Kryetari i Gjykatës së Qarkut Bëhet Noter?

Gjykata më e madhe e vendit, ajo e Qarkut në Prishtinë, nga e premtja mund të mbetet pa kryetarin e saj aktual. Isak Ademi është njëri ndër kandidatët potencialë për të marrë licencën për noter.

Ademi, deri të premten duhet të marrë vendimin, nëse do të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të gjykatës dhe të marrë licencën për noter.

Zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë i kanë konfirmuar Gazetës Jeta në Kosovë se të gjithë kandidatët, të cilët dëshirojnë të marrin licencën për noter, duhet që deri të premten të njoftojnë dorëheqjen e tyre nga pozitat të cilat i mbajnë.

Të njëjtën ditë, Ministria e Drejtësisë do bëjë licencimin e kandidatëve për noterë, të cilët do fillojnë punën nga data 2 maj. “Konform ligjit, të gjithë kandidatët të cilët marrin licencën duhet që paraprakisht të japin dorëheqje nga pozitat të cilat janë duke i mbajtur tani”, tha Astrit Kolaj, zëdhënës i MD-së.

Sipas tij, përjashtim në këtë rast kanë vetëm kandidatët të cilët përpos noterisë, ushtrojnë edhe profesion të mësimdhënësit.

Gazeta JnK ka kontaktuar me kryetarin Ademi, i cili ka deklaruar se ende nuk e ka marrë vendimin nëse do vazhdojë të jetë kryetar i gjykatës, apo do të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit, për t’i hapur rrugë licencimit të tij si noter.

Isak Ademi është kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë nga qershori i vitit 2010, ndërsa në testimin për noter të mbajtur në gusht 2011-të, ai ishte radhitur në kandidatët më të suksesshëm të testit të noterisë, me një rezultat prej 80% të përgjigjeve të sakta.

Profesioni i noterisë është njëri ndër profesionet e reja në fushën juridike në Kosovë dhe gjenerata e cila do marrë licencën të premten është gjenerata e parë e noterëve të cilët do fillojnë punën.

Noteri kryen punë administrative, të cilat janë të lidhura me gjyqësorin, si vërtetim kontratash, përkthime, patundshmëri etj., të cilat deri më tani janë kryer nga gjykatat. Ky profesion pritet të jetë fitimprurës për ata që do ta ushtrojnë, prandaj në mesin e atyre që i janë nënshtruar testit gjendet edhe një kryetar gjykate dhe avokatë të njohur.

Kandidatët të cilët e kanë kaluar testin e noterisë dhe që presin të marrin licencat:
1. Arbena Shehu, 89.3 %.
2. Halil Rukiqi, 83.33 %.
3. Sefadin Blakaj, 80.67 %.
4. Vizhdane Kuçi, 80 %.
5. Ekrem Nuhiu, 80 %.
6. Isak Ademi, 80 %.
7. Arjeta Uka, 79 %.
8. Ramadan Bunjaku, 78.67 %.
9. Ermira Uka-Gashi, 78.33 %.
10. Naim Recaj, 78.33 %.
11. Bahrija Skenderi, 78 %.
12. Agron Vranezi, 77.66 %.
13. Hajzer Bublaku, 76 %.
14. Orhan Gashi, 75.67 %.
15. Sefer Krasniqi, 75.33 %.
16. Shaqir Vula, 75 %.
17. Nysret Ahmeti, 75 %.
18. Fatmir Halimi, 75 %.
19. Agron Matjani, 74.67 %.
20. Usref Maznikar, 74 %.
21. Minir Zekolli, 73.67 %.
22. Kabil Merovci, 72.67 %.
23. Naser Pajaziti, 72.33 %.
24. Skender Dumani, 72.33 %.
25. Fejzullah Rexhepi, 71.67 %.
26. Arteida Asllani, 69 %.
27. Shpend Haskaj, 68.33 %.
28. Bashkim Stavileci, 67.67%.
29. Gazmend Heta, 67.33 %.
30. Enver Morina, 66.33 %.
31. Aliriza Beshi, 65.67 %.
32. Burim Xhemajli, 65.33 %.
33. Ibrahim Elshani, 65 %.
34. Fatmir Tasholli, 64 %.
35. Mustafë Musa, 63.67 %.
36. Sherife Seferi-Tahiri, 63.33 %.
37. Arbër Sadiku, 61.33 %.
38. Astrit Bibaj, 60 %.