Kryetari i Zveçanit përballë me punësimet familjare e me 'hallin' se Qeveria nuk po i ofron Mbrojtje të afërt

Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të 23.04.2023-s, të mbajtura në katër Komunat Veriore të Kosovës, bën që në krye të Komunës së Zveçanit të jetë Ilir Peci, nga radhët e Partisë Demokratike.

Duke qenë se betimi i tij u përcoll me tensione të mëdha – e shkaku i tensioneve – e pati problem që të vendosej në zyrën e Kryetarit të Komunës së Zveçanit. Anipse, në Zgjedhje qytetarët kishin vendosur që ai, Ilir Peci, të ushtronte detyrën e Udhëheqësit komunal. Kryetari tek një vit më vonë arriti që të ulet në karrigen e Kryetarit e të shfrytëzojë zyrën brenda objektit komunal të Zveçanit.

Përkundër kësaj, në debatin “Jeta në Komunë” ai tha se i kanë plotësuar kërkesat e qytetarëve.

“Duke marrë parasysh gjendjen në të cilën ne kemi hasur në fillim dhe pengesat që na janë shfaqur në kohën e emërimit tim si Kryetar i Komunës – duke nisur nga objekti, në fillimin tim si Kryetar Komune në të cilën nuk kemi pasur qasje në fillim dhe përkundër këtyre vështirësive të cilat i kemi pasur vazhdimisht për punën tonë dhe t’iu dalim në ndihmë kërkesave të qytetarëve tonë.” – u shpreh ai në fillim të debatit.

Punën e tij prej një viti e gjysmë, Ilir Peci e përshkruan me projekte të dukshme, në të gjitha fushat e mundshme.

“Projektet që kemi investuar janë: riparimi dhe asfaltimi i rrugës lagjja e Epërme në fshatin “Boletin”, me gjatësi prej 703 metrave. Rregullimi i rrugës kryesore, që lidh tre fshatrat: Lipë, Boletin dhe Zhazhë – 8.2 km. Asfaltimi i rrugës “Major Tepiq” dhe “Bogdan Randoviq” në Zveçan, riparimi dhe asfaltimi i rrugës në fshatin Lipë e Ulët me gjatësi 604 metra. Meremetimi dhe rregullimi i Stacionit të Zjarrfikësve, rregullimi i rrjetit të kanalizimit, faza 1 dhe 2; rregullimi dhe asfaltimi i rrugëve nga varrezat e fshatit Zhazhë 1.8 km, rregullimi i kanalizimit në fshatin Boletin, Zhazhë dhe Lipë e Ulët. Mirëmbajtja e rrugëve në të gjithë fshatrat e Komunës së Zveçanit.” – tha Kryetari.

Para Jeta Xharrës, Ilir Peci tregoi për investimet e bëra në Shëndetësi e Arsim në tri fshatrat: Zhazhë, Boletin e Lipë. Gjithashtu – sipas tij -subvencione për personat me trajtim mjekësor e për fëmijë të porsalindur janë ofruar për serbë e për shqiptarë.

Sipas Kryetarit, në fushën e Sportit dhe Kulturës është bërë riparimi i tre fushave të sportit të shkollës “Isa Boletini” në Boletin, Zhazhë dhe Lipë.

Në fushën e Bujqësisë – sipas Kryetarit – në vitin 2024 do të ndahen 70 traktorë të tjerë, subvencione nga Komuna e Zveçanit.

Punësimet familjare në Komunën e Zveçanit, arsyetim “mungesa” e zyrtarëve

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci ka konfirmuar se vajza e vëllait punon si asistente e tij. E, gjithashtu, xhaxhai i tij punon si Drejtor në këtë Komunë. Arsyetimi i Kryetarit ishte mungesa e zyrtarëve.

