Kriza për paga, Telekomi i shet për 30% më lirë ‘impulsat’

Me 30 korrik, vetëm dy ditë para se të ekzekutohen pagat e muajit korrik, Telekomi i Kosovës e ka nënshkruar një aneks-kontratë me kompaninë ‘Paykos’ për shitjen e mbushjeve (kredive) të operatorit ‘Vala’. Telekomi kishte pranuar që t’i shes për 30 për qind më lirë ‘impulsat’ me qëllim që të pranoi pagesën në avancë në vlerë prej 1.5 milionë euro, të nesërmen me 31 gusht.

Bazë e kësaj aneks-kontrate është shitja e kredive të operatorit ‘Vala’ prej 1 milion euro për të cilën Paykos kishte një provizion prej 30 për qind, apo trefish më shumë se kontrata bazë e nënshkruar në vitin 2015, që parasheh një provizion prej 9.7%.

Përveç kësaj, Telekomi e kishte obliguar “Paykos” të blinte ‘impulsa’ në vlerë prej 500 mijë euro me provizionin e paraparë në kontratën bazë prej 9.7%.

“Operatori Vala si kriter për një provizion prej 30% e obligon Partnerin (Paykos), që detyrimisht të bënë një blerje prej 500,000 mijë euro, blerje kjo standarde sipas kushteve të kontratës bazë. Transaksionet/pagesat (1,5 milionë euro) e kësaj aneks-marrëveshjes duhet të kryhen deri me datën 31.07.2019”, thuhet në nenin 2 të aneks-marrëveshjes me numër 11, të nënshkruar nga kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi dhe Vegim Beqiri, drejtor i shitjes në Paykos e nënshkruar me 30 korrik.

Provizionit prej 30% kur përkthehet në para për blerjen prej 1 milion euro është 300 mijë euro. Në këtë hyn edhe TVSh-ja prej 18%. Ndërsa, në total pagesa/provizioni që i takon kompanisë “Paykos” nga kjo aneks kontratë është 354 mijë euro. Ndërsa, për blerjen prej 500 mijë euro, Paykos merrë provizionin e paraparë në kontratën bazë prej 9.7%.

Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës thotë se këto mjete i janë dashur edhe për pagesën e pagave për punëtorë.

“Çështjet operative, borxhet, furnizimet, pagat për staf, janë vetëm disa nga arsyet/faktorët që kanë përcaktuar këtë blerje”, thuhet në përgjigjet e menaxhmentit të Telekomit kur është pyetur për arsyet që kanë shtyrë për të nënshkruar një kontratë të tillë. “Sigurisht, vështirësitë financiare që kemi, e që dihet botërisht, kërcënimet e vazhdueshme prej kreditorëve (furnitorë, kompani që ju kemi obligime financiare), janë determinuese në ketë aneks kontratë. Ruajtja e klientëve, ndërtimi i imazhit, kthimi i besueshmërisë për Vala, rritja e të hyrave janë dhe mbesin prioritet për menaxhmentin dhe Bordin e Telekomit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Telekomit të Kosovës për Gazetën JnK.

Telekomi i Kosovës ka thënë për Gazetën JnK se aneks-kontrata për “blerje të veçanta të kredisë” me 30% provizion nuk i ndryshon kushtet e përgjithshme të kontratës bazë të nënshkruar në vitin 2015 e cila parasheh një provizion prej 9.7 % për kompaninë Paykos.

Ndërsa pronari i kompanisë “Paykos”, Armend Zeqiraj nuk ka pranuar të komentojë detajet e aneks kontratës së nënshkruar më 30 korrik me Telekomin e Kosovës duke u thirrur në nenin e konfidencialitetit që është pjesë e kësaj kontrate.

“Nuk po mundem me komentu aneks kontratën se në bazë të kontratës që e kam me Telekomin e Kosovës, nenin për ruajtjen e konfidencialitetit të informacioneve ekonomike dhe biznesore nuk mundem me i diskutu termet e kontratës as ndonjë detaj të saj sepse mundet me më padit Telekomi por nëse ata donë me t’u përgjigj në lidhje me këtë punë ata sigurisht munden me t’u përgjigj”, ka deklaruar Zeqiraj për Gazetën JnK.

Përveç “Paykos”, një ofertë e tillë nga Telekomi i Kosovës i është ofruar edhe Postës së Kosovës, por sipas Telekomit ata nuk kanë pasur mjete për të paguar.

“E njëjta ofertë i është ofruar edhe Postës së Kosovës, si partner kryesor i VALA-s, por kjo  e fundit nuk ka mjete për të paguar avanc. Domethënë të njëjtën shitje nuk e ka Posta, siç e kemi cekur, kjo ka qenë një blerje e veçantë”, potencohet në përgjigjen e Telekomit të Kosovës.

Pronari i kompanisë “Paykos” ka thënë se 30 përqindëshi i provizionit nuk është i gjithi fitim për ta pasi shumica e këtij provizioni i mbetet pikave të shitjes të cilat janë kontraktuar prej tyre për të shitur produktet e Valës me çmime të njëjta që shiten në pikat e Telekomit.

“Ky provizion i ofertuar nga Telekomi i përjashton të gjitha provizionet tjera bazë që i kemi me kontratë dhe nuk na llogaritet në targetet vjetore. Dhe se gjysma e provizonit i kalohet pikave shitëse, ndërsa gati gjysma tjetër shpenzohet për distribucion, marketing të pikave shitëse (punëtoret e marketingut, amortizimi i automjeteve, kostot e transportit deri te pikat shitëse, veshje speciale të pikave me brendingun Vala, Hangera, Woblera, Cashplate Etj), stimulim për çmime nominale gjithmonë duke u thirrur në krijimin dhe rregullimin e tregut të shitjes me çmime nominale, investim në promovim të shërbimeve, investim në infrastrukturë të distribuimit në licenca softuerike, mirëmbajtje të softuereve në Datacenter, pajisje harduerike për shitje. Provizioni jonë i rregullt është 9.7%”, ka deklaruar Zeqiraj për Gazetën JnK.

Disa prej deputetëve të Komisionit hetimor parlamentar për gjendjen e PTK-së dhe Valës, duke përfshirë deputetin e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe deputetin e LDK-së, Armend Zemaj, kanë deklaruar për Gazetën JnK se nuk kanë pasur informacione se është nënshkruar një aneks kontratë e tillë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka potencuar se dëshminë e fundit të kryetares së Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri – Berisha, ata nuk janë njoftuar se është nënshkruar një aneks kontratë e tillë.

“Gjatë kohës sa kemi qenë në Komision hetimor, ne kemi parashtruar pyetje edhe për këtë kontratë dhe përfaqësuesja e Bordit, në dëshminë e fundit, nuk na ka njoftuar që ka ndonjë aneks te ri, të paktën nuk e ka përmendur, madje duke shtuar që jetëgjatësinë kësaj kontrate ia ka shtuar Agron Mustafa”, ka thënë Haxhiu.

Madje ajo e ka quajtur të papranueshëm çdo aneks të kontratës me “Paykos”.

“Ne si Komision disa herë i kemi kërkuar Telekomit që të na i sjellë këto anekse, por ende nuk na i kanë sjellë, para disa ditësh i ka shkuar kërkesa e fundit dhe jemi në pritje të këtij dokumentacioni”, ka përfunduar Haxhiu.

Telekomi i Kosovës edhe në të kaluarën ka bërë shitje të kredive për 30 për qind më lirë se sa çmimi i tregut.

Një aneks kontratë tjetër me provizion 30% mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos” është nënshkruar në muajin mars të këtij viti. Provizioni për këtë blerje të veçantë ka qenë 30%, në të cilën është llogaritur edhe TVSh-ja. Në total është paraparë blerje në vlerë 2 milionë euro.

“Paykos” ka garantuar se stoqet e ofertuara nga Telekomi i Kosovës do t’i parapaguajë para se të tërhiqen dhe atë, kontingjenti i parë në vlerë 1 milion euro, jo më larg se 31 mars 2019 dhe kontingjenti i dytë prej 1 milion euro, jo më larg se 30 prill 2019.

