Ilustrimi: BIRN/Bindi Islami

Kush e ka informacionin? Kosova, Serbia dhe Bosnja kanë telashe me transparencën e pronësisë së mediave

Përderisa autoritetet në Kosovë, Bosnjë dhe Serbi bëjnë sehir, publiku është lënë në terr lidhur me pronarët e mediave, duke shpërfillur thirrjet më shumë rregullim.

Vit pas viti, Komisioni Europian ka alarmuar Kosovën për adresimin e mungesës së transparencës së mediave lidhur me pronësinë e tyre.

Katër vjet më parë, Komisioni paralajmëroi se informacionet për strukturat e pronësisë së mediave, sidomos për mediat online, mbeten “të paqarta dhe shpesh fiktive, derisa shumica e mediave nuk ofrojnë informacione për financiar ose pronësinë e tyre të vërtetë”.

Sipas vështrimit të Komisionit, nuk ka as transparencë e as shpërndarje të drejtë t ëburimeve të financimit në mesin e platformave mediatike dhe asnjë shteg për ta marrë vesh nëse ato janë të përqendruar në duar të një grushti njerëzish.

Në vitin 2024, gjendja nuk ndryshoi për mirë. Brukseli spikati se të dhënat për tregun audiovizual mbeten të pamjaftueshme, përfshirë çështjen e pronësisë dhe financimit të mediave.

“Sektori i mediave vazhdon të vuajë nga mungesa e transparencës së pronësisë dhe financimit, dhe mungesa e qëndrueshmërisë financiare, duke i bërë të cenueshme nga ndikimi politik dhe presioni financiar”, thuhet në raportin e Komisionit Europian për vitin 2024 për Kosovën.

“Me disa përjashtime të rralla, publiku në Kosovë nuk e ka të qartë se kush i informon dhe nëse përmbajtja e publikuar është gjykuar në aspektin profesional dhe etik”, ka thënë për BIRN-in, Alban Zeneli, profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

“Kemi parë transformime të hatashme në mjedisin e sotëm dixhital dhe duket se mediat që kanë pasur një traditë të transparencës kur vinte puna te përmbajtja e tyre, më nuk e shohin këtë të domosdoshme për t’ia shpalosur publikut”, ka shtuar ai.

Por Kosova nuk është e vetme në rajon ku dixhitalizimi ka sjell një mal mediash informative – sidomos portale informative – me shumë prej tyre që kanë pronësi të mjegullt.

Ligji i Kosovës për mediat nën llupën e Gjykatës Kushtetuese

Në korrikun e sivjetmë, Kuvendi i Kosovës aprovoi Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), në hije të kritikave të Bashkimit Europian dhe shoqërisë civile lidhur me pavarësinë, kompetencat dhe financimin e KPM-së dhe mungesën e qartësisë dhe përputhshmërisë së ligjit. Ligji aktualisht është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), në bashkëpunim me Regjistrin Botëror të Mediave, lansuan Monitorin e Pronësisë së Mediave, një mjet hartëzimi, që të krijohet një databazë e përditësuar vazhdimisht, e qasshme publikisht, që liston pronarët e të gjitha mediave masive relevante. Mjeti demonstroi se vetëm 30 për qind e kompanive mediatike në Kosovë kanë të publikuar pronësinë e tyre.

Përderisa kësaj çështjeje i është rritur relevanca në Kosovë gjatë viteve të kaluara, Jeton Mehmeti, kryetar i bordit të KPM-së, thekson se Komisioni është pajtuar mekanizmin shtetërorë për regjistrimin e bizneseve që të mos japin licencë asnjë mediumi informativ pa aprovim të KPM-së.

“Ne kemi marrë masa për të parandaluar çfarëdo përpjekjeje për të ndryshuar në mënyrë sekrete pronësinë dhe pa verifikim të pronarit të ri”, ka thënë Mehmeti.

Aktualisht, KPM-ja ofron një platformë të mediumeve të licencuara informative me pak hollësi për pronarët dhe aksionet e tyre, ndërkaq Këshilli vetë-rregullativ i Mediave të Shkruara i Kosovës, që merret kryesish me mediat online, ofron një listë të anëtarëve me emrat e redaktorëve përgjegjës.

