gjyqtarëve serbë [në Kosovë]. Dhe ai ishte në linjë direkte me Haradinajn.”

Arkiv – Milan Radoiçiq (në mes, pa kravatë), pasi u emërua nënkryetar i Listës Serbe, Foto: Kossev/Balkan Insight

Menjëherë pas marrjes së rolit udhëheqës në Listën Serbe, ai u largua nga Kosova pasi u kërkua nga policia me dyshimin për përfshirje në vrasjen e janarit të vitit 2018 të politikanit rival Oliver Ivanoviq. Pas zhdukjes së tij është lëshuar urdhër-arresti.

Çuditërisht, presidenti serb Vuçiq doli në mbrojtje të tij. Pas takimit me Radojçiqin në Beograd, Vuçiq tha se policia serbe e kishte marrë në pyetje dhe ishte i sigurt se ai nuk ishte i përfshirë në vrasje. Përkundrazi, këmbënguli Vuçiq, Radojçiq ishte një patriot që mbronte serbët e Kosovës. Rasti kundër tij, tha ai, ishte i motivuar politikisht.

Në Kosovë, ndërkaq, Radojçiq është bërë një figurë gjithnjë e më toksike.

Si ndodhi takimi i Pacollit me Milan Radojçiq në jahtë?

Në tetor të vitit 2019, KRIK kishte publikuar një fotografi, në të cilën shihej kryetari i AKR-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, në takim me Milan Radojçiq, Goran Rakiq dhe të tjerë. Sipas KRIK-ut, takimi i Pacollit me Milan Radojçiq ka ndodhur në verën e vitit 2017, në kohën kur AKR braktisi LDK-në për të qeverisur në koalicion me PDK-në, AAK-në dhe Nismën, me kryeministër Ramush Haradinajn.

Në janar të vitit 2021, Pacolli në Kallxo Pernime e kishte komentuar fotografinë me Milan Radojçiq në jahtë.

“Unë kurrë se kam njohur kush është Milan Radojçiqi. As emrin nuk ia kam dëgju. Unë kam shkuar në Budva dhe është parkuar jahti im në një vend afër, sepse ka qenë më i madhi prej tyre. Derisa është lidh jahti im aty është parkuar një jaht tjetër”, tha ti.

Foto: KRIK

“Është përgatitur sofra për me ngrenë darkë me fëmijët e mi, në atë tavernën aty. Në anën tjetër unë po i shoh deputetët e Republikës së Kosovës, nuk ua kam ditë emrat, por e kam njohur Goran Rakiqin. E kam kryer darkën dhe kemi dalë prej aty. Del Rakiqi prej aty edhe vjen te unë edhe thotë ‘a Behgjet sa mirë që po të shoh’. I kam thanë prit se e kam një befasi për ty edhe e kam thirr Agim Bahtirin sepse ata janë shokë dhe takohen. Bile Agim Bahtiri mu ka idhnu se ka mendu që e kemi planifiku me u taku e se kam ftuar”, vazhdonte rrëfimi i Pacollit.

“Rakiqi më thotë, eja tek ne, te jahti ynë për pije. Pa asnjë paragjykim unë hy aty. Të betohem dhe ta jap fjalën e nderit, e kam pi një pije. Se kam ditë jahta e kujt ka qenë. Sa kemi qenë aty ka ardhur një person tjetër dhe është ulë. Askush se ka prezantuar si Milan Radojçiq. Unë jam dal, i kam marrë fëmijët e mi dhe jam dal në qytet. Unë i kam njohur veç 3 njerëz aty, Rakiqin dhe dy deputetë”, ka deklaruar Pacolli.

Sipas tij, takimi ka zgjatur vetëm 10 minuta dhe nuk e ka pasur ndonjë kërkesë ndaj tij.

“Unë kam ndejt krejt 10 minuta. Nuk më kanë lyp asgjë. Më respektojnë mua atje, ma shumë më respektojnë malazezët, maqedonasit e serbët se sa në Kosovë”, ka përfunduar.

Takimi i Haradinajt me “njeriun e fuqishëm” të veriut të Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më 12 korrik 2018 kur ishte kryeministër, e kishte pritur në zyrën e tij kryetarin e komunës së Mitrovicës, Goran Rakiq, dhe nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Në një deklaratë u zbuluan vetëm disa detaje, duke përmendur vetëm se “ata diskutuan gjendjen e përgjithshme në Kosovë me një theks të veçantë në aspektet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe social”.

Haradinaj është kritikuar për takimin me një figurë të diskutueshme si Milan Radojçiq.

Milan Radojçiq dhe Ramush Haradinaj

Radojçiq si nënkryetar i Listës Serbe mori fokusin kryesor të takimit.

Emri i  Radojçiq u përmend nga politikani i ndjerë serb Oliver Ivanoviq, i cili u vra në janar të vitit 2018, në intervistën e tij të fundit me BIRN, si figurë kyçe dhe mbajtëse e vërtetë e pushtetit në veri të Kosovës.

“Qendra e pushtetit nuk është në ndërtesën e bashkisë – sepse ndërtesa e komunës i takon kësaj qendre tjetër informale të pushtetit”, deklaroi Ivanoviq duke ju referuar Radojçiqit.

Pas vrasjes së Ivanoviqit, një tjetër politikane e rëndësishëm serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq, tha se  Radojçiq “kontrollon jetën” në Kosovën veriore të drejtuar nga serbët.

