Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, Foto: KALLXO.com

Kryetari i Dragashit përballë problemit mbi 20-vjeçar me ujë të pijshëm

Tash e mbi dy dekada Komuna e Dragashit vazhdon të ketë problem me ujë të pijes. Për këtë problem ende nuk u gjet zgjedhje as në mandatin e Bexhet Xhaladinit nga LDK, i cili triumfoi përballë Shaban Shabanit të PDK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Në vitin 2021, Bexhet Xheladini kishte premtuar se qysh në vitin e parë të mandatit të tij do të fillojë realizimi i projektit për furnizim me ujë të pijes. Projekti filloi, por ende nuk është funksionalizuar. 

“Në vitin e parë parë të qeverisjes sime, do të fillojë realizimi i këtij projekti për ujësjellësin. Ky projekt nuk është vetëm për fshatin Brezne, por për 15 fshatra”- kishte deklaruar Xheladini në emisionin “Jeta në Komunë” më 08.11.2021

Tri vite pas këtij premtimi të Xheladinit, qytetarët e Dragashit kanë ende të njëjtat ankesa për ujin. 

“S’kemi ujë, prej liqenit me pompa e marrim, atje bazeni nalt është, por s’po mjafton, tash sidomos verës nuk kemi”- është ankuar Agim Zashiqi, banor i fshatit Brezne në emisionin “Jeta në Komunë”.    

Pasi u përball me ankesat e qytetarëve për ujin, Xheladini tha se edhe pse premtoi projektin për ujësjellësin qysh në vitin e parë të mandatit, sipas tij, në buxhet ka gjetur vetëm 5 mijë euro për ujësjellës.

“Ju e dini që një vit më herët përgatitet buxheti për vitin e ardhshëm dhe unë kur e kam premtu që vitin e parë do të fillojë procesi, unë në buxhet i kam gjetë vetëm 5 mijë euro për ujësjellës, ndërsa ujësjellësi në përgjithësi kushton 3 milionë e gjysmë euro. Ato mjete nuk e di ku kanë shku. Lënda ka shku në OSHP, atëherë është dashtë unë me OSHP-në me bo negociata, e kam anulu tenderin në përgjithësi”- deklaroi Xheladini. 

I pari i Dragashit, Bexhet Xheladini premtoi përsëri ujin në Dragash, për të cilin tha se do të zgjidhet para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. 

“Rrjeti i ujësjellësit përfundon këtë vit, pra uji ka mbërri në të gjitha rezervuaret e fshatrave ndërsa tash para dy jave kemi fillu edhe me ndërtimin e impiantit të fabrikës së ujit për përpunimin e ujit”- përfundoi Xheladini.   

Kritika për Xheladinin nga opozita pati edhe për kanalizimin në fshatra. Kjo çështje u ngrit për diskutim nga asamblisti nga radhët e PDK-së, Shpejtim Hajredini, i cili tha se në fshatin Kuk kanalizmi nuk është funksional. 

“Arsyeja pse nuk mujmë ta bëjmë kanalizimin është se fshatrat duhet të kyçen në sistemin e ujësjellësit në Hidroregjion në mënyrë që të kanë mundësi ata me e bo pagesën e kanalizimit. Pa e bo kanalizimin qendror nuk mundemi me bo marrëveshjen, po duhen shumë miliona euro” – ka deklaruar Xheladini në debat. 

Për këtë Xheladini tha që për t’u bërë kanalizimi qendror, duhet që ujësjellësi të lidhet në 15 fshatra të Dragashit dhe komuna të lidhë marrëveshje me Hidroregjionin.  

Xheladini tha se ujësjellësi do të përfundojë në këtë mandat dhe pas kësaj do të lidhet edhe marrëveshja me Hidroregjionin.

