Kursi i ri politik francez: Skeptikë ndaj NATO-s, rregulla të reja për zgjerim të BE-së

Deklarata e Presidentit francez Emmanuel Macron para gati dy javësh për “vdekjen e trurit” të aleancës ushtarake trans-atlantike, NATO, dhe në veçanti për pikëpamjet e tij për Rusinë dhe rregullat e reja mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian, disa ditë më vonë, mund të kenë ndikim të madh dhe afatgjatë për vetë BE-në dhe Evropën në tërësi.

Këto komente nga lideri francez u bënë pasi që Shtetet e Bashkuara papritmas tërhoqën trupat nga verilindja e Sirisë, duke i mundësuar Turqisë, anëtare e NATO-s, të fillonte një inkursion kundër kurdëve që luftonin kundër Shtetit Islamik, ISIS, marrë parasysh faktin se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia nuk i kishin koordinuar lëvizjet e tyre me anëtarët tjerë të NATO-s sa i përket reagimeve ndaj krizës në Siri, kryesisht përgjatë kufirit turko-sirian.

Diskursi i Macron gjatë kësaj deklarate për gazetën prestigjioze The Economist, nxiti reagime të shumta në Berlin, Bruksel dhe kryeqytetet e tjera evropiane, por jo edhe në Moskë e cila kryesisht e  vlerësoi pozitivisht dhe e aplaudoi deklaratën e presidentit francez.

Ambasadori amerikan në NATO, Kay Bailey Hutchison shprehu papajtueshmërinë e tij me vlerësimin e presidentit Macron për NATO-n”.

“NATO është absolutisht esenciale nëse i vlerësojmë rreziqet me të cilat përballemi të gjithë së bashku dhe mendimi i vetëm njërit prej vendeve tona, ose i një prej grupeve tona të vendeve, duke u përballur me rreziqe të mëdha vetëm për popullsinë tonë, nuk është madje as racional.”

Kancelarja gjermane Angela Merkel i dënoi “gjykimet drastike” të Macron dhe rikonfirmoi angazhimin e Gjermanisë për rolin e saj brenda NATO-s.

Shtete anëtare të NATO-s nga Evropa Lindore të shqetësuara me agresionin rus u tronditën në mënyrë të ngjashme nga qëndrimi i Macron dhe sugjerimi i tij që të bëhej një përafrim me Moskën.

Në përgjithësi, kjo deklaratë e re nga Presidenti francez u pa gjerësisht si një thirrje për Evropën për hartimin e një kursi të ri radikal.

Sipas presidentit francez, argumenti thelbësor ka të bëjë me sigurinë dhe mbrojtjen, dhe për këtë ai konsideron se Evropa duhet të forcojë kapacitetin e saj dhe gatishmërinë për të vepruar, sepse BE nuk mund të mbështetet përjetësisht në një SHBA të paparashikueshme, dhe sepse brenda NATO-s ajo po bllokohet nga veprime të njëanshme, të tilla si veprimi i Turqisë në Siri.

Ky argument, respektivisht argumenti mbi sigurinë dhe mbrojtjen, shpie pashmangshëm në dy përfundime të mëdha pastaj, thuhet më tej në The Economist.

I pari ka të bëjë me faktin se një Evropë me aftësi të forta mbrojtëse dhe me një sovranitet më të zgjeruar do të mund t’i kundërpeshonte më mirë SHBA-të dhe Kinën dhe, argumenti i dytë thotë se BE do të duhej ta rishikonte partneritetin e saj strategjik, përfshirë Rusinë duke marrë parasysh faktin se BE duhet ta mbrojë progresin e saj të arritur përgjatë dekadave, pra të projektojë ndikimin e saj global dhe të ndërtojë një bashkësi kombesh e jo vetëm bashkësi tregjesh.

Me fjalë të tjera, Bashkimi Evropian, BE, duhet ta rivlerësojë politikën e saj të zgjerimit.

“Evropa duhet të bëhet autonome në kuptim të strategjisë dhe aftësisë së saj ushtarake dhe se ne kemi nevojë për ta rihapur një dialog strategjik me Rusinë dhe i cili do të marrë kohë” ka deklaruar Macron për The Economist.