“Vajza e vëllait është në Zyrën e Kabinetit te unë – zyrtare mbështetëse. Po, ia kam nënshkru Kontratën se ky është post politik. Ditën kur e kam dhënë unë betimin si Kryetar Komune, unë kam qenë i vetmi në Komunë. Do të thotë s’kam pasë as zyrtarë. Në atë kohë, për shkak të situatës e cila ka qenë, kanë pritu me ardhë. Edhe sot e kemi këtë problem. Është vetëm edhe një Drejtor (familjar). Është axha jem, Xhevat Peci.” – tha ai.

Sipas informacioneve të “Jeta në Komunë”, në Komunën e Zveçanit punojnë një çift bashkëshortor: Kryesuesja e Kuvendit e ka burrë një zyrtar të kësaj Komune.

“Nuk është Drejtor, ai ka qenë Zyrtar pa ardhë unë këtu – qe 21 vite ose 22. Ndërsa, Kryesuesja e Kuvendit vjen me vota të qytetarëve. Nuk është emërim i jemi. Ai ka qenë Shef i Sektorit. Është Shef ende. Do të thotë s’ka pasë lëvizje te ai.” – përfundoi Peci.

“Diskriminimi” karshi Kryetarëve të tjerë të Komunave Veriore, Kryetari i Zveçanit thotë se Sveçla nuk i dha Mbrojtjen e afërt

Kryetari i Zveçanit e sheh të nevojshme Mbrojtjen e afërt.

Në debatin “Jeta në Komunë”, ai thotë se këtë e ka kërkuar. Mirëpo, është refuzuar nga Qeveria e Kosovës. Ai e sheh të padrejtë këtë veprim të Qeverisë, për faktin se Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq e ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi kanë Mbrojtje të afërt.

“Shumë herë – e kam diskutuar me ministrin Sveçla – sy më sy e në katër sy. Të parën Kërkesë kur e kam bërë përmes e-mail-it zyrtar – sipas tij – më është kthyer negative, sepse nuk po e shohim se jeni në gjendje. Unë ia kom kthy përgjigjen, pse atëherë Erden Atiqi, Kryetari i tyre është afër Urës së Ibrit; edhe një gjendje e cila dihet në Komunën e Zveçanit nuk paskërkam të drejtë. Mbrojtjen e afërt e kanë të dy Kryetarët e Vetëvendosjes. ‘Ne po e shohim se nuk je në rrezik’ – edhe me këtë u arsyetu.” – u shpreh Kryetari.

Ndonëse – sipas tij – ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin e ka kushëri të afërt. Sipas Kryetarit, ai asnjëherë nuk i është vënë në ndihmë qytetarëve të Zveçanit në fushën e Bujqësisë.

“Ne kemi pasë një takim para një muaji edhe me Kryeministrin. Aty kanë qenë edhe Ministrat. Edhe i kemi kërku për shumë sfida edhe buxhetore. Kryeministri na ka dhënë premtime që brenda dy-tre ditësh, ka thënë së kanë me përfundu. Asnjë s’kanë përfundu. Kemi kërku nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Edhe është kushëri i jemi. Kemi kërku të kemi një bashkëpunim të mirë me të, për qytetarët shqiptarë në bletë, në serra e në pula. Ai është i fshatit Zhazhë, unë i fshatit Boletin. Mirëpo kushëri, jemi të gjakut jemi.” – përfundoi Ilir Peci.

Komuniteti serb nuk jep propozime dhe “refuzon” investimet në Komunën e Zveçanit

Në vlerën e ndarë prej 800,000 euro për investime, Jeta Xharra sfidon komunarët e Komunës së Zveçanit, duke i pyetur se a do të investohet edhe te komuniteti serb edhe tek ai shqiptar.

Drejtori i Financave, Rrustem Abiti thotë se mundësitë që të bëjnë Dëgjime buxhetore dhe të hartojnë Projekte buxhetore për komunitetin serb kanë qenë të pamundura – për shkak të rrjedhave politike.

