Kryetari Kadri Rahimaj përballë premtimeve që dha për qytetarët e Kamenicës
Qeverisja e kryetarit Kadri Rahimaj me Kamenicën nga radhët e VV-së u përcjellë me sfida në realizmin e projekteve komunale. Mirëpo, pavarësisht sfidave kryetari Kadri Rahimaj në debatin “Jeta në Komunë” përmendi një varg projekte e investime që u bën gjatë mandatit të tij.
Investimet infrastrukturore në fushën e arsimit duken të kenë qenë prioritet në qeverisjen e kryetarit Rahimaj.
“Për këto tri vite ne po fillojmë më arsimin ku kemi rinovuar shkollën në Hogoshtë, renovimin e shkollës në “Metush Krasniqi” në Roganë, renovimin e shkollës “Rexhep Mala” dhe “Asllan Thaqi”, renovimin e Gjimnazit “Ismail Qemali”- tha kryetari Rahimaj, derisa përmendi edhe disa projekte tjera që janë në proces e sipër.
Investimet në infrastrukturë, gjithashtu ishin disa nga projektet që morën vëmendje gjatë qeverisjes së Kadri Rahimajt në Kamenicë.
“Në aspektin e infrastrukturës, Kamenica mbanë rekorde si asnjëherë më parë, po ndajë veçori nga ujësjellësi ku kemi shtuar 6 litra për sekondë dhe jemi duke e rinovuar rezervarin ne Berivojcë, gjashtë fshatra po kyçen në sistem të ujësjellësit, janë asfaltuar rrugë të shumta, ketë vit kemi lidhë një kontratë në vlerë prej 2 milionë euro për 140 rrugë, është duke u punuar dizajni i brendshëm i qytetit në vlerë prej 1 milion euro, është ndërtuar parkingu i gjelbër dhe parku”- përmendi kryetari Rahimaj.
Investimet sipas kryetarit nuk munguan as në fushën e shëndetësisë, madje sipas kryetarit u bën ndryshime rrënjësore në këtë aspekt.
“Në shëndetësi është një reformim rrënjësorë ku kemi rëntgen, mamografi, ultrazë, ortopan dhe aparatura për analiza të hormoneve, kemi shtuar numrin e shërbimeve specialistike, siç janë shërbimet e radiologjisë, pediatrisë, urologjisë, gjinekologjisë dhe mamografisë”- tha kryetari Kadri Rahimaj.
Ku e kapi në rrenë Krypometri, kryetarin e Kamenicës Kadri Rahimaj
Kryetari Kadri Rahimaj në fushatën e zgjedhjeve 2021 në debatin “Jeta në Komunë” kishte premtuar zgjidhje për problemin e ujërave të zeza në komunën e Kamenicës.
“Sigurisht që një prej problemeve më të mëdha janë ujërat e zeza dhe ne mendojmë që duhet të trajtohen përmes ndërtimit të rajoneve të sendimentimit” – kështu premtoi kryetari Rahimaj më 05.10.2021 në debatin “Jeta në Komunë”.
Mirëpo, pasi ekipi i “Jeta në Komunë” doli në terren për të verifikuar, nëse kryetari Rahimaj mbajti fjalën për trajtimin e ujërave të zeza, gjendja në terren tregon se ky projekt ende nuk ka marrë kahje për realizmin e tij.
Ndërsa, pasi kanë kaluar tri vite mandat në përgjigjen e komunës thuhet së projekti pritet të realizohet gjatë vitit 2025.
“Nuk ka filluar ndërtimi i rajoneve të sendimentimit të ujërave të zeza, planifikohen të ndërtohet në vitin 2025”- thuhet në përgjigjen e komunës.
Kryetari, Rahimaj kishte premtuar së objektet publike të komunës së Kamenicës do të shfrytëzohen si qendra për inovacion dhe ndërtimin e parkut teknologjikë, përmes të cilit të rinjtë do mundë të ndjekin trajnime falas për gjuhë programuese, dizajnit dhe animacionit.
Në këtë projekt, sipas verifikimeve që janë bërë nga ekipi “Jeta në Kosovë” është konstatuar se është ndërtuar parku teknologjik me investim prej 250 mijë euro nga komuna, mirëpo hapësira e këtij projekti menaxhohet nga shkolla “Cacttus Education” dhe jo nga komuna.
