Një pjesë e stafit të kryeministrit Albin Kurtit | Foto: Shenaj Shala

Kurti vet i 30-ti në kabinet (DOKUMENT)

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti i ka qëndruar mbrapa premtimit për emërimin e jo më shumë se 2 zëvendësministrave në secilën ministri, por numri i këshilltarëve në zyrën e tij, nuk dallon shumë me numrat e ish-kryeministrave të tjerë.

Numri i të emëruarve politik në zyrën e Albin Kurti është 29, duke përfshirë stafin politik e administrativ që i shërbejnë kryeministrit.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KALLXO.com ka siguruar numrin, emrat dhe rrogat e zyrtarëve politikë dhe administrativ në kabinetin e kryeministrit.

Në korrik të vitit të kaluar, kabineti i Kurtit ishte i përbërë nga 20 të emëruar politikë, mirëpo ky numër është rritur disa muaj më vonë.

Nga dokumenti i siguruar del se Kurti tashmë është vetë i 30-ti në zyrën e tij.

Sipas të dhënave zyrtare, kryeministri ka 22 këshilltarë politikë dhe 7 persona të tjerë në staf, si nëpunës në kabinetin e Kurtit. 6 prej 22 këshilltarëve janë pro-bono, që nënkupton se nuk paguhen nga buxheti i shtetit.

Pozita me e lartë në stafin e kryeministrit është ajo e shefit të stafit, të cilën e mbanë Luan Dalipi.

Sipas të dhënave, Qeveria e Kosovës ka dy zëdhënëse për media, Përparim Kryeziu dhe Rozafa Kelmendi, të cilët llogariten si këshilltarë politik.

Në ZKM, Shenaj Shala është këshilltare politike edhe përgjegjëse për protokollin në kabinetin e kryeministrit.

Ndërsa, emrat e tjerë që e këshillojnë kryeministrin Albin Kurti janë: Jeton Zulfaj, Fëllanza Podrimja, Riat Nuredini, Merdzan Osmani, Edison Beciri, Egzonit Jakupi, Lulëzon Jagxhiu, Aziz Bici, Nurije Shala dhe Elizabeth Katherine Gowing.

Valbone Mehmeti është këshilltare politike për media, Riat Nuredini, këshilltar politik për siguri.

Në listën e këshilltarëve politik figuron edhe Andin Hoti, që udhëheq me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Në kabinetin e tij, kryeministri Kurti ka edhe 7 nëpunës të tjerë, që përfshijnë asistentë, fotograf, vozitës e zyrtar të protokollit.

Valë Gjonbalaj – Azemi është zyrtare e lartë ekzekutive e kryeministrit. Arta Berisha si zyrtare e lartë administratave e kryeministrit.

Ndërsa, Arianit Beqiri mbanë pozitën e asistentit të lartë personal të kryeministrit.

Patrik Domi mbanë pozitën e fotografit të kryeministrit. Ismail Hakki Ustaibo është zyrtar i lartë i protokollit në kabentin e Kurtit. Arlinda Berisha është e emëruar si asistente ekzekutive si dhe Liman Hoti si zyrtar i sigurimit të Kurtit dhe vozitës.

Këshilltarë të jashtëm politikë, pro-bono që nuk paguhen gna buxheti i shtetit në kabinetin e Kurtit janë 6.

Erzen Vraniqi, Agon Hamza, Tienmu Ma, Tea Blakaj- Hoxha, Besnik Pula dhe Jusuf Ulaj.

KALLXO.com kishte raportuar se ish-kryeministri Avdullah Hoti pas një muaji qeverisje në kabinetin e tij kishte mbledhur 14 këshilltarë politik.

Kurse ish-kryeministri Haradinaj kujtohet për numrin e madh të zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zëvendësministrave. Këta të fundit kishin kaluar numrin 80. 

Pagat bruto të stafit politik në Zyrën e Kryeministrit:

  • Shefi i Stafit të Kryeministrit – 1,321.30 euro
  • Zëdhënës i Qeverisë së Republikë së Kosovës – 600.60 euro
  • Këshilltari politik i Kryeministrit/ Zëvendëskryeministrit – 600.60 euro
  • Zyrtari i Lartë ekzekutiv i Kryeministrit – 483.34 euro dhe shtesa 50 euro
  • Zyrtari i Lartë Administrativ i Kryeministrit – 483.34 euro dhe shtesa 50 euro
  • Asistent i Lartë personal i Kryeministrit – 483.34 euro dhe shtesa 50 euro
  • Fotografi i Kryeministrit – 483.34 euro
  • Zyrtar i Lartë i protokollit të Kryeministrit – 483.34 euro
  • Asistent Ekzekutiv – 362.50 euro
  • Zyrtar sigurimi/vozitës u kryeministrit – 362.50 euro dhe shtesa 100 euro