Foto: REL/Reuters

Krejt në fund natyra do të fitojë

Virusi corona apo i emërtuar ndryshe si COVID-19 që goditi njerëzimin në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vtit 2020, dhe që vuri në pikëpyetje funksionimin e sistemit shëndetësor në shumë shtete të Evropës dhe të botës, duket se nuk do të ketë vetëm efekte negative në planetin tokë.

Ky virus arriti kulmin në fund të muajit mars, pikërisht në periudhën kur fillon stina e pranverës.

Përhapja e shpejtë e këtij virusi që erdhi nga Kina, bëri që shumë shtete të marrin masa ‘ekstreme’ për ta luftuar atë që shumë shpejt u shndërrua në pandemi globale.

Njëra nga masat e shteteve ishte edhe izolimi i njerëzve nëpër shtëpi, apo ndryshe e njohur si ‘orë policore’, ku njerëzit nuk kishin të drejtë të dilnin nga shtëpia, përveç për blerjen e gjërave ushqimore, higjenike dhe barnat. Se kur kishin të drejtë të dilnin, e caktonte Qeveria.

Aplikimi i këtyre masave, sidomos i izolimit të njerëzve, duket se ka filluar të kenë efekte pozitive në ambient, duke marrë parasysh që njeriu është faktori numër një i ndotjes së ambientit dhe i mjedisit.

Viktor Berishaj, Koordinator i politikave të klimës dhe energjisë për Evropën Juglindore në Climate Action Network Europe, që është koalicioni kryesor i Organizatave Joqeveritare në Evropë që lufton ndryshimin e klimës, me mbi 170 organizata aktive në 38 vende evropiane, përmend qytetet si Delhin, Seulin dhe Mumbain, ku qielli tash është më i pastër dhe smogu është larguar, qysh nga futja fillestare e masave mbrojtëse.

“Në Venedik mbas sa e sa kohe, kanalet janë aq të kthjellëta, sa që mund të shihen peshqit. Në Prizren, bari ka nisë të mbulojë kalldrëmin në qendër të qytetit. Pranvera vërehet lehtë, ndërsa kësaj rradhe, qartazi na tregon që mungesa e qarkullimit tonë, i la asaj kohë të shprehet lirshëm”, thotë Berishaj.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, kriza aktuale ka implikime të mëdha për ekonomitë globale, përdorimin e energjisë dhe emetimet e CO2. Sipas një analize të kësaj Agjencie, të dhënat tregojnë se deri në mesin e prillit, vendet në mbyllje të plotë kanë përjetuar një rënie mesatare prej 25% të kërkesës për energji në javë dhe vendet në bllokim të pjesshëm të një rënie prej 18%.

Analiza thotë se kërkesa globale e energjisë ra me 3.8% në tremujorin e parë të vitit 2020, me pjesën më të madhe të ndikimit të ndjerë në mars, pasi masat e kufizimit u zbatuan në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

E në lidhje me këtë, Berishaj thotë se kjo është goditja më e madhe për industrinë e lëndëve fosile, që nga Lufta e Dytë Botërore. Për këtë arsye, sipas Berishajt, në këtë kohë me rëndësi është që problemet energjetike të shikohen prej aspektit të qëndrueshmërisë dhe adaptimit me kohën.

“Energjia e prodhuar prej burimeve të ripërtrishme është vërtetu që është metoda më e qëndrushme e prodhimit që nga fillimi i pandemisë, e cila në krahasim me krejtë industrinë e lëndëve fosile, ka pësua rritje. Ky është argumenti i rradhës se pse rruga e prodhimit të energjisë nga lëndët fosile më nuk duhet ndiqet”, thotë Berishaj.

Baton Begolli, këshilltar në Këshillin Ndërministror të Ujërave, thotë se nëse për asgjë, izolimi na ka kthyer në një normalitet natyror, ku toka ka pushuar nga degradimi dhe ndotjet mjedisore.

“COVID-19 po na mëson se padurimi ynë, etja jonë për zhvillim nuk duhet të rezultojë në shkatërrimin e planetit tonë. Tani që e gjithë bota po i përjeton bashkërisht efektet e një izolimi po thuaj global, ne kemi mundësinë të rivlerësojmë disa nga zgjedhjet tona. COVID-19 e ka transformuar jetën e përditshme në mënyrë të konsiderueshme sa që efektet tashmë janë të dukshme nga hapësira”, thotë Begolli.

Bazuar në të dhënat e Ambasadës Amerikane në Kosovë, cilësia e ajrit në kryeqytetin kosovar në periudhën janar-prill 2020, në krahasim me atë të vitit të kaluar, ka arritur një përmirësim të lehtë.

Këto të dhëna tregojnë se në muajin mars të vitit 2019, nga 31 ditë sa i ka muaji, në 20 prej tyre ajri në Prishtinë ishte i pashëndetshëm dhe i ndotur. Të njëjtat të dhëna po ashtu tregojnë se në muajin mars të 2020-ës, në 14 nga 31 ditë, ajri në kryeqytet ishte i pashëndetshëm.

