Kulturë mohimi: Pse kaq pak kriminelë lufte ndihen fajtorë

Disa nga kriminelët e luftës nga konfliktet e viteve 1990 që e pranuan fajin e tyre në gjykatë folën për BIRN për arsyen pse ata e bënë këtë, edhe pse disa thonë se ata shprehën pendim vetëm për të përfituar dënime më të ulëta.

“Përveç Milan Babiç,nuk di asnjë kriminel tjetër lufte që të jetë penduar sinqerisht. Ashpërsia e krimit dhe izolimi që pasuan pendimin e tij çuan qartë në vetëvrasjen e tij”, tha për BIRN Vesna Terseliç, drejtoresha e Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën me qendër në Zagreb.

“Në gjykatat kombëtare nuk ka pothuajse të penduar ‘të sinqertë’. Nga vëzhgimi i gjykimeve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, mund të konkludohet se janë shumë pak që janë penduar sinqerisht. Dragan Obrenoviç dhe Miroslav Bralo dallojnë”, tha Natasa Kandiç, themeluese e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd.

“Nuk di ndonjë kriminel lufte të penduar, të cilit mund t’i besoj”, tha Mirsad Tokaca, drejtor i Qendrës për Hulumtim dhe Dokumentim me qendër në Sarajevë.

Babiç, Obrenoviç dhe Bralo janë tre nga dhjetëra kriminelë lufte, të cilët kanë pranuar fajin e tyre gjatë qindra dënimeve të të pandehurve nga Serbia, Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Mohimi i përgjegjësisë për luftën mbetet i përhapur në të gjithë ish-Jugosllavinë dhe disa nga ata që e kanë mohuar fajin e tyre trajtohen si heronj në vendet e tyre të lindjes.

“Dikush që pranon fajin e tij shihet si tradhtar”, tha Dusko Tomiç, një avokat nga Sarajeva që ka mbrojtur njerëz të akuzuar për krime lufte.

“Unë i kam inkurajuar klientët e mi që të pranojnë fajësinë, nëse ekzistonte një bazë për këtë. Sidomos ata me fëmijë, kështu që barra e tyre nuk do të trashëgohej. Por në Ballkan, fëmijët e kriminelëve të dënuar të luftës janë krenarë për baballarët e tyre”, tha Tomiç për BIRN.

Pendim i sinqertë apo strategji cinike?

Shumica e pranimeve të fajësisë ndodhën në gjyqet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë dhe në gjykatat në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Pranimi i fajësisë është një mjet i fuqishëm për zbulimin e së vërtetës dhe pajtimin e mundshëm. Por shumë pak dihet dhe flitet nëse pranimet e fajësisë kanë pasur ndikim jashtë sallave të gjyqit”, tha për BIRN Refik Hodziç, një aktivist i drejtësisë tranzicionale dhe një ish-zëdhënës i ICTY-së.

“Unë do të thoja që ato janë anuluar sepse askush nuk dëshiron të dëgjojë për fajin e popullit të tyre”, argumentoi ai.

Gjyqtarët e ICTY-së vazhdimisht kanë bërë një lidhje pozitive midis pranimeve të fajësisë dhe pajtimit. Por duke qenë se pranimi i fajit është kryesisht rezultat i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, në të cilat prokuroria bie dakord ose të rrëzojë akuza të caktuara dhe/ose të rekomandojë dënimin me burg brenda një afati të caktuar, potenciali pajtues i këtyre pranimeve të fajësisë është i diskutueshëm. A janë shprehjet e keqardhjes nga ana e të pandehurve një pendim i vërtetë, apo ato janë thjesht përpjekje të llogaritura për të fituar një dënim të reduktuar?

Asnjë nga tre të pandehurit e penduar që konsiderohen të sinqertë nga Terseliç dhe Kandiç nuk ishte në dispozicion për të komentuar ato që mendojnë sot për pranimin e fajësisë nga ana e tyre.

Milan Babiç kreu vetëvrasje në vitin 2006 ndërsa vuante një dënim për krime kundër civilëve kroatë. Në ICTY, ai dëshmoi kundër një numri zyrtarësh serbë. Ai tha se kishte frikë për sigurinë e familjes së tij për shkak të dëshmive dhe pendimit të tij.