Tërheqja misterioze e urdhër-arrestit për Milan Radojçiq

Në korrik të vitit 2019, më shumë se një vit nga vrasja e Oliver Ivanoviqit, ishte lëshuar urdhër-arrest ndaj Milan Radojçiqit.

Ish-prokurori Special, Sylë Hoxha kishte deklaruar për KALLXO.com se me kërkesën e Prokurorisë, Gjykata e Prishtinës kishte lëshuar urdhër-arrest për arrestimin e Milan Radojçiqit, të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në fillim të vitit 2021, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj njërit nga të kërkuarit për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit.

Atëherë, lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar gjykatësi Valon Kurtaj.

“PRSK (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) ka bërë kërkesë për tërheqjen e letër-rreshtimit dhe gjykata duke vepruar sipas kërkesës së saj e ka tërhequr letër-rreshtimin”, tha gjykatësi Kurtaj për KALLXO.com.

Prokurori, të cilit i ishte transferuar lënda pasi ish-prokurori Sylë Hoxha kishte dalë në pension, është Burim Çerkini. Çerkini kur ishte pyetur nga KALLXO.com se pse është tërhequr urdhër-arresti ndaj Milan Radojçiq, ai kishte deklaruar se kjo është konfidenciale dhe se nuk mund të deklarohet në lidhje me këtë rast.

Në lidhje me vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, urdhër-arrest pati edhe për Zhelko Bojiqin, për dy vepra penale (në bashkëkryerje), keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare, si dhe ndaj Zvonko Veselinoviqit, i cili dyshohej se ishte si udhëheqës i grupit kriminal së bashku me Milan Radojçiqin.

Vetëm pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë heqjen e fletarrestimit ndaj Milan Radojçiq, ai është parë duke hyrë në territorin e Kosovës.

Siç kishte mësuar KALLXO.com, më 9 mars 2021, rreth orës 12:00, Milan Radojçiq, është parë duke hyrë në pikë-kalimin kufitar në Bërnjak.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ishte ngritur më 2 dhjetor 2019, apo gati vjet pas vrasjes së Ivanoviqit, ndaj Marko Roshiqit, Silvana Arsoviq, Zharko Jovanoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basaras dhe Dragisha Markoviqit.

Kurse si udhëheqës të grupit kriminal ishin të dyshuar Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Aktakuza e ngritur në fillim të vitit 2019 është ndryshuar disa herë deri tani por ende nuk ka aktgjykim. Fillimisht ajo është ndryshuar më 30 dhjetor 2019 e më pas në fillim të nëntorit të vitit 2020.

Në nëntor të vitit 2018, Policia e Kosovës në një operacion në veri të Mitrovicës ka arrestuar disa persona. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe një epror i policisë, një pjesëtar i zyrës së Oliver Ivanoviqit dhe dy persona të tjerë. Po ashtu ishte bastisur edhe shtëpia e Milan Radojçiq, por ai nuk është gjetur në shtëpi. Siç kishte mësuar KALLXO.com, Policia e Kosovës kishte bastitur dia lokacione në veri të Mitrovicës dhe ka arretuar katër persona të dyshaur lidhur me vrasjen e ishpolitikanit serb, Oliver Ivaninoviq.

Kush janë serbët e Kosovës të përfshirë në listë?

Lista e zezë e publikuar nga Departamenti i Thesarit të ShBA-së, përfshin Zvonko Vesellinoviqin dhe vëllain e tij, Zharko, të cilët, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Departamenti i Thesarit amerikan i akuzon se kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.

Në këmbim, politikanët u kanë dhënë vëllezërve Veselinoviq kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.

Sipas tij, në listën e sanksioneve, i lidhur me Zvonko Veselinoviqin është edhe Millan Radoiçiq, nënkryetar i partisë kryesore serbe në Kosovë – Lista Serbe.

Milan Radoiçiq (djathtas) dhe Zvonko Veselinoviq (në mes) me shokun e ngushtë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Nikola Petroviq (i pari nga e majta). Foto: BIRN.

Radojçiq për lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Veriun, i cili gjithashtu është i lidhur me vrasjen e Ivanoviqit dhe kërkohet nga institucionet e Kosovës.

Marko Roshiq, i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është po ashtu në listë.

Në mesin e tyre është edhe Radulle Steviq, sipërmarrës serb nga veriu, i njohur për fitimin e shumë tenderëve të institucioneve të Kosovës, për projekte të ndryshme infrastrukturore në veri të Kosovës.

Lista përfshin edhe kompani të shumta nga Serbia dhe Kosova, të cilat janë të lidhura me disa nga të përmendurit më lart.

Në mesin e tyre janë shumë kompani që janë të lidhura me Zvonko Veselinoviqin, si: “Dolly Bell” nga Beogradi, kompania për shitjen e automjeteve “Civija Komerc” nga Shabaci, kompania ndërtimore ‘INCOP’ nga Quprija, kompania e betonit “Aleksinac”, dyqani i pavarur “Prizma” nga Mitrovica e të tjera.

Në listë është edhe kompania “Doo Rad” e Radulle Steviqit në Zveçan, si dhe disa kompani të Milan Radisavleviqit dhe Sinisha Nedelkoviqit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur lajm jashtëzakonisht të mirë vënien në listën e sanksioneve të ShBA-së të grupit të krimit të organizuar në veri, të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq. Haxhiu ka thënë se njerëz të këtij grupi nuk kanë pasur mbështetjen vetëm të Beogradit, por edhe të Prishtinës.

Edhe kryministri Kurti i ka quajtur të mirëseardhura sanksionet ndaj grupit të prirë nga Zvonko Veselinoviq.