Krye -Agjenti i Provokimit

Kur vjen fjala tek ironizimi i stereotipeve gjinore, ajo tregon me krenari punën e saj. Shfaq zemërimin për pozitën e femrës në botë përmes karikaturës.

Por, vet është e privilegjuar.

Kjo është Liza Donnelly, karikaturistja e New Yorker-it e cila punën e kishte filluar në vitin 1979, atëherë kur vetëm tri kolege të vetat kishin vendosur të bënin punën e njëjtë – e që shihej si “punë e meshkujve”.

Ajo vjen në Kosovë për qëndrim të shkurtër në kohën kur në mbarë botën flitet për karikaturën si provokatore e debateve të reja për lirinë e shprehjes.

Së pari, magazina franceze “Charlie Hebdo” publikoi karikaturat e Profetit Muhamed të cilat po nxisin debat lidhur me lirinë e shprehjes dhe provokimin. Polemika kishte nisur si rezultat i publikimit të filmit “Pafajësia e Myslimanëve” që ofendoi shumë myslimanë në mbarë botën.

Ndërkohë vazhdojnë polemikat edhe ndërmjet New Yorker-it e Facebook-ut në SHBA lidhur me censurën që Facebook i ka bërë revistës prestigjioze amerikane. Karikatura e autorit Mick Stevens e postuar në faqen e New Yorker-it në Facebook, shtyu administratorët e Facebook-ut të mbyllin për 24 orë faqen e revistës. Sipas Facebook-ut, me anë të kësaj karikature nuk janë respektuar standardet e saj lidhur me nudizmin dhe seksin.

Karikatura e Stevens paraqiste Adamin dhe Evën në Kopshtin e Edenit, të dy të zhveshur, ku shihen thithat e Eve dhe të Adam. Ndërsa ajo çka i ka shtyrë dhe që e ka dhunuar kodin e publikimit, sipas Facebook-ut, ishin thithat e Evës, dhe jo të Adamit.

Gjithë kjo çështje ironizohet nga Zyra e Karikaturës së New Yorker-it dhe konsiderohet si e pakuptimtë dhe e ekzagjeruar.

Në një reagim të kësaj zyre, Robert Mankoff shtron pyetjen nëse dy pika më të mëdha si këto: (••) paraqitkan problem ndërsa pikat më të vogla si këto: (∙∙) nuk paraqitkan. 

Debati është ironizuar edhe nga vetë autori i karikaturës, Stevens, i cili në blogun e tij shkruan: “Thithat e tjera të paraqitura në pemën lartë nuk janë vënë re”. Ai madje thotë që ka nevojë për terapi nga kjo çfarë ka ndodhur, aq e pakuptimtë që është.  

Po kjo është natyra e ditëve të sotme – e nxitimit të radhëve të ngjeshura që kërkojnë gjithmonë censurë dhe kornizim, përballë një duzine njerëzish kreativë e të vendosur që provojnë të zgjojnë kureshtjen e rezistencës dhe të mbajnë lartë të drejtën e të shprehurit. Duke provokuar dhe nxitur për arsyetime. 

Liza Donnelly e cila vet ka vizatuar karikatura të ndryshme që provokonin opinionin publik, sidomos në aspektin gjinor, mendon se provokimi është i lejuar deri sa nuk shndërrohet në dhunë.

Lidhur me karikaturat e Muhamedit, të cilat provokuan gjithë botën, ajo shprehet: “Nuk i kam parë. Është çështje e komplikuar. Unë nuk dua dhunë, nuk dua të provokoj deri në atë masë”.

Ndërsa për çështjen Facebook – New Yorker, ajo përshkruan debatin: “Facebook e mbylli faqen tonë për 24 orë por pastaj e ktheu prapë. Është një debat që vazhdon, një keqkuptim”.

foto  
Liza Donnelly  

Por, Donnelly shprehet se paradoksalisht raste si këto me satirizimin e profetit Muhamed, që nxisin polemika e ballina gazetash, i kanë bërë karikaturistët të jenë më të përfolur.

“Ishte e çuditshme. Karikaturistët nuk e kanë pasur këtë privilegj në të kaluarën, s’mund të them që kam qenë e lumtur për këtë fakt. Mendoj që karikatura është një formë e rëndësishme e gazetarisë, dhe sa herë që njihet është mirë, por jo në këtë rast”.

Shqiponja sfidon korrupsionin

Karikatura kaq provokative nuk njihen tek ne këto ditë. Disa media e mbajnë gjallë atë traditë, por është një strip kosovar që ka shkaktuar goxha polemikë.

Strip-artisti kosovar Gani Sunduri ka paraqitur personazhin më të ri të stripit shqiptar “Shqiponja e kuqe”. Gazeta serbe Blic e kishte krahasuar atë me super heronjtë e Ballkanit Super Hrvoje, Bosna Men, Knindzas etj.

Sunduri mohon që “Shqiponja e kuqe”  i përket kategorisë së super-heronjve që janë marrë me tema të luftërave të ish-Jugosllavisë. “Stripi im lufton krimin ose dhunën brenda Kosovës dhe jo jashtë saj. Nuk ka lidhje me luftërat e fundit në ish-Jugosllavi”, thotë Sunduri.

