Kufomat në Çyshk Ishin Dekompozuar

Në bazë të eshtrave të gjetura pasi forcat serbe hynë në fshatin Çyshk të Kosovës në vitin 1999, ekspertët mjekësorë nuk mund të përcaktonin se si burrat ishin vrarë, duke qenë se trupat ishin dekompozuar rëndë.

Dëshmitari ekspert, i cili dëshmoi të hënën, konfirmoi identitetet e 33 personave, trupat e të cilëve u gjetën në tri vende në fshatin Çyshk, ndërsa identiteti i tre trupave të tjerë mbetet i panjohur.

Prokuroria serbe akuzon 13 ish-anëtarë të njësisë paramilitare “Çakallët” për vrasjen e 43 shqiptarëve, plaçkitje dhe shkatërrim të pronave të civilëve në Kosovë.

Pas vrasjes së banorëve në Çyshk, luftëtarët ua vunë flakë shtëpive dhe trupat u lanë aty, për të mbuluar provat e krimit.

Sulmi në Çyshk ndodhi në mes të konfliktit në Kosovë midis forcave të sigurimit serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe gjyqi është një ndër rastet më të mëdha të krimeve të luftës pranë gjykatës në Beograd.

Pas sulmit, më shumë se 400 banorë të fshatit, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, lanë shtëpitë e tyre. Para konfliktit, Çyshku kishte rreth 2,000 banorë, shumica me etni shqiptare.

Arsyeja për sulmin në fshatin Çyshk, thotë prokuroria, është se është vendlindja e Agim Çekut, ish-lideri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe ministër i tanishëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjyqi do të vazhdojë sot.

Ky artikull u botua fillimisht nga Drejtësia Tranzicionale në Ballkan, një program rajonal i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).