Sipas Macron, ajo çfarë është kuptuar deri më tani thotë se do të duhej ta përshtasim politikën tonë të fqinjësisë me palët e treta të cilat nuk ndajnë të njëjtat interesa me ne.

Megjithatë deklarimet e Macron hasën në vesh të shurdhër tek Presidenti në largim i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili hodhi poshtë idetë e presidentit francez duke e quajtur Rusinë ”agresive” dhe se qëllimi i saj ëahtë minimi i Evropës.

Duke folur para një audience në Kolegjin e Evropës, ish kryeministri polak deklaroi se “Rusia nuk është partneri unë strategjik por është problemi ynë strategjik”, duke shtuar po ashtu se presidenti Macron po përpiqet që me idetë e tija në lidhje me këtë cështje, të njëjta me ato të kryeministrit hungarez Viktor Orban, ti bindë polakët që të ndryshojnë qëndrimet e tyre në raport me Rusinë.

“Ndoshta, por jo me mua, Emmanule”, ishte përgjigjia e Donald Tusk për presidentin francez.

Infografika: Jetë Dobranja për Kallxo.com

Kjo deklaratë e Macron po shihet me shumë skepticizëm nga pjesa tjetër e Evropës e në veçanti nga Gjermania.

Analistë gjermanë deklarojnë se përderisa pikëpamjet e Macron në lidhje me NATO-n dhe Rusinë duken radikale, në shumë aspekte ato përkojnë me mendimet e shprehura nga Annegret Kramp-Karrenbauer, pasardhësja e mundshme e kancelares aktuale, Angela Merkel.

“Ndoshta tani është koha të dihet se në ç’masë Franca dhe Gjermania pajtohen mes vete” ka deklaruar Ulrike Franke, një bashkëpunëtore në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, duke krahasuar një fjalim të fundit të Kramp-Karrenbauer në raport me komentet e bëra nga Macron.

Megjithatë, thirrjet e Macron për të bërë një pauzë sa i përket zgjerimit të mëtejshëm të BE-së dhe rihapjen e saj me Rusinë, shihet si një supozim i pashprehur me fjale duke afektuar direkt Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore pas kundërshtimit francez që këto dy vende të mos nisin negociatat për anëtarësim në BE.

Kjo qasje e Francës, sipas shumë kritikëve, shihet si një dorëzim në mënyrë implicite drejt Rusisë, tashmë kur kjo e fundit e ka tërhequr aleatin e saj në Ballkanin Perëndimor në një marrëveshje tregtare me Bashkimin Ekonomik Euroazian duke ushtruar presion edhe ndaj vendeve tjera në këtë regjion që të bëhen pjesë e kësaj marrëveshjeje.

Për të shkuar edhe më tej drejt këtij diskursi, sic po e quajnë kritikët, shumë radikal, Presidenti dhe diplomacia franceze e kanë hartuar një dokument të titulluar “Strategjia Franceze për Ballkanin Perëndimor”, vetëm një ditë pas organizimit të Samitit të Berlinit të cilin e kishte organizuar Franca dhe Gjermania së bashku, përmbushjen e të cilit, presidenti francez e ka vendosur si kusht për zgjerimin e mëtejshëm të BE.

Plotësimi i këtyre kushteve duhet të bëhet përmes disa detajeve të mëdha, megjithëse 35 kapitujt aktualë do të duhej të reduktoheshin në shtatë fusha tematike kryesore, të cilat duhet të plotësoheshin njëra pas tjetrës.

Sipas propozimit, faza e parë e procesit negociator do të trajtonte sundimin e ligjit, të drejtat themelore, drejtësinë dhe sigurinë, dhe do të ishte e vetmja fazë ndërprerëse, që do të thotë se do të mbetet e rëndësishme për progres në të gjitha seksionet, që është e ngjashme me kriterin aktual  “fillimisht  kriteret bazë”.

Faza e dytë përfshin fusha të tilla si arsimi, rinia, kultura, telekomunikacioni, energjia dhe mjedisi, ndërsa faza e tretë përfshin punësimin, politikën sociale dhe konkurrencën.

Çështjet ekonomike dhe financiare do të mbuloheshin nga faza e katërt, ndërsa tregu i brendshëm dhe bujqësia do të bëheshin pjesë e fazës së pestë.

