Krasniqi Mundohet t’i Ikë Përgjegjësisë

Të martën, në procesin gjyqësor kundër kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunalë, u deklarua Minir Krasniqi, drejtor i Administratës dhe njëri nga të akuzuarit për shpërdorim detyre dhe të autorizimeve.

Krasniqi sipas aktakuzës ka hise në parcelat me numrat 8617 dhe 8619. Parcelat kishin sipërfaqe prej 20.65 dhe 6.22 arësh, ndërsa Gjykata Supreme në vitin 2006, e kishte shpallur komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të tyre.

Muja dhe të akuzuarit tjerë ngarkohen se me qëllim përfitimi të tjerëve nuk e kanë zbatuar këtë vendim të Supremes.

Avokati i Krasniqit Bashkim Nevzati, u mundua ta shfajësojë klientin e tij për një tjetër keqpërdorim të dyshuar të pronës.

Më 18 qershor 2009, asambleja komunale e Prizrenit kishte marrë vendim për t’ia dhënë në shfrytëzim kolegjit Mehmet Akif 5-6 arë tokë në rrugën e Nashecit, por pasi aty nuk kishte vend, toka kolegjit i ishte dhënë në vendin e quajtur “Boka-Boka”, lokacion në fshatin Korishë.

Nevzati para gjykatës tha se edhe pse sektori i pronës është nën administrimin e Drejtorisë së Administratës, një sektor i tillë i përgjigjet kryetarit të komunës. Avokati i Krasniqit prezantoi dy dokumente si prova materiale, në të cilat shihej se drejtori i Administratës nuk i ka nënshkruar ato.

Prokurorja replikoi me avokatin se tash nuk duhet të pranohen prova të reja materiale, ndërsa Nevzati iu kundërpërgjigj asaj, se në çdo fazë të gjykimit mund të paraqiten prova të reja dhe ato mund ta kthejnë gjykimin nga fillimi.

Përfaqësuesja e organit të ndjekjes Natasha Vicary, e ballafaqoi më pas Krasniqin, me deklratën e tij të dhënë në prokurori.

Krasniqi sipas prokurores kishte thënë: çuditem se si Ramadan Muja kishte marrë një vendim të tillë, që pa kaluar fare nëpër asamble t’ia kalojë pronën Gulistanit [kolegjit Mehmet Akif]”.

Krasniqi gjatë seancës u mbrojt me fjalët se kjo nuk ka qenë deklarata e tij.

Drejtori mohon ndalimin e gjeodetëve, prokurorja e demanton

Përballjet e prokurores me të akuzuarit vazhduan edhe më tutje gjatë seancës.

Minir Krasniqi e mohoi nënshkrimin dhe dhënien e idesë për aktin ligjor, me të cilën u ndalohej gjeodetëve komunalë që të hartojnë ekspertiza pronësore për gjykatën.

Sipas aktakuzës, ky akt ligjor është hartuar për pengimin e zbulimit të keqpërdorimeve me prona të zyrtarëve komunalë prizrenas nga gjykata.

Pyetjes se a e ndien veten përgjegjës për nxjerrjen e një konkluzioni të tillë për gjeodetët nga Ramadan Muja, Krasniqi iu përgjigj se “e ndien vetën përgjegjës vetëm për pritjen e qytetarëve në komunë nga 5-6 muaj, për kryerjen e shërbimeve”.

Ai shtoi se konkluzionin e ka hartuar sektori i pronës në komunikim direkt me kryetarin e komunës, derisa avokati Nevzati prezantoi një dokument ku shihej se emri i Minir Krasniqit ishte vetëm i shtypur, ndërsa nënshkrimin e tij e kishte bërë koordinatori i Sektorit të Pronës Kursel Skenderaj.

Prokuroja ia kujtoi Krasniqit deklaratën e Kursel Skenderajt të dhënë në seancë se “sipas sugjerimit të drejtorit të Administratës, Minir Krasniqi, e kam përpiluar këtë akt ligjor”, duke e pyetur dhe pse është nënshkruar nga koordinatori i pronës Kursel Skenderaj, e jo nga ai.

Krasniqi tha se aktet përcjellëse komunale mund t’i nënshkruajë edhe koordinatori i pronës, ndërsa mohoi ta ketë sugjeruar Skenderajn për ta përpiluar aktin.

Krasniqi: po akuzohem që të dëmtohet PDK-ja

“Nëse prokurorja ka menduar që të më akuzojë vetëm me këtë pikë të nënshkrimit, atëherë kjo është një frazë politike me qëllim që ta dëmtojë Partin Demokratike të Kosovës”, tha i pandehuri Krasniqi.

Por prokurorja pati edhe një fakt kundër Krasniqit. Ajo në fillim e pyeti të akuzuarin se a kishte propozuar ai nxjerrjen e konkluzionit për ndalimin e gjeodetëve komunalë që të bëjnë ekspertiza për gjykatën.

Krasniqi nuk e pranoi as këtë, por prokurorja ia prezantoi procesverbalin nga mbledhja e bordit të drejtorëve, ku shihet, se Minir Krasniqi, ka propozuar që të ndalohen gjeodetët e komunës nëpër gjykatë, pasi kjo është praktikë edhe e komunave tjera.

Seanca do të vazhdojë të enjten, me dëgjimin e ish-drejtorit të Kadastrit, Kadri Ukimeri.