Komisionit i Pavarur i Mediave, Foto: KALLXO.com

KPM pezullon dhënien e licencave, para këtij vendimi një kompanie ia licencoi nëntë kanale televizive

Tash e një muaj Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka marrë vendim që të pezullojë përkohësisht lëshimin e licencave për kanalet e reja televizive, por para se vendimi të hyjë në fuqi plotësisht, në këtë periudhë i janë lëshuar gjashtë licenca një kompanie, si dhe së njëjtës i është miratuar rekomandimi për lëshimin edhe të tri licencave shtesë.

Kompania e cila ka përfituar licencat është “ISP Broadcast SH.P.K” me pronar Qëndrim Kryeziun, me seli në Prishtinë dhe e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bisneseve të Kosovës (ARBK). Kryeziu ka mohuar të ketë qenë në dijeni për vendimin e KPM-së që të pezullojë dhënien e licencave, para se të aplikonte për leje në këtë institucion.

Për lëshimin e licencave, KPM-ja në mbledhjen e javës së kaluar ka theksuar se nuk kanë pranuar kërkesa për licencim nga data 8 prill 2021, në kohën kur edhe ka hyrë në fuqi vendimi për pezullim të licencave për televizione.

Në lidhje me dhënien e këtyre licencave për kompaninë në fjalë, pak kohë para se të merrej vendimi për pezullim, KPM-ja në një përgjigje për KALLXO.com është arsyetuar se kandidati në fjalë i ka dorëzuar aplikacionet para se vendimi të bëhet i plotfuqishëm.

“Të gjitha vendimet e licencimit deri më tani, por edhe ato të takimit të Komisionit të datës 16 mars 2021, janë publikuar në uebfaqen e KPM-së, ku ju mund t`i gjeni të gjitha informacionet e nevojshme lidhur me pyetjen tuaj. Megjithatë ju njoftojmë se në këtë takim kandidati i cili është pajisur me disa licenca është ISP Broadcast SH.P.K. Po ashtu ju njoftojmë se nuk është i licencuari i vetëm i cili ka me shumë se një licencë të këtij lloji por ka edhe shumë të licencuar të tjerë të cilët në të kaluarën janë pajisur me disa licenca, të cilat janë kryesisht kanale tematike me përmbajtje si muzikë, film, dokumentare, etj”, thuhet në përgjigjen e Arsim Dreshajt, zyrtar i Lartë për Marrëdhënie me Publikun në KPM.

KPM-ja ka mohuar se i janë dhënë licencat biznesit në fjalë, duke u bazuar në grupe të interesit.

“Kandidatit në fjalë i janë lëshuar licencat pas kompletimit të aplikacioneve, të përcaktuara me aktet nënligjore të KPM-së. Gjithashtu, ju njoftojmë se i njëjti posedon licencë për Operator të Shpërndarjes që nga viti 2013 dhe personi përgjegjës sigurisht që është në dijeni me aktivitetet e KPM-së”, thuhet në përgjigjen e Dreshajt.

Ky Komision  ka theksuar se nuk ka pranuar kërkesa për licencim nga data 8 prill 2021.

“Kandidati në fjalë ka dorëzuar aplikacionet para se të hyjë vendimi në fuqi, që i bie se KPM nuk ka pranuar kërkesa për licencim nga data 8 prill 2021. Ndërsa, kandidati në fjalë i ka dorëzuar aplikacionet para se vendimi të bëhet i plotfuqishëm”, ka shtuar Dreshaj në përgjigjen më datë 15 prill 2021.

KPM ka shtuar se në vazhdimësi ka pranuar aplikacione për licencë të OSHMA-ve përmes operatorëve të shpërndarjes edhe në kohën kur ka marrë vendimin për pezullim, deri kur ky vendim ka hyrë në fuqi, e po ashtu sipas tyre edhe tani ka të interesuar të tjerë për këtë lloj të licencës.

“Vendimi në fjalë është publikuar në faqen zyrtare të KPM-së, dhe i njëjti është dërguar tek të gjithë të licencuarit dhe më gjerë”, thuhet në përgjigje.

Në mbledhjen e datës 16 prill, KPM-ja miratoi rekomandimin për lëshimin e tri licencave për kanale televizive vendore, më konkretisht për kompaninë “ISP Broadcast SH.P.K”.

