Ilustrim

Kulti i Putinit në Serbi pasqyron një komb që ende nuk është marrë me të kaluarën e tij

“Ukraina sulmon Rusinë!” ishte titulli surreal i një raporti në edicionin e 22 shkurtit të Informer, tabloidit më të shitur në Serbi. Ai titull nuk ishte i vetmi, dhe ishte një shprehje e Putinofilisë që ka qenë shumë prezente në Serbi prej vitesh. Ndërkohë që shumica e botës e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, shumica e mediave në Serbi iu bashkuan glorifikimit të veprimeve të Rusisë.

Tabloidët, portalet në internet, të përditshmet, të përjavshmet dhe kanalet televizive mbarëkombëtare e festuan shkatërrimin e qyteteve të Ukrainës dhe u kanë dhanë mbështetje me gjithë zemër forcave të armatosura ruse. Vrasja e civilëve, rrafshimi i qyteteve dhe shkatërrimi i monumenteve të kulturës dukej se i mbushnin disa nga redaktorët e Serbisë me entuziazëm të madh.

Në Beograd u organizuan dhe zhvilluan tubime pro-ruse, në të cilat turma brohoriste emrin e Putinit dhe shkronja Z shkarravitej nëpër asfalt. Pjesa tjetër e botës po shtangohej teksa po e shikonte mbulimin në kohë reale të kufomave në rrugët e Buchas, civilët që strehoheshin nga predhat ruse në stacionet e nëndheshme dhe miliona refugjatë që po largoheshin nga vendi i tyre, por në vend të dhembshurisë për viktimat e pafajshme, mirëkuptimi për kriminelët doli të jetë përgjigja e tifozëve serbë të Putinit.

Nëse aleatët e presidentit Aleksandar Vuçiq në mediat serbe duken të dëshpëruar për vdekjet dhe shkatërrimin në Ukrainë, i njëjti pretendon se vendi të cilin e udhëheqë, Serbia, është politikisht neutral.

Serbia ka votuar kundër dëshirës së saj në favor të rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që e dënojnë përdorimin e forcës nga Rusia në aneksimin e paligjshëm të territorit ukrainas. Por qeveria e Vuçiq ka refuzuar vazhdimisht t’i mbështesë sanksionet perëndimore kundër Rusisë.

Zyrtarë evropianë, senatorë amerikanë dhe të dërguar të ndryshëm janë dyndur tek Vuçiq, duke i thënë se është koha për të zgjedhur: Serbia do të jetë pjesë e Evropës apo aleate e Rusisë? Me gjithë presionin, Vuçiq e mban Serbinë në një limbo.

Megjithatë, nuk mund të ketë asnjë neutralitet kur bëhet fjalë për fushatën e Rusisë kundër Ukrainës. Të mbetesh asnjanës ndërkohë që një xhelat therr një viktimë do të thotë moralisht ta anashkalosh xhelatin.

Pozicionimi i Serbisë ndaj luftës në Ukrainë kërkon një kontekst shtesë. Ndërkohë që në vende të tjera, agjencia shtetërore ruse e lajmeve, Sputnik, dhe kanali televiziv rus RT e shpërndajnë propagandën e Kremlinit, në Serbi shumica e mediave vendase veprojnë sikur ata vetë janë pjesë e makinerisë ruse nën komandën e mbikëqyrësve të komunikimit të Kremlinit.

Problemi nuk kufizohet vetëm në media. Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga ideologjia nacionaliste e Serbisë së Madhe që çoi në luftërat e ish-Jugosllavisë. Përjashtimi i vetëm ishte qeverisja e shkurtër nën Zoran Gjinxhiqin, por ajo qeverisje u ndërpre me vrasjen e tij në vitin 2003.

Udhëheqësit politikë të sotëm serbë ishin pjesëmarrës në luftërat e viteve 1990. Vuçiq ishte zyrtar i lartë i partisë Radikale Serbe të të dënuarit për kriminel lufte Vojislav Sheshelj. Partneri i tij i koalicionit Ivica Daçiq, lider i Partisë Socialiste të Serbisë, ishte zëdhënës i Slobodan Millosheviqit.

Një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vuçiqit, ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, filloi karrierën e tij si funksionar i së Majtës Jugosllave, partia e themeluar nga gruaja e ndjerë e Millosheviqit, Mirjana Markoviq. Ministrja e sotme për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq, ka punuar në revistën e partisë Radikale Serbe, ‘Velika Srbija’, titulli i së cilës (Serbia e Madhe) flet vetë.

Udhëheqësit politikë serbë ende nuk e pranojnë publikisht gjendocidin e Srebrenicës. Ata i referohen “krimeve të tmerrshme” të kryera atje. Por në nivel shtetëror nuk ka pasur përballje me të kaluarën. Përkundrazi, elitat politike, mediatike, kulturore, kishtare dhe sociale vazhdojnë ta mohojnë përgjegjësinë serbe për krimet e luftës.

