Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ vazhdon përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve në veri, kontraktohen mijëra euro shërbime

Institucioni për organizimin e zgjedhjeve në vend, KQZ, po vazhdon përgadtijet për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës.

Për realizimin e këtyre zgjedhjeve, KQZ deri më tash ka kontraktuar mijëra euro për t`u furnizuar me materiale zgjedhore dhe materiale tjera. Në anën tjetër gjendja në veri vazhdon të mbetet e tensionuar.

Formular zgjedhor e doracak trajnimi

Nëpërmjet tenderit të negociuar me vlerë të parashikuar për kontratë 6,300 euro për t`u furnizuar me materiale në mes tjerash si: 130 copë formularë të përputhjes së të dhënave dhe rezultateve FPR në formatin A3 për Kryetar Komune dhe 100 tjera për kuvende komunale, fllik A3  fletë llogaritëse për kandidatin, zarfi i fletëvotimeve me kusht, shenja për ndalimin e armëve, pirjes së duhanit, thasë të ndryshëm dhe materiale tjera sipas kërkesave dhe sasisë së përcaktuar në përshkrimin e çmimeve.

Për realizimin e këtij furnizimi, kontrata nga KQZ iu është dhënë kompanisë “Dukagjini” ShPK me vlerë 6,291.75 euro.

Ndërsa në tenderin e vlerës minimale, për shtypjen  e 60 doracakëve për trajnime në gjuhën serbe, 150 në gjuhën shqipe, 30 në gjuhën angleze dhe 20 tjera gjuhën turke ju është besuar kontrata në vlerë  900 euro kompanisë  G.I.Grafo – Loni SH.P.K.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mbi 2,200 euro për bateri për UV llampa

Në vlerë 2,205 euro, nëpërmjet procedurës së negociuar të tenderit të përdorur për këtë lloj furnizimi, KQZ ka kontraktuar për blerjen e 1800 copë baterive 1.5 V AA për UV llamp për rundi parë dhe 1,200 sosh për raundin e dytë.

Kontrata është nënshkruar me kompaninë “ALBUS” Sh.P.K e cila fillimisht kishte ofertuar me 2,250 euro vlerë të përgjithshme të kontratës, mirëpo ofroi zbritje.

“Pas negocimit OE ka ofruar zbritje prej 2 % të çmimit për njësi, ku çmimi total i zbritur është 2,205.00 Euro”-thuhet në njoftim.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vula për vulosjen e fletëvotimeve

KQZ pritet të furnizohet me vula, dhe jastëk me ngjyrë për vulosjen e fletëvotimeve, për blerjen e tyre kishte ndarë 1,800 euro ndërsa pas negociatave sipas procedurës së përdorur në këtë tender, me kompaninë ” ZERO – KS ” SHPK, vlera e përgjithshme e kontratë është 1,435.20 euro.

Nëpërmjet kësaj kontrate, pritet të blihen 40 copë vula dhe po aq jastëk për vula, si dhe 40 copë ngjyrë për vula.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fletëvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik në Kosovë “e-prokurimi” ka nënshkruar kontratë për shtypjen, paketimin dhe transportin e fletëvotimeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan 18 dhjetor 2022” dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e Komunave Zveçan dhe Leposaviq 25 dhjetor 2022.

Nëpërmjet procedurës së negociuar me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët, kontrata në fjalë dhe me kohëzgjatje tre muaj, ju është dhënë kompanisë “Dukagjini” ShPK. në vlerë të ofertuar 11,712.50 euro.

Në të dhënat shtesë të autoritetit thuhet se çmimi u ulë pas negociatave.

“Ka ofertuar me çmimin 11,712.50 €;dhe pas negocimit me OE ka ofruar çmim me te lire rreth 2% ose 237,50€. Çmimi total pas negociatave është 11,475.00 €”- thuhet në njoftim.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Incidente e tensione në veri

Ndryshe siç raportoi KALLXO.com, dhe  sipas Policisë, në orët e para të pasdites së datës 6 dhjetor 2022, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe  dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

KALLXO.com ka mësuar se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunal që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje sipas  KALLXO.com, në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar edhe alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Shpërthime janë dëgjuar edhe gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të KALLXO.com për ngjarjet në veri.

Në mbrëmjet e datës 8 dhjetor, një patrullë e Policisë së Kosovës është sulmuar në Zveçan me armë zjarri ku u plagos një polic.

Në veri, është sulmuar edhe ekipi i KALLXO.com. Makina me të cilën po udhëtonin ekipi i KALLXO.com, producenti Valdet Salihu dhe gazetarja Shkodrane Dakaj janë sulmuar nga persona të maskuar në afërsi të Shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut.

Për sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe të gazetarëve të KALLXO.com ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani

“Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë.” – u shpreh ajo.

Reagimet

Për organizmiin e zgjedhjeve në veri, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se nuk janë krijuar kushtet e duhura për momentin që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat ishin planifikuar të mbahen me 18 dhjetor.

Sipas ambasadorit Hovenier, siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen” – ka shkruar Hovenier në Twitter.

Në anën tjetër, kreu i punëve të brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelaj Sveçla nga Mitrovica e Jugut ka folur për situatën në veri duke thënë se Kosova ka kapacitetet e duhura për të mbajtur dhe ofruar siguri për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

“Ka shumë punë në këtë qytet, shumë punë në këtë zonë, prandaj edhe kam ardhur, me i kordinu punët. Situata është qetë. Ne kemi edhe kapacitete me i mbajt zgjedhjet dhe me i siguru zgjedhjet. Policia e Kosovës bën plane të saj dhe në bazë të vlerësimit, ne i shtojmë kapacitetet”- tha Sveçla në një bisedim me gazetarët  në afërsi të “Urës së Ibrit” në Mitrovicë të Jugut.

Ai ka folur edhe për deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili tha sot se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.

Sveçla ka thënë se lidhur më këtë institucionet përkatëse e vlerësojnë situatën.

“Ai e ka dhënë një opinion, ne e vlerësojmë shumë por janë institucionet përkatëse ato që vlerësojnë” – citohet të ketë thënë Sveçla.

Sulmet ndaj zyrave të KQZ-së në veri, misioni i OSBE-së në Kosovë ka dënuar “ashpër aktet e dhunës dhe frikësimit”

Sipas OSBE-së, KQZ-ja ka treguar se ka aftësi teknike për të zhvilluar zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare.

“Zgjedhjet e suksesshme kërkojnë pjesëmarrje të gjerë dhe besim publik në mënyrë që të japin një rezultat të besueshëm të pranuar nga të gjithë. KQZ-ja ka treguar se ka aftësi teknike për të zhvilluar zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare. Duke vepruar kështu, KQZ-ja mbështetet në përkrahjen e institucioneve të tjera të Kosovës për të vendosur të gjitha elementet e nevojshme, duke përfshirë vlerësimet e sigurisë për procesin zgjedhor dhe një mjedis të sigurt për të gjithë ata që janë të përfshirë në terren” – thuhej në komunikatën e misionit të OSBE-së në Kosovë.

Së fundmi ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka thënë që zgjedhjet në veri duhet të shtyhen sepse situata nuk është e favorshme.

Rohde bëri të ditur që pajtohet me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, që zgjedhjet duhet të shtyhen pasi siguria duhet të jetë primare për popullin e Kosovës.

“Jam dakord me kolegun tim amerikan që zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e qartë se situata aktuale nuk është e favorshme për mbajtjen e tyre tani”- ka shkruar Rohde në Twitter.