Faza e gjashtë do ka të bëjë me punët e jashtme, çështje të tjera, përfshirë Kapitullin 35, të përfshirë në fazën e shtatë dhe të fundit.

Sipas këtij dokumenti të lëshuar ditë më parë, Macron shpreson që Franca do ta miratojë këtë strategji në mënyrë që të mund të shtojë angazhimin e saj sa më të madh në stabilizimin e gjashtë vendeve të regjionit, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, për sa i përket zhvillimit të tyre ekonomik dhe shoqëror si dhe forcimit të shtetit të së drejtës.

Përveq riafirmimit të Francës për një përkrahje pa rezervë për vendet e Ballkanit Perëndimor, në të njëjtën kohë propozon që qasja e re e BE-së ndaj këtyre vendeve do të duhej të bëhej në mënyrë graduale, duke aplikuar kushte më të rrepta, me përfitime të prekshme dhe të ndërsjella.

Kjo strategji e propozuar plotëson aktivitetet e ndërmarra në kuadër të Procesit të Berlinit, në të cilin Franca ka marrë pjesë që nga themelimi i saj dhe synon të mbështesë dhe plotësojë rrugën drejt BE-së për vendet e rajonit ballkanik.

Sipas kësaj strategjie, pranimi i vendeve kandidate në BE do të pësojë ndryshime drastike dhe kjo strategji do tu vihet në tavolinë këtë javë ministrave në Këshillin për Cështje të Përgjithshme në Brukselin Zyrtar.

Praktikisht, kjo strategji parasheh që anëtarësimi këtyre vendeve në shtëpinë e BE-së do të arrihej në mënyrë graduale e jo përmes kapitujve siç është interpretuar më parë.

Përveç shtatë fazave, kjo strategji i renditë edhe tri masa tjera.

Masa e parë ka të bëjë me intensifikimin e raporteve të Francës me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në vazhdën e kësaj, Presidenti Francez Macron pati vizituar  Serbinë në  muajin korrik të këtij viti ndërkohë që Ministri Francez për Evropë dhe për Punë të Jashtme do të vizitojë Shqipërinë dhe Kosovën këtë vit.

Masa e dytë ka të bëjë me forcimin e bashkëpunimit dypalësh me vendet e regjionit në katër fusha: ekonomi, siguri, drejtësi dhe mbrojtje.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.

Kur bëhet fjalë për sigurinë, do të merren masa për luftën kundër trafikimit të armëve dhe luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Kjo strategji njëkohësisht parashikon forcimin e bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit si dhe forcimin e mekanizmit të bashkëpunimit operacional për çështje të sigurisë së brendshme.

Në fushën e drejtësisë, strategjia në fjalë thotë se Franca do të vazhdojë me bashkëpunimin teknik në luftën kundër trafikut të drogës, luftën kundër krimit të organizuar si dhe krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore me të gjitha vendet e këtij rajoni.

Faza e fundit, pra faza e tretë, sipas këtij propozimi, ka të bëjë me mbrojtjen ku kjo fushë përcakton një intensifikim të shkëmbimeve me këto vende në aspekt të dialogut dhe vizitave me karakter politiko-strategjik në fushën ushtarake.

Strategjia njeh gjithashtu përparimin që e kanë bërë këto vende gjatë viteve të kaluara, por gjithashtu thekson se ka ende çështje të pazgjidhura me të cilat përballet tani.

Ndër sfidat e paraqituara janë mosmarrëveshjet e pazgjidhura, çështje të ndryshme ekonomike dhe sociale, vështirësi në vendosjen e përhershme të shtetit ligjor, çështjet e sigurisë dhe ndikimet e jashtme që ndikojnë që ky rajon të mbetet sa më larg sferës evropiane.

Përderisa në vendet e rajonit, strategjia e re franceze për një kurs të ri, më radikal sesa ky aktuali, sa i përket zgjerimit të BE-së në rajon, ka pasur reagime të shumta institucionale dhe jo vetëm, në Kosovë, e cila, pa dyshim, në një të ardhme synon anëtarësimin në institucionin e BE-së, kjo strategji nuk është se ka zgjuar ndonjë reagim institucional.