Pritja e gjatë e Bosnjës për përshtatje të ligjit të pronësisë së mediave

Bosnjë-Hercegovina po përballet me sfida të mëdha në transicionin e saj të pasluftës dhe me shtegun drejt Bashkimit Europian, dhe skena mediatike nuk bën përjashim. Mungesa e transparencës mediatike është një problem i kahershëm, i spikatur prej organizatave joqeveritare që bashkë me qytetarët, janë në pritje qe një kohë të gjatë një ligj të ri që do të përmirësonte gjendjen aktuale të palakmueshme.

Sherri i rregullimit specifik të transparencës së mediave në Bosnjë, të dhënat për pronarët dhe interesat e drejtpërdrejta ose përfituese në organizatat mediatike nuk janë të qasshme për publikun, dhe publikut nuk i pasqyrohen individët dhe interesat që qëndrojnë prapa mediave, paralajmëron Anida Sokol, hulumtuese në organizatën “Mediacenter Sarajevo”, që bashkë me Këshillin e Mediave të Shkruara dhe Online në Bosnjë, kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit, që merret me pronësinë e mediave.

“Për vite me radhë, Komisioni Europian ka cituar domosdoshmërinë për ta kaluar një ligj për transparencën e pronësisë së mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, si një prej rekomandimeve të tij në raportet e veta”, thekson Sokol, e cila shpreson se ligji do të aprovohet vitin e ardhshëm.

Nëse kalon, ligji do t’i detyronte mediat të paraqisnin të dhënat e tyre themelore para publikut.

Rasin Krupalija, kryeredaktor i “Raskrinkavanje”, platformë për verifikimin e saktësisë së informacioneve dhe dezinformacioneve, thekson se mungesa e të dhënave për pronësinë ua parandalon lexuesve dhe konsumuesve të përmbajtjes të marrin vesh se kush qëndron prapa informacionit që e marrin.

“Kjo mund të prekë gjykimin e tyre për besueshmërinë e asaj çfarë u shërbehet. E degradon cilësinë edhe ashtu të dobët të ofertës në hapësirën mediatike në Bosnjë dhe Hercegovinë”, ka thënë Krupalija.

Në punën e tyre, gazetarët e “Raskrinkavanje|, më së shpeshti spikasin portale “anonime” që kanë gjithçka, pos të dhënave për strukturën e pronësisë së tyre.

“Portalet e tilla nuk e kanë funksionin e informimit. Ato kryesisht shërbejnë për të siguruar përfitim financiar për pronarët e tyre, ose për të promovuar interesat e tyre”, ka thënë Krupalija.

Këshilli i Mediave të Shtypura dhe Online i Bosnjës, që ka databazën e saj për mediat e shtypura dhe online, njofton se të dhënat minimale që gjithsecili medium duhet të publikojë, përfshin informacionin pr botuesin, kryeredaktorin, anëtarët e stafit redaktorial dhe kontaktet. Por mediat informative nuk e kanë obligim ligjor që ta bëjnë këtë.

Informacionet për pronarët në mediat informative të regjistruara si entitete biznesi janë të qasshme nëpërmjet regjistrave gjyqësorë, por nuk është se këta regjistra mund të gjenden dhe të qasesh lehtë në ta. Nëpërmjet projekti Monitori i Pronësisë së Mediave (MOM), BIRN BiH, duke përdorur regjistrat gjyqësorë, publikoi një databazë mediumeve më të klikuara në Bosnjë-Hercegovinë pas një pune disamuajshe, që tregoi se një numër i vogël mediash në Bosnjë-Hercegovinë ndanë aktivisht të dhënat e tyre për pronësinë, por jo edhe ato financiare.

“Mediacentar”, Këshillit i Shtypit dhe organizata “JaBiHEU” po zbatojnë aktualisht një projekt të financuar nga BE-ja për avokimin e reformës së mediave dhe lirisë së shprehjes. Një prej fokuseve të projektit është avokimi për hartimin e një ligji për transparencën e pronësisë së mediave. Këto tri organizata do të bashkëpunojnë me Grupin Punues të Ministrisë boshnjake të Komunikimeve dhe Transportit për hartimin e ligjit.

Agjencia Rregullative për Komunikime (RAK), anëtare e Grupit Punues, ka dispozicion të vetin ekstraktet nga regjistrat gjyqësorë të një entiteti legal, që përmban të dhënat e themeluesit dhe personin e autorizuar për ta përfaqësuar një medium televiziv ose radiofonik që ka një licencë emetimi, por obligimi nuk është zgjeruar edhe për mediat online.