Qytetarëve të Kamenicës ju premtua përfshirja në rrjetin e grumbullimit të mbeturinave si dhe ndërtimi i deponisë së mbeturinave të ngurta.
“Ne do të insistojmë që të përfshihen edhe fshatrat tjerë, por ne jemi zotuar edhe për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të ngurta që t’i mbrojmë lumenjtë edhe natyrën”- kishte premtuar kryetari Rahimaj më 30.10.2021 në debatin “Jeta në Komunë”.
Ndërsa pasi kanë kaluar tri vite mandat të kryetarit Rahimaj, disa fshatra të Kamenicës ende nuk janë të përfshira në rrjetin e grumbullimit të mbeturinave dhe ende nuk janë ndërtuar deponitë e mbeturinave të ngurta.
Ndërkaq përgjigja e komunës për këtë ka thënë se deri më tani 95% e ekonomive familjare janë të përfshira në rrjetin e grumbullimit të mbeturinave, derisa njoftojnë së në fund të vitit 2024 do të përfundojnë dy deponitë për mbeturina të ngurta.
Premtim u dha edhe për ndërtimin e dy çerdheve në komunën e Kamenicës, mirëpo pas verifikimeve që janë realizuar në terren nga ekipi “Jeta në Kosovë” është vërtetuar së nuk është përmbushur ky premtim.
Në çerdhen në Koretin punimet janë duke vazhduar, ndërsa çerdhja në fshatin Roganë ende nuk ka filluar të ndërtohet.
“Çerdhja në Koretin është në përfundim e sipër ndërsa çerdhja në Roganë është në proces të tenderimit”- thuhet në përgjigjen e komunës së Kamenicës.
Mësimi gjithëditor dhe furnizimi më ushqim në shkolla në Kamenicë ishte një premtim tjetër i kryetarit të Rahimaj në kuadër të fushës.
Mirëpo, realizimi i këtij premtimi nga komuna e Kamenicës nuk ka ndodhur ende dhe sipas arsyetimit të komunës kjo nuk ka mund të bëhet për shkak se shkollat kanë qenë dhe disa vazhdojnë me qenë në renovim.
Deri sa ka njoftuar se është duke u ndërtuar kuzhina qendrore për furnizimin e shkollave me ushqim që do të zhvillojnë mësimin gjithëditor.
“Jo në asnjë shkollë në komunën e Kamenicës nuk ka qëndrim tërëditor, sepse pjesa më e madhe e shkollave ose kanë qenë ose janë në fazën e renovimeve. Ndërsa është duke u bërë edhe ndërtimi i kuzhinës qendrore që do të sigurojë ushqimin për këtë proces”- thuhet në përgjigjen zyrtare.
Ndërsa, kryetari Rahimaj tha se mësimin tërëditor do të tentojnë ta pilotojnë nga shtatori i viti të ardhshëm.
Ndërtimi i shtegut të atletikës për klubin “Rogana” ka qenë premtim tjetër që e kishte dhënë kryetari Rahimaj, mirëpo ende ky projekt nuk ka filluar të realizohet.
Arsyetimi i komunës për mos realizimin e këtij projekti ishte së ky projekt po zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Komuna e Kamenicës në këtë projekt ka vetëm një pjesë të përgjegjësisë.
“Komuna e Kamenicës ka marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërtimin e Stadiumit të Atletikës. Marrëveshja ka një vlerë prej 3.5 milionë euro. Sipas marrëveshjes Komuna e Kamenicës ka qenë përgjegjëse për ndërtimin e infrastrukturës përcjellëse, gjë që e ka realizuar në vlerë prej 263,916.00 euro. Ndërsa MKRS-ja ka shpallur procedurë për ndërtimin të Stadiumit të Atletikës dhe lënda ka përfunduar në OSHP”- thuhet në përgjigjen e komunës.
Qytetarëve të Kamenicës ju premtua edhe ofrim i shërbimeve mjekësore përmes ekipeve mobile. Ky premtim është realizuar, qytetarët e kësaj komune në mandatin e kryetarit Rahimaj ju mundësua marrja e shërbimeve mjekësore edhe në shtëpitë e tyre.
Reagime për projektet e premtuara të kryetarit Rahimaj kishte edhe nga opozita. Asamblisti i PSD-së Labinot Haxhiu përmendi një varg projektesh që sipas tij nuk u realizuan siç u premtua nga kryetari.
“Paaftësia jote kryetar është të sheshi, qysh e ke gjet qashtu don me e lanë, e dyta është shkolla “Fan Noli”, në menaxhimin e kontratave keni tregu që jeni i paaftë me i bë, e treta është “Lugu i verdhë”, komunës së Kamenicës i ka kushtuar qindra mijëra euro, fillimisht komuna e Kamenicës ka pas me pagu veç 100 mijë euro, në vitin 2022 ju e keni ditë saktë që kjo nuk kryhet s’mundeni me e bë dhe jemi në vitin 2024 dhe nuk jeni as afër”- tha asamblisti Haxhiu.
Kryetari dha një shpjegim për projektin e shkollës “Fan Noli” duke njoftuar së operatorit ekonomik i është shkëputur kontrata si shkak që nuk i ka kryer punimet siç duhet dhe së ky projekt është nën menaxhimin e Ministrisë së Arsimit.
“Është ndërprerë kontrata për shkak së operatori ekonomik nuk ka zhvillu punimet, ne e kemi hartuar projektin e kemi dorëzuar në Ministrinë e Arsimit, ministria e ka udhëheqë të gjitha procedurat e tenderimit dhe të mbikëqyrjes, Komuna e Kamenicës nuk ka pas asnjë rol në këtë projekt. Ne kemi kërkuar në vazhdimësi që të shkëputet kjo kontratë edhe kemi dëshmi për këtë, dhe kontrata është shkëput në gusht të këtij vit, në bazë të email-it që na kanë dërguar javën e kaluar, është duke u përgatitur që të vazhdohet faza e re për tenderimin dhe ndërtimin e shkollës dhe unë nuk mund të them data (kur përfundon) sepse nuk po udhëheq unë”- tha kryetari Rahimaj.
Ndërsa për gjendjen e sheshit, kryetari tregoi së sa investime ka bërë në projektin e sheshit.
“Në mandatin tim është përmbushë 500 mijë euro punë janë bërë, 140 mijë euro kanë qenë punë të ekzekutuara, ndërsa me mandat temin janë ekzekutuar 500 euro mijë punë për sheshin”- kryetari.
Asamblisti Haxhiu, gjithashtu nuk mohoi investimet që mund t`i këtë bërë kryetari në shumë mbi 500 mijë euro në sheshin e qytetit, por thotë së punë në shesh nuk është bërë.
“Ka mund me u kry pagesa 520 mijë euro në mandat tanin e 140 mijë euro në mandat tonin për shumë arsye, ama punë mos thoni që kemi kry 500 mijë euro burrë se po del edhe qesharak se tek e fundit Kamenica ka me e dëgju këtë deklaratë”- tha Haxhiu.
Kryetari ofroi një shpjegim edhe për projektin e “Lugut të Verdhë” të cilin e konsideron si projektin me kapitalin më të madh në zhvillimin e turizmit në Kamenicë.
“Lugu i verdhë” është projekti më kapital në zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit në Kamenicë, liqeni i Bosavatës i ciki ka qenë i papërshkrueshëm edhe nga veturat edhe nga biçikletat dhe këmbësorët për shkak të uzurpimeve që kanë bërë aty banorët ne e kemi hapë, faza e parë e këtij projekti është mbështetur nga MAPL-ja në bashkëpunim me komunën e Artanës, ndërsa ne e kemi gjet disa lëshime në cilësi të projekteve dhe jemi detyruar më e shkëputë kontratën”- ka deklaruar kryearti Rahimaj.
Asamblisti i PSD-së, Labinot Haxhiu nuk i ndali akuzat për këtë projekt të komunës, madje pretendon së kryetari lidhur me këtë rast ka kërcënuar edhe një banor të kësaj zone.
“Këta i kanë thanë atij tipit (operatori ekonomik) hin qiknej qele rrugën se e kanë pa që kostot që i kanë planifikuar, po duhet me bë shpronësime e paraprakisht nuk i kanë planifikuar hiç qashtu e tani kanë dalë e kanë kërcënuar banorin e Bosavatës i cili ka prononcim publik dhe e ka paraqit rastin në polici”- thotë Haxhiu.
Ndërsa, asamblistja e LDK-së, Egzona Isufi u interesua për një rast ku është aksidentuar kryetari me veturë zyrtare e sipas pretendimeve të saj thuhet se duke vozitur veturën ka qenë një mërgimtar, i cili nuk është zyrtar i komunës.
“Deshta me e pyet kryetarin, me na tregu se vetura që është blerë “Toyota” në vlerë 25 mijë euro me kilometrazh 00 e aksidentuar në vitin 2023 në rrugën Prapashticë-Prishtinë, keni pretenduar së keni qenë duke vozitur ju ndërsa në terren flitet ndryshe, ka qenë duke vozitur një mërgimtar që nuk është as zyrtar i komunës”- kërkoi sqarim asamblistja Egzona Isufi.
“15 mijë euro është kostoja e kësaj veture, është e vërtetë që kemi pas një aksident gjatë rrugës për në Prishtinë, por ne i kemi veturat full kasko dhe e njëjta është zëvendësuar me veturën e re. Nuk ka të bëjë më atë që e thotë asamblistja, vozitës ka qenë këshilltari im dhe kjo është identifikuar edhe nga policia”- është përgjigjur kryetari Rahimaj.
Asamblistja Isufi pyeti kryetarin edhe për çështjen e kthimit të konkurseve publike nga Këshilli i pavarur.
“Pse Këshilli i pavarur po i kthejnë, mbrapa konkurset e komunës së Kamenicës, a po i bëhet dikujt padrejtësi, ku e kemi edhe skandalin e fundit që është arrestuar një zyrtar i komunës, pikërisht për plotësimin e testit në konkursin e fundit për mësimdhënës”- ka deklaruar Isufi.
Ndërsa, kryetari për këtë u përgjigj së Këshilli i pavarur është një organ mbikëqyrës, i cili në momentin që gjen parregullsi i kthen mbrapa gjitha proceset administrative.
“Këshilli i pavarur është një organ mbikëqyrës i cili në momentin që gjen parregullsi i kthen mbrapa gjitha proceset administrative, të gjitha i respektojmë dhe nuk do të thotë që i bëjmë dikujt padrejtësi asnjë personi. Është arrestuar, është liru, është mbajtur më pak së 12 orë”- ka deklaruar Rahimaj.
Kritikat e asamblistëve të LDK-së nuk u ndalen për pushtetin, kësaj radhe temë diskutimi u bë projekti i ujësjellësit në fshatin Hogosht që u ngrit nga asamblistja Shpresa Sermaxhaj.
“Projekt i pa përfunduar është edhe ujësjellësi në fshatin Hogosht, punimet ka kohë që janë përfunduar, mirëpo ujësjellësi nuk është funksionalizuar dhe banorët janë në pritje, çfarë përgjigje keni kryetar”- tha asamblistja e LDK-së Shpresa Sermaxhaj.
Kryetari për këtë tha se punimet në këtë projekt janë përfunduar 90% dhe se ka mbetur vetëm kyçja individuale e banorëve në rrjetin e ujësjellësit.
“Ujësjellësi në fshatin Hogosht është projekt në bashkëpunim me Ambasadën Japoneze dhe 90% e punëve veç se janë përfunduar, ka mbet edhe kyçja në rrjetin energjetik dhe me pas kyçje individuale”- ka njoftuar kryetari i Kamenicës.
Nga kritikat për mos realizmin e projekteve të kryetarit diskutimi kaloi për punësimet politike që sipas opozitës janë bërë nga pushteti.
Asamblisti i PSD-së, Labinot Haxhiu përmendi rastin ku është punësuar si shef i personelit Burim Kryeziu, i cili është edhe burri i delegates së VV-së.
“Shefi i personelit është burri i delegates së VV-së Burim Kryeziu, përndryshe unë e arsyetoj secilin delegat që refuzon me përmend emra sepse tek e fundit nuk kanë faj ata ose familjet e tyre që kanë hy në punë, por për çka sot nuk aplikojnë më shumë së një person në konkurset publike, tregon që këta janë 100% për punësimet politike partiake”- përmendi Haxhiu.
Ndërsa, kryetari dha një përgjigje edhe për këtë akuzë të asamblistit Haxhiu, i cili tha se personi në fjalë ka qenë i punësuar në komunë para së të vije në pushtet derisa përmendi se ka kandidat që kanë qenë të listë të PSD-së me të cilët punon tani.
