Ilustrim
KRU “Gjakova” bleu barkën e padoganuar nga kompania që u hap një muaj para se të fitonte tenderin
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka blerë një barkë/anije të vogël në vlerë 24,500 euro por e njëjta nuk arriti të shfrytëzohej pasi që u sekuestrua nga ana e Doganës dhe Policisë së Kosovës. Kjo barkë u ble nga KRU “Gjakova” prej një kompanie e cila ishte regjistruar rreth një muaj para se ta fitonte tenderin.
Më 09.07.2024, KRU “Gjakova” kishte hapur tender për blerjen e një barke/anije të vogël e cila do të shfrytëzohej për monitorim, kontrollim dhe mirëmbajtje të liqenit të Radoniqit.
14 ditë më vonë, më 23.07.2024, kompania “Lind Fix” është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) kurse më 16.08.2024, KRU “Gjakova” ka nënshkruar kontratën në vlerë 25,400 me kompaninë “Lind Fix” për blerjen e barkës.
Për këtë barkë që u ble nga KRU “Gjakova” u konstatua se nuk ishin ndjekur procedurat e doganimit. Kjo më pas hapi rrugë për hetim dhe e njëjta u sekuestrua nga Policia dhe Dogana e Kosovës. Që nga 17.10.2024, barka është në Doganën e Kosovës.
Në disa përgjigje për KALLXO.com, Dogana e Kosovës ka treguar edhe arsyet e sekuestrimit.
“Dogana e Kosovës ka pranuar një kërkesë nga Policia e Kosovës (PK) për të verifikuar nëse një barkë i është nënshtruar procedurave doganore në Republikën e Kosovës. Pas analizave, u konstatua se barka me ato karakteristika nuk është zhdoganuar në Doganën e Kosovës”- thotë Dogana në përgjigjet për KALLXO.com me datë 22.10.2024.
Sipas Doganës, njësitë e saj, së bashku me zyrtarë të Policisë së Kosovës, kishin vizituar KRU “Gjakovën” ndërsa pas verifikimeve të duhura dhe mungesës së dokumentacionit për zhdoganimin e barkës, e njëjta është sekuestruar/ndaluar përkohësisht, me dyshimin se nuk është e zhdoganuar.
“Barka është në Doganën e Kosovës që nga 17.10.2024, deri në përfundimin e të gjitha procedurave të nevojshme nga sektorët kompetentë në Doganën e Kosovës” – thuhet tutje në përgjigjet e Doganës për KALLXO.com.
Në Prokurori në Gjakovë nuk ka ndonjë rast të evidentuar për këtë rast.
“Lidhur me pyetjen e parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se pas kontrollimit në evidencat tona, nuk kemi raste të pranuara” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjakovës të datës 22.10.2024.
Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, i cili ka qenë kandidat i LVV-së për asamblist në zgjedhjet lokale të vitit 2021, tha se nuk ka dijeni shumë për ngjarjen por që Dogana e Kosovës i ka trokitur në derë për çështjen e barkës.
“Nuk jam në ngjarje as unë, vetëm që Dogana ka ardhë te unë dhe operatori që na ka furnizu me barkë sipas procedurave të tenderit nuk e ka pasë dudin doganor të Doganës vetëm kaq unë di. Tash është procedurë e doganës, për me gjetë pronarin që ka ofertu te ne, pse ka ofertu me barkë që nuk e ka të kaluar procedurën doganore, kaq”- shtoi ai.
Sipas tij, tashmë përveç hetimeve nga Dogana e Kosovës edhe brenda KRU “Gjakova” janë duke u kryer hetime të brendshme për të sqaruar dhe zbardhur situatën.
“E vetmja gjë është kjo, pronari nuk e ka kry formalitetin e doganës dhe pa dokument doganor ka apliku te ne, menaxheri i kontratës a ka bërë apo jo gabim janë duke u zhvillu hetime edhe në kompani edhe në Doganën e Shtetit. Unë të thashë është duke u bërë hetimi edhe në kompani dhe do të jap dikush llogari në bazë të rregulloreve të kompanisë ndërsa tjetër kush po kryen hetime në doganë”- shton tutje Krasniqi.
