Krejt çka ndodhi brenda pesë ditëve në veriun e Kosovës

 

Janë bërë pesë ditë që nga vendosja masave të reciprocitetit ndaj automjeteve me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Që nga e hëna, kur Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë brenda territorit të Kosovës, në veri të Kosovës banorët serb vendosën t’i bllokojnë rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ekipi i KALLXO.com po qëndron atje dhe vazhdimisht po raporton për situatën e krijuar në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Protestuesit serb në Jarinjë – FOTO KALLXO.com

Protesta në pikat kufitare

Pas përmbylljes së Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë serbët e Kosovës filluan të qëndrojnë në afërsi të pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak si shenjë proteste pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për zëvendësimin e tabelave të veturave të Serbisë me tabela të përkohshme të Republikës së Kosovës.

Të njëjtit kanë vënë në rrugë makineri të shumta, automjete private të cilat pamundësojnë lëvizjen e automjeteve, duke krijuar një bllokim total të lëvizjes në drejtim të Leposaviqit dhe zonave të tjera të veriut të Kosovës.

Gjatë këtyre pesë ditëve këta protestues kanë vendosur banerë e pano me mbishkrime në gjuhën serbe.

Në një nga këta banerë shkruhej “Mirë se vini në Bashkësinë e Komunave Serbe”.

Përderisa në një tjetër të vendosur në njërin nga kamionët e mëdhenj që ka bllokuar rrugën, u shpreh përkrahja e protestuesve serb nga veriu edhe nga qytetarët serb të qendrës dhe jugut të Kosovës.

FOTO – KALLXO.com

“Vëllezërit nga jugu, janë me vëllezërit e tyre nga veriu”, shkruhej në këtë pano.

Po ashtu, në të ishin shkruar edhe emrat e dy komunave Graçanicës dhe Shtërpcës, të cilat në mes e kishin të vendosur një logo që kohë më parë është lansuar si stemë identifikuese për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Protestuesit serb vazhdimisht po furnizohen me ushqim e me drunj.

Ata kanë vendosur tenda në formë shtëpize e pran tyre gjatë natës po ndezin zjarre për t`u ngrohur.

Njësitet policore të Republikës së Kosovës, po kujdesën të sigurojnë situatën, ndonëse në disa raste, siç ka raportuar ekipi i KALLXO.com që po qëndron vazhdimisht në atë zonë, janë provokuar verbalisht nga banorët e tubuar në disa pjesë të rrugëve kryesore që shpijnë në dy pikat kufitare, Jarinjë e Bërnjak.

Ditën e parë të protestave Policia e Kosovës është detyruar që në pikën kufitare në Bërnjak të përdorë gaz lotsjellës për shkak të një incidenti të vogël.

Por, sipas informacioneve të KALLXO.com, situata ishte  vënë menjëherë nën kontroll.

Policia që nga e hëna po vazhdojnë të qëndrojnë në afërsi të këtyre vend kalimeve kufitare, Kosovë – Serbi.

Albin Kurti – Kryeministër i Republikës së Kosovës

Vendimi i Qeverisë së Kosovës

Gjatë seancës së parë vjeshtore të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 20 shtator të këtij viti, kryeministri Albin Kurti njoftoi se Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë ka skaduar.

Sipas tij, 15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo nga tabelat përveç atyre RKS.

“Sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme ose diskriminuese. Sot vetëm po fillon zbatimi i një marrëveshje që është pajtuar edhe Serbia me ndihmën e Bashkimit Evropian”, kishte thënë Kurti.

Këtë e kishte konfirmuar edhe ish negociatori i Serbisë për dialogun Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviq i cili kishte deklaruar se marrëveshja për targat e veturave tashmë ka skaduar.

“Një marrëveshje është arritur në vitin 2011 që qytetarë me tabela të Kosovës, duhet të vënë targa të përkohshme në momentin që kalojnë në Serbi. Në vitin 2016 Vuçiqi dhe Daçiqi kanë pranuar se kjo vlen edhe për pesë vite. Tani kjo marrëveshje ka skaduar”, ka thënë Stefanoviq.

Në këtë marrëveshje ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat KS (Kosovë) ose RKS (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

orët e hershme të mëngjesit të 20 shtatorit, ekipe të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, ishin vendosur në disa pika në veri të Kosovës.

Kjo për shkak të informacioneve se disa persona në veri të Kosovës janë nisur drejt Jarinjës pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për zëvendësimin e tabelave të Serbisë me ato të përkohshme të Kosovës.

MPB – ja ka njoftuar se atyre iu janë dashur vetëm dy ditë, nga data 20 deri më 22 shtator, që të japin 6 mijë e 375 nga targa të përkohshme.

“Gjatë periudhës 20 – 22 Shtator 2021, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), respektivisht Agjencia për Regjistrim Civil (ARC), ka administruar gjithsej 6,375 targa të përkohshme në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PPK) dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në mbarë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftim.