Mirëpo gazetarë, analistë dhe njohës të integrimeve evropiane në Kosovë jane shprehur kritikë sa i përket kësaj strategjie duke vënë theksin tek komplikimet dhe zvarritjet e mundshme drejt integrimit ne BE për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për Enver Robellin, redaktor i politikës së jashtme në gazetën zvicerane ‘Tages Anzeiger’, vizioni i presidentit francez është një BE me një autoritet dhe buxhet të përbashkët në kuptim të kërkesave për azil, politikë unike si dhe për mbrojtjen e klimës dhe kufijëve të BE-së duke vënë në pah faktin se Europa duhet të forcojë komponentën e saj ushtarake, për shkak se, nën Donald Trumpin, Amerika  nuk është më garantuese e pakusht e lirisë dhe sovranitetit tëë Europës.

Sipas Robellit, për të gjitha nismat e tij, të cilat deri më tani kanë qenë të pasuksesshme, Macron e sheh si fajtore Gjermaninë pasi që, sipas tij, kancelarja gjermane Angela Merkel më shumë po e administron status quonë me premtime boshe dhe duke e quajtur atë njëkohësisht kursimtare por edhe dorëshlirë kur vie puna tek anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Si shembull per këtë, Robelli e përmend Serbinë nën Aleksandër Vuçiqin të cilit Berlini zyrtar asnjëherë nuk i ka bërë presion serioz të ndalë aksionet e sabotazhit kundër pavarësisë së Kosovës.

Tutje, redaktori i gazetës ‘Tages Anzeiger’, shton se Macron është ankuar disa herë se aktualisht në rast të regresit në vendet kandidate për anëtarësim, e vetmja gjë që ndodhë është numërimi në vend dhe stagnimi i procesit të negociatave – si në rastin e Turqisë. Këtu do të mund të përmendej edhe Serbia. Ndonëse negocion për hyrje në BE që nga 21 janari 2014, Serbia viteve të fundit ka shënuar hapa pas si rezultat i asaj që mediat nuk janë të lira, korrupsioni është tejet i madh, drejtësia nuk po i afrohet standardeve europiane, presidenti autokratik Aleksandër Vuçiq ka thelluar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë dhe lidhjet ekonomike me hapësirën postsovjetike. Duke marrë shembull Serbinë, Macron mund të thotë se negociatat për hyrje në BE nuk po sjellin përparim në vendet përkatëse, sepse për politikanët më e rëndësishme është ruajtja e pushtetit se sa reformimi i thellë i shtetit, funksionalizimi i institucioneve, sundimi i ligjit, demokracia vetëkontrolluese. Këtu Macron ka një argument që vështirë mund të hidhet poshtë.

Për më shumë, sipas Robellit, mediat gjermane citojnë këshilltarë të Macronit, të cilët hapur flasin për një “shok-terapi” të presidentit francez me qëllim që partnerët, e para së gjithash Gjermania, të zgjohen nga gjumi dhe se një zgjim gjerman nuk mund të pritet. Duke vepruar në stilin e menaxherit dhe jo politikanit Macron ka plasuar idetë e tij pa u konsultuar me kolegët e tij në BE. Por disa vende anëtare të BE-së janë të lumtuara që Macron po e thotë atë që s’kanë pasur guxim ta thonë të tjerët: sa më e ulët gatishmëria e BE-së për pranimin e vendeve të Ballkanit, aq më e madhe gatishmëria e liderëve të vegjël ballkanikë për t’i bërë shtetet e tyre autokraci të mëdha, ka deklaruar për Kallxo, Enver Robelli.

Artan Murati, njohës i integrimeve evropiane si dhe ligjërues në Universitetin e Salzburgut në Austri, thotë se qëllimi i kësaj strategjie është komplikimi i mëtejshëm i procesit integrues në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Strategjia “franceze” nuk është asgjë më tepër sesa tendencë për të komplikuar edhe më shumë të gjithë procesin integrues të Ballkanit perëndimor. Ky intervenim nga Franca vie në një kohë kur ky shtet ka pasur një qasje refuzuese ndaj shteteve të Ballkanit në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Vetoja e Francës e pamundësoj hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kurse për Kosovën Franca vazhdon të mbetet ndër pengesat kryesore në procesin e (mos)liberalizimit të vizave”, ka deklaruar Murati për Kallxo.com

Sipas tij, ky pozicion i ri francez veçse do ta ngadalësojë edhe më shumë procesin integrues drejt BE-së duke shtuar se “kërkesat e BE-së dhe të shteteve anëtare ndaj Ballkanit duhet të jenë realiste dhe të afatizuara me afate të matshme, jo vetëm të vendosen si të tilla pa ndonjë mbikëqyrje adekuate.”

