Kush është Alexander Dugin, aleati i Putinit?

Pikëpamjet e ideologut ndihmuan në formimin e ideve pas pushtimit të Ukrainës, por ndikimi i tij te Putini është i diskutueshëm…

Të shtunën mbrëma, dhuna që mendimtari ultranacionalist rus Aleksandër Dugin kishte propaganduar për dekada, papritur u bë pjesë e jetës së tij kur vajza e tij u vra nga një veturë bombë në periferi të Moskës.

Me flokë të gjatë dhe një mjekër gri-të bardhë, Dugin është padyshim një nga ideologët më të njohur të Rusisë dhe është përshkruar në mënyra të ndryshme si “truri i Putinit” ose “Rasputini i Putinit”. Megjithatë, ndikimi i tij aktual mbi presidentin rus mbetet një temë e diskutimit të nxehtë.

I lindur në vitin 1962 në një familje ushtarake të rangut të lartë, Dugin i kaloi vitet e para si disident antikomunist. Ai iu bashkua grupeve të ndryshme eksentrike avangarde që lindën gjatë dy dekadave të fundit të Bashkimit Sovjetik, ku ai ishte i njohur për flirtin e tij me politikën e Gjermanisë naziste.

Ai mori vëmendjen kombëtare në vitet 1990 si shkrimtar për gazetën e ekstremit të djathtë Den. Në një manifest të vitit 1991 të botuar në Den, Dugin për herë të parë shpalosi vizionin e tij anti-liberal dhe ultranacionalist për Rusinë, një vend që ai thoshte se ishte i destinuar të përballej me një perëndim individualist dhe materialist.

Gjatë viteve me plot trazira  pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Dugin e bashkëthemeloi Partinë Kombëtare Bolshevike me romancierin Eduard Limonov, duke e bashkuar retorikën dhe simbolizmin fashist dhe komunisto-nostalgjik.

Botëkuptimi i Duginit është artikuluar më qartë në botimin e tij të vitit 1997 ‘Themelet e gjeopolitikës’, i cili thuhet se u bë një libër shkollor në akademinë ruse të shtabit të përgjithshëm dhe forcoi kalimin e tij nga një disident në një shtyllë të shquar të establishmentit konservator.

Në libër, Dugin parashtroi vizionin e tij për ta ndarë botën, duke i bërë thirrje Rusisë që ta rindërtojë ndikimin e saj përmes aneksimeve dhe aleancave, ndërsa shpalli kundërshtimin e tij ndaj Ukrainës si një shtet sovran.

“Ukraina si shtet nuk ka asnjë kuptim gjeopolitik, asnjë rëndësi të veçantë kulturore apo rëndësi universale, asnjë veçanti gjeografike, asnjë ekskluzivitet etnik”, shkroi ai.

“Ambiciet e caktuara territoriale të saj paraqesin një rrezik të madh për të gjithë Euroazinë dhe, pa zgjidhur problemin ukrainas, është përgjithësisht e pakuptimtë të flitet për politikën kontinentale”.

Njëzet e pesë vjet më vonë, presidenti i Rusisë përsëriti disa nga pikëpamjet e Duginit për Ukrainën në esenë e tij prej 4000 fjalësh Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve, të cilën shumë e panë si një plan për pushtimin që ai nisi vetëm gjashtë muaj pasi u publikua.

Megjithatë, nuk ishte aspak e sigurt se mendimet radikale anti-perëndimore të Duginit do të bëheshin të zakonshme  në Moskë kur Putini u bë president në vitin 2000.

I nxitur nga çmimet e larta të naftës, udhëheqësi i sapozgjedhur dukej se po e mbikëqyrte integrimin e vendit në sistemin global kapitalist ndërsa rusët e zakonshëm e përqafuan ushqimin e shpejtë perëndimor dhe kulturën pop.

Idetë totalitare joliberale të Duginit u konsideruan të parëndësishme dhe ai e gjeti veten në kufijtë e pushtetit politik. Megjithatë, ai vazhdoi të shkruante dhe të jepte leksione, duke zhvilluar më tej konceptin e euroazianizmit, doktrinën politike fashiste me aromë ruse që e sheh Moskën si qendrën e një perandorie rivale në Atlantikun perëndimor.

Qëndrimi i Dugin ndryshoi në vitin 2012 kur Putin mori pushtetin edhe një herë pas protestave masive antiqeveritare dhe udhëheqësi rus përqafoi një vizion konservator për vendin e tij.

Dugin u ndje më tej i shfajësuar kur Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe nisi një luftë të përgjakshme në Donbas pas revolucionit pro-perëndimor në Kiev.

“Mendoj se ne duhet të vrasim, vrasim, vrasim [ukrainasit], nuk mund të flitet diçka tjetër,” tha Dugin në një videoadresë drejtuar ndjekësve të tij në atë kohë, duke e bërë atë një nga figurat publike më të urryera ruse në Kiev.

Pavarësisht retorikës së dhunshme të Duginit, ai vazhdoi të udhëtonte jashtë vendit, duke mbajtur lidhje të ngushta me mendimtarët e së djathtës së re evropiane, të cilët gjithashtu e denonconin liberalizmin, feminizmin dhe dominimin e SHBA.

Ai ishte gjithashtu i ftuar shpesh në konferenca në mbarë botën, duke debatuar me filozofin francez Bernard-Henri Lévy në Amsterdam deri në vitin 2019.

Dugin thuhet se udhëtoi pa siguri brenda dhe jashtë Rusisë, gjë që disa e theksuan me nxitim si një nga shpjegimet e mundshme pas sulmit të së shtunës, i cili thuhet se kishte për qëllim ta vriste atë.

Ndikimi aktual i Duginit mbi operacionet e përditshme të Putinit ka qenë një temë e gjatë debati, me disa ekspertë rusë që e quanin atë “udhërrëfyes shpirtëror i Putinit” dhe të tjerë, kryesisht ata në Moskë, duke thënë se ai ishte një figurë e parëndësishme e etur për t’u shfaqur afër Kremlinit për përfitime personale. Dugin thuhet se ka kërkuar deri në 500 euro për intervista me mediat perëndimore.

Putin dhe Dugin nuk janë fotografuar kurrë bashkë dhe Dugin nuk ka mbajtur asnjëherë një pozicion zyrtar brenda shtetit.

“Kjo karikaturë pseudo-intelektuale nuk është sigurisht pjesë e sistemit të vendimmarrjes,” shkroi Leonid Volkov, aleat kryesor i kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny, disa orë pas shpërthimit të veturës bombë.

Megjithatë, brendi i tij e nacionalizmit rus është bërë padiskutim popullor në pjesën më të madhe të elitës politike të Rusisë dhe pikëpamjet e tij ndihmuan në formësimin e ideve pas pushtimit të Ukrainës.

Vrasja e vajzës së Duginit, Darya, një gazetare pro-Kremlinit e lidhur ideologjikisht me babanë e saj, do të dërgojë valë tronditëse në nivelet më të larta të shoqërisë ruse.

Pamjet që qarkulluan në të gjithë Rusinë të veturës së djegur do të evokojnë gjithashtu kujtime të viteve të trazuara 1990, kur atentatet me bomba me vetura ishin rutinë, një tipar i errët i një epoke të mëparshme që presidenca e Putinit premtoi t’i jepte fund./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala