
Profesorët amerikanë Charles Kupchan dhe Daniel Serwer.
Kupchan dhe Serwer vlerësojnë se nëse Kurti rizgjidhet Kryeministër do t'i shtohet presioni nga SHBA
Dy profesorë amerikanë vlerësojnë se rënia në përqindje e elektoratit të kryeministrit Albin Kurti, krahasuar me vitin 2021, është ndikuar mes të tjerash edhe nga raportet e tij me Amerikën. Të dy vlerësojnë që nëse Kurti zgjidhet sërish Kryeministër, do të hasë në vështirësi me Grenellin.
Një javë para Zgjedhjeve në Kosovë, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Misione të Posaçme, Richard Grenell, i hodhi disa “shigjeta” në drejtim të kryeministrit kosovar, Albin Kurti. Përmes shkrimeve në rrjetet sociale, ai e cilësoi Shefin e Qeverisë së Kosovës, si “dëmtues” të raporteve Kosovë-SHBA. Por, ndaj kritikave nuk qëndroi krejtësisht indiferent as Kurti. Ai tha se përkundrazi raportet me SHBA-të kurrë më mirë nuk kanë qenë.
Dy profesorë amerikanë të cilët e njohin situatën në Kosovë, Charles Kupchan dhe Daniel Serwer, vlerësojnë se një ndër arsyet që Kurti dhe partia e tij, LVV-ja, pësuan rënie në përqindjen e elektoratit, krahasuar me Zgjedhjet e vitit 2021, është krijimi i bindjes se marrëdhëniet mes dy vendeve janë “ftohur pakëz”. Pritjet e tyre janë se nëse Kurti zgjidhet sërish Kryeministër, do të përballet me më shumë kërkesa nga Administrata Trump sesa nga ajo e pararendësit të tij, Joe Biden.
Bazuar në rezultatet paraprake, deri më tani Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka grumbulluar 40.87%, apo 340.541 vota – pa përfshirë këtu votat nga diaspora, ato me kusht dhe votat e personave me aftësi të veçanta. Për dallim nga tash, në Zgjedhjet e vitit 2021, kjo parti i kishte marrë 50.2%, apo 438.335 vota. Në Zgjedhjet e 9 shkurtit, Kurti synonte t’i merrte 500 mijë vota – duke synuar fitore “plebishtare” apo “referendum”.
“Administrata Trump mund të ushtrojë më shumë presion mbi Kosovën”
Charles Kupchan, ish-drejtor i Çështjeve Europiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, supozon se performanca e prapambetur ekonomike e Kosovës dhe nivelet e ulëta të të ardhurave janë arsyet kryesore për rënien e përqindjes elektorale të Kurtit.
Pos këtyre arsyeve, ai mendon se “nacionalizmi konfrontues” i Kurtit i ka pasur dy efekte.
“Luajtja e kartës nacionaliste zakonisht ka sukses në grumbullimin e elektoratit. Në të njëjtën kohë, votuesit e tjerë u mbyllën nga tensionet që u shfaqën si me BE-në, ashtu edhe me SHBA-në gjatë udhëheqjes së Kurtit.” – tha ai për KALLXO.com.
Sidoqoftë, ai vlerëson se mund të ndodhë që Kurti të ketë një qasje më pragmatike për të ecur përpara.
“Administrata Trump mund të ushtrojë më shumë presion mbi Kosovën sesa Administrata e Bidenit. Komentet e Grenellit sugjerojnë se Kurti do të ishte i mençur të moderonte qëndrimin e tij, nëse dëshiron një marrëdhënie të mirë pune me Uashingtonin.” – shtoi ai.
Grenell ndërhyri direkt në fushatën zgjedhore në Kosovë. Kështu u vlerësua edhe nga shefja e Misionit të Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EOM), Nathalie Loiseau, se gjatë fushatës Grenell kritikoi Kurtin dhe “kjo mund të përshkruhet si diçka jodiplomatike”.