Fillet e kontratës me ‘Paykos’

Telekomi i Kosovës, në kohën kur Agron Mustafa ka qenë kryeshef ekzekutiv dhe kompania “Paykos” në mars të vitit 2015 kishin nënshkruar një marrëveshje për shitjen e produkteve të Valës.

Përmes kësaj marrëveshje parashihej që produktet e Valës të shiteshin me çmim të njëjtë si në pikat e Telekomit të Kosovës. Një mbushje elektronike një vlerë 1 euro mund të blihet 1 euro, njëjtë edhe për mbushjet e tjera me vlera më të mëdha. Në këtë kontratë, “Paykos” do të përfitonte një provizion prej 9.7 për qind.

“Paykos” ka qenë e obliguar me kontratë që të shtrijë rrjetin e saj nëpër 2 mijë pika nëpër të gjithë territorin e Kosovës. Ndërsa të gjitha këto pika është dashur të kenë shërbime online (kredi elektronike) jo më shumë se një vit që nga data e nënshkrimit të kësaj kontrate.

Po ashtu, Armend Zeqiraj, pronari i “Paykos” ka theksuar se ata nuk e kanë si pikë në kontratë hapjen e pikave të reja dhe punësimin e njerëzve nëpër to, por që te pikat ekzistuese të shitjes të instalojnë sistemin e tyre për shitjen e produkteve të Valës me çmime nominale.

“Partneritetin ne që e kemi, e kemi jo me i hapë pika të Valës edhe me punësu njerëz, por kjo nuk është marrëveshja që e kemi, por pika të shitjes, pika kontraktuale që bëjnë shitjen e mbushjeve elektronike të Valës”, ka thënë Zeqiraj. Sipas tij, deri tani produktet e Valës mund të blihen në 3 mijë pika, të cilat janë të shtrira nëpër të gjithë Kosovën.

“Paykos” është regjistruar në Kosovë si biznes më 1 dhjetor 2014, rreth tre muaj para nënshkrimit të kontratës me Telekomin e Kosovës.

“Paykos” kur kishte hyrë në partneritet me Telekomin e Kosovës në vitin 2015 nuk kishte hyrë si e vetme. Ajo kishte hyrë në partneritet me atëherë kompaninë britanike-irlandeze “Payzone”.

“Payzone” ka qenë edhe partner teknologjik i “Paykos”.

“E kemi edhe teknologji parter, shumicën softuareve, aplikacioneve, licencave për qendra të transaksioneve dhe për procesim të mbushjeve i kemi bërë përmes tyre. Pas një kohe ata kanë vendosur mos me u involvu personalisht me kompani se kompania e tyre është shitur”, ka deklaruar Zeqiraj për Gazetën JnK.

Telekomi i Kosovës ka potencuar se obligimet e “Paykos” ndaj TK-së janë: luftimi i tregut të zi, pagesa avanc para çdo blerje, prezenca për shitje të mbushjeve të VALA-s për mbi 2,000 pika prezente,  investimet në marketing, brendim, llamba ndriçuese me logo VALA, ngjitëse, etj.

Shkëputja e kontratës bazë mund të ndodhë në çdo moment nëse njëra nga palët nuk i përmbahet kushteve të kontratës.

“Secila palë mund ta dërgojë palën tjetër në Arbitrazh nëse nuk i përmbahen kontratës. Për fat të mirë detyrat dhe obligimet mes palëve janë të specifikuara deri në detajin më të vogël”, vazhdon përgjigja e Telekomit të Kosovës.

Arsyet që mund të dërgojnë secilën palë për shkëputje, përveç “forcës madhore” që e specifikon  kontrata, janë edhe humbja e të drejtës për aktivitetin biznesor që përfshijnë secilën palë, mashtrimi, dëmtimi i qëllimshëm me aktivitete propaganduese, mos prezenca në shtrirje sipas dakordimeve, etj.