Revizionizmi historik i kohëve të fundit i Serbisë sugjeron se ishin serbët ata që ishin viktima, asnjëherë kriminelë. Kriminelët serbë të luftës të dënuar ndërkombëtarisht kthehen në shtëpi pas vuajtjes së dënimit dhe u jepet mirëseardhja e heronjve, beneficione dhe hapësira mediatike për ta shpjeguar versionin e tyre të së vërtetës, të cilën gjykata e Hagës, natyrisht, nuk ishte në gjendje ta kuptonte.

Muralet jane veshur me pamje të Ratko Mlladiqit shpesh me sloganin “heroi serb” në qytete anembanë Serbisë. Kushdo që flet për krimet serbe, njolloset si tradhtar nga një turmë e linçit mediatik. Në zyrën e prokurorisë serbe për krimet e luftës, 2500 raste kanë mbetur në fazën e hetimeve paraprake për vite me radhë. Sipas vlerësimeve të Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, të paktën 6000 kriminelë të padënuar lufte shëtisin lirisht nëpër rrugët e qyteteve serbe.

Për nacionalistët serbë të ekstremit të djathtë, gjendja aktuale e paqes në Ballkan është e përkohshme, ashtu sikurse kufijtë. Ata ende ëndërrojnë për një shtet të madh serb që do ta përfshijë Kosovën, Malin e Zi, Republikën Srpskan dhe pjesë të Kroacisë. Realizimi i asaj ëndrre nuk është i mundur siç janë gjërat aktualisht, mirëpo nacionalistët janë shprehur të duruar. Pas disfatës në luftërat jugosllave, ata u tërhoqën për t’i lëpirë plagët e tyre, për ta ushqyer urrejtjen ndaj fqinjëve të tyre dhe për ta mbajtur popullatën në një gjendje gatishmërie luftarake nëpërmjet mediave. Që ata duhet të presin kohën e tyre derisa të ndryshojnë rrethanat ndërkombëtare, ka qenë një nga narrativat kryesore të propagandës ruse për tregun serb të filtruar nëpër pjesë të mediave serbe për më shumë se dy dekada.

Ultra-nacionalistët serbë kanë pritur që Rusia të hyjë në një konflikt vendimtar me antikrishtin perëndimor, për ta mposhtur Evropën e pafe dhe SHBA-në dhe për ta vendosur një rend tjetër botëror. Ata e kanë vendosur besimin e tyre te Putini si një mesiah dhe e imagjinojnë atë si një version të përmirësuar të Slobodan Millosheviqit: sundimtar i një perandorie të fuqishme me një arsenal bërthamor në dispozicion.

Kur Rusia e pushtoi Ukrainën, ndjekësit e Putinit këtu menduan se kishte ardhur çasti i tyre; ky ishte fillimi i trazirave të mëdha në të cilat rendi i vjetër do të rrafshohej dhe nga rrënojat e tij do të lindte një botë ku sovraniteti, kufijtë dhe traktatet ndërkombëtare nuk kishin asnjë rëndësi. Në vend të ligjit ndërkombëtar dhe gjërave të tjera perëndimore, ligji i xhunglës do të mbizotëronte, siç e dikton tradita autoritare. Shtetet si Serbia, të favorizuara nga sundimtari i botës i fronosur në Kremlin, do të fitonin të drejtën për të përfunduar atë që e filluan tri dekada më parë për të krijuar më në fund shtetin e zgjeruar për të cilin e kanë dëshiruar me shekuj, për t’iu përshtatur madhështisë së tyre të imagjinuar.

Glorifikimi i agresionit kriminal të Rusisë kundër një vendi sovran mund të duket i çuditshëm për të painformuarit. Por për ata prej nesh që jetojnë në zemër të errësirës, një vend heronjtë e të cilit janë Slobodan Millosheviq, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, nuk presim asgjë më të mirë. Ata që ende besojnë në teoritë e konspiracionit rreth masakrës së vitit 1994 në Markale të Sarajevës se ajo ishte inskenuar dhe kufomat e copëtuara ishin në fakt makete, do t’i besojnë lehtësisht propagandës së ngjashme për masakrat e civilëve në Bucha. Nëse hienat e medias mund të tallen me viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në TV primetime, pse do të pikëlloheshin për viktimat e krimeve të Putinit? Siç ka thënë shkrimtari dhe mendimtari i madh serb, Radomir Konstantinoviq në vitin 1991: “Ne jetojmë në një botë në të cilën monstruozja po bëhet e natyrshme, dhe e natyrshmja monstruoze”. Diagnoza e tij në raport me Serbinë, për fat të keq, nuk e ka humbur asnjë nga saktësitë e saj./The Guardian

  • Tomislav Markoviq, i lindur më 1976, jeton dhe punon në Beograd. Ai shkruan poezi, satirë, prozë dhe ese.