Ndërkaq, pronari i kompanisë në fjalë, Qëndrim Kryeziu, në një përgjigje për KALLXO.com, ka theksuar se nuk ka qenë në dijeni paraprakisht për vendimin e KPM-së, duke shtuar se po ta dinte do të aplikonte edhe me kanale të tjera.

“…nën betim të plotë, deklarohem se nuk e kam ditë, se me pas ditë më herët kisha aplikuar edhe për këto 20 kanalet tjera, dhe nëse e din cili medium është në shitje njoftom se do ta takoj për blerje të aksioneve, vetëm e vetëm që rinia mos të na dali jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e tij.

Kryeziu ka shtuar se është në procedurë të licencimit të kanaleve të tjera.

“Përveç këtyre gjashtë kanaleve që kanë kaluar kushtet e licencimit, jam në procedurë përsëri për të licencuar edhe kanale tjera, pasi tani e kam gjetur edhe një bashkinvestitor, ku do të aplikoj për licencim edhe të 20 kanaleve tjera. Dhe me çfarëdo kushti qoftë, askush nuk mund të ma ndaloj krijimin e platformës së parë Shqiptare në Arbëri (Kosovë)”, ka theksuar ai.

Sipas Kryeziut, të gjithë kanë qenë në dijeni të licencimit të këtyre kanaleve.

“Nuk besoj që ka ndonjë medium dhe operator që nuk më njeh, dhe që po të gjithë kanë qenë në dijeni për licencimin e kanaleve, ku 3 kanale i kam licencuar vitin e kaluar: TV Malisheva, ISP MusiX dhe ISP Shahirat”, vijon përgjigja e tij.

Arsyet për pezullimin e licencave

Në mbledhjen e mbajtur më 16 mars 2021, KPM-ja ka vendosur që pezullimi për dhënien e licencave për kanale televizive të bëhet  deri në përcaktimin e kritereve dhe procedurave të reja për licencimin e tyre.

Vendimi më pas është nënshkruar më 23 mars 2021 nga kryetari i KPM-së Xhevat Latifi.

Në dokument thuhet se vendimi hyn në fuqi 15 ditë nga data e nënshkrimit. Njoftimi për këtë vendim është publikuar në ueb faqen e KPM-së më 24 mars 2021.

KPM-ja në një përgjigje për KALLXO.com ka treguar se pse ka ardhur deri te vendimi për pezullimin e dhënies së licencave.

“Deri tek vendimi për pezullimin e lëshimit të licencave për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA) me transmetim përmes operatorëve të shpërndarjes ka ardhur për arsye se deri më tani lëshimi i licencave nuk është bërë përmes procesit të konkurrimit, prandaj KPM vlerëson se lëshimi edhe i këtyre licencave sikurse edhe licencave për transmetim tokësorë duhet të bëhet përmes konkurrimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

KPM-ja ka treguar edhe se cilat do të jenë ndryshimet në  kriteret për dhënien e licencave.

“Deri më tani procedura e lëshimit të këtij lloji të licencave ka rezultuar me licencimin e një numri të madh të mediave ku një numër i konsiderueshëm i tyre nuk janë funksionale dhe me qëllim të licencimit të ofruesve të shërbimeve mediale me të qëndrueshme KPM ka iniciuar edhe procedurën për ndryshimin e Rregullores për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele (Rregullorja 2017/02), përmes ndryshimit të së cilës do të ndryshohet procedura dhe kriteret e licencimit, ku lëshimi i licencave të KPM-së për këtë lloj të transmetimit të bëhet përmes shpalljes se konkursit publik nga ana e KPM-së”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, sipas këtij Komisioni, detajet për kriteret do të përcaktohen pas themelimit të grupit punues për ndryshim të rregullores në fjalë, ku siç thonë, do të ketë përfshirje të palëve të interesit gjatë komenteve publike, para miratimit të rregullore.

KPM-ja thotë se obligohet t’i trajtojë dhe të marrin vendime për të gjitha aplikacionet të cilat janë tërhequr aplikacionet para datës 8 prill 2021 e që sipas tyre, nuk janë kompletuar akoma.

Për të ushtruar veprimtarinë në fushën e shërbimeve mediale audio-vizuale në Republikën e Kosovës sipas Ligjit Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave kërkohet licenca për transmetim, të cilën e lëshon KPM-ja.

Licencat e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre bëhet për një afat shtatë vjeçar për radio transmetime, ndërsa për shërbime mediale audiovizuele dhe për operatorët e rrjeteve për ofrimin e shërbimeve mediale me përmbajtje audio-vizuele afati është 10 vjeçar.