Automjetet e qytetarëve serbë të cilët kanë bllokuar rrugët në dy pikë-kalimet kufitare, në Jarinjë dhe në Bërnjak – FOTO KALLXO.com

Reagimet lidhur me situatën në veri

Për situatën e krijuar në veri ka pasur reagime të shumta. Një nga reagimet ka ardhur nga Bashkimi Evropian.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, kanë qenë në kontakte me liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe kanë ofruar ndihmën e tyre për uljen e tensioneve.

“Ne preferojmë që punën tonë ta bëjmë përmes kanaleve politike dhe diplomatike e jo përmes komenteve publike. Ato që kemi pasur nevojë të themi publikisht e kemi thënë përmes deklaratave për shtyp, përfshirë edhe dje nga komunikatat e Përfaqësuesit të Lartë Borrell”, ka thënë Stano.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë reaguar për këtë situatë.

Të njëjtit kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet e mëtejshme, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të zbatojë masë reciprociteti për automjetet me targa të Serbisë.

Ambasada e ShBA-së në Prishtinë përmes një postimi në Twitter ka shkruar se i bashkohet thirrjeve të BE-së.

“Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar thirrjeve të Bashkimi Evropian që Kosova dhe Serbia  të përmbahen nga veprimet e mëtejshme dhe të njëanshme dhe të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet menjëherë”, thuhej në reagim.

Ndërsa nga UNMIKU ka folur Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin.

Sipas UNMIK, veprimet e njëanshme rrezikojnë paqen dhe sigurinë dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur tensionet përmes dialogut politik.

“Tanin u përkujton palëve se veprimet e njëanshme bartin rrezikun e përshkallëzimit dhe duhen të shmangen në interesin e paqes, sigurisë dhe sigurisë së popullsive. Ju bëj thirrje të gjitha palëve të demonstrojnë udhëheqësi të përgjegjshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur tensionet përmes procesit të dialogut politik”, thuhej në një njoftim për media.

KALLXO.com kishte kontaktuar dhe me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, të cilët kanë thënë se po vazhdon të kryejnë mandatin e tyre për të siguruar mjedis të sigurtë dhe lëvizje të lirë.

Foto: KALLXO.com

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Nju-Jork në kuadër të javës së Nivelit të Lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka zhvilluar takim me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe kryetarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq.

Përmes një komunikate të përbashkët tre presidentët janë shprehur të shqetësuar me zhvillimet e fundit në rajon duke shtuar se qëllim i përbashkët i tyre është ruajtja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Edhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak kishte reaguar.

Lajçak përmes një postimi në Twitter kishte kërkuar që të qetësohet situata dhe të lejohet liria e lëvizjes.

“I informova krerët e misioneve të Bashkimit Evropian mbi situatën në veri të Kosovës. Unë jam i shqetësuar dhe bëj thirrje për shtensionim të menjëhershëm. Është e rëndësishme të zvogëlohen tensionet, të rivendoset një atmosferë paqësore dhe të lejohet liria e lëvizjes. Ne jemi të gatshëm për të lehtësuar bisedimet për të gjitha çështjet e hapura në dialog”, kishte shkruar Lajçak.

Një reagim erdhi dhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili kishte thënë se Kosova ka të drejtë të ngrejë problemin për targat.

Ai përmes një reagimi në rrjetin Twitter ka potencuar që ky problem të zgjidhet dhe të garantohet reciprociteti, duhet shmangur ngrirja e konfliktit në këtë pikë.

“Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%). Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, ishte shprehur Rama.

Pjesëtarë të xhandarmërisë serbe në afërsi të Jarinjës. – FOTO KALLXO

Polemika në mes udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë

Polemika pati në mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

Palët udhëheqëse gjatë këtyre pesë ditëve kanë pasur kundërpërgjigje për njëri tjetrin.

Në ditën e marrjes së këtij vendimi, 20 shtator presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte thirrur një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilin tema kryesore ishte paralajmëruar të jenë ngjarjet në Kosovë, kështu patën njoftuar mediat në Serbi.

Goran Rakiq – FOTO KALLXO

Pak para kësaj, kryetari i partisë së mbështetur nga Beogradi Lista Srpska, Goran Rakiq, nga pika kufitare në Jarinjë i kishte bërë thirrje Vuçiqit të “reagojë” në lidhje me masat e reciprocitetit të targave.

“U bëj thirrje të gjithë personave që janë mbledhur të përmbahen, gjithashtu Prishtina të mos rris tensionet. Ky është një kërcënim direkt tek popullata që shqetësohen si do sigurojnë ushqim për fëmijët e tyre. Në gjithashtu kemi informuar të emëruarin special për dialog Miroslav Lajçak dhe kemi kërkuar nga Bashkimi Evropian të na ndihmojë”, kishte thënë Rakiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte thënë se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saj “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

“Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa”, kishte thënë ai pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Serbisë, që u thirr për shkak të masës së reciprocitetit për targat.

Vuçiq tha se Serbia do të kërkojë një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshja e Brukselit është e ligjshme ose jo dhe se kur do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Në muajin e ardhshëm, ne do të kërkojmë një përgjigje dhe heshtja e mundshme do të jetë një shenjë e qartë për ne se marrëveshja nuk ekziston dhe se ata nuk duan që ajo të pranohet”, pati thënë Vuçiq.