Ai si fëmijë ishte adhurues i stripave të asaj kohe dhe inspirimin e ka marrë nga stripat e stilit italian e amerikan.

“Për këtë karakter u inspirova nga stripi i Lee Falkut ‘Fantomi’ dhe Betmeni ose pak edhe nga Spidermani”, thotë Sunduri.

foto  
Stripi i Gani Sundurit  

 

Stripi Shqiponja me 23 qershor 2012 u paraqit te lexuesit e tij me një edicion të veçantë, dhe ishte pjesë e kornizës së festivalit të tetë ndërkombëtar të stripit e karikaturës.

Sunduri shprehet i gatshëm të vazhdojë me edicione të tjera nëse ka interesim nga lexuesit, ndonëse shprehet i pakënaqur me nivelin e leximit të stripave në Kosovë.

“Vetëm në Kosovë dhe Shqipëri nuk ka edicion të stripave, përveç disa edicioneve kohë pas kohe që publikohen, por me festival jemi duke krijuar një lidhje të stripit me të rinjtë dhe adhuruesit e stripit”, tha ai.

Në botë stripi është pranuar si dega e “artit të nëntë”. Në vende botërore si në Francë, Belgjikë etj. stripi është lëndë nëpër shkolla. “E për fat të keq tek ne ende konsiderohet si pa vlerë, si nga akademikët, profesorët ose intelektualët”, thotë kryetari i shoqatës së strip-artistëve.

Karikatura vs. Interneti

Peter Steiner nuk e kishte ditur që karikatura e tij do t’i sillte 50,000 dollarë përfitime nga ribotimi i saj.

Në vitin 1993, karikaturisti amerikan kishte vizatuar dy qenë: njëri i ulur në karrige përballë kompjuterit duke i thënë shokut të tij afër: “Në internet, askush nuk e di që je qen”.

Kjo karikaturë iu dedikua privatësisë në internet. Edhe kjo karikaturë përdorte ironinë dhe sarkazmin për të adresuar këtë çështje. 

Sot pas njëzet vitesh interneti po “bën shaka” me karikaturën. Karikaturat që lidhen më shumë me medien e shkruar janë duke u përballur me krizën ashtu sikur vet media e shkruar.

“Interneti e ulë ndikimin e karikaturës, sepse jo shumë njerëz i shohin më, kështu që është shumë e rëndësishme që redaktorët e websiteve të publikojnë karikatura në website, dhe të paguajnë karikaturistët”, shprehet Liza Donnelly.

foto  
“Hot Dogu 2.0 $, Pija 1.5 $, Paqja në botë: nuk ka çmim” | Liza Donnelly  

 

Sipas Donnelly, karikaturat politike të gazetave të shtypura në vende të vogla preknin çështjet lokale politike dhe ishin të rëndësishme për njerëzit, ndërsa sot, me zhvillimin e internetit, karikatura ka ndikim global. “Njerëzit janë të zënë, nuk kanë shumë kohë dhe nuk duan të lexojnë artikuj të gjatë, prandaj karikaturat janë të mira për të kuptuar çështjet më shpejt”, shprehet Donnelly.

Karikatura për Donnelly ndihmon në luftimin e stereotipave të ndryshme, sidomos atyre gjinore. “Humori i bën njerëzit të mendojnë më shumë për gjëra. Unë kam ligjëruar Studime Gjinore në Universitet dhe përdorja karikaturën për t’i bërë studentët të flasin për një çështje, në vend që të lexoja një artikull teorik të gjatë”, thotë Donnelly. 

Ndonëse vet është e privilegjuar të punojë në një nga gazetat që e thekson shumë rolin e karikaturës, ajo mendon që është vështirë të bësh një jetë të denjë si karikaturist.

“Karikaturistët duhet të paguhen në mënyrë të njëjtë si gazetarët që shkruajnë”, thotë Donnelly.

foto  
“Mendoj se do të dukesha më bukur pa ty” | Liza Donnelly  

 

Femrat në karikaturë – si në çdo profesion tjetër

Donnelly nuk ka pasur asnjë rast censure nga që New Yorker, ku ajo është e punësuar, është e njohur në fakt për Zyrën e Karikaturës.

“Disa magazina hezitojnë të publikojnë karikatura për çështje feministe, sepse nuk mendojnë që është interesant, e rëndësishme apo që është çështje diskutimi. Unë mendoj që feminizmi është çështje diskutimi, feminizmi nuk është i vdekur, dhe ka ende shumë të drejta të njeriut që duhen adresuar”, shprehet ajo.

Ndërsa disproporcioni në mes femrave e meshkujve në këtë profesion është arsye se bota e sheh karikaturën si punë të meshkujve.

“Vizatimi është vetëm një komponentë e karikaturës, tjetri është opinioni”, thotë Donnelly.

Për të, femrat nuk janë të mësuara të kenë opinion të fortë, nuk janë të inkurajuara t’i shprehin ato.

Madje edhe numri i femrave që shkruajnë editoriale është gjithashtu i vogël, thotë ajo.

“Femrat nuk kanë kurajë të shkruajnë dhe redaktorët nuk i lexojnë ose publikojnë”.

foto  
Gratë duke mbajtur planetin në supe | Liza Donnelly