Premtimi prej “letre” për Dragashin e pastër 

“Zotohem para qytetarëve se Dragashin do ta bëj një ndër qytetet më të pastra në Kosovë, përndryshe tani është qyteti më i ndyrë në Kosovë”- kishte premtuar Bexhet Xheladini në emisionin “Jeta në Komunë”, më 08.11.2021

I pari i Dragashit, Bexhet Xheladini, në vitin 2021 ishte zotuar se Dragashi do të bëhet ndër komunat më të pastra. 

Mirëpo, tri vite pas, verifikimi në terren i ekipit “Jeta në Komunë” tregoi një gjendje ndryshe.

Pamje jo të mira janë evidentuar në fshatin  Radesh, te lumi në Bellobrad e te liqeni i Breznës. Përballë këtyre pamjeve u vu kryetari i Dragashit në emisionin “Jeta në Komunë”. 

Disa fshatra të Dragashit kanë problem edhe me mospërfshirjen e tyre në sistemin e grumbullimit të mbeturinave. E në vitin 2021, në emisonin “Jeta në Komunë”, Xheladini premtoi se asnjë fshat nuk do të mbes jashtë këtij sistemi. 

Kryetari Bexhet Xheladini tha se në disa prej fshatrave të komunitetit goran në Dragash, nuk bëhet fare grumbullimi i mbeturinave për shkak se qytetarët e këtyre fshatrave nuk pranojnë që të paguajnë për t’i mbledhur mbeturinat te kompania e caktuar publike.

Foto: KALLXO.com

Grumbullimi i mbeturinave përplasi ashpër asamblistët me kryetarin.

Teksa kryetari deklaronte se fshatra të caktuara të komunitetit goran në Dragash po refuzojnë të futen në sistem, asamblisti goran Nexhmedin Sejdilar nuk u pajtua me të. 

“Problemi më i madh me mbeturina në terrenin tim është që kompania nuk ka kapacitet me i bartë mbeturinat me kohë dhe qytetarët janë të shqetësuar dhe për këtë arsye nuk pranojnë me hy në sistem por edhe pagesa për 5 euro e gjysmë është e shtrenjtë’ – deklaroi Sejdilar.

Edhe asamblisti nga radhët e Vetëvendosjes, Uran Halimi, i cili vjen nga fshati Balq tregoi se edhe pse paguan për mbledhjen e mbeturinave, ato shpesh nuk mblidhen. Ai shti se dhe përkundër pagesave vazhdojnë të ekzistojnë edhe deponi ilegale. 

Kryetari Bexhet Xheladini u shpreh se në zonat ku nuk janë të përfshira për mbledhjen e mbeturinave, ato hidhen vend e pa vend. 

“I gjuajnë ku të munden”- tha ai. 

Xheladini “thyen akullin”, një grua drejtoreshë në Dragash 

Komuna e Dragashit nuk ka pasur gra drejtoresha në kabinetet e kryetarëve të komunave. 

Në emisionin “Jeta në Komunë” në vitin 2021, kur Bexhet Xheladini nga LDK ishte pyetur nëse do të emërojë gra drejtoresha në Dragash nëse merr pushtetin.

Xheladini më 07.10.2021 u shpreh se “do të bëjnë përmirësime dhe përparime”, duke mos cekur numrin e grave që do të emërohen në krye të drejtorive komunale.

Kur e mori pushtetin, Xheladini emëroi një grua drejtoreshë në kabinetin e tij. Sipas kryetarit të Dragashit, në këtë Komunën e Dragashit deri në ardhjen e tij në pushtet, nuk ka pasur asnjëherë një grua në krye të ndonjërës drejtori komunale.  

I pari i Dragashit, e konsideron sukses emërimin e një drejtoreshe në kabinetin e tij, prej 8 drejtorive sa janë gjithsej në këtë komunë. 

“Unë e kam thy akullin. Në historinë e ekzistimit të Dragashit nuk ka pasë kurrë drejtoreshë femër dhe nuk ka pasë kurrë kryesuese femër” – tha Xheladini. 

