Kryetari i Mitrovicës me Biznese të Padeklaruara

Kreu i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në deklarimet e pasurisë nuk ka kallëzuar se është pronar e drejtor nëpër disa kompani private. 

Në regjistrat e Ministrisë për Tregti e Industri, Kastrati figuron se është pronar i dy e person i autorizuar i tri bizneseve private. 

Agjencioni Anti-Korrupsion ka nisur një hetim pas interesimit të Gazetës Jeta në Kosovë në lidhje me këtë rast. 

Po ashtu, djali i tij, Arbnor Kastrati, i cili është këshilltar i Ministrit për Zhvillim Ekonomik nuk ka deklaruar disa kompani në deklaratën e vetë si dhe është përballur me gjykatën për mospagesën e një borxhi ndaj bankës. Ky borxh biznesor ishte garantuar edhe nga babai i tij, Avni Kastrati.   

Bizneset e padeklaruara

Hapësira ku duhet të kallëzohen aksionet nëpër biznese private në formularët e deklarimit të pasurisë është lënë zbrazët nga kryetari i Komunës së Mitrovicës në vitin 2010, 2011 e 2012. 

Kastrati është emëruar në pozitën e kreut të komunës më 8 janar të vitit 2010, pasi ka garuar në emër të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). 

Ndonëse zyrtarët publikë obligohen me ligj, Kastrati nuk i ka kallëzuar Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) se është pronar e drejtor i një kompanie që tregton lubrifikante (vajra për automjete) si dhe një firme që prodhon konstruksione metalike. 

Po ashtu, ai nuk ka bërë publike që mban pozitën e drejtorit të një kompanie që është e regjistruar për tregtimin e produkteve shtëpiake, kozmetikës e parfumeve si dhe tregtimin e mallrave ushqimore. 

Tri kompani private në regjistrat e Ministrisë së Tregtisë figurojnë se kanë për drejtor kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Avni Kastratin. 

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Kastrati figuron se është pronar e person i autorizuar i biznesit “Eko-Kosova” Sh.p.k, një kompani që ka për aktivitet kryesor- prodhimin e konstruksioneve metalike dhe pjesëve të tyre. Kapitali themelues i kësaj kompanie është 10 mijë euro dhe ka të regjistruar 27 punëtorë. Data e Konstituimit në certifikatën e këtij biznesi në ARBK figuron 27 prilli i vitit 2007.  

Kastrati po ashtu figuron si pronar e person i autorizuar në kompaninë “Oil Trade Sh.P.K” e cila është e regjistruar për tregtinë e karburanteve si dhe tregtinë me shumicë të lëndëve djegëse, të lëngëta, të gazta si dhe të produkteve që përfitohen prej tyre. Shuma e kapitalit të kësaj kompanie është 15 mijë euro dhe ka 10 punëtorë të regjistruar.  

Ndërkohë në kompaninë “Amar” Sh.P.K  figuron si pronar Arbnor Kastrati ndërsa Avni Kastrati është person i autorizuar. Kapitali themelues i kësaj kompanie është 10 mijë euro dhe ka katër punëtorë të regjistruar. Kjo kompani është e regjistruar për tregtinë me shumicë të mallrave ushqimore, tregtinë e kozmetikës e të parfumeve si dhe tregtinë e artikujve shtëpiakë. 

Kreu i Mitrovicës thotë se qëllimisht nuk i ka deklaruar këto biznese. 

“Janë biznese pasive. I kam mbyllur dhe për këtë nuk i kam deklaruar”, ka thënë Kastrati, për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“Janë biznese pasive. I kam mbyllur dhe për këtë nuk i kam deklaruar” Avni Kastrati  

Por këto biznese, shton ai, ende nuk janë çregjistruar në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve për shkak të neglizhencës.

“Kontabilisti im nuk ka qenë i njoftuar se pas çregjistrimit në ATK biznesi duhet të çregjistrohet edhe në ARBK të Ministrisë për Tregti e Industri. Për shkak të kësaj neglizhence këto biznese ende figurojnë aktive në ARBK”, ka deklaruar Kastrati. 

Për kompaninë Oil Trade, Kastrati ka thënë se më herët tregtonte lubrifikante (vajra për automjete) me të si dhe kishte paguar të gjitha tatimet ndaj shtetit. Kompania “Amar”, ku djali i tij është pronar e vetë Avniu është person i autorizuar, sipas tij, në sistemin e ATK-së figuron si biznes pasiv. Ndërkohë kompania Eko Kosova, thotë ai, nuk ka pasur kurrë qarkullim financiar.

“Ka qenë një konkurs për të përfituar një projekt që ka pasur të bëjë me mjedisin. Kriter ka qenë që kompania të ketë një emër që asocion me mjedisin. Ia vëra emrin Eko Kosova. Nuk e fitova këtë garë dhe kompania mbeti jo aktive”, ka thënë Kastrati. 