“Zbatimi duhet të përfshijë informacione për kryeredaktorin dhe stafin e planifikuar për zbatimin e programit. Informacioni për personin e autoritet dhe për kryeredaktorin është pjesë e regjistrit të licencave dhe është i qasshëm në uebfaqen e Agjencisë”, ka deklaruar Amela Odobashiq, ndihmës-drejtoreshë për transmetim.

Megjithatë, ajo vë në pah se RAK-u nuk e ka autoritetin ose mekanizmat për të verifikuar nëse pronarët e vërtetë të mediave janë regjistruar në regjistrin gjyqësor.

Në Serbi, paqartësia e pronësisë rrezikon kredibilitetin mediatik

Në Serbi, ku pronësia e mediave është e rregulluar formalisht, mediumeve u kërkohet të raportojnë strukturën e tyre pronësore dhe redaktorët kryesorë te Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (APR), që pastaj regjistron pronësinë në Regjistrin e Mediave.

Kjo Agjenci ka edhe një Regjistër për Pronarët Përfitues për çdo entitet legal në vend.

Ngjashëm, Autoriteti Rregullativ për Mediat Elektronike (REM) ka Regjistrin e tij të Provajderëve të Shërbimeve Mediatike për mediat elektronike nën juridiksionin e tij.

Megjithatë, ka dyshime të shpeshta publike se pronarët zyrtarë të mediave të listuar në Regjistrin e Mediave janë pronarë aktualë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për media të lidhura me gjigantin shtetëror të telekomunikimeve, “Telekom Srbija”, dhe me disa gazeta të përditshme.

Sipas një studimit të BIRN-it më 2023 bazuar në projektin “Monitorimi i Pronësisë së Mediave “, ka një “rrezik mesatar” lidhur me transparencën e pronësisë mediatike, që tregon se “disa pronarë mbesin të panjohur”.

Sipoas Aleksandra Krstiqit, profesoreshë e asociuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, pronësia mediatike është qenësore, sepse transparenca e pronësisë prek kredibilitetin e informacionit që e ofrojnë.

“Nëse nuk e dimë kush është pronar i mediumit, ka rrezik larg më të madh që mediat të bien nën kontrollin ekonomik dhe politik. Kjo nuk është vetëm gjendja aktuale, por mungesë e transparencës që ka ekzistuar edhe në të kaluarën”, ka shpjeguar Krstiq.

Zoran Gavriloviq nga Zyra për Kërkim Shoqëror (BIRODI) thekson se transparenca e pronësisë mediatike është e garantuar ligjërisht, dhe se pronarët zyrtarë të mediumeve informative, si dhe shumica e burimeve të financimit shtetëror, mund të identifikohen.

“Halli është se ne nuk kemi një sistem për vlerësimin e përmbajtjes së financuar prej burimeve publike”, ka thënë ai.

Sipas Gavriloviqit, megjithatë pronësia mediatike nuk është problemi parësor në Serbi. Gavriloviq konsideron se integriteti i mediavem, gazetarëve dhe trupave shtetërore që alokon fondet për mediat duhet të jetë poaq i rëndësishëm.

“Partia në pushtet ka ndërtuar një sistem propagande që shfrytëzon paqëndrueshmërinë e mediave me integritet të ulët, bashkë me integritetin e ulët të gazetarëve dhe atyre që i ndajnë fondet publike, para së gjithash qeveritë lokale”, ka shtuar Gavriloviq, duke theksuar se mediat e tilla shërbejnë si mjete propagande për sundimin personal të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një numër i madh tabloidesh, që janë më të lexuarat dhe më të qarkulluarat online dhe të shtypura, në rastet tipike nuk tregojnë autorët e shkrimeve që shënjestrojnë kritikët e Qeverisë. Kjo praktikë është e sanksionuar me ligj dhe përfshin edhe gjoba, porse rrallëherë zbatohet, për të mos thënë fare.

Lidhur me financimin e mediave, Ligji për informacionin publik dhe mediat mandaton përfshirjen e të gjitha të dhënave për burimet e financimit që mediat i “marrin direkt ose tërthorazi nga autoritetet publike”, përfshirë reklamimin. Sidoqoftë, ky provizion legal rëndom injorohet, sikur se është dëshmuar edhe në Regjistrin e Mediave.

Ligji ri parashikon themelimin e një “Sistemi të Uniformuar Informacioni për Zbatimin dhe Monitorimin e Projekteve Bashkëfinancuese në Informacionin Publik” prej 1 janarit të vitit 2025.

Artikulli fillimisht është publikuar në Prishtina Insight

Nga anglishtja: Rexhep Maloku