Shiriti u pre, projektet s’u funksionalizuan

Në tre-vjetorin e marrjes së mandati, kryetari Bexhet Xheladini u përball edhe me gjetjet e hulumtimit në terren të ekipit të “Jeta në Komunë”, që verifikoi nga afër projektet që kryetari i promovoi në rrjetet e tij sociale. 

Disa projekte nuk dolën të ishin ashtu siç i promovoi kryetari. Madje disa prej tyre, anipse u promovuan si të përfunduara, pas verifikimit në terren, nuk ishin as të gatshme për funksionalizim.

Për sallën e edukatës fizike në SHFMU “28 Nëntori” në Bresanë kryetari shkruante se është e gatshme me të gjtha pajisjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Por, salla nuk po përdorej nga nxënësit, pajisjet sportive mungonin, muret kishin marrë lagështi e po rridhte uji. Për këtë, gjatë debatit, kryetari e pranoi se punimet ende nuk kanë përfunduar. 

“Është tash tenderi i fundit, kanë fillu punimet. Të gjitha punët e pakryera, kryhen brenda dy javësh”- deklaroi Xheladini. 

Xheladini “e preu shiritin” edhe për fushën e futbollit në Dragash. Edhe pse klubi “Opoja” i filloi lojët, del se fusha nuk kishte fare zhveshtore. 

Për këtë Xheladini tha se kanë arritur marrëveshje me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe se kjo federatë do të investojë për ndërtimin e  rrethojës në fushë dhe zhveshtoreve. 

Rubrika “Pas shiritit” shpërfaqi edhe telashet me lagështinë në mure në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bresanë, edhe pse ky objekt u renovua. 

Për problemin e lagështisë në muret e kësaj QMF-je, kryetari i Dragashit tha se është punë që mund të kryhet shumë shpejt.

“Këto janë punime të vogla, me 10 euro investim ajo mundet me u rregullu. Unë tash për herë të parë po e shoh” – deklaroi Xheladini.

Llupës së ekipit të “Jeta në Komunë” nuk i shpëtuan as rrugët e Dragashit, të cilat gjatë mandatit të Xheladinit, ishin promovuar mjaft në rrjetet e tij sociale, mirëpo gjendja në tërren, tregonte rrugë të papërfunduara e me cilësi të dobët.  

Gjatë debatit u shfaqën pamje të rrugës Zlipotok-Brod që do të lidhë fshatrat Restelicë dhe Brod. 

Ekipi i “Jeta në Komunë” ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka parë se një pjesë e kësaj rruge është e shtruar, kurse një pjesë tjetër është e pashtruar dhe vështirë e kalueshme. Edhe pse Xheladini këtë rrugë e kishte promovuar në dhjetor të viit 2022, në debat, ai u shpreh se kjo rrugë nuk ka mbaruar ende. 

“Ky projekt ka disa vite që ka fillu dhe kjo rrugë për momentin nuk është në përdorim. Për shkak të buxhetit të vogël të komunës, jemi duke e bo me faza. Tash është faza e tretë, me mjetet e Ministrisë së Transportit janë nda 350 mijë euro dhe besoj që kjo rrugë do të kryhet” – tha Xheladini.

Renditja në Raportin e Performancës, faji te “lëshimet teknike” 

Në Raportin e Performancës Komunale të hartuar nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Dragashi nuk qëndron mirë. Në tabelën e performancës, del se në instalimin dhe funksionimin e kanalizimit në gjithë territorin e komunës, Dragashi nga MAPL-ja është vlerësuar me zero pikë.

Edhe diskutimi i raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit është vlerësuar me zero pikë, përformanca për numrin e fëmijëve që e vijojnë kopshtin me zero pikë. Me zero pikë është vlerësuar edhe pjesëmarrja e qytetarëve në konsultime publike. 

Përballë këtyre të dhënave, kryetari Bexhet Xheladini tha se problemi i vetëm është tek raportimi jo i duhur i këtyre pikave nga zyrtarët e kësaj komune . Ai e ka konsideruar si “lëshim teknik” gjatë plotësimit të formularëve dhe jo si rezultate reale që e karakterizojnë komunën. 