“Marrëdhëniet kurrë nuk kanë qenë në nivel më të ulët. Albin Kurti është dënuar nga Administrata e parë Trump, Administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada e SHBA-së, Anthony Blinken etj.” – shkruajti Grenell në X, duke e quajtur Kurtin “deluzional”.
Ndonëse, Kurti nuk pranoi të japë qëndrim direkt sa i përket deklaratave të Grenellit, ai tha se marrëdhëniet me SHBA-në kurrë më mirë nuk kanë qenë, duke përmendur se po blejnë helikopterë “Black Hawk”, Sistemin “Javelin” antitank dhe se grantin më të madh ndonjëherë prej SHBA-së Kosova e ka marrë në mandatin e Qeverisë së tij nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit për bateritë.
“Ne e kemi bërë avancimin, kur raportin me Amerikë nuk e kemi veç diplomatik, por e kemi edhe në mbrojtje e gjithashtu edhe në zhvillim e energji. Kurrë ma mirë nuk u kanë. A ka nganjëherë kritika? A ka vërejtje? Po, ne duhet me ec përpara.” – ka deklaruar Kurti.
“Grenell e urren Kurtin”
Daniel Serwer, profesor në Universitetin “Johns Hopkins”, beson që e ardhmja e Kosovës sot varet më shumë nga ajo që ndodh përtej kufijve të saj, sesa nga “rezultati i paqartë zgjedhor”.
Serwer tha se Administrata Trump është një lajm i keq për Kosovën, siç janë edhe Zgjedhjet e ardhshme në Europë. Ai përmend forcimin e së djathtës në Gjermani, e cila sipas tij do të pengojë zgjerimin e BE-së.
“Richard Grenell, ish i dërguari i Trumpit, po u thotë të gjithëve në Ballkan se do të jetë sërish në krye të rajonit. Ai e urren Kurtin. Herën e fundit ai u përpoq të ndante Kosovën. Me shumë mundësi ai do të provojë përsëri.” – theksoi Serwer, duke shtuar që nëse nuk e bën të parën, ai do të insistojë në vetëqeverisjen e serbëve në veri që “komprometon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”.
“Dhe, ai do të mbajë kontrollin mbi anëtarësimin në NATO si një shkop. Ai do të përdorë, gjithashtu, ndihmën e USAID-it, e cila do të duhet të shkrihet.” – tha ai.
Serwer thotë se kryeministri Kurti kryesoi me një diferencë pothuajse 2/1 ndaj konkurrentit të tij më të afërt, por e humbi shumicën në Parlament.
Në këndvështrimin e tij, mbase Kurti mund ta bëjë shumicën në Kuvend me votat e pakicës, por nuk do të mjaftohet me këtë dhe do të ketë nevojë për ulëset ose të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ose të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të rifituar shumicën.
Sipas tij, LDK-ja duket më e hapur ndaj kësaj ideje.
“Mënyra se si ai ka qeverisur do ta vështirësojë atë. Edhe PDK-ja, edhe AAK-ja kanë thënë se nuk kanë dëshirë të qeverisin me VV-në. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet, veçanërisht nëse ai është i gatshëm të heqë dorë nga Kryeministria.” – tha ai.
Sidoqoftë, ai beson që presidentja Vjosa Osmani do t’i japë Kurtit një shans për të krijuar një shumicë parlamentare dhe nëse ai dështon, PDK-ja mund të ketë një shans për të sjellë një Qeveri që përfshin partitë e tjera opozitare.
Por, nëse Kurti e mban Kryeministrinë në koalicion me një parti opozitare, Serwer thotë se SHBA dhe BE do t’i bëjnë presion atij që të konsultohet më shumë.
“Ata duan që ai të tregojë më shumë fleksibilitet në trajtimin e Serbisë. Kjo nuk ka të ngjarë të japë rezultate, duke pasur parasysh përvojën e kaluar.” – tha ai.