Miroslav Bralo po vuan dënimin në Suedi për krime kundër civilëve boshnjakë të cilat ai i kreu si anëtar i një njësie speciale të Ushtrisë Kroate. Bralo pranoi fajësinë në gjykimin e tij, por kohët e fundit iu refuzua lirimi me kusht sepse ai nuk ka shprehur pendim që atëherë dhe madje ka mohuar disa prej krimeve që rrëfeu.

Dragan Obrenoviç vuajti dënimin e tij si një komandant i forcave serbe të Bosnjës që morën pjesë në gjenocidin e Srebrenicës. Pas lirimit të tij, ai ndryshoi identitetin e tij dhe jeton jashtë vendit.

Në gjyqin e Obrenoviçit, dhoma e gjykimit e ICTY-së zbuloi se pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit “është me të vërtetë e rëndësishme dhe mund të kontribuojë në përmbushjen e mandatit të Gjykatës për rivendosjen e paqes dhe promovimin e pajtimit”.

Pasi Obrenoviç dhe shoku i tij në krim Momir Nikoliç pranuan fajin e tyre në 2003, Emir Suljagiç nga Srebrenica shkroi në një artikull të Neë York Times se “rrëfimet më kanë dhënë një ndjenjë lehtësimi që nuk e kam njohur që nga rënia e Srebrenicës në vitin 1995. Ato më kanë dhënë atë që kam kërkuar këto tetë vitet e fundit. Ne myslimanët boshnjakë nuk kemi më nevojë të dëshmojmë se ishim viktima.”

Sot, Suljagiç është drejtori i Qendrës Përkujtimore në Potocari, e themeluar në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Ai tha për BIRN se vitet që kanë kaluar nga rrëfimi i Obrenoviçit kanë fshirë çdo bindje që ai kishte në lidhje me faktin se pranimet e fajësisë mund të rrëzojnë barrierat e mohimit dhe heshtjen për krimet e luftës.

“Kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, mohimi i krimit ka marrë një jetë të vetën sepse politika serbe i shpërfill faktet. Përveç kësaj, jashtë sallës së gjyqit, askush nuk ka marrë përgjegjësi për kryerjen e krimeve apo ka thënë se ata ishin fajtorë”, tha ai për BIRN.

Suljagiç lindi dhe ende jeton në Bratunac, ku në korrik 1995 ndodhën disa nga masakrat e boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës pas rënies së Srebrenicës, dhe ku serbët dhe boshnjakët ende jetojnë së bashku.

“Gjatë këtyre viteve s’kam dëgjuar kurrë asnjë të flasë për fajin e tyre. Dhe shumë morën pjesë në krimet masive”, tha ai.

“Kur heshtim, ne e dimë se për çfarë po heshtim dhe kur flasim, e dimë se për çfarë nuk po flasim. Kështu e jetojmë ne jetën këtu.”

“Unë fle dhe ëndërroj i qetë”

Damir Ivankoviç mori pjesë në krimet masive që u kryen në komunën e Prijedorit të Bosnjës. Si anëtar i forcës policore serbe të Bosnjës, ai u përfshi në vrasjen e rreth 200 civilëve boshnjakë dhe kroatë gjatë një dite në gusht 1992.

Pasi bëri një marrëveshje pranimi fajësie në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, Ivankoviç dëshmoi kundër pjesës tjetër të të pandehurve dhe foli me detaje të mëdha për krimin dhe përfshirjen e tij në vrasje.

Pranimi i fajësisë nga ana e Ivankoviçit ishte shumë i rëndësishëm për Edin Ramuliçin. Ramuliç është gjithashtu nga Prijedori, ku ndodhën shumë mizori gjatë luftës. Ky qytet i vogël me më pak se 100,000 banorë ka numrin më të madh të kriminelëve të dënuar të luftës në Bosnje – gati 50 të tillë.

Shumica e tyre i kanë vuajtur dënimet e tyre dhe janë të lirë. Ramuliçi i has ndonjëherë në qytet. Ai i kujton mirë fytyrat e tyre nga seancat gjyqësore.

Ka mundësi që askush në Prijedor të mos ketë kaluar më shumë kohë sesa ai në gjyqet e krimeve të luftës. Ai kishte shumë arsye për ta bërë këtë. Babai dhe vëllai i tij u vranë, ashtu siç ndodhi edhe me miqtë, të afërmit dhe fqinjët e tij. siç e thotë edhe ai vetë, jeta siç e njihte ai u shkatërrua.