“Burim Kryeziu ka qenë zyrtar i komunës së Kamenicës para se me ardh unë në pushtet, ka qenë zyrtar i Kuvendit komunal, shefi i personelit i PSD-së ka ikur nuk është këtu edhe unë duhet me e plotësu pozitën edhe punësimet në kohën e PSD-së jo veç të militantëve por edhe motrat edhe vëllezërit, por unë nuk kam pas asnjë urrejtje as veprim ndajë tyre, madje kandidatë të listës së PSD-së punojnë sot bashkë më mua”- është përgjigjur kryetari Rahimaj.
Ndërsa një diskutim i gjatë u zhvillua për mos funksionalizmin e kolektorit të ujërave të zeza në fshatin Koretin.
Asamblisti i LDK-së Sejdi Kurteshi i’a kujtoi kryetarit Rahimaj, premtimin që e kishte bërë për këtë kolektorin e ujërave të zeza.
“Kolektori në Koretin i ujërave të zeza i cili derdhet komplet qyteti e ke premtuar në fushatë dhe e ke pru edhe Liburn Aliun e i ke mbledh qytetarët i ke premtuar edhe nuk e ke përfunduar”- tha Sejdi Kurteshi.
Ndërsa, kryetari njoftoi së 90% e punimeve janë përfunduar në këtë projekt si dhe njoftoi për punimet që janë duke vazhduar.
“Te kolektori pothuajse 90% e punëve janë përfunduar, aty po zhvillohen edhe punimet për kanalizim të brendshëm Koretin edhe përfundon si punë e dështuar e ish-qeverisjes së është dashtë me e rehabilitu një kolektor të ri 200 mijë euro”- tha kryetari Rahimaj.
Akuzat e asamblistit Kurteshi ishin edhe për favore politike që po ju bëhen familjarëve të pushteti, derisa pretendon se po lihen anash qytetarët tjerë që i takojnë subjekteve tjera politike.
“Njerëzve të vetë në Koretin, p.sh. asamblisti i VV-së Hasan Krasniqi, vëllait të vet ja shtron edhe oborrin, kemi familje në Koretin ose rrugë që kanë edhe persona me aftësi të kufizuara dhe nuk i shtrohen rrugët vetëm pse i takojnë një subjekti tjetër politik”- tha asamblisti Sejdi Kurteshi.
Ndërsa, asamblistja e PSD-së, Magbule Kastrati pyeti kryetarin Rahimaj nëse është në dijeni për zyrtarin Bajram Mavriqi, nëse vije në punë pasi që sipas asamblistes ky zyrtar në orarin e punës, punon edhe në një biznes privat.
“Deshta ta pyes kryetarin, së a është në dijeni kryetari i partisë së VV-së Bajram Mavriqi, se a vijon në punë tek Shtëpia e Kulturës dhe a merr pagë”- tha Kastrati.
Kryetari lidhur me këtë tha se nga raportet që ka zyrtari i Drejtorisë së Kulturës, Bajram Mavriqi del në punë.
“Bajram Mavriqi është zyrtar në Drejtorinë e Kulturës në bazë të asaj që raportohet del në punë”- është përgjigjur kryetari.
Projektet e komunës së Kamenicë, pasi u prenë “shiritat”
Në qershor të 2024 kryetari Kadri Rahimaj kishte publikuar një postim promovues në faqen e tij në Facebook, duke njoftuar se pas dy jave do përfundojnë punimet në kolektorin e ujërave të zeza në fshatin Koretin.
Mirëpo në verifikimet që ka bërë ekipi i “Jeta në Komunë” më 16.10.2024 është parë që punimet po vazhdojnë në kolektorin e fshatit Koretin edhe pse kryetari kishte thënë se kolektori do të funksionalizohet gjatë verës.
Ndërsa postimi i kryetarit vazhdon me qenë me njoftimin se kolektori do të funksionalizohet gjatë verës së 2024 edhe pse jemi në fund të vitit 2024.
Për vonesat e këtij projekti janë ankuar edhe banorët e fshatit Koretin.
“Kanë punu në një pjesë, por një pjesë e madhe e këtij kolektori është e bllokuar nga zhavorri dhe rëra e futur qysh para katër vite dhe duket se nuk ka përfundu, komplet ujërat e zeza të qytetit të Dardanës, të fshatit Berivoisë edhe të lokalitetit tonë derdhen këtu”- shprehet banori Arsim Thaqi.