Gjithashtu Telekomi i Kosovës ka theksuar për Gazetën Jnk se kompania “Paykos” asnjëherë deri më sot nuk ka shkelur kontratën.

“Përkundrazi është treguar shumë bashkëpunues dhe profesional deri më tani”, thuhet në përgjigjen e Telekomit të Kosovës.

Për distribuimin e shërbimeve të Valës edhe nëpër zonat më të thella të Kosovës, “Paykos” ka edhe partnerë të tjerë.  “Tobacco Sh.P.K”, e cila merret me shpërndarjen e duhanit është partnere e “Paykos” për rajonin e Prizrenit, ku hyjnë edhe Suhareka dhe Rahoveci. Po ashtu edhe pikat e UFP- Western Union, Moneta – Moneygram, Vllesa-Co etj. Partner tjetër i distribuimit për “Paykos” është edhe kompania “Gekos”. Pronar i kompanisë “Gekos” është biznesmeni shqiptar dhe njëherësh nënkryetari i Shkupit nga radhët e BDI-së së Ali Ahmetit, Enver Maliqi.

“Gekos-in e kemi partner distribucioni, vetëm kaq”, ka deklaruar për Gazetën JnK, Armend Zeqiraj, pronari i kompanisë “Paykos”.

“Gekos” është njëra prej kompanive të licencuara nga Agjencia Tatimore e Kosovës për arkat fiskale.

Marrëveshja e vitit 2015 mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos”, e cila vazhdon të jetë ende aktive ishte nënshkruar me provizion 9.7%. Pas vitit 2015 janë nënshkruar 11 aneks kontrata, secila prej tyre për terme të reja të cilat nuk kanë qenë të përfshira në kontratën bazë. Nga 11 aneks kontrata, dy kanë qenë për “blerje të veçanta të kredisë”.

Kontrata bazë, e nënshkruar në mars të vitit 2015 ka qenë në fuqi deri mars të vitit 2019. Por në njërin nga nenet e kësaj marrëveshje ishte parashikuar gjithashtu që kontrata do të jetë automatikisht e vlefshme edhe për katër vite të tjera nëse nuk ka ndonjë kërkesë nga të dyja palët për ndërprerje ose shkëputje të kontratës 30 ditë para skadimit të kësaj kontrate.

Në mars të këtij viti kjo kontratë është vazhduar automatikisht edhe për katër vite të tjera. Kjo kontratë do të jetë e vlefshme deri në vitin 2023.

Anëtarët e Komisionit hetimor e quajnë të dëmshme kontratën me ‘Paykos’

Telekomi i Kosovës nuk e sheh si të dëmshme kontratën me “Paykos”. Në përgjigjen e tyre ata kanë thënë se kjo kontratë ka shumë anë pozitive, por nuk ka numëruar asnjë negative.

“Anët pozitive të kësaj kontrate janë: shitja në çdo kohë dhe në çdo vend e njohur si “shitje all in one”, shkurtimi kohës deri tek klienti, afërsi dhe mundësi për blerje sa më afër vendbanimit, shtëpisë apo lagjes, rreziku zero për TK (pagesat avanc nga Paykos), marketing promocional pa investuar TK, një hapje ndaj tregut. Si e metë apo anë negative, fatbardhësisht nuk kemi, përveç një tendencë nga të dyja palët që të perfeksionojnë shërbimin, në mënyrë që klienti të jetë i kënaqur”, thuhet në përgjigjen e Telekomit të Kosovës për Gazetën JnK.

Gjithashtu, Telekomi i Kosovës ka theksuar se nëse punët që i bën “Paykos” do t’i bënte vetë, kosto do të shkonte mbi 50 për qind, shumë më shumë se sa provizioni aktual prej 9.7% në raport me “Paykos”. Telekomi e përmend si ulje të kostos edhe pagat e punëtorëve edhe pse kjo ndërmarrje nuk kishte ulje të numrit të punëtorëve krahasuar me periudhën para se të nënshkruhet kjo kontratë. Përkundrazi, Telekomi i ka punësuar rreth 250 persona në dy vitet e fundit.