“Dihet se popullsia shumicë në komunën e Zveçanit janë popullata serbe. Mundësitë që të bëjmë Dëgjime buxhetore dhe të hartojmë Projekte për komunitetin serb kanë qenë të pamundura – për shkak të rrjedhave politike, që kanë qenë në atë situatë. Vendimet i kemi marrë në bazë të disa Projekteve, që kanë qenë nga viti 2021 – që i ka aprovu Asambleja Komunale në përbërjen e mëparshme. Ato Projekte të cilat nuk janë realizu kur kanë dhënë dorëheqje, ne i kemi bart për vitet në vijim dhe ajo ka qenë mendimi i tyre.” – u shpreh ai.

Ndonëse Shkollat e Shëndetësia menaxhohen nga Serbia, Jeta Xharra e  pyeti Kryetarin se a është në planet e Komunës, që vitin e ardhshëm të investohet në Shëndetësi dhe Arsim me shumicë serbe. Kryetari tha se komuniteti serb nuk jep propozime dhe “refuzon” investimet.

“Përmes zyrtarëve tanë serbë, këta kanë bërë disa herë Kërkesë te Drejtori i Arsimit të tyre dhe asnjëherë nuk iu kanë dhënë mundësia për me u taku ne si shqiptarë me ta. Dhe, për me i këqyr hallet e tyre. Serbët janë taku, mirëpo nuk kanë dashtë me dhënë kurrfarë propozimi, për të ardhmen e tyre. Përkundër kësaj që, ne kemi tentu edhe disa fusha sportive për me i rregullu. Kur kemi shku të nesërmen na, ata veç ka ndodhë që i kanë përfundu. Gjatë natës i kanë punu, një kopsht të fëmijëve.” – tha Peci.

Se a ka paraparë ndonjë Park apo ndonjë investim tjetër në vitin 2025, I pari i Zveçanit thotë se ka planifikuar rrethin dhe ndriçimin publik.

“Kur i kemi thirrë në diskutimin publik qytetarët, një numër i madh nuk kanë pasë guxim për me ardhë, me bo prezantimin dhe kërkesat e tyre. Kryetari i komunës nuk mundet me i ditë të gjitha, se ku kanë nevojë qytetarët me ardhë. Ne sa kemi mujt me pa vetë si Komunë – d.m.th., prej zyrtarëve serbë – ne e kemi planifikuar rrethin dhe ndriçimin publik, aty ku mungon në qytezën e Zveçanit.” – përfundoi ai.

“Nuk e di pse ka ndodhë ajo, na ka ik” – arsyetimi i Kryetarit për shkeljet e evidentuara nga ZKA

Në Raportin e Auditorit për Komunën e Zveçanit theksohet se asnjë cent nuk është mbledhur prej tatimit në pronë, në 2023.

Mirëpo, se a është në planet e Komunës, që në vitin 2024 e 2025 të bëhet një gjë e tillë, drejtori i Financave në këtë Komunë, Rrustem Abiti thotë se vitin tjetër parashihet të fillojë edhe mbledhja e tatimit në pronë.

“Sa i përket mbledhjes së tatimit në pronë, ne jemi në proces me Agjencinë e Tatimin në Pronë në nivel të Ministrisë për Financa për krijimin e sektorit të tatimit në pronë në Komunën e Zveçanit. Ende nuk kanë staf të rekrutuar për tatim në pronë. Jemi në proces të hartimit të Rregulloreve dhe do të fillojmë, si duket, sipas Agjendës që ka edhe Agjencia për Tatim në Pronë. Vitin tjetër parashihet të fillojë edhe mbledhja e tatimit në pronë.” – tha Abiti.

Vlen të ceket se në uebfaqen e Komunës së Zveçanit nuk ka transparencë. Nuk janë të publikuar emrat e Drejtorëve të Stafit të Komunës e as Projektet e tjera.

Këtë mostransparencë, Kryetari i kësaj Komune, Ilir Peci e arsyeton me atë se “nuk e di pse ka ndodhë ajo, na ka ik”.

“Nuk e di pse ka ndodhë ajo, na ka ik. Por, e kemi uebfaqen e cila…, kemi bashkëpunim me Komunën e Drenasit dhe shumë raste përcjellet nga Komuna e Drenasit.” – u shpreh Peci.