Megjithatë, ai vlerëson që me këtë skenar pothuajse çdo Kryeministër alternativ i imagjinueshëm do të përpiqet të reduktojë tensionet me SHBA-në dhe BE-në, pasi që të gjitha partitë e tjera politike e kanë kritikuar Kurtin për mosfleksibilitet.
Historiku i raportit Kurti-Grenell
Richard Grenell, i cili që në Presidencën e parë të Trumpit ka shërbyer edhe si Emisar i SHBA-së për Dialogun Kosovë-Serbi, kishte pasur mospajtime me Albin Kurtin në mandatin e tij të parë. Kurti kishte deklaruar në Euronews, më 28.04.2020, se ambasadori Grenell nuk ishte neutral në rolin e tij.
Ndër Vendimet e para të Qeverisë Kurti në atë kohë kishte qenë vendosja e masave të reciprocitetit me Serbinë – vendim ky me të cilin nuk ishte pajtuar në atë kohë Grenell dhe kishte bërë thirrje të vazhdueshme për t’u larguar.
“Grenell në tetor dhe në janar ka qenë në Kosovë dhe unë e kam takuar dy herë. Fillimisht, pati thënë që Kosova duhet ta heqë tarifën, ndërsa në anën tjetër Serbia duhet ta ndërpresë fushatën kundër Kosovës. Mirëpo, kur shkoi në Beograd në janar këtë pjesën e dytë e hoqi dhe thoshte se vetëm Kosova duhet ta heqë tarifën dhe trysnia e tij në fillim u shpreh me një lloj insistimi që nuk donte të diskutohej.” – deklaronte Kurti në prill 2020, disa javë pasi ishte shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës përmes partnerit të atëhershëm qeverisës, LDK-së.
Kurti e kishte akuzuar Grenellin se ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në mocionin e mosbesimit të thirrur nga LDK, për të shkarkuar atë dhe Qeverinë e tij.
“Pra, ai ka pasur një rol joneutral. Më shumë një rol aktiv. Bëhet fjalë për një Emisar shumë të rëndësishëm, mirëpo gjithashtu unë nuk kam pranuar që ta vë në pikëpyetje interesin e Kosovës, sepse reciprociteti është gjëja më normale në marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Mendoj se ai ka qenë i interesuar për një Marrëveshje sa më të shpejtë.” – kishte thënë mes të tjerash Kurti, në një intervistë, më 28.03.2020.
Por, më shumë se 1 vjet më vonë, pas një debati të ringjallur në publik se kush ishte arsyeja kryesore e shkarkimit të Qeverisë Kurti 1, ish-kryetari i LDK-së në atë kohë, Isa Mustafa kishte përgënjeshtruar se Richard Grenell i kishte kërkuar LDK-së shkarkimin e Qeverisë.
“Z. Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK-ja sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Dhe, askush nga SHBA. LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate.” – kishte shkruar Isa Mustafa.
Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, drejtimin e Qeverisë e kishte marrë deri në atë kohë zëvendësi i tij, Avdullah Hoti.
Avdullah Hoti ishte bërë Kryeministër, më 03.06.2020, përmes një Koalicioni mes LDK-së, AAK-së, Nismës e Listës Serbe. Ai kishte marrë 61 vota pro.
Disa muaj më vonë, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë ishte nënshkruar Marrëveshja e Uashingtonit.
Por, në dhjetor 2020 kishte rënë Qeveria Hoti pas një Vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte konstatuar se njëra nga votat që e kishte bërë Kryeministër Avdullah Hotin ishte e paligjshme.
Sipas Vendimit të Kushtetueses vota e deputetit Arifi e cila ka qenë vendimtare për Qeverinë Hoti është shpallur e pavlefshme, pasi që të njëjtin Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 1 vjet e 3 muaj burgim për veprën penale: “mashtrim me subvencione”.
Zgjedhjet që u mbajtën pas rënies së Qeverisë Hoti, më 14.02.2021, u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Guxo, me mbi 50%.