Kroatët me Ulëse të Rezervuar në Parlamentin e Kosovës

Presidentja Atifete Jahjaga vizitoi, të dielën, komunitetin kroat në Janjevë, ku tha se ndryshimet kushtetuese që do të miratohen së shpejti nga parlamenti do të bëjnë të mundur ndryshimin e propozuar.

“Po ju sjell lajme të mira”, tha Jahjaga. “Kemi rënë dakord me kryeministrin e Kosovës që komuniteti kroat do të jetë një Komunitet Kushtetues, sikurse përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe do të ketë një ulëse të rezervuar në Parlamentin e Kosovës”.

Deri më tani ka gjashtë minoritete të njohura me Kushtetutën e Kosovës: serbët, boshnjakët, turqit, ashkalit, romët dhe egjiptianët. Të gjithë kanë ulëse në parlament. Nga 120 ulëset, 20 prej tyre janë të rezervuara për minoritetet. Dhjetë ulëse janë të rezervuara për serbët dhe pjesa tjetër të ndara midis pesë minoriteteve të tjera.

Gjatë vizitës së saj në Janjevë, fshat i vogël në Kosovën qendrore, ku kroatët kanë jetuar për dekada, Jahjaga u zotua se do të ndihmojë që rajoni të zhvillohet ekonomikisht.

Përveç kroatëve, malazezët kanë kërkuar gjithashtu të shpallen Minoritet Kushtetues në Kosovë. Sidoqoftë, Podgorica i ka bërë kusht marrëdhëniet e mira diplomatike me Prishtinën, për të zgjidhur këtë çështje.