Kryetari lidhur me këtë tha se kanë mbetur më pak se 200 metra pa u përfundu dhe se shumë shpejt do të përfundoj, gjithashtu kryetari premtoi se do ta editoj postimin ku shkruan se gjatë verës kolektori i ujërave të zeza do të jetë gati.
Ndërsa në vitin 2023 kryetari Kadri Rahimaj, promovoi investimet në ambulancën e fshatit Topanicë.
Mirëpo, pavarësisht promovimit të këtyre investimeve që u bën, qytetarët e fshatit Topanicë nuk i gëzuan këto investime, pas verifikimit në terren të ekipit “Jeta në Komunë” është parë së kjo ambulancë nuk është funksionale.
Madje një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe banorët e këtij fshati të cilët kanë thënë së nuk po mund të marrin shërbime në këtë ambulancë që disa muaj pasi është mbyllur.
“Kjo ambulancë ka që dy vite që nuk është duke punu, përpara ka ardh mjeku dy herë në javë, motra (infermieria) rregullisht ka nejtë për injeksione e tjera, e kanë rregullu që dy vjet e kanë izolu e me dritare e gjitha e tash për një injeksion duhet me shku në Kamenicë me marrë”- ka thënë banori Aliriza Morina.
Ndërkaq, kryetari tha se kësaj gjendje po i kontribuon edhe mungesa e stafit mjekësor ku brenda mandatit të tij janë rekrutuar 12 mjekë.
“Po e kemi të vështirë për shkak që po kemi lëvizje të stafit mjekësor, brenda tri vite ne kemi rekrutuar 12 mjekë, ndërsa për të bërë zgjidhje të qëndrueshme ne kemi kriju ekipet mobile ku shkojnë në secilën shtëpi në Kamenicë dhe fshatra”- tha kryetari.
Kryetari Rahimaj u tregua i kujdesshëm edhe për promovimin e investimeve të donatorëve që u bën në komunën e Kamenicës.
Pamjet e investimeve në shkollën “Skënderbeu” në Hogosht nga Ambasada Amerikane të shpërndara nga kryetari tregonin se ambientet e kësaj shkolle po ndryshonin për të mirë.
Mirëpo, pesë muaj pasi u realizuan këto investime, verifikimet e ekipit “Jeta në Komunë” shpërfaqin një realitet tjetër. Radiator e kësaj shkolle kishin telashe pasi që pikonin e gjithashtu edhe guacat e banjove në shkollë rrjedhin ujë pandërprerë.
Ndërsa në oborrin e shkollës ishte menduar qasja për personat me aftësi të kufizuar duke ndërtuar pjerrinën e shkollës, mirëpo e njëjta nuk është e qasshme pasi që në hyrje të pjerrinës ishin lënë disa materiale që kanë mbetur nga ndërtimi duke penguar kalimin e personave në këtë pjerrin.
Ndotja e ambientit problem edhe për komunën e Kamenicës
Ndotja e ambientit dhe deponitë e shumta ilegale janë probleme që ju përkasin pothuajse çdo komune në Kosovë.
Nga verifikimet që janë bërë në terren për debatin “Jeta në Komunë”, ekipi i KALLXO.com ka identifikuar tri deponi ilegale në komunën e Kamenicës.
Akoma më shqetësuese kjo gjendje bëhet, kur këto deponi po krijohen në afërsi të lumenjve.
Në afërsi të Lumit Kamenica është parë së ka ndotje të lumit nga sasi e madhe e mbeturinave që ndodhet përreth. Në gjendje jo më të mirë është edhe Lumi i fshatit Koretin ku përveç mbeturinave edhe kanalizimi derdhet në këtë lum.
Ndërsa deponi ilegale të mbeturinave ka pasur edhe në fshatin Kopernicë të Kamenicës.
Kryetari për këtë gjendje të këtyre ambienteve u shpreh se kanë angazhuar kompani për pastrimin e lumenjve dhe hapësirave tjera me mbeturina e gjithashtu ka edhe ndëshkime nga komuna për ata që po e ndotin ambientin.
Ndërsa, kryetari njoftoi së është nënshkruar kontrata për ndërtimin e deponisë për mbeturina inerte.
“Si zgjidhje e përhershme është ndërtimi i deponive inerte e cila veç është nënshkruar kontrata dhe pritet të ndërtohet ketë vit”- tha Rahimaj.