“Ka pasë problem te njerëzit që kanë raportu, shumica e problemit ka qenë te na. Është problemi që janë disa formula aty që në fund ti i raporton, ata t’i llogaritin zero, ti  mendon se ke raportu mirë edhe i ke paraqitë gjenerale, po ata në bazë të  formulës ta qesin zero” – deklaroi Xheladini. 

Njëri nga indikatorët e performancës tregoi që pak fëmijë apo fare nuk shkojnë në kopsht në Dragash. 

“Komuna e Dragashit deri më tash nuk ka pasë çerdhe, jemi në fazën e pranimit teknik të çerdheve që i kemi në Dragash“ – deklaroi Xheladini. 

Megjithatë, Xheladini premtoi se në muajin tetor 2024, Dragashi do ta ketë një çerdhe, për të cilën tha se vetëm pritet që komisioni nga Prishtina të shkojë dhe ta bëj pranimin teknik dhe t’ia japë licencën. Madje Xheladini premtoi se edhe stafi i kësaj çerdheje do të rekrutohet brenda muajit tetor të këtij viti.

“Një e kemi, gati është, vetëm pritet të lëshohet”- premtoi Xheladini.

Llupa e Auditorit në Dragash

Para të parit të Dragashit dhe asamblistëve, u shfaq një video me gjetjet dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportet e vitit 2022 dhe 2023.

Sipas Auditorit, Dragashi nuk i ka paguar faturat me rregull dhe se kjo krijoi vonesa tek kompanitë duke bërë që komuna të përfundojë me 112 mijë euro borxhe në fund të vitit 2023. 

Në fjalën e tij, drejtori i Financave në Komunën e Dragashit, Qamil Kolloni, për vonesat në pagesën e faturave tha se këto kanë ardhur si rrjedhojë e kompanive, të cilat nuk i kanë dorëzuar me kohë raportet e investimeve kapitale.

“Auditori e ka gabim për faktin e kontrata valide deri në fund të vitit e kompanive, të cilat  kanë marrëveshje me komunën dhe janë kontrata dyvjeçare që e kryejnë pjesën e punimeve që i kryejnë këtë vit dhe pjesën tjetër të punimeve, vitin tjetër” – deklaroi Kolloni. 

Për këtë Kolloni ka thënë se deri më tani ende nuk është gjobitur asnjë kompani. 

Një problem tjetër që Auditori evidentoi në Dragash është menaxhimi i pronës komunale. Në raport thuhet se komuna arriti të ofronte me qira dhe për shfrytëzim vetëm 80% të pronës që e ka në dispozicion.

ZKA potencoi se në vitin 2022, Komuna e Dragashit punësoi 11 punëtorë me kontratë mbi vepër, pa ndjekur procedurat e prokurimit.

Përveç kësaj, sipas ligjit, komuna është e obliguar t’i ketë tre auditorë të brendshëm, mirëpo auditori konstatoi se në Komunën e Dragashit punon vetëm një auditor i brendshëm. 

Për numrin e auditorëve të brendshë, drejtori Kolloni tha se kanë kërkuar më shumë auditorë të brendshëm. Por sipas tij, problemi qëndron te qeveria ngase ata duhet t’u japin një kuotë për të pranuar punëtorë të tjerë dhe për këtë arsye nuk mund t’i fusin në sistem të pagave. 

“Numri i auditorëve neve na takojnë tre edhe do të ishte mirë edhe kemi kërku që auditori të na bjerë këtë rekomandim, mirëpo problemi qëndron te qeveria për arsye se ata duhet të na japin një kuotë për me pranu punëtorë të tjerë. Derisa nuk marrim të drejtë me pranu punëtorë tjetër, na nuk mund ta vendosim në sistem të pagave dhe nuk kemi mundësi me ngarku” – u përgjigj drejtori i Financave, Qamil Kolloni.