Ndërkaq në deklarimin e tij të pasurisë të vitit 2011 thuhet se në vitin 2009 Kastrati ka blerë një veturë që ka vlerë 5 mijë euro ku mjetet janë siguruar nga përfitimet nga biznesi. Nuk përmendet emri i biznesit nga i cili janë siguruar mjetet për blerjen e veturës. 

Në të njëjtën deklaratë, ai ka paraqitur edhe një shtëpi me sipërfaqe 400 metra katrorë të blerë me përfitime biznesi nga 1986 deri më 1999 në vlerë të 35,000 eurove. 

Në biografinë e tij të publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Mitrovicës shkruan se Kastrati që nga viti 1999 ka qenë pronar e drejtor gjeneral në Oil Trade ndërsa gjatë viteve 92 -99 ka qenë pronar dhe drejtor gjeneral i kompanisë Noring në Mitrovicë e cila kishte aktivitet të ngashëm me kompaninë “Oil Trade”. 

Ndërkohë Administrata Tatimore, kompanitë “Amar” e “Eko Kosova” i llogarit si biznese pasive ndërkaq për kompaninë Oil Trade është lëshuar vendimi për çregjistrim. 

Edhe përkundër kësaj për Agjencinë Kundër Korrupcion, sipas drejtorit të saj Hasan Preteni, është i vlefshëm vendimi për çregjistrim i Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve që operon në kuadër të Ministrisë për Tregti e Industri. 

“Pa marrë parasysh statusin e një kompanie në ATK, zyrtari i lartë duhet të sjellë vendim të ARBK-së për të faktuar mbylljen e biznesit të tij. Kur ekziston vendimi i ARBK-së atëherë konstatohet se zyrtari ka mbyllur biznesin dhe se nuk është në situatë të konfliktit të interesit”, ka thënë Preteni. 

“Pa marrë parasysh statusin e një kompanie në ATK, zyrtari i lartë duhet të sjellë vendim të ARBK-së për të faktuar mbylljen e biznesit të tij. Hasan Preteni  

AKK publikon në uebfaqen zyrtare të saj rastet kur i zë zyrtarët publikë duke mbajtur pozita nëpër biznese private. Por në asnjërën prej vendimeve të publikuara nuk figuron rasti i kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati. Tek tash ka nisur një hetim ndaj tij nga Agjencia Kundër Korrupsion. 

Bazuar në vendimet e Anti Korrupsionit, një zyrtar publik, për t’iu shmangur gjendjes së konfliktit të interesit, duhet të sjellë në agjenci ndryshimet e bëra në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit e cila e jep vulën përfundimtare për shuarjen e një biznesi.

Zyrtari i lartë publik, bazuar në këto vendime, duhet të dërgojë dokumente se ka hequr dorë nga pozita e personit të autorizuar në një kompani private pasi që mbajtja e një funksioni të tillë është e kundërligjshme.

Kjo rregullohet përmes Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, përkatësisht nenit 17 të tij. 

“Zyrtari pronar i aksioneve gjegjësisht pjesës së kapitalit në vlerë mbi 20 për qind të kapitalit të ndërmarrjes gjatë kohës së ushtrimit të funksionit duhet t’i bartë të drejtat në drejtimin e ndërmarrjes në ndonjë person tjetër”, thuhet në atë nen.

Ndërkohë Ligji për Deklarimin e Pasurisë kërkon nga zyrtarët e lartë që të deklarojë në Agjencinë Kundër Korrupsion çdo funksion apo aktivitet që ushtrojnë krahas postit publik.

Anti Korrupcioni nis hetim ndaj Kastratit 

Drejtoria për Parandalimin e Korrupsionit në AKK ka konfirmuar se ka nisur hetimet ndaj kreut të Komunës së Mitrovicës. 

“Procedurat e zhvillimit dhe hetimit të rasteve në përgjithësi nuk behën publike për opinion deri ne nxjerrjen e vendimit final nga AKK-ja konform Ligjit  04/L-051, në momentin e përfundimit te rastit AKK e bënë publike vendimin e saj lidhur me rastin në fjalë se a përben konflikt interesi rasti në fjalë apo jo”, ka deklaruar Afrim Atashi, drejtor i Drejtorisë për Parandalimin e Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupcion. 

Kjo agjenci thotë se një zyrtar nuk bie ndesh me ligjin tek atëherë kur bëhen ndryshimet e nevojshme në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

Kreu i Mitovicës gjatë kohës së mbajtjës së këtij posti publik ka nënshkruar edhe një kredi e cila ka të bëjë me biznes. 

Avni Kastrati bashkë me djalin e tij Arbnor Kastrati në mars të vitit 2011 kanë bërë nënshkruar një marrëveshje për ri-programimin e borxhit nga kredia e marrë në NLB Prishtina.

Arbnor Kastrati

“E di që ka qenë kredi biznesi por nuk më kujtohet data. Nuk e di a kam qenë kryetar apo jo sepse unë kam qenë vetëm garantues i djalit tim”, ka thënë kreu i Mitrovicës. 