KALLXO.com ka kontaktuar me Arlind Hasimja, pronar i kompanisë “Lind Fix”, nga e cila KRU “Gjakova” e ka blerë barkën. Hasimja pranoi se barkën për të cilën fitoi tenderin e shiti pa doganë duke pretenduar se institucioni që e blen apo individi e paguan tarifën doganore.
“Qashtu unë e kam marrë e kam blerë barkën, qashtu qysh ka qenë e kam blerë, nga pronari që e ka pasë, prej jashtë ka ardhë barka. Me letra të jashtme është, nuk ka letra të Kosovës. Doganën nuk e kam la, pa doganë e kam shitë, doganë, ai që e blen ai e lanë doganën. Dikush e blen, e shet, ai që e blen e paguan doganën”- shtoi ai.
“E kam shok, i ka pëlqyer barka që e kam pasë”
Arlind Hasimja, pronar i kompanisë “Lind Fix”, e cila u regjistrua në ARBK të korrik dhe fitoi tenderin për barkën në muajin gusht nga KRU Gjakova, e ka pranuar se biznesin e ka hapur një muaj para marrjes së tenderit.
“Po në korrik është hapë [kompania], dhe po menjëherë e kam fitu tenderin. I ka pëlqy barka ime që e kam pasë dhe ka ndodhë qashtu. Unë e kam hap biznesin edhe për punë/biznes temin, në lëmi të ndryshme e kam, mekanik, vetura, mobileri, shitblerje”- thotë Hasimja për KALLXO.com përmes telefonit.
Në bisedë me KALLXO.com, Hasimja tha edhe se Hasan Krasniqin, kryeshefin e KRU “Gjakova”, e ka shok.
“Jo, jo nuk jemi familjarë por veç shokë jemi. Jo, jo nuk ka ndiku kurrgjo ajo punë. Unë e kam parë që është, kam apliku i ka pëlqy oferta ime. Tri kompani kemi qenë dhe unë e kam fitu tenderin”- shton tutje Hasimja.
E në lidhje me këtë çështje KALLXO.com, kontaktoi edhe me Hasan Krasniqin, kryeshefin e KRU “Gjakova”. Krasniqi e mohoi që e ka shok pronarin e kompanisë nga e cila u ble barka.
“As nuk e kam mik, as nuk e kam farë, as në fis. Mik e ka pronari i barkës dhe aplikuesi ata janë miq mes vete, këtu është bërë një shantazh i juve gazetarëve apo në hetime. Ata dy janë miq mes vete jo me kryeshefin”- ka përfunduar Krasniqi.
Në janar të vitit 2022, Hasan Krasniqi ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv i KRU “Gjakova.” Krasniqi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e saj.
Ligji për Ndërmarrjet Publike kërkon që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.
Hasan Krasniqi ishte arrestuar më 19.02.2024 në Bullgari, pasi që ndaj tij kishte një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane, nën dyshimin për trafikim me njerëz. Sipas informacioneve të cilat posedonte KALLXO.com, Krasniqi dyshohej se kishte kryer organizim të kundërligjshëm, konkretisht kontrabandë me të mitur. Kjo pasi që i njëjti dyshohet se me qëllim të hyrjes ilegale në Itali dyshohet se kishte simuluar pjesëmarrjen e të njëjtëve nëpër disa turne sportive, me qëllim të përfitimit të vizës Schengen për qëllime sportive.
Në një përgjigje për KALLXO.com, avokati i Krasniqit, Tritan Hamitaj, në mars 2024 kishte sqaruar se Krasniqi është ortak në një kompani, “Shpatturs shpk” e cila merret me transport rrugor të udhëtarëve, por që drejtohet nga vëllai i tij, Muhamet Krasniqi. Dhe sipas Hamitajt, për shkak të transportimit nga kjo kompani të disa sportistëve në vitin 2022 ata nuk janë kthyer në Kosovë dhe autoritetet italiane të drejtësisë kanë vlerësuar se marrja e vizave prej tyre ka pasur parregullësi.
Gjatë kohës që ishte arrestuar, në vend të Krasniqit, Visar Hasi ishte emëruar ushtrues detyre i kryeshefit të KRU Gjakova.
Në prill të vitit 2024, bordi i KRU “Gjakova” e kishte anuluar vendimin dhe e kishte kthyer Krasniqin në pozitën e kryeshefit.
Kandidati i Vetëvendosjes për asamblist zgjidhet kryeshef në KRU ”Gjakova”