Krasniqi Nënshkruan Seancën e Jashtëzakonshme për PTK-në

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka aprovuar kërkesën e nënshkruar nga 40 deputetë të grupeve parlamentare të LDK-së, Vetëvendosjes dhe deputetëve pa grup parlamentar, për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të enjten nga ora 10, për të krijuar komision parlamentar që do të hetojë procesin e deritashëm të privatizimit të 75 për qind ta aksioneve të PTK-së.

Në mesin e deputetëve nënshkrues është edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Kryeparlamentari Krasniqi konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se është njëri nga 40 deputetët që nënshkruan kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të krijohet komisioni hetimor për procesin e privatizimit të PTK-së.

 “Unë jam nënshkrues, njëri nga 40 deputetët” i tha gazetës Jeta në Kosovë, kryeparlamentari Krasniqi.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri, pas mbledhjes së kryesisë ka njoftuar për kërkesën për seancë të jashtëzakonshme.

“Ne seancën e kemi kërkua që të mbahet të enjten me 3 tetor që i bie nesër dhe konform kërkesës tonë që ne dje e kemi dorëzua … kryesia e kuvendit mbajti mbledhje dhe mori vendim të tillë do të thotë që është një e drejtë e jona kushtetuese e paraparë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës që një grup gjegjësisht 40 deputetë mund të kërkojnë diçka të tillë…” tha Ismet Beqiri.

Beqiri po ashtu ka thënë se është propozuar që komisioni t’i ketë 11 anëtarë që do të ketë përfaqësues të secilit grup parlamentar.

 Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, ndonëse ka thënë se do të respektojnë iniciativën e opozitës,  ka thënë se procesi për PTK-në duhet të përfundojë.

“Një proces që fillon duhet të përfundojë. Komisioni hetimor do ta bëjë punën e vet dhe Partia Demokratike, grupi parlamentar do ta mbështetë fuqishëm për të zbardhë të vërtetën. Ne jemi të bindur se çdo gjë ka shku në rregull, besoj se do të dëshmohet para qytetarëve të Kosovës”, tha Grabovci.

Por megjithatë ai është shprehur skeptik se ky proces do të vazhdojë më tutje.

“..Unë jam shumë skeptik se do të vazhdojë më tutje dhe ky proces po shihet qartë pa fajin tonë fatkeqësisht me keqardhje e them, po shkon drejt dështimit dhe dëmet do të jenë jashtëzakonisht të mëdha për ekonominë e Kosovës dhe unë besoj se dikush duhet t’i merr këto përgjegjësi”, tha Grabovci.

Për vendimin mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të enjten për PTK-në njoftoi edhe Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës.

“Të enjten mbahet seancë e jashtëzakonshme, me kërkesë të 40 deputetëve. Do të krijohet Komisioni hetimor parlamentar për privatizimin e PTK-së” thuhet në njoftimin për media të Zyrës për Informim në Kuvend.