Sipas këtyre të dhënave, gjatë muajit prill të vitit 2020, vetëm në 5 ditë nga 30 gjithsej sa i ka muaji, ajri në Prishtinë ishte i pashëndetshëm. Qarkullimi i veturave që ishte i minimizuar gjatë kësaj periudhe, duket se ka filluar të ketë efekt pozitiv, në cilësinë e ajrit në Prishtinë.

E Begolli thotë se derisa deri ‘dje’ shumica ishin dorëzuar se ndotja është diçka e pakthyeshme, ndërsa tash është dëshmuar se ndryshimi është i mundur dhe rezultatet janë të prekshme.

“E shihni gjithandej: delfinët në ngushticën e Bosforit janë pamje e përditshme se ju ka kthyer deti duke pushu anijet e barkat e tragetet në të, drerët shëtisin në Londër e në Indi e Japoni, balenat shfaqen në Mesdhe, e plotë e plotë dalje e shëtitje ripushtim i faunës në zonat urbane e në habitate të tyre. Rehat prej njerëzve”, thotë Begolli.

Ndotja e ajrit ka rënë për 50% gjatë periudhës së pandemisë

Në anën tjetër, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK) ka bërë një vlerësim të cilësisë së ajrit për muajt mars-prill 2020, duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas këtij vlerësimi që është mbështetur në të dhënat e Institutit Hidrometerologjik të Kosovës, shihet një ulje e ndotjes së ajrit në shkallë deri në 50% në nivel të vendit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Bazuar në këto të dhëna, mesatarja e konvertimit të azotit (NO2) gjatë muajit marsa ka qenë rreth 15 µg/m3, krahasuar me rreth 30 µg/m3 sa ishte në muajin mars të vitit kaluar. Ndërsa gjatë muajit prill mesatarja e koncentrimit të NO2 në nivel të Kosovës ka qenë rreth 10.4 µg/m3, krahasuar me rreth 23.7 µg/m3 sa ishte në muajin prill të vitit kaluar.

Të dhënat e regjistruara nga stacionet matës në IHMK tregojnë se mesatarja e koncentrimit të NO2 në nivel të Kosovës, gjatë muajit mars ka qenë rreth 15 µg/m3, krahasuar me rreth 30 µg/m3 sa ishte në muajin mars të vitit kaluar. Ndërsa gjatë muajit prill mesatarja e koncentrimit të NO2 në nivel të Kosovës ka qenë rreth 10.4 µg/m3, krahasuar me rreth 23.7 µg/m3 sa ishte në muajin prill të vitit kaluar.

Po ashtu bazuar në të dhënat e stacioneve matës të IHMK, është vlerësuar se mesatarja e koncentrimit të PM2.5 në nivel të Kosovës, gjatë muajit mars të këtij viti kanë qenë 14.9 µg/m3, krahasuar me rreth 21.7 µg/m3 sa ishin në muajin mars të vitit kaluar. Ndërsa gjatë muajit prill mesatarja e koncentrimit të PM2.5 në nivel të Kosovës ka qenë rreth 10 µg/m3, krahasuar me rreth 17 µg/m3 sa ishte në muajin prill të vitit kaluar.

Rënia e importit të naftës

Izolimi i njerëzve gjatë kësaj periudhe të pandemisë përkthehet se edhe veturat janë përdorur më pak. Përdorimi më i rrallë i vetuarve përkthehet se nevoja për naftë është më e vogël dhe rrjedhimisht lirimi i gazrave në ambient është më i paktë, çka do të thotë se ajri duhet të jetë më i pastër.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, importi i naftës në Kosovë, në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, ka pësuar rënie.

Të dhënat tregojnë se në muajin mars të vitit 2019 janë importuar në Kosovë 45 milionë e 792 mijë e 32 litra naftë , ndërsa në të njëjtin muaj të vitit 2020 janë imprtuar 43 milionë e 263 mijë e 841 litra naftë.

Gjithashtu, në muajin prill të vitit 2019 janë importuar në Kosovë 50 milionë e 257 mijë e 543 litra naftë, ndërsa në prill 2020 janë importuar 42 milionë e 289 mijë e 786 litra naftë.

Se natyra po ‘ndihet rehat prej njerëzve’ mund të vërehet edhe nëpër sheshet e qyteteve, si ato të Prizrenit apo të Prishtinës.

Në Prizren, në qendër të qytetit bari ka filluar të mbulojë kalldrëmin, si mungesë e qarkullimit të njerëzve.

Një gjë e tillë ka filluar të ndodhë edhe në qytetin e Prishtinës, ku në sheshin ‘Skëndërbeu’ po ashtu ka filluar të dalë bari dhe duket se krejt në fund ‘natyra do të fitojë’.