Ai e konsideron një njeri të quajtur Dragan Koludzija përgjegjës për vdekjen e babait të tij. Kolundzija pranoi fajësinë në ICTY për krimet e kryera gjatë kohës që ai ishte roje në objektin e paraburgimit në Keraterm afër Prijedorit.

“Për mua, kishte shumë rëndësi që ai foli për fajin e tij të paktën një herë gjatë gjyqit, duke pranuar se ajo që bëri ishte e gabuar. Por pasi vuajti dënimin, ai mohoi gjithçka në televizionin federal boshnjak”, tha Ramuliç për BIRN.

Damir Ivankoviç mund të jetë një rast ndryshe, tha Ramuliç. Edhe një prokuror në gjyqin e Ivankoviçit theksoi “pendimin dhe brerjen e tij të sinqertë të ndërgjegjes” dhe “gatishmërinë për të shprehur keqardhje për viktimat”.

Ivankoviç tha në gjykatë: “Unë dëshiroj të pranoj fajësinë për kryerjen e këtij krimi. Nuk më është premtuar asgjë për këtë rrëfim, të gjitha vijnë nga një ndërgjegje e qartë.”

Pasi pranoi fajësinë, ai u dënua në vitin 2009 me 14 vjet burg. Por kur BIRN e vizitoi atë në burg në Mostar në Bosnjë dhe Hercegovinë, ai mohoi të ketë vrarë ndonjë.

“Unë fle dhe ëndërroj i qetë. Nëse do të kisha shkrepur qoftë edhe një plumb, nuk do të flija aq i qetë”, pohoi Ivankoviç.

Gjatë gjyqit të tij, ai përshkroi vrasjet e rreth 200 civilëve dhe përmendi “se kishte shkrepur një breshëri të tërë”. Tani ai tha se ishte urdhëruar të qëllonte, por se nuk kishte pranuar ta bënte këtë.

Njerëzit u çuan me autobusë në shkëmbinjtë e malit Vlasic, u detyruan të rrinin në buzë të një gremine dhe u qëlluan. Ivankoviçi u dërgua poshtë t’i jepte fund të mbijetuarve.

“Unë nuk mund t’i qëlloja njerëzit. Thjesht i dhashë një armë një burri që m’u përgjërua t’i jepja fund dhimbjes së tij”, tha ai. Ai tha se e kishte pranuar fajin në këmbim të një dënimi më të shkurtër.

“Gjyqi ishte një katastrofë. Kisha frikë se do të përfundoja keq, nëse nuk pranoja marrëveshjen për pranimin e fajësisë. Kisha një fëmijë të vogël dhe doja të dilja sa më shpejt nga burgu”, tha ai.

Djali i tij sot është rritur. Çfarë i tha ai për arsyen pse i ati i tij është në burg? “I kam treguar gjithçka. Ai e di që babai i tij nuk është një vrasës”, u përgjigj Ivankoviç.

Kur BIRN i tregoi Edin Ramuliçit në lidhje me mohimin e Ivankoviçit se ai mori pjesë aktive në krimet për të cilat u dënua, Ramuliç nuk u befasua. Shumë kriminelë lufte më pas e kanë mohuar fajin që kanë pranuar në gjykatë.

“Nuk kam bërë asgjë të gabuar”

Si lidere politike e serbëve në Bosnje, Biljana Plavsiç u padit nga ICTY për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Pasi ajo pranoi fajësinë dhe bëri një deklaratë pendese, prokuroria hodhi poshtë akuzën për gjenocid.

Plavsiç është i vetmi person në mesin e zyrtarëve të niveleve të larta nga cilado anë e konflikteve jugosllave që publikisht shprehu keqardhje për krimet e kryera. Ajo u dënua me 11 vjet burg dhe më vonë fitoi lirim të parakohshëm.

Por ndërsa ishte ende në burg në vitin 2009, Plavsiç e tërhoqi pas rrëfimin e saj në një intervistë për revistën suedeze Vi. Ajo pretendoi se e kishte pranuar fajësinë në një përpjekje që akuzat e mbetura kundër saj të rrëzoheshin.

“Unë nuk kam bërë asgjë të gabuar”, tha ajo.

Ndërsa pranoi fajin e saj në ICTY, ajo deklaroi: “Pranimi se jam përgjegjëse për vuajtje të tilla njerëzore do të më ndjekë gjithmonë nga pas.”

BIRN e pyeti atë për deklaratën në një telefonatë. A rëndon ende në ndërgjegjen e saj ideja se ajo ishte përgjegjëse për për një vuajtje të tillë, siç tha ajo në gjykatë?