“Kjo kontratë është lidhur me vullnet të dyja palëve në këtë partneritet. Nuk është e dëmshme derisa rreziku për inkasim/arkëtim të shitjeve është zero për Telekomin. Nëse merren kostot direkte operative që mund t’i kushtojnë Telekomit si: pagat e punëtorëve, qiratë, energjia elektrike, derivatet për transport, brendimi dhe marketingu, thjeshtë, këto kosto mesatarisht i kushtojnë Telekomit mbi 50% se kjo aktualja në raport me Paykos (ku TK kosto prej 9.7% provizion)”, vazhdon përgjigja e Telekomit të Kosovës.

Por me këtë nuk pajtohen deputetët të cilët kanë qenë pjesë e Komisionit hetimor parlamentar për gjendjen e PTK-së dhe Valës.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje që ka qenë pjesë e këtij Komisioni hetimor, Albulena Haxhiu, kontratën me “Paykos” e konsideron si kontratën e dytë më të dëmshme për Telekomin e Kosovës, pas kontratës me Z-Mobile.

Kontrata me ‘Paykos’ është kontrata e dytë me e dëmshme, sipas vlerësimit tonë. Këtë e kemi theksuar edhe në Komisionin hetimor. ‘Paykos’ është prezantuar si kompani ndërkombëtare te Telekomi (atëherë PTK), pastaj ka dalë të jetë kompani vendore me 1 të punësuar dhe e lidhur me ‘Gekos’ një kompani e afërt me arkat fiskale”, ka potencuar Haxhiu për Gazetën JnK.

Më tej deputetja Haxhiu ka shtuar se kontrata me ‘Paykos’ nuk ka pasur arsyeshmëri ekonomike dhe logjike pasi Telekomi e ka pasur sistemin e organizimit të distribuimit.

“Pa ndonjë arsyeshmëri ekonomike e logjike, Telekomi (atëherë PTK) i ka dhënë të drejtën ekskluzive një kompanie të dyshimtë për të bërë distribuimin e mbushjeve te Vala e produkteve të tjera të Telekomit. PTK ka pasur një sistem të organizimit të distributorëve dhe ka pasur oferta nga shumë banka, institucione financiare me rrjet të shtrirë të lokacioneve, rrjete të dyqaneve të elektronikës, etj. për bashkëpunim”, ka thënë ajo.

Ndërsa deputeti i Nismës Socialdemokrate dhe nënkryetari i Komisionit hetimor parlamentar për gjendjen e PTK-së dhe Valës, e ka quajtur skandal më vete kontratën e Telekomit të Kosovës me ‘Paykos’.

“Mundem me të thënë me shumë përgjegjësi se ky bord dhe ky menaxhment nuk dallojnë asnjë pikë e as një presje nga menaxhmentet e kaluara. Domethënë shkatërrimi i Telekomit të Kosovës vetëm është rritur me këtë menaxhment, me këtë qeveri e me këta njerëz. Ka kontrata abuzive, kontrata shkatërruese, qoftë në punësime, qoftë kjo kontratë (me Paykos) është skandal në vete, domethënë kush kujt në këtë vend nuk i jep përgjegjësi”, ka deklaruar Zeka për Gazetën JnK.

Edhe deputeti i LDK-së që ka qenë pjesë e këtij Komisioni Hetimor, Armend Zemaj e sheh si të dëmshme kontratën e Telekomit të Kosovës me “Paykos”. Madje ai ka thënë se kjo kontratë ka elemente të cilat duhet të hetohen nga Prokuroria.

“Nga intervistat e zhvilluara si dhe dokumentacioni i ofruar nga Telekomi, po ashtu duke parë edhe raportet e auditorit e ato financiare, edhe kjo kontratë shihet si dëmshme, jo në interes të Telekomit por ka elemente që ngrehin dyshime të bazuara të cilat sigurisht duhet të kalojnë si proces hetimor te Prokuroria e shtetit se më shumë duket që është bërë për interes të grupeve të caktuara nga të cilat kanë përfituar individ dhe nga kjo i është bërë dëm interesit të Telekomit dhe interesit publik të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Zemaj.