Ndërkohë NLB Prishtina ka bërë padi në Gjykatën Ekonomike në Prishtinë për shkak të mos kthimit të borxhit nga palët. 

Në padinë e NLB Prishtina theksohet se palët nuk kishin kthyer borxhin edhe përkundër nënshkrimit të marrëveshjës për ri-programimin e tij. 

Këtë marrëveshje, sipas padisë së NLB Prishtina, e kishin nënshkruar Avni e Arbnor Kastrati. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje sipas padisë së NLB-së e lexuar në Gjykatën Ekonomike në fund të 2011-es ishte bërë në mars të këtij viti. 

Kjo bankë kërkonte nga kompania “Valvolub”, që përfaqësohej nga Arbnor Kastrati aksionar në këtë kompani, kthimin e borxhit në vlerë prej 130 mijë eurosh. 

Kryetari i Mitrovicës ishte garantues i kredisë pasi që kishte lënë si hipotekë një shtëpi e cila sipas tij kishte vlerë prej 500 mijë eurosh. 

Derisa Avni Kastrati thotë se marrëveshje për ri-programimin e borxhit ishte bërë për një kredi biznesi, versioni i Arbnor Kastratit jep një rrëfim tjetër për borxhin ndaj NLB-së. 

Ai thotë se nënshkrimet për ri-programimin e borxhit të dhënë vitin e kaluar gjatë kohës sa ai dhe babai i tij ishin që të dy zyrtarë të lartë nuk ishin dhënë për një kredi biznesi. 

“Pasi që kam shitur tokën në vlerë prej 100 mijë eurosh kam përmbyllur shumicën e obligimeve dhe kam bërë riprogramimin e pjesës së mbetur prej afro 30 mijë eurosh kredi private në emrin tij”, ka thënë Arbnor Kastrati, këshilltar politik i Ministrit për Zhvillim Ekonomik. 

Kastrati thekson se prej momentit të marrjes së funksionit të këshilltarit politik në MZHE nuk ka marrë asnjë kredi në emër të kompanisë së tij. 

“Prandaj kam kërkuar që ri – programimi të behët në emrin tim, e jo të kompanisë”, ka thënë Kastrati. 

Në formularin e deklarimit të pasurisë së tij, Arbnor Kastrati ka shkruar se është themelues e pronar i “Val Volub” Sh.P.K që është e regjistruar për tregtinë me shumicë të lëndëve djegëse të ngurta, të lëngëta, të gazta e të produkteve që përfitohen prej tyre. 

Në formular shkruhet se ai ka 50 për qind të aksioneve në “A&A Coatings”, me bazë në Mitrovicë, e cila ka për aktivitet kryesor ndërmjetësimin në tregtinë e lëndëve djegëse, xeheve, metaleve dhe produkteve industriale kimike.

Po ashtu, ai ka deklaruar që bashkëshortja e tij që punon në PTK ka 100 për qind të aksioneve në kompaninë private IIko-Watch.  

Kjo kompani me bazë në Mitrovicë ka për aktivitet kryesor tregtnë me shumicë të artikujve shtëpiakë.

Në Agjencionin për Regjistrimin e Biznesit figurojnë edhe tri biznese të cilat Arbnor Kastrati nuk i ka deklaruar në deklarimin e tij të pasurisë. 

Është kompania Amar për të cilën personi i autorizuar i saj Avni Kastrati thotë se është pasive, kompania “X Trade”, që figuron si pronë e Sead Mripa dhe Arbnor Kastrati si dhe kompania “Promotehna-Kosova”. 

Tek “X Trade” nuk figuron askush si person i autorizuar ndërsa tek “Promotehna-Kosova” është Arbnor Kastrati e Adnan Kamberi për Mitrovicë e Kurnoslav Mikshiq për Zagreb. 

Pronarë të kësaj kompanie, e cila ka për aktivitet ndërmjetësimin në tregtinë e produkteve të llojllojshme, janë kompania Promotehna dhe Valvloub në të cilën Arbnor Kastrati ka 100 për qind të aksioneve. 

Ndërkohë Kastrati ka thënë që prej marrjës së postit si këshilltar politik ka dhënë dorëheqje nga pozitat menaxheriale nëpër kompani private.

“Nga momenti i emërimit tim për zyrtar politik në MZHE unë kam vepruar sipas ligjit dhe nuk kam funksione menaxheriale dhe ekzekutive në kompanitë në të cilat kam aksione. Në ketë mënyrë është shmangur mundësia e konfliktit të interesit”, ka thënë Kastrati. 

“Kompania Promotehna është pjesë e Valvolub -it e jo e Arbnor Kastratit”, ka thënë ai. E, në “Valvolub”, Kastrati ka 100 për qind të aksioneve. 

Kompanitë “Amar”, “Valvoulub” dhe “NTP X Trade” janë të gjitha të regjistruara në adresën “Vëllezërit Dragaj”, 25, në Mitrovicë, sikurse edhe kompania “Eko –Kosova” Sh.p.k. e Avni Kastratit.