Ai kishte shtuar se në mëngjesin e së martës kishte biseduar me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore sesi duhet të duket një “zgjidhje kompromisi”.

“Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është një kompromis, por një zgjidhje që do të poshtëronte Serbinë”, kishte thënë  Vuçiq.

Pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Republikës së Kosovës

Pas kësaj Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu kishte kundërpërgjigjur Presidentit të Serbisë duke thënë se kishte vërejtur që Aleksandër Vuçiq ka shumë inati.

Kurti kishte thënë se nuk e di se për çfarë masash ndaj Kosovës e ka fjalën presidenti serb.

“Nuk kam arritur që ta ndjek të plotë deklarimin e presidentit të Serbisë, besoj që cilësimet e tij për veprimet tona nuk janë të drejta. E kam vërejtur se ai ka shumë inat, shumë vrerë që nuk i kontribuojnë situatës. Nuk e di për çfarë masash e ka fjalën ai, por unë besoj që Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë marrëdhënia  të mira”, ishte deklaruar Kurti më tej në konferencë për media.

Në po të njëjtën ditë Kurti mbajti një takim me ambasadorët e QUINT – it ku ishte diskutuar vendimi për vendosjen e reciprocitetit ndaj tagrave të Serbisë.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia e kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, citohet të ketë deklaruar Albin Kurti para ambasadorëve të shteteve kryesore në vend.

Po ashtu, sipas portalit të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, ministri Nebojsha Stefanoviq kishte thënë se pjesëtarët e Ushtrisë serbe në njësitë që janë në gjendje të gatishmërisë së shtuar luftarake janë shumë të motivuar dhe të gatshëm për të mbrojtur “njerëzit tanë“.

“Ushtria është e gatshme të mbrojë njerëzit e saj me urdhër të presidentit”, citohet të ketë thënë ai.

“Ushtria jonë nuk provokon, vendi ynë dëshiron paqe dhe çdo zgjidhje që i jep një jetë më të mirë të gjithëve, por siç tha presidenti – kurrë nuk do të ketë pogrome ndaj popullsisë serbe, nuk do të ketë “Stuhi” të reja, dhe operacione të ngjashme”, citohet të ketë thënë ministri, duke përmendur operacionin “Stuhia” të forcave kroate të gushtit 1995, gjatë të cilit u shpartalluan forcat serbe dhe forcat kroate morën kontrollin në Republikën e vetëshpallur të Krajinës.

Gjatë ditës së djeshme ishte raportuar nga mediat serbe për një sulm ku thuhej se Policia e Kosovës ka sulmuar tre serb.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq kishte kërkuar nga ana e institucioneve që të vërtetojnë sulmin e ndodhur siç thotë ai ndaj tre qytetarëve serb gjatë ditës së sotme.

“Po vijmë nga Jarinja ku situata është e qetë, ma stabile nga dallim prej këtu pasi që kam marrë informacion që sot janë rreh tre persona nga nacionaliteti serb nga njësitë speciale, kështu që ata kanë qenë duke u munduar ta nxjerrin kafshatën e gojës dhe ta ushqejnë familjen e tyre”.

Ai kishte thënë se dy prej tyre gjenden në spitalin e Mitrovicës, ndërsa njëri nga ta ishte në gjendje të rendë.

“Po dëgjoj deklarata se serbët nuk janë rreh, s`është e vërtetë, apeloj organizatat ndërkombëtare dhe Prishtinën që të vijnë dhe t`i vërtetojnë këto”, tha Rakiq para gazetarëve.

Ai shtoi se kërkesa e vetme e banorëve është lëvizja e lirë.

“Njerëzit që janë këtu e kanë vetëm një kërkesë, lirinë e lëvizjes, që është me të drejtë ndërkombëtare që u takon. Apeloj te bashkësia ndërkombëtare që të nis dialogun se sa herë që nuk ka dialog ndodh diçka si kjo këtu”, tha tutje ai nga Bërnjaku.

Jarinjë – FOTO – KALLXO – 22.09.2021

Mirëpo, Policia e Kosovës përmes një sqarimi kishte demantuar raportimin e medias “kosovo-online”, por edhe të mediave tjera në gjuhen serbe, për kinse dhunë afër pikë-kalimit në Bërnjak.

“Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të publikuar në mediumin serb kosovo-online, medium ky i cili në vazhdimësi po publikon dezinformacione të tilla”, thuhet në njoftimin e forcave të rendit.

“Lajmi i radhës i publikuar sot (23.09.21) nga ky medium, se kinse në afërsi të pikë kalimit kufitar në Bërnjak njësia speciale nga Prishtina ka rrahur tre persona serb nuk qëndron, është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët si dhe për të plotësuar ambiciet e ndryshme politike të orientuara nga jashtë”, thuhej në sqarimin e Policisë së Kosovës.

Jarinjë – FOTO KALLXO.com