Tutje, njohesi i integrimeve evropiane, shton se nevojitet një dizajnim i ri i krejt procesit integrues pasi që procesi aktual po karakterizohet me mungesë funksionimi, marrë parasysh faktin se ky propozim nuk është as më i kompletuari dhe assesi më i favorshmi për Ballkanin, por, megjithatë, ka hapur një diskutim të domosdoshëm mbi të cilin BE duhet të reflektojë”

Analisti politik, Agon Maliqi, vë në pah dimensionin politik të këtij propozimi duke deklaruar se ky propozim më shumë ka si synim krijimin e pengesave dhe hapësirës për gjykime subjektive politike.

Emannuel Macron dhe Donald Trump – Foto: REL/EPA-EFE

“Duket se propozimi francez synon që të krijojë mëe shumë hapa dhe hapësirë për gjykime subjektive politike të shteteve anëtare, që ëfare pak të bëjnë me kritere – pra te krijoje pengesa.”

Sipas Maliqit, propozimi i ri do të krijonte hapësire për shtetet skeptike ndaj zgjerimit për t’i bllokuar ato që kanë si synim anëtarësimin, përmes kalimit në disa faza dhe me gjithë faktin se Franca është shprehur në favor të një perspektive të këtij rajoni në BE, dalja me një strategji të këtillë jep sinjale se ajo nuk do të pranojë që në BE të futen shtete të cilat më pas bëhen problematike në aspektin e sundimit të ligjit (e tillë si Hungarina), apo edhe në aspekt të krimit dhe korrupsionit (të tilla si Rumania dhe Bullgaria).

Analisti Maliqi konsideron se Franca, e cila historikisht njihet si skeptike ndaj zgjerimit të BE-së, dëshiron të imponohet si një faktor bllokues për të ardhmen e rajonit, duke e parë Evropën Lindore si pjesë të pazareve në ridefinimin e balancës së fuqive brenda BE-së (në veçanti në raport me Gjermaninë), pas largimit (në tentativë) të Britanisë së Madhe nga institucioni i BE-së.

Ndërkohë, si përgjigjie ndaj strategjisë franceze për zgjerim të mëtejshëm, gjashtë vende anëtare të BE-së: Austrija, Italia, Slovenija, Sllovakia, Çekia dhe Polonia, i kanë paraqitur një letër Komisionit Evropian përmes së cilës shprehin gatishmërinë e tyre se do të angazhohen edhe më shumë për të përmirësuar procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE duke shtuar po ashtu se procesi aktual i pranimit të këtyre vendeve është “i ngadaltë dhe i pabarabartë” si dhe i kanë bërë thirrje KE-së që të paraqesë propozime konkrete deri në muajin janar të vitit 2020 se si të përmirësohet efektiviteti i procesit të pranimit, si një mjet për të mbështetur reformën dhe integrimin e Ballkanit perëndimor.

Në anën tjetër, ekspertë të ndryshëm evropianë, shprehen se disa nga ndryshimet janë të mundshme brenda rregulloreve ekzistuese dhe mund të zbatohen shpejt.

Sipas tyre duhet të ketë një kontroll më të fortë drejt hapave reformues që po ndërmerren nga vendet kandidate – dhe se kjo është e nevojshme për të ndërtuar besim tek shtetet anëtare, në mënyrë të pavarur nga kërkesat franceze të cilat janë bërë publike në Strategjinë më të re të diplomacisë franceze në raport me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ekzistojnë disa elementë në këtë dokument strategjik që mund të inkurajojë vendet kandidate në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, dhe kjo mund të ngadalësojë ndjeshëm procesin e pranimit në BE.

Sigurisht, duhet pritur edhe reagimin e vendeve tjera anëtare të BE-së nëse edhe ato do ta pranojnë propozimin francez.