“Nuk e mbaj mend atë deklaratë. Kjo ka ndodhur shumë kohë më parë”, u përgjigj Plavsiç.

E pyetur drejtpërdrejt se cili është qëndrimi i saj për pranimin e fajësisë, ajo u përgjigj: “Çdo gjë kalon. Përpiqem ta harroj atë periudhë.”

“Është e lehtë të mohosh deri kur dëgjon viktimat”

Esad Landzo donte të harronte, por nuk mundej. Ai ishte i vetëdijshëm për atë që bëri, por vazhdonte ta bindte veten se thjesht po zbatonte urdhrat. Pastaj ai u përball me dëshmitarët në sallën e gjyqit në Hagë.

kreu ndërsa ishte roje në kampin e paraburgimit Celebici në komunën Konjic të Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 1992. Ai ishte 19 vjeç.

“Është e lehtë të mohosh deri kur dëgjon viktimat. Por kur i dëgjon, e kupton se ata po thonë të vërtetën. Ishte njësoj si të zgjohesha nga një ëndërr dhe të kuptoja se po jetoja në një makth”, tha Landzo BIRN në intervistën e tij të parë të gjatë për mediat ballkanike.

Atëherë nisi edhe pagjumësia e tij, zërat dhe ulërima në kokë. Ai filloi të shkonte në terapi ndërsa ishte në Hagë dhe e bëri këtë për vite me radhë.

“Gjykata më shpëtoi; ajo më dha një jetë të re. Mora të gjithë ndihmën që më duhej atje”, tha ai për ICTY, e cila i dha atij një dënim prej 15 vjet burg për tortura, kryerje të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

“Dënimi nuk ishte problem. Unë e konsideroja veten fajtor dhe doja të ndëshkohesha”, kujtoi ai.

Ai llogariti se takoi të paktën 90 të burgosur gjatë shtatë viteve që kaloi pas hekurave në ICTY. Ai kurrë nuk foli për fajin me asnjë prej tyre.

“Diskutimet mbi luftën shmangeshin me çdo kusht. Ne e dinim pse ishte atje secili prej nesh, por nuk flisnim për këtë, aq më pak të flisnim për faj, përgjegjësi, ëndrra të këqija”, tha ai.

Landzo u lirua nga burgu në vitin 2006 pasi kreu 10 vjet. Ai e kreu dënimin e tij dhe mund të kishte bërë një jetë të qetë, siç kanë bërë kriminelët e tjerë të dënuar të luftës, pa folur përsëri për të kaluarën përsëri në publik.

Por ndërgjegjja e tij bëri që ai të nxirrte më të mirën nga vetja. Ai dëshironte t’u kërkonte falje viktimave.

Regjisori danez Lars Feldballe-Petersen realizoi një film dokumentar me titull “The Unforgiven” për për kërkimin e Landzos të viktimave të tij.

“Ishte e rëndësishme për mua të shihja fytyrat e njerëzve që kam lënduar dhe të kërkoja ndjesë. Nuk prisja falje. Dhurata më e madhe ishte që ata pranuan të më takonin”, tha ai.

Ai tani jeton në Finlandë dhe thotë se rruga e tij për të pranuar dhe përballur me veten nuk do të kishte ndodhur nëse ai s’do të ishte dënuar në Hagë dhe të kishte qëndruar në Bosnjë.

“Komuniteti atje nuk të inkurajon të vësh në dyshim përgjegjësinë tënde. Dhe nuk mora asnjë mbështetje për pendimin tim në Bosnje. Përkundrazi”, tha Landzo.

“Por unë po e bëj këtë për vete. Doja të ndryshoja, të bëhesha një njeri më i mirë”, vazhdoi ai. “Por të tjerët mund të kalojnë të njëjtin proces që kalova unë dhe kanë nevojë për mbështetje.”

Qindra mijëra njerëz morën pjesë në luftë në ish-Jugosllavi. Shumë prej tyre kryen krime. Disa u dënuan, disa nuk u ndoqën penalisht asnjëherë.

Por, siç tha Lanzdo, me siguri duhet të ketë edhe të tjerë mes tyre që nuk flenë të qetë dhe “dëshirojnë ta fshijnë atë shtresë balte nga vetja e tyre”, siç bëri ai.

Ky artikull u realizua si pjesë e skemës së granteve të Drejtësisë Tranzicionale të BIRN, mbështetur nga Komisioni Europian.