Kroacia e Dënoi Mladiqin më 1992 për Krime Lufte
Sipas informacioneve nga Zyra e Prokurorit Kroat, në korrik të vitit 1992, Gjykata e Kantonit në qytetin bregdetar Sibenik e dënoi Mladiqin me njëzet vjet burgim për sulmin në fshatin Kijevo, në Dalmaci, më 26 gusht 1991.
Në atë kohë, Mladiqi ishte komandant i Korpusit të 9-të të Armatës Popullore Jugosllave, dhe si i tillë urdhëroi sulmin e artilerisë në Kijevë. Rreth 1,600 granata, duke përshirë 16 bomba, ranë në fshatin që u shkatërrua plotësisht.
Mladiqi u dënua gjithashtu për urdhërim të sulmeve në fshatrat rreth qyteteve Sinj dhe Vrlika në Dalmaci, në periudhën midis 16 dhe 23 shtatorit 1991.
Në ato sulme, “shumë civilë” u vranë dhe objekte civile dhe industrial, duke përfshirë monumente kulture, u shkatërruan thotë aktgjykimi.
Në dhjetor të vitit 1995, prokurorët kroatë ngritën aktpadinë kundër Mladiqin për përpjekjen për të shkatërruar hidrocentralin në fshatin Peruca afër Sinjit.
Mladiqi, sipas aktpadisë, urdhëroi që 30 tonë eksplozive të vendoseshin në themel të digës në Perucë. Më 28 janar 1993, hidrocentrali dhe diga u shkatërruan pjesërisht, duke i vënë në rrezik 50,000 persona, rrezik që u parandalua nga punëtorët e korporatës elektrike kroate, HEP.
Në kohën kur Mladiqi u emërua komandant i Korpusit të 9-të të JNA-së, në qytetin kroat Knin, më 3 qershor 1991, territori ishte ndarë nga pjesa tjetër e Kroacisë, sepse serbët kroatë, të cilët shpallën Territorin Autonom Serbë të Krajinës më 1990, vunë barrikada në rrugë rreth Kninit, më 17 gusht 1990.
Nën komandën e Mladiqit, njësitë e JNA-së, të cilat në fillim të konfliktit në Kroaci u ndanë kryesisht në dy anët luftuese – kroate dhe serbe, u vunë në anën e forcave serbe.
Aktgjykimi i ICTY-së kundër Milan Marticit, ish-president i Territorit Autonom Serb në Krajinë, thotë se sulmi i JNA-së në fshatin Kijevo, më 26 gusht 1991, që u komandua nga Mladiqi, shënon momenti kur JNA qëndroi haptazi në anën e forcave serbe në konfliktin në ish-Jugosllavi.
Kroacia hapi hetime të shumta ndaj Mladiqit.
Në janar të vitit 1996, prokuroria filloi hetimin ndaj Mladiqit për urdhërimin e bombardimit të qytetit Pozega në Kroacinë lindore, më 26 shtator 1995, që dyshohet se ka plagosur “shumë persona” dhe ka shkaktuar dëm material.
Prokurorët thanë se Mladiqi, që ishte komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, urdhëroi bombardimin e Pozegës nga territori i Bosnjës dhe Hercegovinës.
Prokurorët kroatë nga qyteti bregdetar i Zarës hapën hetimit ndaj Mladiqit, në shkurt të vitit 2005, për komandim të sulmeve të JNA-së me artileri në Zarë dhe fshatrat përreth, nga shtatori i vitit 1991 deri në fund të dhjetorit 1992.
Shumë civilë u vranë dhe plagosën gjatë bombardimit dhe furnizimi me ujë dhe energji në qytet u bllokua për muaj.
Dyshohet se Mladiqi, si komandant i JNA-së, është përgjegjës për vdekjen e 88 personave në fshatin Skabrnja, afër Zarës, më 18 nëntor 1991 dhe vdekjen e 30 personave në fshatin Saborsko në Kroacinë qendrore, gjithashtu në nëntor të vitit 1991. Sidoqoftë, ai nuk u padit kurrë për ato vdekje, as nga Kroacia, as nga ICTY.
Zyra e prokurorit në Kroaci tha se e informoi ICTY-në për aktgjykimin dhe hetimin ndaj Mladiqit më 2003.
Pasi Mladiqi u arrestua në korrik 2011, kryeministrja kroate në atë kohë, Jadranka Kosor, tha se Kroacia do të “insistonte” që ICTY të përfshijë krimet në Kroaci në aktpadinë e Mladiqit.
Por, ICTY nuk i përfshiu gjetjet e Kroacisë në aktpadi, duke nxitur protesta në vend.
Ky artikull u botua fillimisht nga Drejtësia Tranzicionale në Ballkan, një program rajonal i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).